Hetimi parlamentar/ Ilir Meta nuk shkarkohet, del blof komisioni i 37 hetimor

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pas një viti e gjysmë pune mazhoranca tërhiqet nga nisma për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, i akuzuar për shkelje kushtetuese. Çfarë ndikoi në këtë tërheqje; raporti i Komisionit të Venecies apo një zbutje e marrëdhënieve PS-Presidencë?!

Opozita e re del kundër: U harxhuan kot para dhe kohë. Historiku i 37 komisioneve hetimore gjatë demokracisë që bënë shumë zhurmë për asgjë. Si dështuan hetimet parlamentare, duke prodhuar raporte paralele dhe shkarkime prokurorësh.

Nga Blerina Gjoka

“Nëse dëshiron të mos zgjidhësh asgjë, krijo një komision hetimor parlamentar”- thoshte Uinston Çurçill, një aksiomë që ka funksionuar më së miri në parlamentin shqiptar të këtyre 28 viteve demokraci. Komisioni i fundit hetimor, i ngritur nga Parlamenti, ishte ai për shkarkimin e presidentit të Republikës, i pari komision i këtij lloji në historinë e të paktën 37 komisioneve hetimore parlamentare, të ngritura për çështje nga më të ndryshmet.

Mazhoranca socialiste, e cila ishte nismëtare e këtij hetimi, në dhjetor të vitit që shkoi, deklaroi tërheqjen nga nisma plot një vit e gjysmë pas nisjes, me arsyetimin se nuk ka argumente ligjore të mjaftueshme për shkarkimin e kreut të shtetit. Nisma kundër Metës erdhi pasi kreu i shtetit anuloi me dekret zgjedhjet e 30 qershorit 2019, të cilat më tej u zhvilluan pavarësisht këtij veprimi. Puna e këtij hetimi parlamentar u bë dhe objekt i punës së Komisionit të Venecies, i cili, në një opinion të fundit, dërguar Parlamentit shqiptar, vinte në dukje se nuk kishte shkaqe ligjore për shkarkimin e presidentit të Republikës.

Opozita e re në parlament e kundërshtoi këtë tërheqje të papritur të anëtarëve socialistë të komisionit hetimor, duke i akuzuar ata se kanë harxhuar kot paratë e taksapaguasve për punën e deputetëve. Tërheqja nga shkarkimi i Metës vjen në një moment kur mazhoranca qeverisëse ndodhet në një krizë besimi dhe komunikimi me kreun e shtetit, për një nismë të re të mazhorancës për ndryshimet kushtetuese pa konsensus politik.

Parlamenti ndër vite i ka përdorur komisionet hetimore për arsye të debateve politike të momentit dhe puna e tyre nuk ka sjellë ndonjë produkt final, përveç se kur janë shkarkuar prokurorë. Në shumicën e rasteve hetimet janë bërë një arenë debati politik dhe kanë dalë me dy raporte të kundërta, duke mos arritur ta çojnë më tej hetimin për një çështje apo funksionar.

Hetimi i Metës

Mazhoranca hoqi dje zyrytarisht dorë nga shkarkimi i presidentit Meta, duke miratuar një raport të Komisionit Hetimor, të ngritur për këtë arsye, ku pranohet se shkeljet ligjore të tij ishin jo të mjaftueshme për ndërmarrjen e një veprimi të tillë nga ana e Kuvendit. Sipas raportit të hartuar dhe miratuar nga anëtarët e Partisë Socialiste në Komisionin Hetimor për Kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e presidentit të Republikës, thuhet se shkeljet e evidentuara nga presidenti diktojnë ndryshimet ligjore.

Në draftraportin përfundimtar me 47 faqe, me konkluzionet përkatëse të paraqitur nga deputetja socialiste Klotilda Bushka, thuhet se në analizë të fakteve, akteve e dëshmive që janë marrë në shqyrtim, rrethanave konkrete, në rastin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, duke marrë në konsideratë dhe vendimin e Venecies në 2019 dhe opinionin e Venecies të 2020, për emërimin e anëtarëve të GJK, çmohet se shkeljet e presidentit në tërësinë e tyre, arrin në konkluzionin që shkelja e Kushtetutës s’është e një natyre që mund të çojë në një procedurë shkarkimi të presidentit.

Megjithatë, deputetët e mazhorancës vijojnë t’i qëndrojnë besimit se presidenti ka shkelur nenin 90 të Kushtetuës për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe, për këtë arsye, propozojnë ndryshime ligjore që të parandalohen situata të ngjashme në të ardhmen. “U shkel parimi i periodicitetit në zgjedhje. Shtyrja e zgjedhjeve u bë pa bazë ligjore. U cenua e drejta për të zgjedhur”, tha Bushka, referuar dekretit të presidentit Meta për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Bushka tha se shkeljet e evidentuara nga presidenti diktojnë ndryshimet ligjore dhe foli për masa për rregullime ligjore.

