Kthesa e papritur/Opozita pranon listat e hapura, kërkon ruajtjen e koalicioneve

Tryeza e partive opozitare ka marrë dje vendim që të pranojë listat e hapura të kandidatëve të propozuara nga mazhoranca dhe opozita parlamentare, me kusht që të ruhet formula e koalicioneve në sistemin zgjedhor. Propozimi përshëndetet nga Rama, por mazhoranca nuk lëviz nga pozicioni i mëparshëm. Presidenti Meta futet në skenë, u kërkon ambasadorëve që Rama të tërhiqet nga ndryshimi i Kushtetutës

 Nga Blerina Gjoka

Situata politike ka marrë një kthesë të re pas miratimit të marrëveshjes së 5 qershorit në Parlament. Kur mbeten dhe pak ditë nga data 30 korrik, data e caktuar nga Kuvendi për të votuar ndryshimet kushtetuese që sanksionojnë hapjen e listave të kandidatëve dhe riformatimin e koalicioneve, opozita jashtëparlamentare ka dalë me një propozim të ri, ku pranon hapjen e listave, por pa cenuar formulën e koalicioneve. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi lëvizjen e re të opozitës, e cila deri më tani kishte akuzuar mazhorancën se po bën ndryshime të njëanshme, të imponuara nga interesat e saj, duke cenuar marrëveshjen e 5 qershorit. Çështja tashmë është shtruar në Këshillin Politik, tryezë ku vetë kryeministri Edi Rama mori pjesë, për të bindur opozitën për pranimin e listave të hapura. Por pas një heshtjeje të gjatë dhe shmangies së një përballjeje me kundërshtarin e tij, kryeopozitari Basha doli dje dhe tha se opozita e bashkuar do të mbështesë hapjen 100 për qind të listave, me kushtin që koalicionet të mos ndryshohen, por të mbeten kështu siç janë sot dhe, për pasojë, edhe shpërndarja e mandateve të përllogaritet siç është sot, me formulën aktuale të koalicioneve zgjedhore. “Marrëveshja e 5 qershorit më në fund u votua ditën e djeshme në Kuvend, është një bazë për zgjedhje normale, por nuk është ajo që donim ne. Është një marrëveshje e arritur në bashkëpunim me ndërkombëtarët. Dua të përshëndes qëndrimet e ndërkombëtarëve ditën e djeshme, pas miratimit të marrëveshjes. Opozta e bashkuar është kundër çdo ndryshimi kushtetues unilateral. Këshilli Politik është vendi ku mund të diskutohen të gjitha çështjet. PS-ja ka ndryshuar disa herë qëndrim për listat e hapura dhe dua të njoftoj se opozita e bashkuar ka mandatuar Bylykbashin e Vasilin që në Këshillin Politik të deklarojnë e se: opozita do të mbështesë hapjen 100% të listave dhe të mos preken koalicionet”, – tha Basha pas tryezës me aleatët e tij. Duke argumentuar këtë qëndrim, Basha tha se vetëm hapja 100% e listave është hapje, jo në formulën siç e ka bërë Rama. “Nuk mund t’u thuash shqiptarëve “po hap listat dhe pjesën fituese ta zgjedhë prapë partia. P.sh., në 34 deputetë të Tiranës, i bie që 11 t’i zjedhë partia dhe 1 apo 2 t’i zgjedhin qytetarët. Imagjinoni qarqe të tjera si Kukësi, Dibra, Berati, Gjirokatra, ku, realisht, qytetarët nuk do të kenë mundësi të zgjedhin fare, sepse në ndarjen më optimiste, 1/3-ën e zgjedh partia, që do të thotë që qytetarët nuk do të kenë mundësi të zgjedhin fare. Pra, do të kemi qytetarë që arrijnë të votojnë për një deputet në mënyrë preferenciale dhe do të kemi qytetarë që nuk votojnë dot për deputetin në mënyrë preferenciale”. Sipas tij, duket qartë se ndryshimet e bëra nga Rama dhe opozita në Parlament janë një mish-mash i gatuar me synimin e vetëm të prishjes së koaliconit opozitar. “Kjo është e papranueshme dhe përbën një kërcënim real, të rëndë për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe, natyrisht, për integrimin evropian të vendit.”- tha ai.

Lexo edhe :  Shqiptarët, të dytët në Europë për mbipopullimin e banesave

Përmes një mesazhi në Twitter, Rama, duke i kthyer përgjigje Bashës, theksoi se hapi i tij është pozitiv por mazhoranca do të qëndrojë në formulimin e mëparshëm të bërë prej saj. “Pozitiv gjysëm hapi i LBPD për hapjen e listave, që është thelbi i risive kushtetuese! Si e sa do hapen nga jo më pak se 75% në 100% kjo i takon diskutimeve pas 30 korrikut. Sa për koalicionet parazgjedhore ato nuk do të ndalohen, thjesht do të standartizohen si kudo në Europë,po edhe kjo do të shkruhet e votohet pas 30 korrikut,kështu që për sot i vetmi ndryshim është hapja e LBPD ndaj risisë kushtetuese që do të sjellim në 30 korrik”- shkruan ai./Fjala.al/