Gent Sejko: Ja kur pritet të nisë rritja ekonomike

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha në një konferencë për media se pandemia e koronavirusit ka goditur rëndë ekonominë shqiptare, ku për pasojë i gjithë aktiviteti ekonomik ka pësuar një ngadalësimm të fortë.

Sejko deklaroi se aktiviteti ekonomik shënoi pikun e ngadalësimin në 3-mujorin e dytë të këtij viti, ndërsa sipas tij, rritje ekonomike do të kemi vetëm në vitin 2021. Kjo situatë, tha Guvernatori Sejko, pritet të shoqërohet me ulje të punësimit dhe rritje të papunësisë, si dhe rritje të borxhit përgjatë këtij viti.

Për këtë arsye, Sejko u shpreh se Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur të lërë të pandryshuar normën e interesit, përkatësisht në vlerën 0.5%.

“Pandemia ka sjellë një goditje të rëndë për ekonominë shqiptare. Aktiviteti ekonomik ka pësuar një ngadalësim të fortë. Ekonomia u kontraktua 2.5% në 3-mujorin e parë. Kjo pritet të shoqërohet me ulje të punësimit dhe rritje të papunësisë, si dhe rritje të borxhit gjatë vitit 2020. Kjo situatë ka sjellë vështirësi financiare për shumë biznese e familje shqiptare. Aktiviteti ekonomik shënoi pikun e ngadalësimit në 3-mujorin e dytë të vitit, ndërsa pritet që rritje të shënojë vetëm në vitin e ardhshëm. Ky skenar është i kushtëzuar nga ecuria e mëtejshme e pandemisë, nga ndikimi i pandemisë në sjelljen e ardhshme të biznesit dhe konsumatorit. Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit, në vlerën 0.5%”, tha Sejko.

Fjala e plotë e Guvernatorit Sejko:

Të nderuar përfaqësues të medias,

Në datën 5 gusht 2020, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.

Informacioni i marrë në analizë sugjeron se aktiviteti ekonomik ka shfaqur një ngadalësim të fortë në gjysmën e parë të vitit, si pasojë e masave të marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë. Relaksimi i masave të distancimit social gjatë fundit të tremujorit të dytë, si dhe stabiliteti monetar dhe financiar i vendit, kanë krijuar premisa për një rikuperim gradual të aktivitetit ekonomik në periudhën në vijim.

Në përfundim të diskutimit, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Kushtet aktuale monetare ofrojnë stimulin e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022. Megjithatë, përshkallëzimi i mëtejshëm i goditjes apo krijimi i vështirësive në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, do të kërkonin rritjen e stimulit monetar.

***

Pandemia ka sjellë një goditje të rëndë për ekonominë shqiptare, si në nivel makro ashtu dhe në nivel biznesesh e familjes individuale.

Sipas të dhënave të Instat-it, ekonomia shqiptare u kontraktua me 2.5% në tremujorin e parë të vitit. Ky kontraktim pasqyroi tkurrjen e investimeve, reduktimin e eksportit të mallrave dhe shërbimeve, si dhe ngadalësimin e konsumit privat. Të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se aktiviteti ekonomik do të pësojë një rënie dukshëm më të fortë në tremujorin e dytë.

Në terma makro, rënia e kërkesës për mallra e shërbime dhe mbyllja e përkohshme apo rritja e kostove për disa kategori aktivitetesh, është pasqyruar në një sërë treguesish ekonomikë.
 Inflacioni shënoi rritje të lehtë në tremujorin e dytë, duke regjistruar një nivel mesatar prej 1.9%. Kjo ecuri u diktua nga rritja e kostove të prodhimit e të transportit, efekte këto të cilat dominuan mbi ndikimin rënës në inflacion që sjell tkurrja e kërkesës agregate.
 Po ashtu, rënia e aktivitetit ekonomik pritet të shoqërohet me ulje të punësimit dhe rritje të papunësisë, me zgjerim të deficitit të llogarisë korrente dhe rritje të borxhi publik gjatë vitit 2020.

Në terma mikroekonomikë, rënia e kërkesës dhe e shitjeve, ka sjellë vështirësi financiare për shumë biznese e familje shqiptare, si pasojë e tkurrjes së të ardhurave dhe e humbjes së vendeve të punës. Këto vështirësi, si dhe pasiguria e perceptuar nga operatorët ekonomikë, tentojnë të zgjasin në kohë efektet e goditjes, nëpërmjet ngadalësimit të konsumit dhe investimeve private.

Këshilli Mbikëqyrës gjykon se efekti i pandemisë në ekonomi do të vijë progresivisht drejt reduktimit gjatë tremujorëve në vijim, ndonëse rikuperimi pritet të jetë i ngadaltë dhe balanca e rreziqeve mbetet në kahun e poshtëm. Në skenarin bazë, aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të vijojë të mbetet në territor negativ gjatë dy tremujorëve në vijim, dhe t’i kthehet rritjes në vitin 2021. Rritja e kërkesës agregate pritet të shoqërohet me rritje të punësimit dhe rritje të pagave e të kostove të prodhimit, duke krijuar premisa për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.

