Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosja, Gazmend Gjyshinca ka deklaruar se është sulmuar fizikisht në korridoret e Kuvendit të Kosovës nga kolegët e LDK. Gjyshinca tha se pas mbledhjes së Komisionit për Punët e Jashtme, është pritur në korridor nga deputetët Kujtim Shala dhe Arben Gashi të cilët e kanë sulmuar fizikisht. Gjyshinca shton se ngjarja mund të provohet nga pamjet filmike që ndodhen në ambientet e Kuvendit.
“Ashtu siç deklaroi deputetja, kolegia ime sot në mbledhjen e sotme kemi pasur për raportim ministren e MPJD-së dhe në kuadër të debatit ne si deputet kemi nisur një iniciativë e cila e shfaq degradimin në atë ministri, nepotizmin. Në komision ka qenë një qasje selektive dhe na është pamundësuar mundësia të ngrisim skandalet që është përfshirë sistemi ynë diplomatik.
Ekzistojnë edhe xhirimet edhe në korridor kur ka ndodhur sulmi. Në momentin kur unë kam filluar t’i shpalos problematikat kanë filluar sulmet verbale. Deputeti Arben Gashi ka përdorur presion verbal. Me të përfunduar mbledhja e komisionit unë mbeta pak më vonë për të dalë sepse me vete kishte dokumente të shumta dhe kam mbetur në sallën e komisionit dhe në momentit kur kam dalë në korridor në befasi jam sulmuar fizikisht nga deputetët Kujtim Shala e Arben Gashi”, tha Gjyshinca .
Ndërkohë kryetari i LDK-s, Isa Mustafa ka reaguar pas pretendimeve të Gjyshincës duke thënë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosja gënjejnë pasi duan të bëjnë rolin e viktimës.
Mustafa gjithashtu ironizon duke thënë se Kujtim Shala është një akademik dhe aq libra sa ka lexuar ai nuk janë deputet të LVV dhe se mund ti rrahë ata me dije e argumenta.
“Kështu është, kur nuk e kupton gjuhen intelektuale të Akademikut Kujtim Shala. Nuk ke kapacitet të mendosh dhe ta kuptosh se çfarë tha dhe thua me rrahu Kujtimi.
Akademik Shala mund ti rrahë me dije e me argumente prej të parit deri në të fundit të VV-së dhe të gjithë së bashku. Ai ka dije e mendjehollësi; ka më shumë libra të botuara sesa VV-ja deputetë.
Frikësohem se nëse deputetët e VV-së i lexojnë librat e Kujtimit dhe nuk i marrin vesh, pasi janë vetëm zhurmues, do ta thërrasin një helikopter, jo makinë të ndihmës së shpejtë, para ndërtesës së Kuvendit.
Deri sot i kanë bërë të gjitha të zezat, e sot improvizojnë se i sulmuan deputetët e LDK-së, sepse duan të luajnë rolin e viktimës.
Tani po pres, që ndonjë diplomat i jashtëm, përkëdhelës i VV-së, të ma sjell një “demarsh” në LDK; ata që u mërzitën shumë kur e prishëm koalicionin me VV-në?! IM”, shkruan Isa Mustafa në rrjetin social Facebook./Re.Gu/fjala.al