Sezoni i ri, avazi i vjetër. Kjo vlen edhe këtë verë për ekipet shqiptare. Çdo fillim sezoni ndodh e njëjta histori. Çdo ekip ndërron rreth 50% të lojtarëve, duke mos ruajtur një bosht të skuadrës dhe shumë prej tyre e nisin sezonin me trajnerë të rinj. Gazeta “Fjala” analizon ekipet e superiores që janë përfshirë në merkato.
Nga Enrik Braho
Jemi vetëm në ditët e para të gushtit. Shumë futbollistë u kanë dhënë lamtumirën ekipeve të tyre dhe shumë të tjerë janë prezantuar me fanellat e reja. Kjo bën që shumë ekipe ta fillojnë sezonin jo në të njëjtin nivel që e mbyllën, për shkak se shumë lojtarë nuk arrijnë dot të ambientohen në ekipet e reja ku shkojnë.
Futbolli i luajtur ka mbaruar dhe tani është koha për të luajtur në tavolina, për të hedhur firmat mbi kontrata. Drejtuesit e klubeve kanë filluar të mendojnë për lëvizjet që do të bëhen në skuadër dhe duket se i kanë planet e qarta, pasi menjëherë pas hapjes së merkatos kanë bërë skarcimet dhe afrimet e para dhe nuk kanë mbetur pas as shitjet për të përforcuar financat e klubeve.
TIRANA – Kampionët e saposhpallur kanë nisur përgatitjet për të bërë paraqitje sa më dinjitoze në arenën evropiane. Bardheblutë kanë konfirmuar Emanuel Egbo-n trajner dhe kanë filluar me përforcimin e organikës. Dy goditjet e para të ekipit kryeqytetas i përkasin mbrojtjes dhe sulmit. I pari që hodhi të zezën mbi të bardhë ishte Albion Avdijaj. Sulmuesi 26-vjeçar, i cili më parë ka provuar të veshë dhe fanellën e kombëtares shpresa të Shqipërisë, sezonin e ri do të jetë bardheblu. Ai ka firmosur një kontratë dyvjeçare me Tiranën, ndërkohë që më herët ka qenë pjesë e skuadrave të rëndësishme si Grasshopers, i huazuar te Debrecen apo së fundmi pjesë e ekipit të Viborgut.
Goditja e dytë e 25-herë kampionëve të Shqipërisë është Ardit Toli. Mbrojtësi i djathtë ka firmosur për një sezon me të drejtën e rinovimit dhe për një edicion tjetër. 23-vjeçari ka luajtur deri tani vetëm në Greqi, ndërkohë që ka mbajtur dhe shiritin e kapitenit me Shqipërinë U-21 (Shpresa).
Ardit Toli do të mbulojë vendin e lënë bosh nga Albi Doka, i cili do të luajë sezonin e ardhshëm në Kroaci, me ekipin e Goricës. Doka u largua si një transferim i lirë, duke bërë që bardheblutë të mos përfitonin asnjë qindarkë nga një lojtar i prodhuar në akademinë e tyre.
Një situatë e paqartë në kampin bardheblu është ajo e kontratave. Në këtë përfundim sezoni, Tirana ka njoftuar zgjatjen e kontratës vetëm me mesfushorin Agustin Torasa, ndërkohë që janë 10 lojtarë të tjerë në “ajër”. Bëhet fjalë për Tefik Osmanin, Kristi Vangjelin, Erando Karabecin, Edon Hasanin, Majkëll Ngo, Idriz Batha, Erjon Hoxhallari, Ismail Dunga, Ilion Lika dhe Gentian Muça, të cilëve u ka mbaruar kontrata me ekipin kryeqytetas. Ata janë në pikëpyetje për sezonin e ri, ndërsa një vendim përfundimtar për çdo lojtar do ta marrë edhe trajneri Emanuel Egbo, i cili duhet të paraqesë listën me lojtarët që do të mbajë dhe i ka në plan për sezonin e ri futbollistik.
KUKËSI – Nënkampionët e Shqipërisë do t’i nënshtrohen riformatimit për sezonin e ri. Përforcimi i parë ka nisur nga stoli. Verilindorët kanë zgjedhur Skënder Gegën për “timonier” të ri të ekipit dhe kjo mund të konsiderohet si goditja më e madhe e klubit kuksian, edhe pse jemi në ditët e para të merkatos. Ai pritet të ketë një peshë të madhe në hyrje-daljet e ekipit dhe këtë gjë e ka konfirmuar dhe drejtori teknik, Nderim Nexhipi, gjatë prezantimit të tij.
