Politika shqiptare ka edhe 10 ditë kohë për të gjetur një konsensus për të miratuar marrëveshjen e 5 qershorit në këtë sesion parlamentar. Përfshirja e kryeministrit Edi Rama në tryezën e Këshillit Politik nuk ka sjellë asnjë rezultat konkret për një dakordësim të ri politik lidhur me ndryshimet kushtetuese. Propozimi për lista të hapura kandidatësh nuk është pranuar nga opozita, e cila këmbëngul në ruajtjen e formatit të parë të marrëveshjes së 5 qershorit.
Nga Blerina Gjoka
Me maskë antiCovid në fytyrë kryeministri Edi Rama ngjiti dje shkallët e Pallatit të Kongreseve për t’u ulur në tryezën e Këshillit Politik. Pas 5 orësh diskutimi me përfaqësuesit e dy opozitave politike, asaj jashtëparlamentare dhe parlamentare, Rama doli pa maskë dhe pa buzqëshjen që do t’i jepte një konsensus i arritur brenda dyerve të Pallatit të Kongreseve.
Ashtu siç pritej, opozita e bashkuar, e përfaqësuar në një nivel më të ulët, me numrin dy të PD-së, Gazmend Bardhi, dhe jo kryeopozitarin Lulzim Basha, nuk pranoi që të rihapej marrëveshja e 5 qershorit. Opozita këmbëngul që marrëveshja prishet, nëse Kuvendi vendos të kalojë paketën e ndryshimeve kushtetuese, ku sanksionohen ndryshime në sistemin zgjedhor dhe i kërkoi Ramës që të tërhiqet nga nisma e tij.
Kjo marrëveshje e arritur pas 6 muaj negociatash për Kodin Zgjedhor, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, mbetet akoma një dokument pa vlerë juridike, për aq kohë sa nuk është miratuar në Kuvend. Kryeminstri Rama tha se koha e mbetur në dispozicion për ta miratuar është e shkurtër, deri më 31 korrik të këtij muaji, dhe kërkoi që diskutimi i nisur dje të vazhdojë deri në gjetjen e një konsensusi që do t’i kënaqte të gjitha palët.
Rama tha pas takimit të gjatë se mazhorancës që ai përfaqëson do t’i duhet të bindë opozitën parlamentare për votimin e marrëveshjes së 5 qershorit, ndërsa mbrojti dhe një herë nismën për lista të hapura kandidatësh në zgjedhje, jo vetëm si një kërkesë e deputetëve të opozitës parlamentare për të dhënë votën në Kuvend, por dhe si një kërkesë e zgjedhësve dhe e opinionit publik.
“Do të mundohemi t’i bindim, ndoshta jo të gjithë, po që të kemi një mbështetje të mjaftueshme në fund, ku do të prevalojë arsyeja që nuk mund t’i kesh të gjitha dhe të gjithë duhet të marrin diçka.”- tha ndër të tjera ai pas tryezës.
Të gjithë në llogoret e veta
Tryeza e së hënës nuk solli asgjë të re në krizën politike shqiptare. Të gjitha palët qëndruan në llogoret e tyre. Përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së kanë qenë kadegorikë për të mos diskutuar asnjë çështje që çon në prekjen e marrëveshjes së 5 qershorit. Madje, ata e kanë vendosur këtë si kusht paraprak për mbledhjen e tryezës së djeshme. Por, ashtu siç pritej, diskutimi ka çuar ujë pikërisht drejt këtij mulliri.
Gazmend Bardhi i PD-së tha pas takimit se Rama kërkoi të hapte në tryezë çështje të tilla si “administrata zgjedhore” për të cilat është firmosur tashmë dokumenti. Po ashtu, ai ka mbrojtur nismën për lista të hapura kandidatësh, një tjetër pikë që prek sistemin zgjedhor dhe, për rrjedhojë, kërkon sërish ndryshime në marrëveshjen e 5 qershorit.
Burime për gazetën “Fjala” pranë kësaj tryeze thanë se i pari që mori fjalën ishte kryeministri Rama, i cili i bëri të qartë Gazmend Bardhit dhe Petrit Vasilit, si përfaqësues të opozitës, se tashmë në arenën politike ka tri pole dhe se ata duhet të marrin parasysh dhe rolin e opozitës së re, të krijuar në Parlament.
