Nga Alessia Selimi
Është një kohë sfiduese për shumë njerëz, me problemet sociale dhe ekonomike, të rënduara nga kriza COVID-19; njerëzit në të gjithë botën po përjetojnë një ndryshim të paparë rrethanash. Ka shumë nisma fantastike që janë lançuar si rezultat, nga aplikacione të reja që lidhin njerëzit me shërbime vullnetare, deri te disqet digjitale të mbledhjes së fondeve, të mundësuara me funksionin e ri “Dhuro” në instagram Live.
Edhe industria e modës po luan rolin e saj, duke dhuruar fitime nga shitjet e produkteve dhe duke mbledhur yjet e industrisë, nga stilistët e deri te fotografët më të mirë, për të mbledhur para me bluza dhe printime të kufizuara. Gazeta “Fjala” ka renditur një sërë markash të njohura, të cilat po kontribuojnë për kauza të mira.
- ASAI
Këngëtarja e njohur Rihanna për pak shkaktoi “tronditje” në internet, kur ajo ndau një video të vetes duke ecur ngadalë, e veshur me një fustan të shkurtër “Hot Wok” nga Asai. Marka me qendër në Londër po e riprodhon tani veshjen për një kauzë të mirë. Është menduar që fitimet të ndahen midis tri organizatave bamirëse, si “Black Lives Matter”, “Solace Women’s Aid” dhe “Voice of Domestic Workers”. ASAI gjithashtu po shet posterë me edicion të kufizuar.
- Michael Kors
Michael Kors ka lëshuar një tirazh të veçantë të bluzës “Love” për të ndihmuar Programin Botëror të Ushqimit (WFP), që t’i përgjigjet pandemisë globale COVID-19.Të gjitha fitimet nga bluza do të mbështesin përpjekjet për rritjen e shëndetshme të fëmijëve qoftë në shkollë, qoftë në shtëpi.
- Fondacioni i Fotografisë Antiracizëm
Fotografët më të mëdhenj të industrisë së modës kanë dhuruar printime për Fondacionin e Fotografisë , dhe paratë nga shitjet do të ndahen midis “The Black Curriculum”, “Black Minds Matter” dhe “Exit Loudly”, të cilat mbështesin komunitetin me ngjyrë në reformën në arsim, burimet e shëndetit mendor dhe shërbimet LGBTQ.
- Stefan Cooke
Loop Studio, Knitster LDN dhe Kaysha Sinclair kanë bashkuar forcat me markën Stefan Cooke, si pjesë e Commuknitty, një rrjet fondesh për veshje dhe stilistë. Të gjitha fondet e mbledhura në llogarinë eBay të Commuknitty do t’u dhurohen rrjetit të stilistëve në mënyrë që të blejnë materiale për pastrimin e spitaleve dhe shtëpive të kujdesit.
- Studio FY7
Agjencia krijuese me qendër në Los Angeles, Studio FY7, ka prodhuar një bluzë në mbështetje të krizës humanitare në Jemen. Krijuar nga Younes Bendjima dhe Kamil Abbas, 100% e fitimeve do të ndahen në mes të tri organizatave: “Mona Relief”, “Islamic relief Usa” dhe “Baitumaal”.
- Etro
Marka luksoze italiane “Etro” ka lançuar një linjë të kufizuar të çantës së dorës “Pegaso” për të mbështetur komunitetin LGBTQ. 20% e shitjeve do t’i dhurohen “Casa Arcobaleno”, një strehë kushtuar atyre që janë diskriminuar nga familjet e tyre, për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor në Milano, Itali.
- Kurt Geiger
Kurt Geiger ka hedhur në treg një çantë tërheqëse me shkrimin “We are One” (“Ne jemi një”). 100% të fitimeve shkojnë për Shërbimin Kombëtar të Shëndetit në Britani. Marka bashkëpunoi me artistin Anthony Burrill për printimin shumëngjyrësh “We are One”.
- Mackintosh
Mackintosh ka lëshuar një bluzë me edicion të kufizuar në bashkëpunim me Trevor Jackson, për të rritur ndërgjegjësimin për ditën e Stephen Lawrence. Të gjitha të ardhurat i dhurohen Stephen Lawrence Trust, në mbështetje të të rinjve të talentuar me qendër në Mbretërinë e Bashkuar.
- Rixo
Rixo ka lëshuar dy bluza “Stay at Home” (“Qëndro në shtëpi”), ku paraqiten motive të pikturuara me dorë, të disponueshme në rozë dhe të bardhë. Marka po dhuron 50% të shitjeve në dy organizata bamirëse; të ardhurat nga bluza e bardhë shkojnë për Shërbimin Kombëtar të Shëndetit në Britani, dhe të ardhurat nga bluza rozë shkojnë për “Carers Trust”.