Aventurën me verilindorët e kanë mbyllur gjashtë futbollistë, ku pjesa më e madhe e tyre shtylla kryesore të ekipit për sezonin që shkoi. Zyrtarisht lamtumirën e ka dhënë portieri Ilir Avdyli, mbrojtësit Olsi Teqja dhe Gëzim Krasniqi, mesfushorët Kristal Abazaj dhe Valon Ethemi, si dhe sulmuesi Vasil Shkurtaj. Ndërkohë një përgjigje presin kapiteni Besar Musolli dhe mbrojtësi Emiljano Musta. Të dyve u skadon kontrata në përfundim të këtij sezoni (mbas Kupave të Evropës). Edhe pse e kanë në kontratë me të drejtë rinovimi, çdo gjë mbetet në dorën e lojtarëve, pasi klubi nuk ka më asnjë të drejtë mbi ta, mbas përfundimit të aventurës evropiane.
Por, në kampin verilindor nuk ka vetëm largime, por edhe afrime. Klubi kuksian ka zyrtarizuar deri tani afrimin e portierit Angelo Tafas dhe mesfushorëve Albin Gashi dhe Zenel Gavazaj.
Angelo Tafas, 20-vjeç, me origjinë nga Elbasani, së bashku me Dashamir Xhikën do të mbrojnë portën e verilindorëve në sezonin e ri. Portieri i dalë nga akademia e AEK-ut, ka firmosur një kontratë dyvjeçare me Kukësin. Kontratë dyvjeçare ka firmosur dhe Albin Gashi. Mesfushori 23-vjeçar ka qenë pjesë e Rapidit të Vjenës duke qenë edhe prodhim i akademisë austriake dhe së fundmi ishte pjesë e Floridsdorferit po në Austri. Ndërsa mesfushori Zenel Gavazaj, (vëllai i lojtarit të Kukësit Enis Gavazaj) stërvitej prej disa kohësh me verilindorët dhe tani ka firmosur një kontratë dyvjeçare. 20-vjeçari ka qenë pjesë edhe e Shqipërisë U19. Zyrtarizimi i radhës i Kukësit pritet të jetë afrimi i mbrojtësit 20-vjeçar Redon Dragoshi, i cili sezonin e shkuar ishte pjesë e Luftëtarit.
LAÇI – Për ekipin kurbinas qarkullojnë shumë thashetheme rreth largimeve dhe afrimeve në ekip, por deri tani zyrtare kemi vetëm dy futbollistë të larguar. Ish-kapiteni Eglentin Gjoni dhe sulmuesi Bedri Greca u kanë dhënë lamtumirën bardhezinjve për të vazhduar aventurën në futbollin kosovar. Drejt largimit nga Laçi është dhe “Këpuca e Artë” e këtij sezoni në Kategorinë Superiore, Kirian Nuabueze, pasi shumë oferta kanë vërshuar drejt tij, pas realizimit të 24 golave në kampionatin shqiptar.
Drejtuesit e Laçit duket se s’duan të nxitojnë dhe dëshirojnë të bëjnë afrime të mirëmenduara për t’u paraqitur sa më mirë në Kupat e Evropës.
SKËNDERBEU – Ndërkohë që vendimi i Gjykatës Federale nuk ka ardhur ende, largimet nga kampi bardhekuq kanë qenë të shumta dhe duket se për sezonin e ri do të ketë një riformatim të ekipit. Skënderbeu vazhdon të mbetet “mbreti”, për sa i përket marketingut nga ekipet e Kategorisë Superiore. Bardhekuqtë janë drejt shitjes së dy talenteve, Agon Elezi dhe Jorgo Pëllumbi, për një shifër që shkon rreth një milion euro të dy së bashku, e cila do i sigurojë financat e duhura për të mbajtur ekipin në nivele të larta në Kategorinë Superiore. Shitjen e tyre e ka konfirmuar dhe presidenca e klubit korçar dhe tashmë priten vetëm zyrtarizimet. Mesfushori Agon Elezi sezonin e ri do të luajë në kampionatin portugez, pasi Boavista ka arritur akordin me Skënderbeun dhe do të derdhë një shumë rreth 500 mijë eurosh në arkat e klubit, gjithashtu këta të fundit do të mbajnë dhe 15 % të kartonit të lojtarit. Të njëjtën shifër klubi korçar do të arkëtojë dhe nga shitja e mbrojtësit Jorgo Pëllumbi. Për të Skënderbeu ka një akord në parim me klubin austriak të Sturm Graz-it dhe lojtari u bë gati për të prerë biletën e avionit, por së fundmi qarkullojnë zëra se ka ndërhyrë ekipi kroat i Rijekës, e cila i ka dhënë një shumë më të lartë në tavolinë Skënderbeut. E sigurt është që mbrojtësi sezonin e ardhshëm nuk do të mbajë veshur fanellën bardhekuqe.