Për sa i takon përplasjes për emërimet në Kushtetuese, Bushka deklaroi se emërimi nga presidenti u bë jashtë afatit 30-ditor. Ndërsa deputeti i opozitës së re, Halit Valteri, deklaroi se drejt seancës do të shkohet me dy raporte dhe opozita do të paraqesë një qëndrim të vetin. Opozita parlamentare doli kundër vendimit të PS-së për t’u tërhequr nga nisma për shkarkim, dhe braktisi mbledhjen e Komisionit Hetimor.

Deputeti Alban Zeneli, duke kundërshtuar raportin e socialistëve tha se “do të ishte në respekt të këtij komisioni e në respekt të qëllimit kryesor të shkruar, ku 55 deputetë kanë kërkuar, për shkak të shkeljeve të rënda të presidentit, shkarkimin e tij. Ju, në bazë të relatores thatë që presidenti e ka shkelur Kushtetutën. Cila është arsyeja që ju kërkoni që ky president të mos marrë ndëshkimin që i takon? S’e kuptoj që bëni një veprim të palogjikshëm, këtej thoni e ka shkelur Kushtetutën, këtej thoni do t’i japim një vërejtje me shkrim, kjo është pa sens”.

Zeneli tha se opozita nuk bëhej pjesë e lojërave të mazhorancës, prandaj ata merrnin vendim të largoheshin nga mbledhja në formë proteste. Kryetari i komisionit, Ulsi Manja, përdori raportin e Venecies si argument për tërheqjen e mazhorancës nga nisma për shkakrim, duke thënë se “referuar edhe ligjit për punën e komisioneve hetimore, dhe opinionit të Venecias për çdekretimin, Venecia shprehet se shkarkimi përfshin disa aspekte e faza ligjore e politike. Puna e komisionit është thjesht me natyrë ligjore, ndërsa Kuvendi është që në fakt ka dhe një vendim përtej punës me natyrë ligjore ka dhe një vendimmarrje politike dhe që merr në konsideratë edhe pasojat politike të shkarkimit të presidentit”.

Lexo edhe :  Publikohet vlerësimi i ri/ CIA: Pandemia Covid u shkaktua nga incidenti në laborator

Deputeti tjetër opozitar Lefter Maliqi e cilësoi punën e komisionit një estradë dhe harxhim parash. “Vendimi: Presidenti sovran i unitetit kombëtar dhe mbrojtës i Kushtetutës. Një vit komision farsë hetimor mbledhje pas mbledhjesh, akuza qesharake, dërgime shkresash në Venecie dhe fundi presidenti ka të drejtë, pra komisioni farsë, aktrues, lekët tuaja i marrin për mbledhje të kota shumë deputetë janë shpërblyer nga 3-4 komisione e udhëtime jashtë vendit etj.”

Shumë zhurmë për asgjë: Historia e komisioneve hetimore

Konstitucionalistët shpesh i kanë cilësuar komisionet hetimore parlamentare si instrumente politike ndaj kundërshtarëve brenda parlamentit dhe jashtë tij, por këto hetime asnjëherë nuk kanë sjellë një produkt që të ketë vënë në lëvizje prokurorinë për hetim ligjor të mëtejshëm. Në 30 vite demokraci komisionet hetimore në parlament janë përdorur si arenë debati poltik dhe si instrument i shpejtë për shkarkimin e ndonjë prokurori të përgjithshëm apo zyrtari të lartë të sistemit të drejtësisë, siç ishte rasti i shkarkimit të nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu.

Sipas rregullores së Kuvendit, ngritja e tyre është e detyrueshme pas kërkesës së ¼ të deputetëve dhe për mbledhjet e komisionit anëtarët marrin shpërblime ekstra nga paga e deputetit. Çështjet që kanë shërbyer për hetime parlamentare janë nga më të ndryshmet, por kryesisht ato kanë shërbyer kryesisht për të sulmuar kundërshtarët politikë. Në një rast parlamenti ngriti komision për hetimin e një ngjarjeje që kishte ndodhur 67 vite më parë, por dështoi pa arritur të bëjë më shumë se dy mbledhje.

Bëhet fjalë për komisionin hetimor për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të masakrës së Tivarit 1945”, i cili u ngrit nga parlamenti në korrik të vitit 2010, me urdhër të kryeministrit Sali Berisha dhe u bojkotua nga opozita dhe nuk arriti të bëjë asnjë hetim dhe asnjë raport konkret. Shumë hetime të tjera kanë nisur dhe kanë përfunduar në heshtje, pa arritur të sjellin një produkt real për të nxitur organet e tjera kompetente.

