Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) në ndjekje të tërë zhvillimet politike e institucionale, ka dalë sot me një qendrim publik: “Prishja e Marrëveshjes Politike dhe amendimi i njëanshëm i Kushtetutës, precedent tejet i rrezikshëm për të ardhmen demokratike të vendit”.
Nëpërmjet tij, KRIIK deklaron se konfrontimi politik që tanimë po rrezikon Marrëveshjen Politike të 5 qershorit 2020, paraqet në vetvete perspektivën e një ecurie akoma më të rrezikshme se ajo që i parapriu dakordësisë politike.
Mbi precedentët antidemokratikë të shtresëzuar në vijimësi, në një kontekst institucional kritik, po manifestohet edhe një precedent tjetër i ri, totalisht i papranueshëm për sistemin demokratik, cënimi, pa marrë akoma jetë, i dakordësisë dhe kompromisit të lidershipit politik.
Mosmiratimi me emergjencë i kësaj Marrëveshje dhe interferimi në këtë proces i agjendave të tjera pa dakordësi të plotë dhe të gjithëanshme politike po e çon vendin nga një precendent i rrezikshëm në tjetrin.
Procesi i amendimit Kushtetues të ndërmarrë së fundi, përpos problematikave të tjera që mbart në vetvete, është një ndërhyrje e njëanshme e mazhorancës në kundërshtim me zotimin e marrë në zbatim të Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020.
Në Relacionin që shoqëron projektligjin e dakordësuar nga kjo Marrëveshje Politike deklarohet se këto amendime mundësojnë dakortësinë politike të palëve për rregullat e lojës në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore të rradhës, si dhe përbëjnë bazën ligjore të ndryshuar me të cilën këto dy procese zgjedhore do të zhvillohen.
Gjithashtu, KRIIK shprehet se Procesi i Amendimit të Kushtetutës i ndërmarrë nga Kuvendi, me një proces konsultimi fiktiv, në shkelje të gërmës dhe frymës së ligjit dhe pa dakordësi të plotë politike, konsiderohet si një veprim tejet i rrezikshëm.
Ky hap që po ndërmerret, pas precedentit të gjithëkritikuar të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, është finalizimi i çshenjtërimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
KRIIK ngre me forcë alarmin që ky precedent i ri dhe ky standard që po vendoset, nga kjo mazhorancë apo nga ajo që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme, mund të përdoret duke zgjatur duart edhe drejt Reformës në Drejtësi.
Themeli i kësaj reforme, i cili jetësohet në vetë Kushtetutën e Republikës, nën standardin e vendosur, nesër mund të tjetërsohet duke bërë nul vetë Reformën dhe minuar projektin shtetformues demokratik.
Në konsideratën e KRIIK, procesi amendues kushtetues ka tërë legjitimitetin e duhur të nisë prej kujtdo prej aktorëve politikë, por ai duhet të sigurojë në radhë të parë një proces të mirëfilltë dhe të vërtetë konsultimi të gjerë publik, të sigurojë dakordësinë më të gjerë të mundshme të tërë aktorëve politikë e civilë, të ketë në dispozicion kohën e mjaftueshme për një proces të gjerë dhe efektiv konsultimi, si dhe të tregojë maturi duke përcaktuar hyrjen në fuqi dhe zbatimin e amendamenteve të konkluduara, në procesin zgjedhor të mëpasshëm, pas atij të rradhës
Dokumentin e plotë mund ta gjeni si tekst më poshtë ose në formatin .pdf mund ta shkarkoni KËTU.
Tiranë, më 17 Korrik 2020!
Q E N D R I M P U B L I K
Prishja e Marrëveshjes Politike dhe amendimi i njëanshëm i Kushtetutës,
precedent tejet i rrezikshëm për të ardhmen demokratike të vendit
Mbyllja e krizës politike disa vjeçare, nëpërmjet Marrëveshjes Politike të 5 Qershorit 2020, u duk se përmbylli serinë e precedentëve negativë politikë e institucionalë, duke vendosur përballë faktorit politik vendas dhe institucioneve shtetërore, sfidat reale me të cilat po përballet vendi dhe shoqëria shqiptare.