Bardhi, nga ana e tij, kërkoi të miratohet dokumenti i dakordësuar më 5 qershor, i paprekur dhe çdo diskutim tjetër për sistemin zgjedhor të bëhet më vete dhe në një kohë të dytë pas zgjedhjeve parlamentare të ardhshme.
Por, kreu i qeverisë ka argumentuar se nuk i ka votat e opozitës parlamentare për ta votuar dhe se duhet të merren parasysh dhe kërkesat e tyre. Rama riktheksoi dhe një herë pozicionin e partisë së tij si një palë që duhet të bindë dy palët opozitare për të arritur konsensus, para se të shkohet në votim në Kuvend për marrëveshjen e 5 qershorit dhe ndryshimet kushtetuese.
Gjatë debateve përballë, pa praninë e medieve, mësohet se Rama ka argumentuar ndryshimet kushtetuese si një nismë që nuk e cenon marrëveshjen e arritur më parë. Ai ka thënë se PS-ja është e detyruar të negociojë dhe me opozitën në Kuvend për të marrë votat e saj për miratimin e marrëveshjes.
“Për ta votuar në Parlament, na duhen votat e opozitës në Parlament. Në takimet me opozitën parlamentare kemi rënë dakord që t’i hapim listat. Unë kërkoj nga ju që të ulemi të reflektojmë në kod sanksionimin e hapjes së listës që vjen nga ndryshimet kushtetuese, pa cenuar përfaqësimin ligjor.
Nuk do të ndryshojmë as sistemin dhe as zonat zgjedhore, por të vetmen që po kërkojmë është hapja e listave. Me ndryshimet kushtetuese nuk ndalohen koalicionet parazgjedhore, pasi ju mund të grumbolloheni në një listë.”- është shprehur Rama.
Ndërsa opozita e bashkuar PD-LSI ishte e vendosur të mos pranonte asnjë diskutim që prekte marrëveshjen e 5 qershorit dhe për ta çdo diskutim për sistemin zgjedhor, siç janë listat e hapura të kandidatëve dhe riformatimi i koalicioneve, prek pikën 12 të kësaj marrëveshjeje ku thuhet shprehimisht se ndryshimet që lidhen me sistemin e votimit dhe administrimit do të kryhen pas zgjedhjeve të 2021-shit.
Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, ka deklaruar gjatë mbledhjes, se qëllimi i kryeministrit Rama është të rihapë edhe një herë diskutimin për marrëveshjen e 5 qershorit. Por, opozita i qëndron firmës së vënë në marrëveshje, dhe kjo marrëveshje nuk hapet më.
Gjithashtu, sipas Bardhit, ndryshimi i sistemit zgjedhor nuk mund të bëhet tani, por në një fazë të mëvonshme.”Kuptuam nga diskutimi i kryetarit të Partisë Socialiste që qëllimi është të rihapim edhe një herë diskutimin për përmbajtjen e marrëveshjes së 5 qershorit dhe të bëjmë ndryshime të saj.
Drafti i marrëveshjes së 5 qershorit është produkt i një pune të përbashkët 6-mujore, është miratuar dhe nënshkruar me konsensusin e të gjitha palëve, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ne i qëndrojmë firmës sonë dhe deklarojmë që nuk mund të rishihet apo rishkruhet asnjë fjalë ndryshe nga ajo që palët kanë dakordësuar dhe nënshkruar bashkërisht.
Çështjet që ju shtruat bien në kundërshtim dhe ndryshojnë marrëveshjen e 5 qershorit dhe prishin dakordësinë që ne kemi arritur aty. (nenet 19 dhe 36 të draftit të nënshkruar në zbatim të marrëveshjes së 5 qershorit)“- ka theksuar Bardhi, i cili, ashtu si Rama, merrte pjesë për herë të parë në këtë tryezë.
