Nga Laert Miraku
Si sot katër vite më parë, ligjvënësit shqiptarë miratuan reformën më të rëndësishme të tre dekadave tranzicion. Në orën 00.45 të 22 korrikut 2016, 140 deputetët shqiptarë bashkuan votat për reformën në drejtësi.
“Suksese kësaj reforme historike dhe le të vazhdojë ky konsensus edhe për reforma të tjera”, tha kryetari i Kuvendit të asaj kohe dhe presidenti i sotëm Ilir Meta.
Votimi u shoqërua dhe me duartrokitje edhe nga ndërkombëtarët të cilët po ndiqnin seancën. Por, si jemi sot pas asaj dite të rëndësishme, kur u duk se po ndryshonte historia e Shqipërisë.
Kur shqiptarët menduan se shpejt do të vendoset drejtësia, por akoma nuk kemi parë asnjë funksionar të lartë në bankën e të akuzuarve, vetëm dosje të SPAK që dërgohen në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit.
Prej vitit 1991 me Dispozitat Kryesore Kushtetuese asnjë ndryshim tjetër i Kushtetutës (1994, 1998, 2007, 2008, 2012, 2014) nuk ka qenë më konsensual sesa ndërhyrja e thellë e vitit 2016.
Kushtetuta e Shqipërisë, në funksion të reformës në drejtësi dhe institucioneve të reja të drejtësisë ndryshoi 21 nga 26 nenet adresuar pushtetit gjyqësor dhe drejtësisë.
- Reforma e re shkriu 3 institucione kushtetuese dhe krijoi 13 institucione të reja.
- Reforma ndryshoi kompetencat thelbësore në sistemin e Prokurorisë, në gjyqësor dhe në institucionet e tjera të drejtësisë.
- Reforma përfshiu një fazë intensive kalimtare (5 vjeçare) për procesin e rivlerësimit (vetingut), si dhe me dispozita kalimtare përfshiu në vendimmarrje një strukturë të jashtme, Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).
- Reforma kufizoi ndjeshëm kompetencat e Presidentit të Republikës dhe praninë e pushtetit ekzekutiv në vendimmarrjet në sistemin gjyqësor dhe të drejtësisë, si dhe fuqizoi Shkollën e Magjistraturës.
- Reforma krijoi struktura të reja hetimi e gjykimi ndaj krimit të organizuar dhe veçanërisht korrupsionit, me fokus ish zyrtarët më të lartë të shtetit dhe ata në mandate aktuale.
ORGANET E REJA TË SISTEMIT TË DREJTËSISË
Ndryshimi kushtetues përcaktoi krijimin e disa institucioneve dhe organeve të reja në sistemin e drejtësisë, ndryshoi kompetenca dhe praktika zgjedhore e vendimmarrëse, si dhe kërkoi mekanizma që të mund të nxitin rritjen e transparencës, llogaridhënies, kontrollit kushtetues dhe pavarësisë institucionale.
Institucionet e reja të drejtësisë kanë vlerë e rëndësi për qytetarët dhe Shqipërinë e nesërme, – deri në jetësimin tyre, por më pas edhe në testimin e tyre, mbetet rrugë e gjatë. Ky material prezantues paraqet institucionet e reja në risitë e tiparet kryesore të tyre, duke i marrë ato të mirëqena në sistemin e drejtësisë.
KLGJ – KËSHILLI I LARTË GJYQËSOR
KLGJ (Këshilli i Lartë Gjyqësor) zëvendëson KLD (Këshilli Lartë i Drejtësisë)
KLP – KËSHILLI I LARTË I PROKURORISË
Ndryshimi kryesor, – KLP bëhet institucion në Kushtetutë, KLP bëhet organ “qeverisës” në institucionin e Prokurorisë Struktura, kompozimi, mandati, kriteret, etj, të njëjta si për KLGJ
ILD – INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË- INSTITUCION I RI KUSHTETUES
ILD zëvendëson me kompetenca të mëdha ish Inspektorine KLD, ILD merr funksionet e plota të hetimit dhe disiplinës nga KLGJ, Fokus hetimi: gjyqtarë, prokurorë, KLGJ,
KLP, Prokurori i Përgjithshëm, Procedimet e ILD për masa shqyrtim nga KLP dhe KLGJ
Procedimet ndaj anëtarëve të KLGJ e KLP bëhen në Gjykatë Kushtetuese
KED – KËSHILLI I EMERIMEVE NE DREJTËSI – Institucion tërësisht i ri në sistemin e drejtësisë.
