Nga Roland Qafoku
https://youtu.be/Gvw0Q3t28kY
Ka një sforco në Partinë Demokratike për hapjen dhe kthimin në të të disa figurave që quhen të ikura. Dalja e Besnik Mustafajt në krah të Lulzim Bashës, në vizitën e tij në Kosovë, ishte shenjë simbolike se kryetari e ka nisur zyrtarisht këtë proces. I pari “i mohikanëve të fundit”, në fakt, ishte Genc Ruli, një tjetër personazh i larguar me shumë bujë nga kjo parti.
Si Mustafaj, ashtu dhe Ruli kanë ngjashmëri në këtë kthim. Të dy kritikues të Lulzim Bashës, të dy të larguar me qejfmbetje të hapura publike, të dy ndër politikanët më në zë në këto tri dekada, ata tashmë janë kthyer në bazë dhe nga aty po shikojnë dhe po angazhohen për ta ndihmuar PD-në të vijë në pushtet. Megjithatë, jehona e atyre që thanë në momentin e divorcit oshëtin ende në veshët e demokratëve. Largimi i dytë i Genc Rulit nga PD-ja, pas atij në kohën e Berishës president, u shoqërua me një deklaratë, ndoshta më të rëndën që ka bërë dikush nga brenda kësaj partie ndaj Lulzim Bashës. Tha Genc Ruli më 27 qershor 2017:
“Lulzim Basha është një individ që e mori “lidershipin” e PD-së si dhuratë në “pajë” nga Berisha dhe që i bëri programet dhe listat jo me zyrtarët e PD-së, por me gruan dhe kunatin. Ky lider bëri një marrëveshje turpi me kundërshtarin e tij politik. Thjesht duke kalkuluar interesin e vetvetes e jo të PD-së. Ky sot duhej vetë të deklaronte largimin pa asnjë kusht nga drejtimi i partisë që e çoi në greminë. U them atyre që ende e duan PD-në, e jo që ende u duhet, në qoftë se ai nuk jep dorëheqjen vetë deri nesër, shkoni te selia e PD-së dhe përzëreni atë, gruan dhe kunatin, siç përzuri Jezusi tregtarët nga Tempulli”.
Ndonëse me nota më të moderuara, Besnik Mustafaj vuri gishtin në plagë për marrëveshjen e 18 majit të vitit 2017, teksa u shpreh i pakënaqur. Tha Besnik Mustafaj ato ditë:
“Unë nuk e qortoj këtë gjë. Basha ka pasur një qasje, jo prej negociatori, sepse nuk shkohet në tryezën e negociatave me një kusht të panegociueshëm. Nuk e qortoj pse hoqi dorë nga ky kusht. Ajo që nuk është bërë me inteligjencë nga Basha është fakti se nuk e përgatiti opinionin për marrëveshjen. Ai nuk kishte dhënë asnjë informacion. Edhe Rama dhe Basha treguan se janë të aftë të surprizojnë, por nuk janë për demokracinë këto surpriza. Në demokraci duhet përgatitur opinioni publik për të punuar”.
Tashmë këto dy deklarata janë futur në muzeun e partisë dhe si Basha, ashtu dhe Ruli e Mustafaj i kanë hedhur pas krahëve. Por kur kanë mbetur edhe 10 muaj nga zgjedhjet parlamentare, pyetja është se sa serioze është kjo hapje e PD-së. A është ajo reale dhe a mund të quhet e tillë me vetëm dy figura?
Madje, për ironi, i ikuri i kthyer, Genc Ruli, do të drejtojë Komisionin e Përzgjedhjes të Kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që do të thotë se do të ketë në dorë edhe fatin e të larguarve që mund të kthehen. Në fakt PD-ja mund të justifikohet që u ka bërë thirrje të gjithëve të kthehen. Kështu bëri edhe sekretari i përgjithëm, Gazmend Bardhi, në emisionin që unë drejtoj “Hard Talk”, duke përfshirë edhe Jozefina Topallin, zërin më permament kritikues ndaj kryetarit Basha në këto 7 vjet që drejton PD-në. Ai përsëriti më se një herë që Jozefina Topalli është ende anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së dhe si e tillë nuk ishte larguar nga PD-ja.
Vetëm 10 ditë pas deklaratës, mes 100 emrave të propozuar nga dega e PD-së në Shkodër, ishte edhe ai i zonjës Topalli. Në pamje të parë duket sikur gjërat në PD po lëvizin, dhe ky propozim është konfirmim i asaj që thotë Bardhi. Por a vlen që Jozefina Topalli është mes 100 emrave? Pa nënvlerësuar askënd, a vlen që kontributi dhe vlera e zonjës Topalli të vihet në kandar edhe me 99 emra të tjerë të degës së Shkodrës? A vlen që një emër që u largua vetëm me një të rënë të lapsit nga lista e kandidatëve të PD-së më 2017 të kalojë kaq lehtë dhe se në një nga cepat e degës së Shkodrës të propozohet dhe hop ky mund të quhet kthim në PD.