Nën këtë premisë, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) ka ndjekur nga afër tërë zhvillimet politike e institucionale duke paraqitur herë pas here, nëpërmjet deklarimeve publike, çështje të tjera të cilat kërkojnë domosdoshmërisht vëmendjen e përbashkët të faktorit politik dhe të institucioneve shtetërore, në përballimin e sfidave madhore që i paraqiten vendit si realizimi i një procesi zgjedhor të lirë, të pandikuar dhe me integritet, çuarjen përpara të reformës në drejtësi, luftën e palëkundur ndaj krimit të organizuar dhe influencave të paligjshme në vendimmarrje si dhe prospertitetin ekonomik të vendit.
Së fundmi, KRIIK kërkoi dhe solli në vëmendjen e aktorëve politikë rregullimin e nevojshëm që duhet bërë në rast të zhvillimit të mundshëm të procesit zgjedhor gjatë një situate pandemie më të rënduar, si dhe evidentoi gjendjen e rënduar institucionale të ligjzbatimit dhe të funksionimit të institucioneve në vend, e cila përbën rrezik për mossuksesin e çdo reforme të mundshme që mund të ndërmerret. Adresimi i këtyre problematikave kërkon domosdoshmërisht zgjatimin e vullnetit dhe të dakordësisë së gjetur politike në funksion të sigurimit të së ardhmes demokratike të vendit dhe të ndërtimit të shtetit ligjor dhe të së drejtës.
Në kundërshtim me nevojën e paraqitur për adresimin e këtyre problematikave madhore prej aktorëve politikë, rishfaqet papritmas një ngërç i ri politik, i cili duket se po projektohet rrezikshëm drejt një krize të re, akoma më të rëndë, duke zhvendosur kështu fokusin e përpjekjeve të shoqërisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë në zgjidhjen e saj, duke lënë në hije nevojat madhore të vendit e duke rënduar akoma më tej gjendjen social-ekonomike të qytetarëve shqiptare si dhe të ecurisë demokratike të vendit.
Marrëveshja e 5 Qershorit 2020, si produkt i dakordësisë së katër aktorëve politikë, që në respekt të frymës dhe gërmës së Kushtetutës përfaqësojnë dhe legjitimojnë vullnetin popullor të shprehur në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2017, si dhe me ndërmjetësimin e partnerëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë, ishte hapi i parë që shënoi rikthimin e normalitetit politik.
Konfrontimi politik që tanimë po rrezikon këtë Marrëveshje paraqet në vetvete perspektivën e një ecurie akoma më të rrezikshme se ajo që i parapriu dakordësisë politike.
Mosmiratimi me emergjencë i Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe interferimi në këtë proces i agjendave të tjera pa dakordësi të plotë dhe të gjithëanshme politike po e çon vendin nga një precendent i rrezikshëm në tjetrin.
Mazhoranca në veçanti, por edhe gjithë klasa politike dhe të gjithë aktorët e tjerë duhet të ndërgjegjësohen se një proces zgjedhor i ardhshëm, sadopak i ngjashëm me atë të 2019-ës do të ketë të humbur vetëm Qytetarin Shqiptar dhe fatin demokratik të vendit.
Nga ana tjetër, Procesi i Amendimit të Kushtetutës i ndërmarrë nga Kuvendi, me një proces konsultimi fiktiv, në shkelje të gërmës dhe frymës së ligjit dhe pa dakordësi të plotë politike konsiderohet si një veprim tejet i rrezikshëm.
Ky hap që po ndërmerret, pas precedentit të gjithëkritikuar të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, është finalizimi i çshenjtërimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
KRIIK ngre me forcë alarmin që ky precedent i ri dhe ky standard që po vendoset, nga kjo mazhorancë apo nga ajo që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme, mund të përdoret duke zgjatur duart edhe drejt Reformës në Drejtësi.
Themeli i kësaj reforme, i cili jetësohet në vetë Kushtetutën e Republikës, nën standardin e vendosur, nesër mund të tjetërsohet duke bërë nul vetë Reformën dhe minuar projektin shtetformues demokratik.
Në konsideratën e KRIIK, procesi amendues kushtetues ka tërë legjitimitetin e duhur të nisë prej kujtdo prej aktorëve politikë, por ai duhet të sigurojë në rradhë të parë një proces të mirëfilltë dhe të vërtetë konsultimi të gjerë publik, të sigurojë dakordësinë më të gjerë të mundshme të tërë aktorëve politikë e civilë, të ketë në dispozicion kohën e mjaftueshme për një proces të gjerë dhe efektiv konsultimi, si dhe të tregojë maturi duke përcaktuar hyrjen në fuqi dhe zbatimin e amendamenteve të konkluduara, në procesin zgjedhor të mëpasshëm, pas atij të rradhës.