Pas përfundimit të ndeshjes së fundit të kampionatit kundër Partizanit, shumë lojtarë që u mbaroi kontrata i dhanë lamtumirën ekipit bardhekuq. Bëhet fjalë për ish-kapitenin Bruna Dita, i cili u prezantua te Shkëndija, Enea Koliçi, i cili u prezantua te Gjilani, Dejvi Bregu, por dhe shumë lojtarë të tjerë përmes postimeve në rrjetet sociale dhanë sinjale se aventua e tyre me bardhekuqtë kishte përfunduar. Drejtuesit e klubit po punojnë për gjetjen e destinacioneve dhe për Blerim Krasniqin dhe Nazmi Gripshin, të cilët janë ende nën kontratë dhe do t’i sillnin të ardhura klubit. Gjithsesi, vendimi i Gjykatës Federale pritet të ketë një peshë të madhe mbi të ardhmen e ekipit, si dhe mbi të adhmen e trajnerit Ilir Daja.
TEUTA – Drejtuesit e ekipit durrsak janë duke punuar për të bërë një ekip sa më kompetitiv për sezonin e ri, por dhe për paraqitjet në Kupat e Evropës. Deri tani “Djemtë e Detit” kanë zyrtarizuar vetëm shitjen e Sherif Kallakut te Lokomotiva e Zagrebit. 22-vjeçari ishte një ndër lojtarët më të rëndësishëm të ekipit në sezonin që përfundoi, ndërkohë Teuta arkëtoi 150 mijë euro nga shitja e tij, si dhe mbajti 10% të kartonit të mesfushorit. Në ditët në vijim në kampin durrsak drejtuesit pritet të ulen në tavolinë me lojtarët që u ka përfunduar kontrata për të vendosur mbi të ardhmen e tyre, si dhe pritet të zyrtarizohen afrimet e para.
PARTIZANI –Bllokim i merkatos për dy sesione, pezullim të Eraldo Çinarit për 4 muaj, si dhe 80 mijë euro dëshpërblim për kroatët e Istrats nga klubi dhe lojtari, është dënimi që dha FIFA për Partizanin për federimin e sulmuesit në 2018-n. Momentalisht “Demat” po presin një përgjigje nga CAS, për të zyrtarizuar lëvizjet e para. Duket se drejtuesit kanë një akord në parim me Ilir Dajën për trajner të ekipit dhe zyrtarizimi pritet të vijë në ditët në vijim. Tekniku tiranas së bashku më drejtorin teknik, Olsi Rama, pritet të vendosin piketat e merkatos pas zyrtarizimit përfundimtar. Gjithsesi, Daja ka bërë të njohur disa nga emrat që i do në ekip për sezonin e ri dhe drejtuesit janë duke punuar për t’i bindur që të vishen të kuq.
Ditët në vijim Partizani pritet të nisë dhe skarcimet, të cilat janë zhgënjime të mëdha të sezonit 2019-2020. Lojtarët e parë që do t’i japin lamtumirën aventurës me të kuqtë janë mbrojtësi rumun, Deian Boldor dhe mesfushori nga Venezuela, Aristoteles Romero. Kujtojmë se Partizani shiti dhe mbrojtësin e majtë Lorenc Trashi te klubi nga Kuvajti, Al Qadsia, duke arkëtuar rreth 250 mijë dollarë nga transferimi i tij.
BYLISI – Në përfundim të këtij sezoni “firot” kanë qenë me shumicë tek ekipi ballshiot. Zyrtarisht kanë përfunduar aventurën me ekipin e Bylisit gjashtë lojtarë. Bëhet fjalë për lojtarët Ardit Peposhi, Jurgen Goxhaj, Festim Miraka, Silvester Shkalla, Majkëll Peçi dhe Emiljano Mozone.