As të ikurit dhe as vetë PD-ja nuk kanë nevojë për kinse kthime. Të dyja palët kanë nevojë për bashkim dhe si i tillë ai bëhet me frymë, por më shumë nga të gjitha, me sinqeritet. Por sinqeriteti duket një cilësi jo shumë e kultivuar aty. Është pozitiv fakti që Partia Demokratike e ka modelin e kthimeve. Sali Berisha kishte bërë dhjetëra beteja me dhjetëra personalitete të PD-së, të cilat ishin larguar pas betejash të forta me të. Por një vit përpara se të kthehej në pushtet Berisha gjeti mënyrën për t’i afruar, për t’i lënë pas qefmbetjet dhe për të qenë pjesë e një pushteti i cili u takonte të gjithëve.
Ndoshta kulmi i kulmeve nga ato kthime ishin dy: Safet Zhulali dhe Arben Imami. Safet Zhulali u cilësua armiku numër një i Berishës, pas largimit të tij, në mars 1997, nga Shqipëria, ndërsa Arben Imami i hipur në tank në Jug, i veshur ushtarak u duk sikur vulosi përgjithmonë armiqësinë pothuajse personale me doktorin, por edhe me masën besnike të PD-së. Gjithsesi, në emër të kthimit të madh të figurave në PD, të dy u bënë pjesë e rëndësishme e saj. Fatkeqësisht, Safet Zhulali ndërroi jetë pa ardhur PD në pushtet, ndërsa Imami u bë shef kabineti i kryeministrit Berisha e më pas edhe ministër i Mbrojtjes.
Ndërkohë, aktualisht, në PD nuk duket se kemi të njëjtën mënyrë dhe të njëjtin stil kthimi. Nga njëra anë, bëhen thirrje të hapura për kthim dhe, në të njëjtën kohë kthimet janë me pikatore. Aq e dukshme është bërë kjo, sa të kthyerit shikohen me syrin se një ditë ata mund t’i bëjnë puç kryetarit Basha.
Pra, ka një moesbesim mes lidershipit të PD-së dhe të ikurve. Madje, mosbesimi vjen edhe mes vetë të të larguarve. Ylli Pango, një nga personazhet më të spikatura në qeverisjen e PD-së, si ministër Kulture dhe deputet, si dhe mbështetës i saj, por jo si një partiak i thekur, e komentoi me nota ironike këtë kthim me pikatore të të ikurve. Në një reagim të pak ditëve më parë, statusi i tij është më shumë vërejtje për cilësinë e atyre që po kthehen, sesa për numrin e të kthyerve. Shkruan Ylli Pango:
“Si nuk tha njëri nga propozuesit, “çfarë la pas ky njeri pas kaq vitesh pushtet e parlament? (Kur u largua). Çfarë të mire u bëri njerëzve, vendit që shqiptarët (a bashkëqytetarët) nuk ia harrojnë dot e, prandaj, po e kërkojnë prapë. Përse u shqua?” More së paku, një, një të vetme punë që pati duk, t’ia vënë në dukje. (Rroga, pensione, rrugë, shëndet, arsim, vepër për lavdinë kombëtare, taksa të ulura…)”
Nuk lipset të kesh trurin e Leonardo da Vinçit për të kuptuar se për kë e ka konkretisht Ylli Pango. Fakti është se tashmë kemi përplasje mes PD-së së re dhe të ikurve, por edhe mes vetë të ikurve. Por duket se me këtë qëndrim, të ikurit ia vështirësojnë akoma më shumë Lulzim Bashës këtë operacion. Kryetari i PD-së ndodhet mes aksiomës që duhet t’i kthejë të vjetrit, por ndërkohë partia të mbetet ajo që ka thënë Berisha, partia e brezit të ri. Por a mund të ndodhë realisht kjo?
A mund të realizojë Luzim Basha një ndërthurje reale mes të rinjve dhe të vjetërve? Pikërisht kjo pyetje e bën atë të ketë një stepje të dukshme. Një stepje që vjen edhe nga mungesa e përvojës, por edhe sa nga frika se mos këta të vjetrit, që i dinë mirë taktikat, mund t’u zënë vendin të rinjve jo shumë të rafinuar.
Megjithatë, ajo që vlen në PD është se me këtë mënyrë operacionin e kthimit të madh në PD nuk mund ta quajmë me sukses. Ai nuk mund të quhet i realizuar me kthimin e një ose dy figurave. Dhe duke perifrazuar batutën e një filmi shqiptar të socrealizmit, Debatiku, në mos gabohem, atë që po ndodh në PD mund ta përshkruajmë duke bërë këtë pyetje e duke dhënë këtë përgjigje: Kush u kthye në PD? Përgjigjja: Genci dhe Besniku. /Ra.My.Fjala.al/