Sipas opozitës së bashkuar, marrëveshja e firmosur më parë e ndalon një ndryshim të kodit zgjedhor para zgjedhjeve të 2021-shit, pasi aty specifikohet në shënimin nr. 2 që “nuk ka konsensus për ndryshimin e sistemit” dhe në pikën 12 të saj shkruhet; “ky shënim është i zbatueshëm për zgjedhjet e radhës”. Përfaqësuesi demokrat i ka kujtuar gjithashtu Ramës se përfaqësuesi i zgjedhur prej tij në këshill, Damian Gjiknuri, nuk ka ngritur në asnjë rast pretendime për kodin zgjedhor, edhe kur është hedhur kjo si temë debati në tryezë.
Myslym Murrizi, si përfaqësues i grupit të deputetëve që iniciuan ndryshimet kushtetuese, akuzoi mazhorancën dhe opozitën jashtëparlamentare se po i rikthehen dashurisë së vjetër dhe po qajnë hallin e marrëveshjes së 5 qershorit.
Murrizi doli i revoltuar nga takimi, ende pa mbaruar plotësisht ai, dhe paralajmëroi se nuk do t’i marrin votat e tyre për marrëveshjen e 5 qershorit. ‘’Pasi të hapim listat, rishikojmë Kodin Zgjedhor që të mos tjetërsojnë hajdutët votat dhe rezultatin. Kjo është kërkesa jonë. Këta bashkë le të rrinë dhe inshallah le të flenë aty.
Dashuria e vjetër është e madhe. Unë jam si përfaqësues i 28 nismëtarëve. Pasi opozita parlamentare ka dhe nja 12 të pavarur dhe erdha të jem dëshmitar i kopilllëqeve dhe mësova se këta kanë hallet e 5 qershorit, nuk marrin kokërr vote nga opozita parlamentare.‘’- tha Murrizi. Në këtë linjë ishte edhe Rudina Hjadari, e cila ka qenë përfaqesuese zyrtare e opozitës së re në këtë tryezë që prej fillimit dhe e ka firmosur marrëveshjen e 5 qershorit.
Tryeza në formë rrethore që mblodhi rreth saj 6 përfaqësues të lartë të politikës shqiptare nuk arriti të prodhojë asnjë produkt konkret që të jepte zgjidhje për ngërçin e ri politik, vetëm sa ofroi dhe një teatër të ri të konfliktualitetit ku është zhytur klasa politike prej më shumë se 1 viti e gjysmë.
Qëndrimet
Edi Rama:
“Do të shikojmë në proces, por besoj që diskutimi ishte pozitiv. Është çështja se koha ka kufizimet e veta, për shkak se hapja e listave tanimë për ne nuk është një variant, por një angazhim dhe ne si partia më e madhe dëshirojmë që t’i përfshijmë qytetarët në procesin e përcaktimit të atij që do të jetë grupi i nesërm parlamentar. Neve na takon të mbrojmë atë që është një arritje e madhe e përbashkët, të rritjes së përfaqësimit të grave në Parlament dhe, nga ana tjetër, sigurisht që duhet ta çojmë deri në fund edhe angazhimin e nënshkruar në 5 qershor. Është një proces me dy korsi, ku stacioni është 30 korriku.”
Gazmend Bardhi
“Më 5 qershor të gjitha palët nënshkruan një marrëveshje. Sot kërkuam informacion nga Rama mbi angazhimin e tij për miratimin pa ndryshime të kësaj marrëveshjeje në Kuvend, se kur do të ndodhë miratimi i saj. Nuk kemi marrë përgjigje gjatë takimit se kur miratohet pa ndryshime. Së dyti, dua të konfirmoj që ne i qëndrojmë marrëveshjes së 5 qershorit. Nga ajo marrëveshje të gjitha palët nuk morën gjithçka kërkuan, por u mbështet nga partnerët tanë. Sot na u konfirmua që ne do të duhet të rihapim edhe një herë çështje që i kemi nënshkruar në marrëveshjen e 5 qershorit. Një orë diskutimi i parë në këshill u kthye tek administrata zgjedhore. Ne kemi qenë seriozë në këtë proces, kërkojmë që edhe palët tjera të jenë serioze.”