- Kërcënimi ndaj Marrëveshjes Politike të 5 Qershorit 2020
Këshilli Politik ishte një gjetje institucionalo-politike si një mundësi tejkalimi e një krize të paprecedentë disa vjeçare, e cila rrezikonte të përkeqësohej edhe më.
Ky modul ekstraligjor për reformimin e kuadrit ligjor zgjedhor, në finalizimin e produktit të tij, u ndihmua dhe ndërmjetësua edhe nga përfaqësia më e lartë e prezencës diplomatike të partnerëve strategjikë të vendit.
Pas një ecurie plot pengesa në dialogun e zhvilluar, u arrit në një produkt final të dakordësuar me Marrëveshjen e 5 Qershorit 2020.
Paketa e parë e amendimeve ligjore e dalë në zbatim të kësaj marrëveshje, ndonëse si një produkt larg pritshmërive dhe zotimeve të kahershme të vetë lidershipeve politike, në një proces të zhvilluar në mënyrë totalisht jo-transparante dhe jo-gjithëpërfshirëse, sërish u përgëzua si një hap i parë për rikthimin në normalitetin politik e social të vendit[i].
Këshilli Politik u ndërmor si një modul që do të arrinte dakordësinë katër-laterale të aktorëve kryesorë politikë në vend, dy partive të opozitës të dala nga zgjedhjet e 2017-tës, opozitës dhe mazhorancës parlamentare.
Kësisoj, diskutimi, dakordësia dhe produkti i këtij Këshilli do të reflektonte vullnetet e këtyre katër palëve, në një proces të natyrshëm negocimi, duke ndërmarrë amendimet më të nevojshme të kuadrit ligjor, sipas tyre, që do të çonin në një proces zgjedhor të ardhshëm, të cilin të gjitha palët nuk do të mund t’a delegjitimonin, së paku, apriori[ii].
Zhvillimet që pasuan këtë dakordësi dhe kryesisht këto të ditëve të fundit ngrenë alarmin për një precipitim më shumë se të rrezikshëm.
Mbi precedentët antidemokratikë të shtresëzuar në vijimësi, në një kontekst institucional kritik, po manifestohet edhe një precedent tjetër i ri, totalisht i papranueshëm për sistemin demokratik, cënimi, pa marrë akoma jetë, i dakordësisë dhe kompromisit të lidershipit politik.
Procesi i amendimit Kushtetues të ndërmarrë së fundi, përpos problematikave të tjera që mbart në vetvete, është një ndërhyrje e njëanshme e mazhorancës në kundërshtim me zotimin e marrë në zbatim të Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020.
Në Relacionin që shoqëron projektligjin e dakordësuar nga kjo Marrëveshje Politike deklarohet se këto amendime mundësojnë dakortësinë politike të palëve për rregullat e lojës në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore të rradhës, si dhe përbëjnë bazën ligjore të ndryshuar me të cilën këto dy procese zgjedhore do të zhvillohen.
KRIIK vë re me shqetësim mungesën e maturisë së duhur politike, aq shumë të kërkuar në këto momente prej të gjithë aktorëve të shoqërisë, e veçanërisht nga Lidershipi i mazhorancës socialiste.
Në një vorbull deklaratash dhe hapash institucionalë, duket se aktorët politikë po e rrokullisin vendin në një dialektikë larg e më larg nga ajo demokratike, duke sjellë në prag kriza akoma më të rënda.
KRIIK, risjell në vëmendje shqetësimin madhor të bërë me dije në krye të herës, dhe që ky diskutim i lindur aktualisht e evidenton sërish si mangësi thelbësore. Nevoja dhe domosdoshmëria që veprimtaria e Këshillit Politik të ishte dhe të jetë transparente.
Mungesa e transparencës provon, së paku, mungesën e sinqeritetit të palëve për të arritur një dakordësi, e cila mund të jetë reflektim i agjendave individuale të aktorëve politikë, apo akoma më rëndë, mund të përbëjë edhe një agjendë të koordinuar mes tyre.
Në çdo rast, Këshilli Politik ishte një mundësi e të katër aktorëve për të negociuar kërkesat e tyre dhe dakordësia e arritur ishte konkludimi, në këtë fazë, i realizimit ose jo të kërkesave të bëra.