Për sa u përket afrimeve, strategjia do të vijojë të jetë ashtu si në vitet e shkuara, me lojtarë të rinj të talentuar, por dhe disa lojtarë cilësorë me eksperiencë. Ekipi do të rikthejë dhe të huazuarit, të cilët sezonin që shkoi kanë qenë pjesë e disa ekipeve në Kategorinë e Parë. Drejtuesit po kërkojnë lojtarë për të përforcuar ekipin në të gjitha repartet, por deri më sot ende nuk është zyrtarizuar afrimi i parë.
VLLAZNIA – Me presidentin e ri, Alban Xhaferi, Vllaznia pritet të jetë një ekip ndryshe për sezonin tjetër, pas gjithë këtyre viteve në vështirësi. Zyrtarizimi i parë ishte afrimi i drejtorit sportiv Matko Djarmati dhe pas tij gjetja e akordit me trajnerin gjermano-kroat Tomas Brdariç. Firmosja e kontratës dhe prezantimi i këtij të fundit pritet të bëhet ditët në vijim.
Kuqeblutë kanë zyrtarizuar deri tani dhe dy largime. Bëhet fjalë për brazilianët Hygor Guimaraesh dhe Silvio Zhunior të cilët kanë përfunduar aventurën në Shkodër.
Te Vllaznia janë dhe tetë lojtarë të cilëve u ka përfunduar kontrata dhe pjesa më e madhe e tyre ishin titullarë në sezonin e shkuar. Bëhet fjalë për portierin Alen Sherri, kapitenin Gilman Lika, zëvendësin e tij Ardit Krymi, mesfushorin Ndriçim Shtubina e, po ashtu, edhe mesfushori tjetër, Herald Marku, mbrojtësit Renato Malota, Dejan Shehi dhe moldavi Maksim Cojecaru.
Përzgjedhjen e futbollistëve të sezonit të ri do ta bëjë stafi i ri teknik dhe Vllaznia nuk ka filluar ende me afrimet dhe me firmosjen e zgjatjes së kontratave. Drejtuesit po punojnë për të ndërtuar një Vllazni sa më kompetitive për sezonin e ri, por, gjithsesi, kjo pritet të shihet se sa të dobishme do të jenë lëvizjet në kampin kuqeblu.
APOLONIA – Puna e klubit fierak ka nisur me kompletimin e stafit teknik, pas rikthimit pas 5 sezonesh në elitën e futbollit shqiptar. Nikolin Çoçlli, ish-lojtar i Skënderbeut, Partizanit dhe Tiranës, është emëruar ndihmëstrajner i Apolonisë, duke u bërë kështu krahu i djathtë i trajnerit Artan Mërgjyshi.
Të hënën ekipi fierak ka zbritur në fushë për të nisur zyrtarisht përgatitjet për Superioren. Afrimi i parë i Apolonisë është Glejdis Ndraxhi. 22- vjeçari durrsak dy sezonet e fundit ka qenë titullar i padiskutueshëm te Besa e Kavajës. Klubi fierak pritet të “blindojë” dhe talentet e veta, të kërkuara nga shumë klube të Superiores, por edhe të përforcojë organikën me disa elementë të nevojshëm, ku në seancat e para stërvitore janë parë shumë lojtarë të rinj. Fierakët synojnë ta marrin seriozisht Superioren, për të mos u rikthyer vetëm pas një viti andej nga erdhën.
KASTRIOTI – Nga nisja e punës nuk kanë mbetur pas as krutanët. Drejtuesit e klubit, të vetëdijshëm se Kategoria Superiore kërkon tjetër nivel, janë vënë në lëvizje për ta përforcuar grupin aktual me elementët e nevojshëm. Rinovimet do të jenë i pari hap, teksa dihet që një pjese të mirë të lojtarëve u përfunduan kontratat. Ende nuk ka asgjë zyrtare dhe mbetet të shihet se cilët do të vazhdojnë të jenë pjesë e organikës edhe në vazhdim.
Zyrtarisht është njoftuar largimi i sulmuesit Taulant Marku, i cili mbajti për 4 vite të veshur fanellën e Kastriotit. Rreth afrimeve, drejtuesit kanë pasur negociata me mbrojtësin Ditmar Bicaj, portierin Amarildo Çekrezi dhe me ish-sulmuesin e Bylisit, Guindo. Gjithsesi, ata nuk mund të quhen ende lojtarë të Kastriotit.