Historia e dosjes së zezë që implikoi jo vetëm të fortët e klaneve të drogës, por dhe politikanët në shitblerjen e votave. SPAK-u firmos 22 urdhra arresti
Vazhdon të cilësohet si një nga “dosjet” më të përfolura në Shqipëri, për shkak dhe të asaj çfarë “fshihet” brenda saj. Përgjimet ambientale si dëshmi konkrete për të vënë me shpatulla pas murit njerëz të fuqishëm që merreshin me trafikun e lëndëve narkotike, nxori si “pa dashur” dhe implikimin e disa politikanëve në trafikun e votave…
Ajo njihet me emrin “Dosja 339”, dhe për shkak të përmbajtjes, por edhe të përgojimeve të shumta nëpër seancat plenare të Kuvendit, nga foltoret e partive politike dhe trajtimi i gjerë në media, ka hyrë në zonën e zezë. “Dosja 339” është një nga dosjet më të nxehta të politikës, ku opozita akuzon zyrtarë të lartë socialistë, përfshirë dhe Vangjush Dakon, se janë përfshirë në shitblerje votash me ndihmën e grupeve kriminale.
Urdhërarrestet
Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lëshuar 22 urdhërarreste për dosjen e shumë përfolur ‘339’. Por cilët janë emrat e të arrestuarve në kuadër të këtij hetimi? Ata janë komisionerë nën akuzën: “votim më shumë se një herë pa u identifikuar”. Në njoftimin e saj Prokuroria e Posaçme thotë se: “Nga aktet e administruara në funksion të hetimit të procedimit penal nr. 29 të vitit 2019, është konfirmuar gjithashtu se gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2017 që: Shpëtim Stafa, Elidon Stafa, Ramiz Tuda, Fredi Marku, Dalvis Bida, Emiljan Tuda, Redi Hysa kanë lejuar me dashje persona të tjerë, të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar me emra të votuesve të tjerë. Bashkim Alushi, Jakup Bregu, Altin Lala, Kasem Lala, Kujtim Ruci, Zyhra Lala, Qemal Domi, Besim Bregu, Indrit Bici, Mehdi Lala, Agim Lala, Orjada Lala, Bujar Sula, Qazim Lala, Armelind Zeza kanë votuar në emër të votuesve të tjerë, duke konsumuar veprën penale votim më shumë se 1 herë ose i paidentifikuar”. Zonat që prokuroria përmend në njoftimin e saj i përkasin Shijakut, Durrësit dhe njësisë administrative Gjepalaj.
Implikimet
Dosja 339 është pjesë e hetimeve që tronditën situatën politike, ku mes të përgjuarve të disa grupeve kriminale në trafikun e lëndëve narkotike, kanë dalë edhe emrat e disa politikanëve për shitblerjen e votave. Dosja 339 ka 24 të pandehur, mes të cilëve Avdylajt e Shijakut dhe të akuzuarit për laboratorin e drogës në Brenog të Hasit, të akuzuar për disa vepra penale, nga trafiku i lëndëve narkotike, grupi kriminal dhe korrupsioni. Duke u kthyer pas në kohë, kujtojmë se hetimet për këtë dosje kanë nisur që në vitin 2016. Ndërsa thuajse dy vite më vonë, në vjeshtën e vitit 2018, u finalizua operacioni “Vol-Vo 4”, ku u arrestuan 27 personat dhe u prenë 44 fletarreste.
Në qershor të vitit 2019, për llogari të “dosjes 339”, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Arkivit Qendror të Shtetit u sekuestruan materialet zgjedhore të dy qendrave të votimit në Shijak, ku dyshohej të ishte kryer korrupsion zgjedhor. Prokuroria për Krimet e Rënda sekuestroi një pjesë të materialeve zgjedhore të vitit 2017 të Bashkisë së Shijakut. Pikërisht në 6 qershor, dy prokurorët e dosjes 339, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, firmosën vendimin për sekuestrimin e këtyre materialeve, me dyshimin se aty është bërë shitbjerje votash, si dhe është përdorur funksioni shtetëror për fushatë. “Nga hetimet proaktive, të kryera me metoda speciale hetimi, si përgjimet telefonike, ambientale dhe vëzhgime, ka rezultuar se një grup personash vepronte në formën e një grupi të strukturuar kriminal. Në funksion të kësaj çështjeje penale ka rezultuar se ka dyshime për kryerjen e veprave penale “korrupsion aktiv e pasiv në zgjedhje”, si dhe përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, thuhet në dokument.
Nga përgjimet e kryera, u zbulua implikimi i punonjësve të policisë dhe zyrtarëve të tjerë në vepra penale. Në kuadër të kësaj dosjeje është marrë në pyetje edhe ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, së bashku me zyrtarë të tjerë që kanë bërë fushatën në qytetin bregdetar. Ish-kryebashkiaku i Durrësit është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni. Përgjimet e zbardhura ku ai bisedonte me Avdylajt, sollën akuza të forta nga opozita në drejtim të tij, ndërsa Dako vendosi të mos garonte në 30 qershor për një tjetër mandat.
