Brenda “zonës së kuqe”/Inxhinieri i respiratorëve: Vuajtjet e pacientëve të intubuar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pacientë të shumtë çdo ditë luftojnë për jetën e tyre pranë spitaleve Covid, të vetëm dhe pa mundësinë e pranisë së familjarëve, shumë prej tyre përjetojnë faza të rënda të sëmundjes, deri në intubim.

Në raste të tilla respiratori kthehet në një pajisje jetëshpëtuese për këta pacientë. Inxhinieri i pajisjeve mjekësore, Ermand Mertenika, në një intervistë për gazetën “Fjala”, tregon fazat që kalojnë pacientët e shtruar, deri tek intubimi invaziv. Inxhinieri shprehet se aktualisht kapaciteti i sistemit spitalor është i mjaftueshëm, dhe se disponojnë rreth 80 respiratorë.

Nga Ina Allkanjari

COVID-19 është një virus i panjohur dhe agresiv, i cili tenton të shkatërrojë mushkëritë e pacientëve. Kur gjendja e pacientit rëndohet dhe nuk është më i aftë të marrë frymë në mënyrë natyrale, në këtë moment atij duhet t’i presohet oksigjen, në mënyrë artificiale, nëpërmjet respiratorëve.

Për pacientët e prekur me COVID-19, respiratori është si një mushkëri. Përballë luftës së vazhdueshme me virusin, ku shifrat e të infektuarve po rriten çdo ditë e më shumë, dhe disa prej pacientëve, fatkeqësisht, luftojnë me faza të rënduara të sëmundjes, qëndrojnë pajisjet mjekësore, si respiratorët. Ermand Mertenika, inxhinier i pajisjeve mjekësore, konkretisht respiratorëve, pranë spitaleve Covid, në një intervistë për gazetën “Fjala”, tregon se si është të punosh me këto pajisje jetësore, brenda në “zonën e kuqe”.

Roli i tij qëndron në instalimin, mirëmbajtjen, konfigurimet e pajisjeve mjekësore, si dhe në trajnimin e mjekëve për t’u familjarizuar me pajisjet, në varësi të profileve të ndryshme. Gjatë periudhës së pandemisë, fokusi kryesor, sipas inxhinierit, janë pajisjet e trajtimit instensiv, në rastet emergjente të sëmundjeve pulmonare, të cilat janë ventilatorët e reanimacionit (respiratorët), të quajtur ndryshe mushkëri artificiale.

“Në këtë moment, këto janë pajisjet më të çmuara dhe po punojmë në mënyrë intensive për trajtimin e pacientëve të infektuar me këtë virus të rrezikshëm dhe të panjohur momentalisht për shkencën mjekësore, COVID-19”, shprehet Mertenika. Sipas tij, momentalisht kapacitetet dhe infrastruktura e sistemit spitalor janë të mjaftueshme. Kemi mbi 80 respiratorë. Ndërsa thekson se një pjesë e tyre janë rezervë dhe, në rast agravimi të situatës, do të shtohet dhe numri i tyre.

Ju jeni inxhinier i pajisjeve mjekësore. Ku konsiston puna juaj?

Unë jam inxhinier pajisjesh mjekësore, i cili është një profil shumë specifik që ka të bëjë me instalimet, mirëmbajtjet, konfigurimet dhe trajnimin e mjekëve për t’u familjarizuar me pajisjet, në varësi të profileve të ndryshme, të cilat funksionojnë në departamente apo pavijone të ndryshme, si psh: Pavijoni i Radiologjisë , Pavijoni i Kardiologjisë, i Hemodializës, Kardiokirurgjia, Mjekësia nukleare apo Njësia Intensive e Trajtimit, pra Reanimacioni. Unë jam trajnuar jashtë vendit në sektorin e IT-së dhe të pajisjeve mjekësore të Kardiologjisë, Pulmologjisë (spirometrisë) Radiologjisë së përgjithsgme dhe asaj dentare.

A është shtuar vëmendja ndaj pajisjeve respiratore në spitale, dhe sa të rëndësishme janë këto pajisje “në luftën” me virusin COVID-19?

Sigurisht, pajisjet e trajtimit intensiv janë ato pajisje që i mbajnë në jetë pacientët, në rastet më emergjente të sëmundjeve pulmonare, të cilat janë ventilatorët e reanimacionit (respiratorët ), të quajtur ndryshe mushkëri artificiale. Në këtë moment, janë pajisjet më të çmuara që po punojmë në mënyrë intensive për trajtimin e pacientëve të infektuar me këtë virus të rrezikshëm dhe të panjohur momentalisht për shkencën mjekësore, COVID-19.