Nëse pas pranimit të Marrëveshjes së 5 qershorit, Opozita Parlamentare këmbëngul kategorikisht në kërkesa jashtë Marrëveshjes Politike, pikëpyetje lindin mbi rolin dhe votën e të mandaturit të saj në Këshillin Politik.
Nëse Mazhoranca Parlamentare paraqet kërkesa jashtë Marrëveshjes Politike duke injoruar nevojën e dakordësisë, pikëpyetje lindin mbi qëllimin e saj që në krye të herës për të arritur dakordësinë me të tërë palët.
Nëse Opozita jashtë Parlamentare refuzon kategorikisht çështjet e ngritura për diskutim post-Marrëveshjes, pikëpyetja lind se mbi çfarë termash ka pranuar funksionimin dhe vazhdimësinë e punës nëpërmjet Këshillit Politik.
Riktheksohet se Këshilli Politik ishte dhe mbetet një modul jashtë institucional për të sjellë bashkë dakordësinë e tërë aktorëvë politikë e vendimarrës, përfaqësues të vullnetit popullor nga procesi i fundit zgjedhor parlamentar.
Dakordësia e prodhuar do të sigurojë një përmirësim të kuadrit ligjor zgjedhor, bazë ligjore zgjedhore të dakordësuar[iii] dhe shkuarjen drejt procesit zgjedhor të ardhshëm të gjithë pranuar, me synim që pas tij të mundësohet një vijueshmëri normale institucionale përsa garanton dhe kërkon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
- Procesi për amendimin e Kushtetutës
Paralelisht dhe në sinkron me këtë sjellje politike alarmante të mazhorancës, KRIIK evidenton një sjellje alarmante edhe prej Kuvendit të Shqipërisë.
Në më pak se dy javë, Kuvendi përmbylli procesin konsultativ për projekt-amendimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Amendim ky i propozuar nga një grup deputetësh të opozitës paralamentare me objekt ndryshimin e sistemit zgjedhor në tre elementë: ndalim i koalicioneve parazgjedhore, rritja e pragut zgjedhor dhe votim sipas listave të hapura, ku kjo e fundit është mbështetur dhe promovuar edhe nga disa grupime civile.
Në vlerësimin e KRIIK, një proces amendimi i Kushtetutës duhet të konkurojë në procesin konsultativ me vetë procesin e hartimit të Kushtetutës. Pra, do të duhej një proces konsultativ sa më gjithëpërfshirës, duke nxitur dhe bërë pjesë tërë aktorët e shoqërisë, angazhuar në mënyrë eficente mendimin akademik e unversitar, angazhuar e ngritur grup ekspertësh të lartë dhe siguruar procese efikase diskutimi e debatimi me ta, apo edhe të tjera kritere. Të gjitha këto në një periudhë kohore të shtrirë dhe mëse të mjaftueshme, si dhe të shoqëruar me një transparencë maksimale.
Të tëra këto kritere, jo thjesht për të realizuar një proces rutinë, por me qëllim shqyrtimin e çdo implikimi të mundshëm që mund të sjellë ndryshimi kushtetues, arritjen e dakordësisë maksimale të aktorëve politikë dhe civilë, si dhe informimin sa më të gjerë dhe në mënyrë sa më të plotë dhe lehtësisht të kuptueshëm për publikun.
Në sfidën e realizimit të një procesi të mirëfilltë dhe të vertetë diskutimi e konsultimi, me qëllimin e parashikimit të një ndërhyrje sa më organike dhe të qëndrueshme në kohë, hyrja në fuqi e amendimeve do të duhej të bëhej jo menjëherë në procesin pasues zgjedhor, duke e çliruar procesin konsultues nga presioni i kohës dhe i interesave të ngushta për përfitim të menjëhershëm, duke i dhënë kështu më shumë frymëmarrje atij dhe duke siguruar një qasje më objektive në tërë ecurinë e tij.
Në një vit zgjedhor dhe në më pak se 9 muaj nga data e zgjedhjeve të ardhshme, në një kontekst të emergjencës civile dhe pasigurisë për të ardhmen nga pandemia e COVID-19, dhe me një parlament të bojkotuar nga opozita e dalë nga zgjedhjet, një proces amendues i Kushtetutës për çështjet zgjedhore, shkon përtej imagjinatës.
Ky rast përbën shembullin perfekt, në të cilin, pavarësisht cilësisë dhe vlefshmërisë që mund të rrezatojë përmbajtja e tekstit ligjor, procedura e ndjekur dhe momenti e bëjnë nul vlerën e tij.