Damian Gjiknuri:
“Njerëzit, natyrisht, nuk kanë pse mendojnë për efektet që krijojnë vështirësi në administrim, por thjesht duan që të avancojë e drejta e tyre për të zgjedhur deputetët dhe për të pasur një lidhje më të drejtpërdrejtë. Ne nuk jemi kundër koalicioneve, kjo është spekuluar qëllimisht. Ne jemi për t’i garantuar të drejtën çdokujt të bëhet pjesë e një grupimi partish, por sipas një rregulli që e mundëson teknikisht zbatimin e hapjes së listave. Basha dhe LSI-ja kanë qenë publikisht hapur pro hapjes së listave, kështu që shpresoj se së sebashku do të arrijmë t’i japim një zgjidhje, duke u thënë shqiptarëve që morëm vendimin për t’u zgjeruar mundësinë për t’i zgjedhur nominalisht deputetët përmes listave të hapura.”
Rudina Hajdari
Opozita e bashkuar i qëndron marrëveshjes. I bëj thirrje opozitës jashtëparlamentare të mos i rreshtojë demokratët me ata njerëz që duan lista të mbyllura, por me çdokënd që mbështet listat e hapura. Kemi një shans historik për të hapur listat, për të përqafuar një ndryshim thelbësor për Shqipërinë dhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pashë që opozita jashtëparlamentare ka pranuar që marrëveshja nuk është e plotë, unë kam një kërkesë për zotin Basha, përse e braktise Parlamentin shqiptar? Ky është një shans dhe një shtrirje dorës për t’i kërkuar opozitës t’i rreshtohet kësaj kauze, të rreshtohet me qytetarët që duan këtë ndryshim thelbësor. Ndryshe mendoj që marrëveshja është një pikënisje, por jo fundi i rrugës.
Myslym Murrizi
“Pasi të hapim listat, rishikojmë Kodin Zgjedhor, që mos tjetërsojnë hajdutët votat dhe rezultatin. Kjo është kërkesa jonë. Këta bashkë le të rrinë dhe inshallah le të flenë aty. Dashuria e vjetër është e madhe. Unë jam si përfaqësues i 28 nismëtarëve. Pasi opozita parlamentare ka dhe nja 12 të pavarur. Erdha të jem dëshmitar i kopilllëqeve dhe mësova se këta kanë hallet e 5 qershorit, nuk marrin kokërr vote nga opozita parlamentare.”
Tërheqja nga shkarkimi i Metës, Fino kundër PS-së
Komisioni Hetimor, i ngritur për shkarkimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta, ka përfunduar zyrtarisht dje, duke miratuar një raport ku thuhet se provohet shkelja e Kushtetutës, por nuk kërkohet shkarkimi i tij nga detyra. Kundër këtij raporti të hartuar nga mazhoranca socialiste ka dalë deputeti i PS-së, Bashkim Fino.
Sipas tij, nuk është serioze që mazhoranca të votojë propozime për ligj organik për presidentin, kur objekti i punës ishte shkarkimi i tij.
“Nuk e di sa do të vazhdojë, këtë e dini ju, që thoni se shkelja nuk është aq e rëndë për ta shkarkuar. Ju më thoni se duhet bërë një ligj organik për presidentin. Presidenti na tha grup kriminal. Sot nuk mund të përgjigjemi si grup kriminal i marrë peng nga presidenti. Prandaj ju ftoj të reflektojmë, përpara se çështja të votohet në seancë. Ne kemi dy opsione ose pro, ose kundër, por jo rezoluta. Me gjithë këto që janë bërë këtu, besoj që njollosim veten tonë.”- iu drejtua ai kolegëve socialistë të Komisionit Hetimor Parlamentar.
“Unë ju ftoj të bëhemi seriozë, të votoni ose pro, ose kundër asaj që kemi vënë si objekt, kaq janë opsionet tona, nuk ka të tjera, dy vendime të qartë e të prera, pro, ose kundër, e nisëm me shqyrtimin e çështjes me objekt shkarkimin e Ilir Metës, nuk mund ta mbyllim duke e modifikuar me vërejtje për zotin Meta si president”.
la.mi/Fjala.al