Investigimi i “Bild”-it
Gazeta prestigjioze gjermane “Bild” ka publikuar disa përgjime, pjesë të dosjes hetimore zyrtare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda numër 339/1, lidhur me aktivitetin kriminal të organizatës së trafikut të narkotikëve, i njohur si “klani Avdylaj”. Gjatë përgjimeve ka rezultuar se në muajt pararendës të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017, klani kriminal i Avdylajve – shkruan “Bild” – është përfshirë thellësisht në blerjen e votave dhe intimidimin e zgjedhësve në emër dhe bashkëpunim të plotë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, përfshirë kreun e bashkisë Durrës, qyteti i dytë më i madh në Shqipëri.
Përgjimi i parë është ai mes kreut të bandës, Astrit Avdylaj, dhe Ivo Doçit, drejtorit të Ujësjellës-Kanalizimeve Shijak. I pari i kërkon të dytit një listë të votuesve demokratë që punojnë tek UKT-ja në Shijak, në mënyrë që Astriti të vijë e t’i shkundë që të votojnë për socialistët, në të kundërt do të humbasin punën e tyre. “Bild” argumenton se toni i drejtorit të UKT-së, Ivo Doçi, teksa flet me Avdylajt është ai i një vartësi, tregues ky i fuqisë që kreu i grupit Avdylaj ka në “përpjekjet e fushatës së socialistëve”. Përgjimi i dytë mban datën 28 mars 2017, dhe dëgjohet biseda mes kreut të bandës së Avdylajve dhe kreut të Bashkisë Shijak, Ardian Kokomani, ku Astrit Avdylaj kërkon vendosjen e një takimi mes tij, Vangjush Dakos dhe Ilir Ndraxhit, atëherë kandidat në perspektivë, sot deputet i socialistëve në Parlament, me rekomandim të Avdylajve.
Përgjimi i radhës tregon Astrit Avdylajn teksa telefonon Elton Arbanën, kandidatin aktual të socialistëve për kryebashkiak në Shijak, i irrituar, pasi Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar po vendoste gjoba mbi disa banorë të Sukthit dhe Astriti nuk arrinte të lidhej me Gjushin, pasi ishte me Edin në Zvicër. Në përgjimin e fundit dëgjohet Astrit Avdylaj teksa telefonon kreun e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, teksa ndodhet te Hipoteka së bashku me drejtorin dhe Vath Allën, një ish të dënuar për vrasje, që do të përfundojë punën në emër të Allës.
Reagimet:
Gazmend Bardhi: Në krye të dosjes 339 është Vangjush Dako
Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, ka publikuar në rrjet një video përgjimesh nga dosja 339, duke shtuar se hetimet dhe ndëshkimet duhen bërë nga koka te bishti dhe jo anasjelltas. Ai thotë se ndëshkimi duhet të nisë nga Vangjush Dako. “Dosja 339 është krimi shtetëror, në të cilin Edi Rama vodhi dhe bleu zgjedhjet e vitit 2017 me krimin e organizuar. Dosja 339 është Vangjush Dako, është banda e Avdylajve, janë trafikantët ndërkombëtarë të drogës, është Edi Rama, që ata zgjodhën me blerje votash dhe me kërcënime.
Për këtë krim, që vazhdon të mbajë peng vendin, akoma nuk është bërë drejtësi. Vangjush Dako, i shpallur non grata nga SHBA-ja, vazhdon të jetë i lirë, nën mbrojtjen e Edi Ramës. Të tjerë njerëz të afërt të Edi Ramës vazhdojnë të mos hetohen për lidhjet me trafikantët e drogës që blenë zgjedhjet për Edi Ramën në Durrës, Kavajë, Shijak, Lezhë etj. SPAK-u duhet të veprojë në mënyrë të plotë dhe të mos fshihet pas gishtit. Manipulimi i zgjedhjeve të 2017-s kërkon drejtësi dhe ndëshkim.”, thotë mes të tjerash sekretari i përgjithshëm i PD-së.
Rama: Të depolitizohet administrata zgjedhore
Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka reaguar pas arrestimeve të komisionerëve në zgjedhjet lokale të vitit 2016, në kuadër të dosjes 339, urdhërarreste të lëshuara nga SPAK-u. Sipas tij, kjo i jep mësim politikës që një herë e mirë të vendosë për depolitizimin e administratës zgjedhore.
“Arrestimi i komisionerëve politikë të dosjes së famshme të Dibrës, nxjerr në pah psenë e domosdoshmërisë së depolitizimit të administratës zgjedhore! 14 të pandehur të PDLSI dhe 8 të PS janë prova se kush bërtet më shumë e nuk do depolitizim, i ka duart të zhytura thellë në llum!
Për mua janë 22 individë të gabuar, në vendin e gabuar dhe detyrën e gabuar, që duhet të shërbejnë si shembull i padiskutueshëm për largimin përfundimtar të partive politike nga komisionet e zgjedhjeve! Le të vendosë drejtësia për ta, pa dallim dhe mësimi për ne është: DEPOLITIZIM!”, ka bërë të ditur Rama nëpërmjet twitter-it.
Yuri Kim reagon ndaj arrestimeve: Edhe një gur!
Yuri Kim, ambasadorja amerikane në Tiranë, ka reaguar pas arrestimeve të bëra në kuadër të hetimeve për dosjen 339, e cila u finalizua me prerjen e 22 urdhërarresteve. “Puna e SPAK-ut për çështjen 339 fillon të zbulojë lidhjet midis krimit të organizuar dhe korrupsionit. Reforma në drejtësi vazhdon të ecë përpara dhe nuk mund të ndalet. Edhe një gur!”, shkruan në mesazhin e saj ambasadorja Kim. /Ra.My.Fjala.al/