Nga ana tjetër, u konstatua se Procesi Konsultativ i realizuar vuajti nga pjesëmarrja tejet e ulët e grupeve të interesit, si e aktorëve të shoqërisë civile, edhe e sferës universitare. Veçanërisht përsa i përket këtyrë të fundit, ishte e trishtë që në seancën e caktuar për pjesëmarrje u paraqit vetëm një përfaqësues nga bota akademike.
Kjo është dëshmia shembullore e fiktivitetit të procesit, i përfunduar pa kurrfarë opinioni nga sfera akademike, pra nga ata që hartojnë doktrinën juridike apo janë gardianët e mendimit politiko-juridik.
Gjithashtu, gjendja rëndohet akoma më shumë, kur kjo peshë titanike iu “ngarkua” nga Kuvendi katër konstitucionalistëve. Përpos asnjë dyshimi ndaj ekspertizës dhe vlerave të tyre individuale, nuk mund të mendohet që katër apo sado profesionistë të kontraktuar, të caktuar në mënyrë diskrecionale, të zëvendësojnë institucionet akademike.
Në rezultante të tërë Procesit Konsultativ të zhvilluar deri më tani, vlerësohet se për shkak të një agjende politike të ekzekutivit, Kuvendi i Shqipërisë u investua për ndryshimin e aktit themeltar të vendit nëpërmjet një procesi tejet fiktiv, ceremonial dhe në shkelje të afateve të legjislacionit për konsultimin publik[iv].
Ky moment amendimi kushtetues vlerësohet se qendron ndërmjet një përvoje të mëparshme problematike dhe të asaj që, në konsideratën e KRIIK, vlerësohet se mund të jetë plotësisht një hedhje në erë e projektit shtetformues.
Sillet në vëmendje se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 ishin një moment i errët ku dakordësia e ngushtë e dy lidershipeve injoroi procedurat institucionale dhe tërë aktorët e tjerë.
Sot, si “korrektim” i atij procesi të kritikueshëm amendues, po ndërmerret një tjetër proces amendues, sërish pa një konsultim real, pa transparencë të plotë dhe madje edhe pa dakordësi politike.
KRIIK konsideron me shqetësim se një akt i tillë i amendimit të Kushtetutës, në rrethanat e sipërpërmendura, jo vetëm e shndërron atë në një tekst normativ të rëndësisë më të ulët, por hap siparin e një dhunimi të mëtejshëm e të mundshëm në të ardhmen.
Në këtë standard që po kërkohet të vendoset, nesër mund të zgjaten duart e ndërhyrjes edhe në rregullimin e Reformës në Drejtësi. Reformë e cila, pavarësisht tërë kritikave që mund t’i adresohen, mbetet determinuese për projektin shtetformues demokratik të vendit.
Themeli i kësaj Reforme jeton në Kushtetutë për t’i dhënë garancitë maksimale qëndrueshmërisë së saj, por precedenti që po krijohet mund të rrezikojë që shumë shpejt Reforma në Drejtësi të tjetërsohet në dinamika eventuale të diskursit politik.
Në përfundim, shprehet shqetësimi se kjo ndërhyrje e njëanshme e mazhorancës është në vetvete në kundërshtim të hapur me zotimin e marrë në zbatim të Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020, duke prekur rregullat e lojës dhe bazën ligjore të dakordësuar mes katër palëve politike dhe me të cilën do të zhvillohen dy proceset zgjedhore të rradhës, sikundër shprehen zyrtarisht deputetët socialistë, mbështetës dhe propozues të projektligjit për amendimin e Kodit Zgjedhor.
Theksohet se këta deputetë janë pjesë e Komisionit të Përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit për Legjislacionin, për amendimin kushtetues që po ndërmerret, madje dy prej tyre janë përkatësisht Drejtuesja e seancave të Komisionit të Përbashkët dhe BashkëRelatorja e mazhorancës mbi nismën.
Por që të gjithë dhe në asnjë rast nuk evidentuan këtë kundërshti në raport me ndryshimet ligjore të synuara dhe as kontradiktën në raport me qendrimin politik të mazhorancës socialiste.