Numri i personave të hospitalizuar është rritur ndjeshëm. A janë të mjaftueshme këto pajisje përballë fluksit aktual?

Momentalisht kapacitetet dhe infrastruktura e sistemit spitalor janë të mjaftueshme. Kemi mbi 80 respiratorë. Një pjesë e tyre janë rezervë dhe, në rast agravimi të situatës, do të shtohet dhe numri i tyre. Aktualisht kemi deri diku një rritje numrit të pacientëve, por besoj që nuk kemi të bëjmë me një valë të dytë, pasi vala e dytë presupozon situatë shumë ekstreme.

Ju keni qenë në spitalet Covid që në fillim të pandemisë, si është situata brenda dyerve të spitalit?

Situata normalisht që nuk është e lehtë, pasi COVID-19 është një virus i panjohur dhe agresiv, i cili tenton të shkatërrojë mushkëritë e pacientëve, pra njësitë më të vogla të mushkërive, të cilat quhen alveola, aty ku pikërisht ndodh transferimi i oksigjenit në gjak (oksigjenimi i qelizave të kuqe të gjakut “eritrocideve”, pra një gjak i pasur me oksigjen shpërndahet në të gjitha organet.

Kur COVID-19 merret nëpërmjet rrugëve respiratore, atëherë ky virus, pasi depërton në qelizën e shëndoshë në mushkëri, lëshon materialin e tij gjenetik në ribozome dhe në nuklin e qelizës së shëndoshë, duke e transformuar këtë qelizë në një fabrikë ose gjenerator të prodhimit të këtyre viruseve, pra bën shumëzimin për një kohë të shkurtër të këtyre viruseve.

Qeliza e shëndoshë në të cilën virusi ka depërtuar dhe e ka shumëzuar këtë virus, pëson një metamorfozë gjenetike, pra modifikim gjenetik, duke prodhuar miliona viruse të tjera, derisa kjo qelizë e shëndoshë vdes. Këto viruse dalin nga qeliza e vdekur prej së cilës u shumëzuan dhe infektojnë qeliza të tjera të shëndosha, në proces zinxhir.

Lexo edhe :  Linda Rama rrëfen njohjen me kryeministrin

Çfarë ndodh në raste të tilla me pacientin?

Në këtë rast, në qoftë se një person ka një sistem imunitar, e thënë ndryshe qeliza të mira imune, atëherë këto qeliza, pra “limfocitet, antitrupat dhe T-Cell, të cilat janë qelizat imunitare, arrijnë të shkatërrojnë virusin COVID-19 dhe këta persona mund të jenë asimptomatikë ose me simptoma të lehta apo deri diku pak problematike.

Në rast të kundërt, kur personat kanë një sistem imunitar të dobët, atëherë virusi COVID-19 ka një shkallë masive shumëzimi, duke shkaktuar sëmundje intersticiale pulmonare, pra bllokimin e njësive më të vogla të mushkërive, pikërisht aty ku transferohet oksigjeni në gjak, pra në alveola.

Kur alveola bllokohet, atëherë pacienti fillon të ketë vështirësi në frymëmarrje, pra kërkon oksigjen më shumë, sepse gjaku i tij nuk saturohet për shkak të shumëzimit të këtyre viruseve në poret e alveolës.

Kur shkalla e shumëzimit është ekstremisht e lartë, pacienti nuk është më i aftë të marrë frymë në mënyrë natyrale, dhe në këtë moment atij duhet t’i presohet oksigjen në mënyrë artificiale, dhe pajisjet që i japin frymë në mënyrë artificiale janë respiratorët , pra mushkëri artificiale.

Në rast se pacienti ka vështirësi të lehtë në frymemarrje, atëherë përdoret niveli i parë i oksigjenit me maskë ventilimi. Në rastin kur situata e pacientit është shumë emergjente dhe mushkëria e tij është e pamundur të funksionojë për të realizuar ciklin spirometrik (frymëshkëmbimin) atëherë këtij pacienti i aplikohet niveli 2 dhe i fundit, i cili është intubimi invaziv (vendosja e një tubi endotrakeal, pra në fytin e tij) njëra anë e këtij tubi është brenda trakesë së pacientit, pra fytit të tij, dhe ana tjetër e tubit lidhet me ventilatorin e reanimacionit (respiratorit) për t’i dhënë pacientit oksigjen në mënyrë artificiale. Sigurisht, ka pacientë të cilët kur iu aplikohet intubimi invaziv, arrijnë ta marrin veten, pra të rehabilitohen dhe kjo varet nga sistemi i tyre imunitar.

