Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka reaguar pas rritjes së numrit të rasteve të reja dhe numrit të viktimave ditët e fundit në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani shkruan se rritja e numrit të viktimave dhe rasteve të reja duhet të shërbejë si alarm për institucionet e vendit.
“31 familje po i varrosin më të dashurit e tyre, që humbën jetën dje (16) e sot (15) nga virusi Covid-19. Ditët e festave janë ditë kur zotërojnë gëzimi e hareja, por sot, disa familje po i japin lamtumirën e fundit atyre që i deshën më së shumti. Lutem që Zoti t’ua lehtësojë dhimbjen në këto kohë të rënda e për humbjen e madhe jo vetëm për familjet por për gjithë shoqërinë tonë”, shkruan Osmani.
Osmani gjithashtu u kërkoi qytetarëve të tregohen të kujdesshëm ditën e sotme në festën e Kurban Bajramit.
“Prandaj nëse u shkon mendja që për këtë Bajram t’i injoroni këshillat e mjekëve për festë nga distanca, ju lus mendoni për 227 familjet që sot kanë dhimbje për fëmijët, vëllezërit, motrat apo prindërit e tyre, të cilët i humbën për shkak të pandemisë”, shkruan Osmani.
Kryeparlamentarja, ka ngushëlluar familjet e viktimave nga COVID-19.
“Dhimbja e tyre le të shërbejë si alarm për të gjithë për rrezikun e këtij virusi e në veçanti për institucionet që e kanë për obligim të mbrojnë jetën e qytetarëve.Ngushëllime edhe njëherë të gjitha familjeve që humbën më të dashurit”/Re.Gu/Fjala.al