KRIIK i bën thirrje mazhorancës dhe Kuvendit të Shqipërisë që të rishqyrtojnë me maturi e me përgjegjshëmri të lartë këtë moment, duke rikonsideruar tërë ecurinë e procesit amendues të deritanishëm, vënien e tij në shina kushtetuese dhe ligjore sipas frymës së Kushtetutës të miratuar me referendum popullor, duke siguruar një proces të mirëfilltë dhe të vërtetë konsultimi, dakordësinë më të gjerë të mundshme të tërë aktorëve politikë e civilë, kohën më se të nevojshme në dispozicion për një proces të gjerë dhe efektiv konsultimi, si dhe duke siguruar hyrjen në fuqi dhe zbatimin e amendamenteve të konkluduara, në procesin zgjedhor të mëpasshëm, pas atij të pranverës 2021.
Tiranë, më 17 Korrik 2020 !
[i] “… Projektligji i paraqitur për shqyrtim dhe miratim përbën vetëm fazën e parë të procesit të dakortësuar mes anëtarëve të Këshillit Politik për reformimin e bazës ligjore për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. …
Palët politike pjesëmarrëse në Këshillin Politik kanë rënë dakort për të vijuar edhe fazën e dytë të reformimit të legjislacionit zgjedhor dhe ligjeve të tjera të lidhura me të, duke përcaktuar edhe modalitetet e realizimit të një detyre të tillë. …”.
Pjesë nga Relacioni që shoqëron Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë me Nr.1707Prot, datë 01.07.2020, nga Deputetët Damian Gjiknuri, Vasilika Hysi, Klotilda Bushka, Adnor Shameti, Blerina Gjylameti dhe Bashkim Fino.
[ii] Po aty. “… Projektligji që po paraqitet për shqyrtim dhe miratim mundëson dakortësinë politike të palëve për rregullat e lojës në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore të rradhës, duke garantuar pjesëmarrjen e plotë të të gjithë aktorëve të jetës politike në Shqipëri. …”
[iii] Po aty. “…Projektligji i depozituar ka si premisë kryesore të tij realizimin e atyre ndërhyrjeve emergjente në Kodin Zgjedhor që realizojnë/reflektojnë dakortësinë më të gjerë politike dhe mundësojnë besimin politik tek dy proceset zgjedhore të rradhës, që do të zhvillohen me këtë bazë ligjore të ndryshuar. …”
[iv] Raportim i KRIIK mbi procedurën e ndjekur prej Kuvendit të Shqipërisë
Rregullorja e Kuvendit mbi projektligjet që kërkojnë të amendojnë Kushtetutën ngarkon veprimtarinë e përbashkët të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut (KÇLAPDN) dhe Këshillit për Legjislacionin (KL).
Sipas Rregullores veprimtaria e komisioneve bilaterale nuk mund të nisë në më pak se dy javë nga data e depozitimit të nismës (neni 77/a, pika 2). Ndërkohë, Kushtetuta e Republikës ndalon rishikimin e saj në periudhën kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme (Neni 177, pika 2).
– Në respekt të Ligjit Nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik” (nenet 15, 16), duke marrë në konsideratë rëndësinë madhore të aktit, Komisionit të Përbashkët i njihej atributi i lejimit të një afati 40 ditor për të pritur kontributet, madje edhe mundësinë e shtyrjes së afatit nëse kontributet apo pjesëmarrja nuk do të ishte e kënaqshme, sikurse u evidentua qartazi gjatë procesit ku morrën pjesë më pak se 1/3 e OJF-ve të njoftuara dhe vetëm një pedagog nga tërë trupa e pedagogëve të 6 Universiteteve të ftuara zyrtarisht për të dhënë opinion sipas informacionit të bërë publik nga media.
– Gjithashtu, po sipas nenit 19 të këtij Ligji, projekt-akti duhet shoqëruar me një përmbledhje të rekomandimeve të pranuara dhe nëse rekomandimet e palëve të interesuara nuk janë pranuar, atëherë organi publik paraqet një përmbledhje të arsyeve për mospranimin e tyre në një nga format e njoftimit.
Në prezantimin e BashkëRelatores, Deputetes Klotilda Bushka, në seancën e Komisionit të datës 10.07.2020, ku u miratua në parim nisma e opozitës parlamentare për ndryshime kushtetuese, ky detyrim u përmblodh në deklarimin se shqetësimeve të grupeve të interesit, veçanërisht atyre të ngritura prej aktorëve të shoqërisë civile, iu dha përgjigje më së miri nga ekspertët konstitucionalistë dhe veçanërisht nga z. Ilir Rusmaili (minuta 36.14 – 36.45 e videos së mbledhjes). Çka në fakt nuk qendron asesi, pasi nuk është as detyrë dhe as kompetencë e ekspertëve të zgjedhur nga Komisioni, për t’iu dhënë përgjigje shqetësimeve të paraqitura nga grupet e organizatave të shoqërisë civile. Për më tepër që këto të fundit, përmbledhin në shqetësimet e prezantuara qëndrimin e tyre institucional, të nivelit politiko-teknik, në përgjigje të të cilit kërkohet përgjigje në nivel politik, së pari, e më pas edhe në nivel teknik prej deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Komisionit të ngarkuar për të zhvilluar Procesin e Konsultimit Publik.