Sa e vështirë është të gjendesh perballë një situate të tillë pandemie, ku çdo ditë pacientë të ndryshëm luftojnë për të mposhtur virusin?

Më krijohet angështi kur shoh ata paciente që janë të kontaminuar dhe janë mbi të gjitha vetëm teksa luftojnë për jetën e tyre; një emocion më i madh është në rastin e atyre pacientëve të intubuar të cilët janë në gjendjen më akute për jetën e tyre.

Kjo të ngjall trishtim të madh, pasi, siç dihet, pacientët në gjendje të rëndë, të infektuar me Covid, duhet të qëndrojnë të izoluar për shkak të aktivitetit të virusit, me shpresën që nga momenti në moment do të dalin nga muret e atij spitali.

Sigurisht, kjo situatë do të mbetet në memorje për të gjithë jetën, si për mjekët reanimatorë, anestezistë dhe infeksionistë, të cilët janë në frontin e parë të përballjes, gjithashtu dhe për bio-inxhinierët që hera-herës mirëmbajnë pajisjet mjekësore, për të siguruar mirëfunksionimin e tyre, pasi aktualisht kemi të bëjmë me një virus të ri dhe të panjohur, dhe nuk po perceptohet saktësisht sjellja e tij në kushte të ndryshme natyrore apo fiziologjike. Shpeshherë kemi ngritje dhe ulje të aktivitetit dhe ajo që besoj është që do ta kalojmë shumë shpejt këtë pandemi, si rezultat i përshtatjes së sistemit tonë limfatik pra sistemit imunitar.

Cila është këshilla juaj për qytetarët?

Kjo është një pandemi e cila do të kalojë si rezultat i adaptimit të sistemit imunitar të organizmit, por, sigurisht, për të evituar rritjen e numrit të të infektuarve dua t’u jap 5 këshilla qytetarëve:

1 – Respektoni distancën fiziko-sociale me të tjerët, minimalisht 1,5 m.

2 – Në rast se jeni pranë një klani apo grupi njerëzish apo në urbanë, vendosni qoftë një maskë të lehtë FFP1, pasi ju mbron nga kontaminimi me COVID-19 nga ajri (për shkak të dimensionit të tij, të rendit nm nanometrik, pesha e COVID-19 është e lehtë dhe kjo e bën këtë virus të qëndrojë për një kohë relativisht të gjatë në ajër).

3 – Lani apo dezinfektoni duart hera-herës.

4 – Në këtë kohë të nxehtë bëni kujdes me kondicionerët, pasi një ftohje e lehtë apo një pneumoni e lehtë, është një terren mjaft i përshtatshëm për COVID-19.

5- Ushqehuni shëndetshëm, pra një kulturë dietike dhe sportive të mirë (konsumoni perime, sallata, sa më shumë ujë dhe një vrap i lehtë pasditeve, ose në mëngjes, ju bën të ndiheni mirë).

6 – Në rast se keni vështirësi në frymëmarrje, temperaturë stabël mbinormale, duhet të qëndroni mbyllur dhe të merrni masat e duhura.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Trump i kërkon Gjykatës së Lartë të shtyjë vendimin për ndalimin e TikTok

Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump i kërkoi Gjykatës së Lartë të pezullojë një ndalim të diskutueshëm të TikTok,...

U arrestua pak ditë më parë, Florian Marku fiton lirinë në Gjermani!

Boksieri Florian Marku ka lënë qelinë në Gjermani, ku u arrestua pak ditë më parë për shkak të një dënimi të pakryer në Greqi. Historia...

28 Dhjetor 1908/ Tërmeti godet Siçilinë, mbeten mbi 100 mijë njerëz të vdekur

Në agimin e datës 28 dhjetor, tërmeti më shkatërrues në historinë e regjistruar evropiane, godet Ngushticën e Mesinës në Italinë jugore, duke i rrafshuar...

Çmimet e festave, a po abuzojnë tregtarët?

Rritja e çmimeve për festat e fundvitit është tashmë traditë. Familjet shtojnë ndjeshëm shpenzimet për tryezën e festave dhe kjo çon në shtrenjtim të...

Gjendet në një libër gatimi 1000-vjeçar kura e lashtë për dhimbjen e kokës nga pija

E shkruar gati një mijë vjet më parë, Kitab al-tabikh (libri i gatimit), i hartuar nga Ibn Sayyar al-Warraq, është vepra më e plotë e këtij lloji. Ai përfshin më...

Lajme të tjera

Web TV