SPAK- STRUKTURA E POSAÇME E ANTIKORRUPSION DHE BYROJA E HETIMIT
SPAK ndahet në, Prokuroria e Posaçme (PP) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit
TDD- TRIBUNALI DISIPLINOR I DREJTËSISË – Institucion i ri në sistem.
PP- PROKURORI I PERGJITHSHEM, shumica e kompetencave i kalojnë KLP-së.
GJK – GJYKATA KUSHTETUESE– Ndryshon në zgjedhje dhe në kompetenca.
PUSHTETI GJYQESOR NE REPUBLIKEN E SHQIPËRISË
Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat apelit dhe gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj (neni 135 i Kushtetutës). Gjyqtarë mund të jenë shtetasit shqiptarë që emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre.
GJL-GJYKATA E LARTE
Struktura e GJL ruhet e njëjtë që me krijimin e saj me 1992. Ndryshon formula për zgjedhjen e anëtarëve dhe kryetarit Kryetari zgjidhet nga vete anëtarët.
GJYKATAT E POSAÇME ANTI-KORRUPSION / ANTI-KRIM
Gjyqtarët e gjykatave të posaçme emërohen nga KLGJ, Ata shkarkohen vetëm me dy të tretat e votave të KLGJ, si dhe janë objekt monitorimi të vazhdueshëm personal dhe familjar. Gjykatat e Posaçme i dedikohen veprave penale të korrunsionit dhe krimit të organizuar.
INSTITUCIONET E RIVLERËSIMIT/VETINGUT
Institucionet e rivlerësimit zgjidhen përmes një procedure të gjatë dhe komplekse, që përfshin vet-kandidimin, shqyrtimin e dokumentacionit nga Avokati i Popullit dhe OMN, krijimin e Komisioneve Ad-Hoc në Kuvend dhe seancat dëgjimore në Komision, përzgjedhjen nga Komisioni dhe në fund, kalimin në seancë plenare të Kuvendit për votimin e tyre në bllok.
KPA – KOLEGJI I POSACEM I APELIMIT
Kolegji përbëhet nga 7 gjyqtarë dhe ka mandat 9 vjeçar Kolegji është organi i vetem gjykues ndaj vendimeve të KPK.
KPK – KOMISIONI I PAVARUR I KUALIFIKIMIT
Mandati i anëtarëve të KPK është 5 vjeçar, pas shpërbërjes së KPK funksionet i ushtron KLGJE KLP
Funksioni i tyre është full-time dhe kanë status te veçantë, KPK ka statusin e anëtarit të Gjykatës së Lartë
IKP – INSTITUCIONI I KOMISIONEREVE PUBLIKE
IKP mbron interesin publik me ankime ndaj vendimeve të KPK, IKP zgjidhet me procedurë të njëjtë si KPK dhe KPA.
OMN-OPERACIONI NDËRKOMBETARI MONITORIMIT
OMN është nga viti 2016 pjesë e Kushtetutës së RSH. Funksioni i tij, monitorimi dhe emerimi i vëzhguesve ndërkombëtarë. Vëzhguesit janë nga shtetet e BE dhe shkarkohen nga OMN
Vëzhguesit ndërkombëtarë
Japin rekomandime Kuvendit lidhur me procesin e rivlerësimit. Paraqesin gjetje dhe mendime në KPK dhe në Kolegjin e Apelimit. U jep rekomandime për ankim Komisionarëve Publikë. Kanë akses të plotë në çdo dokumentacion dhe institucion.
ORGANE MBËSHTETËSE PËR PROCESIN E RIVLERËSIMIT
Institucionet e rivlerësimit mbledhin te dhëna zyrtare nga: Inspektorati i Lartë i Deklarimit, Kontrollit të Pasurive Konfliktit të Interesave.