Lexo edhe :  Euro, në kuotën e 98 lekëve/ Kursi i këmbimit, 24 dhjetor 2024

Ky skenar është i kushtëzuar nga ecuria e mëtejshme e pandemisë, nga shpejtësia e përmirësimit të aktivitetit ekonomik në partnerët tanë tregtarë, nga ndikimi i pandemisë në sjelljen e ardhshme të biznesit dhe konsumatorit, si dhe nga efektiviteti në kohë i masave fiskale, monetare dhe financiare, të ndërmarra deri tani.

Këshilli Mbikëqyrës gjykon se stimuli i koordinuar fiskal, monetar dhe financiar, ka qenë një element vendimtar në zbutjen e pasojave negative të krizës.

Politika fiskale ka adoptuar një kah stimulues, duke mundësuar:
 rritjen e shpenzimeve korrente, në interes të alokimit të fondeve për përballimin e pandemisë dhe për mbrojtjen e shtresave sociale në nevojë;
 krijimin e skemave të garancisë sovrane, në interes të rritjes së aksesit të biznesit në kredi; si dhe,
 rritjen e investimeve publike, në interes të rikuperimit të pasojave të tërmetit dhe të rritjes së kërkesës agregate.

Paralelisht me të, Banka e Shqipërisë ka rritur stimulin monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, duke synuar uljen e kostove të financimit dhe rritjen e masës monetare në ekonomi. Po ashtu, në bashkëpunim me industrinë bankare. Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë ndryshime të kuadrit rregullator, të cilat kanë lehtësuar shtyrjen e përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi.

Në përgjigje të tyre, tregjet financiare shfaqen relativisht të qeta. Kostot e financimit të sektorit privat mbeten të ulëta, kursi i këmbimit është i qëndrueshëm, ndërsa sektori bankar vijon të shfaqë tregues të mirë likuiditeti dhe kapitalizimi.

Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se sektori bankar ka dhënë një kontributin të qenësishëm në drejtim të amortizimit të goditjeve. Kredia për sektorin privat vijoi të shënojë rritje në tremujorin e dytë, duke kulmuar në nivelin 7% në muajin qershor dhe duke i mbështetur bizneset dhe familjet shqiptare me likuiditetin e nevojshëm për përballimin e krizës. Gjithashtu, ky sektor ka marrë mbi vete një pjesë të kostos financiare të goditjes, duke lehtësuar më tej barrën për sektorin privat.

Këshilli Mbikëqyrës vëren se vijimi i kësaj përqasje pozitive të sektorit bankar ndaj kredisë, e cila është favorizuar dhe nga instrumentet e garancisë sovrane, do të jetë një parakusht i nevojshëm për rikuperimin e ekonomisë në të ardhmen.

***

Në mbyllje të diskutimeve, duke gjykuar dhe mbi projeksionet e skenarit bazë dhe balancën e rreziqeve rreth tij, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm.

Për këtë arsye, ai vendosi:
 Të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%;
 Të lerë të pandryshuar normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 0.1% dhe 0.9%.

Politika monetare do të vijojë të mbetet lehtësuese gjatë gjithë horizontit të parashikimit.

Gjithsesi, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se balanca e rreziqeve vijon të mbetet në kahun e poshtëm. Në veçanti, rreziqe të kahut të poshtëm burojnë nga:
 Zgjatja e theksuar në kojë e pandemisë dhe ri-prezantimi i masave të distancimit social për kontrollin e saj;
 Lindja e problemeve në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, në formën e rritjes së normave të interesit dhe kostove të financimit të sektorit privat, në formën e përkeqësimit të ofertës së kredisë bankare, apo në formën e luhatjeve të forta të treguesve të tjerë të tregut financiar.

Këshilli Mbikëqyrës vëren se materializimi i këtyre rreziqeve do të kërkonte lehtësimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Ukraina dërgon 500 tonë miell në Siri

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky njoftoi se kanë dërguar 500 tonë miell në Siri. Zelensky në postimin e tij...

Shkencëtarët janë të sigurt se kanë gjetur një portal drejt Dimensionit të Pestë

Shkencëtarët thonë se mund ta shpjegojnë materien e errët duke propozuar një grimcë që lidhet me një dimension të pestë.   Ndërsa koncepti i "dimensionit të...

Mbyllet edhe një institucion paralel në veri të Kosovës

Policia e Kosovës ka mbyllur sot një tjetër institucion që vepronte sipas sistemit të Serbisë, Ndërmarrja Publike për Urbanizëm në Mitrovicën e Veriut ka...

SPAK kërkon kthimin e Berishës në arrest shtëpie, Apeli i GJKKO-së cakton gjyqtarin

Engert Pëllumbi është gjyqtari që do të shqyrtojë ankimimin e SPAK kundër vendimit të gjyqtares së së GJKKO-së Floreja Davidhi për revokimin e masës...

PD bën publik uebisite-in për diasporën

Në një konferencë me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi rëndësinë e votës së diasporës shqiptare në zgjedhjet e ardhshme të 11...

Lajme të tjera

Web TV