– Fillimisht, nisma për amendimin e kushtetutës u depozitua në Kuvend me datë 15/06/2020 nga një grup prej 28 deputetësh. Referuar daljeve publike, disa prej deputetëve nënshkrues tërhoqën mbështjen ndaj propozimit, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e kërkesës dhe të përmbajtjes së saj në tërësi, sikundër ajo ishte depozituar, dhe rrjedhimisht edhe të vetë procesit të nisur.
Madje, në mbledhjen e datës 10.07.2020, një shqetësim të tillë ngriti në Komisionin e Përbashkët Deputeti Adriatik Alimadhi, i cili deklaroi se disa nga deputetët firmëtarë, rezultojnë që nuk e kanë firmosur nismën, ndaj kërkoi nga Drejtuesja e seancës verfikimin e kësaj çështje, gjë që nuk u morr në konsideratë nga kjo e fundit e cila deklaroi se procedura e ndjekur është në rregull. (minuta 43.40 – 58.20 e videos së mbledhjes).
Në tërësi, mbetet e paqartë që vetëm 10 ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Politike të 5 Qershorit dhe kur pritej përfundimi i punës nga ekspertët e Këshillit Politik, u krye depozitimi i një projektligji për rishikimin e Kushtetutës.
– Nga ana tjetër, referuar gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shpallur dhe të vazhduar deri më datë 23.06.2020, sipas Rregullores së Kuvendit dhe parashikimit të Kushtetutës, seanca më e parë e mbledhjes së Komisionit në nisje të procesit të rishikimit të Kushtetutës, duhej të bëhej më datë 07.07.2020. Të njëjtin arsyetim bëri me dije edhe Kryetari i Kuvendit në fillim të seancës plenare të Kuvendit të datës 18.06.2020, madje të njëjtën përmbajtje ka edhe shënimi i vënë në Dokumentin e depozituar në Kuvendin e Shqipërisë.
Në kundërshtim me këtë, Komisioni i Përbashkët e nisi punën më datë 30.06.2020, seancë e njoftuar me datë 29.06.2020, dhe zhvilloi në total 9 seanca konkretisht më datat 30 qershor, 1, 3, 6, 7, 8, 10, 13 dhe 14 Korrik 2020.
Nga këto seanca, katër iu kushtuan konsultimit publik drejtuar organizatave të angazhuara, institucioneve vendasve dhe organizmave ndërkombëtarë në vend, akademikëve dhe ekspertëve konstitucionalistë.
– Përpos transmetimit të drejtëpërdrejtë të këtyre seancave, në faqen zyrtare të Kuvendit në facebook dhe prej këtej edhe në faqen zyrtare të Kuvendit, procesverbalet e mbledhjeve nuk janë të aksesueshme në faqen zyrtare në internet të Kuvendit të Shqipërisë, edhe sot në datën e publikimit të këtij Qendrimi Publik (shih procesverbalin e mbledhjes se parë të datës 03.06.2020).
Gjithashtu, ende sot nuk ka asnjë informacion apo asnjë referencë se ku ai mund të gjendet, madje as nuk është bërë transparencë e plotë se kush ishin nominalisht aktorët e ftuar, përpjekjet institucionale të bëra për të siguruar marrjen e njoftimit, kontributet e dokumentuara nga pjesëmarrësit në seancat e zhvilluara apo nga të tjerë që mund të kenë patur interes.
– Kohëzgjatja e procesit përgjatë të cilit punoi Komisioni i Përbashkët, rezultoi në vetëm dy javë kalendarike, që prej marrjes në shqyrtim e deri në miratimin nen për nen.
Praktikisht, kjo pamundësoi pjesëmarrjen e gamës së gjerë të aktorëve me interes dhe të përfshirë në çështje kushtetuese, përpos listës së kufizuar të atyre që Kuvendi gjykoi se mund të thirrte, sipas deklarimeve të bëra gjatë seancave nga Drejtuesja e Komisionit dhe njëkohësisht NënKryetarja e Parlamentit Deputetja Vasilika Hysi.