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Avokati i Popullit, Inspektorati pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Prokuroria e Përgjithshme, Organe të tjera ligi-zbatuese
REZULTATET E VETINGUT
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nga data 8 shkurt 2018 deri në datën 30 prill 2020 ka dhënë 246 vendime. · 101 vendime për konfirmimin në detyrë të 44 gjyqtarëve, 48 prokurorëve dhe 9 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë; · 90 vendime për shkarkimin nga detyra të 56 gjyqtarëve, 32 prokurorëve dhe 2 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë; · 30 vendime për ndërprerjen e procesit të 21 gjyqtarëve, 7 prokurorëve dhe 2 ishndihmës ligjor; · 8 vendime për pushimin e procesit të 3 gjyqtarëve, 1 prokurori dhe 4 ndihmësve ligjorë; · 16 vendime për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar, për kryeinspektoren e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, 10 gjyqtarëve dhe 5 prokurorëve; · 1 vendim për pezullim nga detyra për një periudhë 1-vjeçare.
Gjyqtarët dhe prokurorët në panik nga Vettingu, japin dorëheqjen
Që prej nisjes së procesit të Vettingut dhe deri më sot, janë dorëhequr nga sistemi i drejtësisë 17 gjyqtarë, 4 prokurorë si dhe 4 ndihmës ligjorë.
Më poshtë po sjellim emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë dorëhequr në prag Vettingu.
Emrat
1 Arjana Fullani, anëtare në Gjykatën e Lartë
2. Aleksandër Muskaj, anëtar i Gjykatës së Lartë
3. Mirela Fana, anëtare e Gjykatës së Lartë
4. Andi Çelikut, anëtar i Gjykatës së Lartë.
5. Evelina Qirjako, anëtare e Gjykatës së Lartë
6. Guxim Zenelaj anëtar i Gjykatës së Lartë
7. Besnik Imeraj, anëtar i Kushtetueses.
8. Vladimir Kristo, anëtar i Kushtetueses.
9. Sokol Berberi, anëtar i Kushtetueses.
10.Petrit Fusha, ish-kryeprokuror i Tiranës.
11. Sulejman Tola, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Krujë.
12. Ilir Çeliku, gjyqtar Apeli Vlorë.
13. Brunilda Kasmi, gjyqtare
14. Merita Xhani, gjyqtare
15. Ilir Pashaj, gjyqtar Elbasan.
16. Metush Saraçi, kryegjyqtar i Apelit në Tiranë
17. Genci Sinjari, kryetar i Administratives Durrës
18. Agim Bendo, gjyqtar iu Gjykatës së Apelit në Tiranë
19.Ardian Nezha, Prokuror në Elbasan
20. Njazi Seferi, Prokuroria për Krime të Rënda
21.Gjin Gjoni, Gjykata e Apelit në Tiranë,
22. Erlindi Basha, ndihmës ligjor
23. Eritan Shehu, ndihmëse ligjore
24.Adnand Berdica, ndihmës ligjor
25. Etleva Sherifi, ndihmëse ligjore
Edhe pse Reforma në Drejtësi po ecën më hapa të ngadaltë, duket qartë se ka dhënë rezultatet e para. Shkarkimet, përjashtimet, dorëheqjet dhe dosjet e SPAK janë fillim i mbarë. Por, ajo që është më flagrantja në procesin e reformës është ‘Neni 288’ i Ligjit mbi Organet e Qeverisjes në Drejtësi për të cilin është folur shumë pak deri tani.
Neni 288 i këtij ligji detyron Kuvendin të krijojë komisionin e pavarur për koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit me këto direktiva dhe kompetenca.
1) Jo më vonë se 15 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kuvendi krijon një komision të pavarur për monitorimin e proceseve të përzgjedhjes së kandidatëve dhe të zgjedhjes së emërimit të anëtarëve të organeve të qeverisjes të sistemit të drejtësisë.
2) Komisioni i pavarur miraton rregullat e veprimtarisë së tij. Komisioni ndihmohet në ushtrimin e funksioneve të tij nga administrata e Kuvendit.
3) Komisioni i pavarur bën koordinimin midis institucioneve dhe organeve që zbatoj parashikimet ligjore të këtij ligji, si dhe ndjek ecurinë e zbatimit të parashikimeve ligjore nga institucionet respektive, të parashikuara në ligj, brenda afateve ligjore të parashikuara.
4) Komisioni raporton pranë komisionit të përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend dhe para Kuvendit për ecurinë e zbatimit të ligjit sa herë është e nevojshme
5) Veprimtaria e komisionit të pavarur zhvillohet në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Pyetja në këtë rast është pse nuk është lejuar krijimi i këtij komisioni të pavarur që pas miratimit të ligjit ashtu siç e kërkon edhe kushtetuta?