- Begg & Co
Begg & Co ka përzgjedhur tri nga produktet e saj më ikonike, blu, për të mbështetur punonjësit e vijës së parë të frontit të luftës ndaj COVID-19. Të gjitha fitimet nga shitjet në internet do të shkojnë për Shërbimin Kombëtar të Shëndetit.
- LOEWE
Për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët në grupe të prekura nga COVID-19, LOEWE do të dhurojë 40 € për projekte edukative për çdo produkt të shitur në koleksionin e modës së Paula’s Ibiza, midis majit dhe gushtit 2020 në dyqanet LOEWE dhe në loewe.com, duke filluar me një donacion fillestar prej 500 mijë eurosh.
- Pangai
Pangai, e njohur për praktikat e saj të qëndrueshme dhe etike, ka një numër stilesh që kontribuojnë në kauza të mira. Për çdo produkt të shitur, kompania do t’ia dhurojë fitimet “Doctors Without Borders”. Kohët e fundit është lançuar edhe një seri bluzash të “Protect the Species” (“Mbro kafshët”), të bëra nga fibrat e algave të detit. 100% e të ardhurave do t’i dhurohen “Barumun Nagari Sanctuary” dhe “Sumatran Orangutang”.
- Gerbase
Paula Gerbase, stilistja, pas markës së këpucëve John Lobb dhe firmës në emrin e saj, ka nisur një seri printimesh si pjesë e projektit “Confinement Diary”. Projekti regjistron momente intime në shtëpi, të kapura nga një sërë fotografësh dhe artistësh, ndërsa praktikohet distanca sociale gjatë pandemisë COVID-19. Seti i parë i fotografive është realizuar nga Mate Moro dhe Borbala Szanto. Printimet do të jenë në dispozicion për t’u blerë, dhe fitimet nga shitjet do t’i dhurohen “Aid Women’s Award” – një organizatë që ofron shërbime për shpëtimin e jetës së grave dhe fëmijëve që vuajnë nga dhuna në familje.
- Balenciaga
“Përpjekja ime aktuale në Balenciaga është krijimi i një marke moderne luksoze, që është gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme dhe avangardë, sepse kjo është në ADN-në e saj,” tha drejtoresha krijuese e Balenciaga, Demna Gvasalia. Kjo lëvizje filloi në vitin 2018, duke prodhuar kapele bejsbolli dhe bluza që mbajnë logot e Balenciaga-s, por edhe të Programit Botëror të Ushqimit. Grupi më i madh i ndihmave humanitare që lufton urinë në botë, përfton 10% të shitjeve.
- Chloe
Marka franceze luksoze Chloe ka bashkëpunuar me yjet e Hollivudit për bluzat “Girls Forward” (“Vajzat përpara”), falë partneritetit global me UNICEF-in. Lucy Boynton dhe aktorja Katie Holmes po zhvillojnë një fushatë që mbështet programet e barazisë gjinore të UNICEF-it, duke ndihmuar vajzat të udhëheqin dhe të ndërtojnë një botë më të mirë për veten dhe të tjerët. Një pjesë e kësaj fushate do t’i lejojë gjithashtu tifozët e markës të tregojnë mbështetjen e tyre, duke blerë një gamë të produkteve, duke përfshirë një bluzë, gjerdan dhe byzylyk.
- Dolce & Gabbana
Dolce & Gabbana vazhdon bashkëpunimin me universitetin Humanitas, duke mbështetur projektin “Amore” për kërkime ahkencore. Marka luksoze italiane do të dhurojë 5% të çmimit të shitjes së të gjithave stileve të çantës së dorës “Devotion”.
- Pinko
Pinko është duke shitur një prodhim të kufizuar, “Italia Ti Amo”. Të ardhurat e plota të çdo shitjeje do të shkojnë drejt blerjes së 6 testeve COVID-19, të cilat do të shpërndahen brenda zonës lokale. Marka ka dhuruar edhe 15 helmeta ventilimi për kujdes intensiv, në spitalin Vaio, gjatë pandemisë.
- Trio Studs
Të krijuara për të përkujtuar lëvizjen “Suffragette” dhe ndikimin e saj të jashtëzakonshëm në të drejtat e grave, Dinny Hall lançoi koleksionin në treg. Një përqindje e fitimeve do t’u dhurohet gjatë vitit grave në nevojë.