Ndoshta komisioni më i famshëm që u kthye një spektakël politik ka qenë ai “Olldashi”, një komision i drejtuar nga deputeti i ndjerë i PD-së, Sokol Olldashi, kundër Edi Ramës, asokohe kryetar i Bashkisë së Tiranës. Seancat pyetësore të Ramës në Kuvend, të trasmetuara live, kanë fiksuar në memorien e publikut edhe skenat ku Rama fliste me megafon para Komisionit Hetimor dhe bënte “beeeee, beeeee…,” duke ironizuar Olldashin. Ashtu siç ndodhi dhe me shumë të tjera, edhe ky komision dështoi. Ajo që mbetet nga këto komisione hetimore janë vetëm kostot edhe finaciare.

Komisioni i parë parlamentar në periudhën postkomuniste u ngrit në vitin 1991, që hetoi ngjarjen e 2 prillit 1990 në Shkodër, ku u vranë në protestë katër qytetarë. Nisur nga objekti i hetimit, disa komisione ngjanin se ishin seriozë, duke përmendur ngjarjet e vitit 1997, korruspsionin e pretenduar për rrugën Durrës-Kukës, ngjarja e 21 janarit 2011, ku gjatë protestës para Kryeministrisë u vranë katër qytetarë, shkarkimet dhe emërimet në policinë e shtetit për periudhën 2013-2014, apo edhe komisioni hetimor për privatizimin e OSHE-së.

Në historinë e Parlamentit shqiptar ka edhe komisione hetimore më shumë se qesharake, siç ishte rasti i “shkuljes së veshit” të djalit të Neritan Cekës, nga ana e ish-liderit të opozitës në atë kohë, Edi Rama. Rama u akuzua se gjatë vizitës që kishte pasur në Vjenë, ishte konfliktuar me Ergin Cekën, djalin e Neritan Cekës, që shërbente në atë kohë si ambasador në Itali, dhe në “konflikt” e sipër Rama dyshohej se e kapi nga veshi. Ndoshta hetimi nëse ia shkuli apo jo veshin Rama djalit të ambasadorit është treguesi më i qartë se deputetët shqiptarë e përdorin të drejtën e hetimit parlamentar pa kriter.

Komisionet hetimore 2014-2019

  1. Komisioni hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit”.
  2. Komisioni hetimor “Për hetimin dhe zbardhjen e plotë të të gjitha fakteve dhe rrethanave, lidhur me akuzat e bëra publike për implikim të Forcave të Armatosura dhe bazave të saj ushtarake në veprimtari të kundërligjshme në transportin e lëndëve narkotike”.
  3. Komisioni hetimor “Për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të zgjedhur nga Kuvendi, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, për shkelje të rëndë të ligjit”.
  4. Komisioni hetimor parlamentar “Për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë, të realizuara gjatë periudhës 15 shtator 2013 – 31 maj 2014 në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore”.
  5. Komisioni hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore, si dhe për të njohur dhe verifikuar më thellë fenomenin e ndërhyrjes dhe të bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike tatimore” .
  6. Komisioni hetimor për privatizimin e OSHE-së dhe aferat e dyshuara për kalimin e saj te kompania CEZ. Në pyetje disa herë u mor edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha.
  7. Komisioni hetimor për çështjen “Tahiri”, ku do të hetohej e diskutohej mbi veripmtarinë e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe problem i kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
  8. Komisioni i posaçëm hetimor për shkarkimin e presidentit të Republikës shton planin e hetimit të kontrollit hetimor, i ngritur më 20 dhjetor 2019./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Trump “hakmerret”!Morën pjesë në çështjet penale kundër tij,presidenti i pushon nga puna

Presidentit Donald Trump ka shkarkuar disa zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë që drejtuan hetimet për çështjet penale kundër tij. Një...

Mos i gënjeni kurë këto shenja të horoskopit, sepse hakmarrja e tyre mund t’iu lëndojë

Ka disa shenja të horoskopit që kanë instinkt veçanërisht të fortë që i mbron nga gënjeshtrat dhe surprizat e pakëndshme. Qoftë çështje miqësie apo biznesi,...

Pesë mënyrat si ta mbani zemrën tuaj të shëndetshme ndërsa plakeni

Sëmundjet e zemrës janë ndër shkaqet kryesore të vdekjeve, por mjekët thonë se disa zakone të shëndetshme mund të bëjnë një ndryshim të madh. Këto...

Nga pasaporta tek simbolet! Si do të funksionojë shteti bektashi

Gazetari Ferdinant Samarxhi zbuloi në “Top Story” detajet në lidhje me krijimin e një shteti bektashi. Ai foli për mënyrën se si do të funksionojë...

Përplasjet me Berishën, vjen përgjigjja e Ballës:Gjarprin e kam kapur që i vogël në ferra

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i kthen një përgjigje epike Berishës pas akuzave të shumta drejtuar atij. Pyetjes së moderators së...

Lajme të tjera

Web TV