Përgjigja është e thjeshtë, partitë politike që janë në Kuvendin e Shqipërisë nuk e duan këtë reformë dhe as Vetingun. Ata nuk duan t’i kenë nëpër këmbë ekspertët e që tu thonë se çfarë duhet të bëjnë.
Këtë e konfirmon edhe ambasadori amerikan Donald Lu i cili i jep përgjigje shumë pikëpyetjeve tona. “Politikanët në të majtë dhe në të djathtë kanë frikë nga reforma në drejtësi”, deklaroi ish- ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu në 8 shkurt të vitit 2018.
“Reforma në drejtësi ka bërë përparim që mjafton për të trembur ata që nuk e duan atë por ende jo aq sa të kënaqë popullin shqiptar. Mendoj se është vërtet e rëndësishme që ne që e mbështesim reformën në drejtësi, populli shqiptar, Shtetet e Bashkuara, të mos dorëzohemi, të mos çorientohemi, dhe të mos shpërqendrohemi në këtë pikë kritike. Duhet të shtyjmë përpara,” deklaroi një muaj më parë, ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim. Kujtojmë se Amerika është sponsori kryesor i kësaj reforme.
Gjithçka fillon dhe mbaron me politikën dhe politikanët. Reforma e vërtetë fillon kur shqiptarët të shohin pas hekurave politikanët e sferave më të larta. Kjo reformë nuk funksionon pa reduktuar plotfuqishmërinë e politikanëve. Një goditje e madhe për ta do ishte ndalimi i hyrjes në Amerikë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ky ndalim të bëhet për të gjithë politikanët dhe zyrtarët e lartë të shtetit për të cilët DASH ka informacion për lidhje me krimin dhe para të pista. Të jap informacione dhe t’i bëjë publike për te gjithë ata që kanë transferuar para jashtë vendit.
Nëse bëhet kjo fillojnë dhe ndryshojnë gjerat. Reforma në drejtësi do të jetë funksionale vetëm atëherë kur çdo hetim publikohet në faqet zyrtare të gjykatave dhe prokurorive dhe të jetë i aksesueshëm nga media dhe qytetarët. Me patjetër duhet që çdo seancë gjyqësore të filmohet me kamera dhe të publikohet në faqet internetit të gjykatave. Çdo hetim i mbyllur nga prokuroria duhet të jetë i aksesueshëm nga media dhe qytetarët. Vetëm kështu mund të kemi një drejtësi funksionale.
Historia ka treguar se politikanët që kanë drejtuar në Shqipëri nuk kanë dashur asnjëherë drejtësinë, aq më tepër mbrojtjen dhe shitje e vendit sipas interesave të tyre personale.
Kujtojmë ikjen e Ahmet Zogut në prill të vitit 1939 duke e dorëzuar vendin në duart e fashistëve italianë. Por dhe regjimin diktatorial të Enver Hoxhës i cili ishte i gatshëm të bënte aleancë me çdo shtet mjaftonte që ai të mbante në këmbe regjimin e tij.
Për shkak të pozicionit gjeografik jemi vija ‘e kuqe’ ku ndahet lindja dhe perëndimi. Që prej shpalljes së Pavarësisë shqiptarët kanë qenë me sytë nga Evropa dhe Perëndimi. Lidhja me rusët u bë nga diktatori Hoxha që ai të mbante pushtetin. Hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore i mbrojtën dhe i strehuan shqiptarët dhe jo ‘shteti shqiptar’. Që pas 90-ës shqiptarët nuk i harrojnë asnjë të mirë SHBA-ve. As çlirimin e shqiptarëve të Kosovës nuk kanë për ta harruar. Por këtë herë shqiptarët kanë nevojë për ndihmë. Ata duan që SHBA-të tu tregojnë se kush janë politikanët dhe funksionarët e shtetit që janë të lidhur me krimin.
Shqiptarët kërkojnë drejtësi dhe jo politikanë që kërkojnë të zgjasin sa më shumë pushtetin e tyre duke bërë “martesa” edhe me Rusinë apo vende të tjera. Padrejtësia ndaj shqiptarëve vjen nga politikanët e korruptuar dhe nga gjyqtarët, prokurorët dhe funksionarët e shtetit që janë në shërbim të tyre. Drejtësia për shqiptarët do të vijë me ndihmën e amerikanëve, por vetëm kur partner kryesor të jenë qytetarët. Shqiptarët kërkojnë drejtësi.
la.mi/Fjala.al