Gjithashtu, ndonëse në padijeni për ndonjë proces të brendshëm të ndërmarrë prej Kuvendit, duket se edhe vetë deputetët e patën dhe vazhdojnë ta kenë të pamundur për të konsultuar kontributet e paraqitura në seancë apo të tjera të ardhura nga aktorë me interes.
– Kjo kohëzgjatje tejet e ngushtë dhe në kundërshtim me legjislacionin për konsultimin publik, u reflektua edhe në pjesëmarrjen e ulët të folësve të ftuar në seancë, veçanërisht përsa i përket organizatave të angazhuara dhe përfaqësuesve të sferës akademike.
Referuar pohimeve të drejtueses së seancave të Komisionit, nga 19 Organizata të Shoqërisë Civile (OSHC) të njoftuara, 6 kishin konfirmuar prezencën dhe prej tyre vetëm 4 referuan. Ndërkohë dy organizata të tjera, njëra prej të cilëve edhe KRIIK, kërkoi të bëhej pjesë e seancës pas njoftimit të marrë nga media, pasi nuk mori asnjë njoftim prej Kuvendit megjithëse KRIIK është një ndër organizatat e regjistruara në regjistrin e Kuvendit dhe që ndjek nga afër veprimtarinë e tij veçanërisht lidhur me çështjet zgjedhore.
Pasaktësia shoqëroi edhe njoftimin zyrtar të Kuvendit të datës 03.07.2020, lidhur me realizimin e kësaj seance, ku figurojnë sikur morën pjesë dhe dhanë kontribute edhe dy prej OSHC-ve të njoftuara zyrtarisht e që kishin konfirmuar, por që nuk ishin pjesë e seancës. Sërish, po në këtë njoftim mungon edhe emri i njërës prej OSHC-ve që mori pjesë në seancën dëgjimore.
Ndërsa përsa i përket pjesëmarrjes së aktorëve prej botës akademike, ndonëse nga Drejtuesja u bë me dije se ishin ftuar institucionalisht dhe personalisht tërë pedagogët e fakulteteve juridike nga 6 institucione universitare, vetëm dy u deklaruan se kishin konfirmuar pjesëmarrjen, prej të cilëve vetëm vetëm njëri teknikisht arriti të mbante fjalën në seancë.
Gjatë seancave Drejtuesja e Komisionit ka përmendur disa herë bashkëpunimin e vazhdueshëm me botën akademike dhe komunikimin me pegagogët e 23 institucioneve universitare, me të cilët tashmë Kuvendi ka edhe marrëveshje bashkëpunimi dhe një databazë shumë të mirë të kontakteve. Madje, sipas bashkërelatores së mazhorancës përmendet se në raportin vjetor të Kuvendit figurojnë mbi 730 amendamente në ligje të caktuara që kanë ardhur si propozime të shoqërisë civile apo nga grupe të ndryshme interesi.
Theksohet se mbetet e paqartë nëse Kuvendi e ka përdorur këtë databazë për t’i njoftuar pedagogët mbi këtë proces konsultimi, ndërkohë që ngrihen pikëpyetje se përse në njoftimin e bërë publik nuk figurojnë të njoftuara edhe Fakultete të Jurisprudencës nga Universitete të tjera, siç është ai i Shkodrës apo edhe ndonjë tjetër
Ky rezultat pjesëmarrje tërësisht i pamjaftueshëm, jo vetëm që nuk përbëri shqetësim për Drejtuesen e seancës, por në njoftimin zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë, të datës 06.07.2020 të seancës në fjalë, reflektohet një ecuri apo mbarëvajtje e zakonshme duke deklaruar se “…Përfaqësues të botës akademike dhanë idetë, komentet dhe sygjerimet e tyre konkrete lidhur me nismën për ndryshime kushtetuese, por dhe iu përgjigjën pyetjeve të drejtuara nga deputetët gjatë seancës dëgjimore. ..”, ndërkohë që pjesëmarrëse në seancë ishte vetëm një pedagoge.
Në konkludim të gjithë ecurisë procedurale të ndjekur, konstatohet se një paraqitje e tillë shkon përtej një kurimi të imazhimit të procesit konsultiv, por vlerësohet si qëllim për të paraqitur një proces konsultativ, i cili në realitet nuk ndodhi.
/En.Br./Fjala.al