Nuk ja doli dot. Inxhinieri i njohur durrsak humb betejën me virusin

Tashmë humbja e jetëve nga koronavirusi është kthyer në një problem të përditshëm. Vetëm ditën e djeshme në 24 orët e fundit u raportua për 6 viktima.

Ndërkohë një viktimë e fundit që raportohet është edhe një inxhinier mekanik durrsak Luan Luzi 69-vjeç.

Luzi u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme në Spitalin Infektiv ku ishte shtruar prej disa ditësh. Gjendja e tij u rëndua një natë më parë ku dhe iu nënshtrua intubimit, por fatkeqësisht nuk arriti t’ia dilte mbanë. Nga të afërmit mësohet se Luan Luzi vuante edhe nga diabeti.

Kush ishte Luan Luzi…

I diplomuar në vitin 1974 si inxhinier mekanik, që pas përfundimit të studimeve Luan Luzi ka shërbyer gjatë gjithë jetës në Hekurudhën Shqiptare, duke dhënë kontributin e tij në disa sektorë.

Fillimisht ka punuar në degën e Shërbimit të Hekurudhës, më vonë nëndrejtor në periudhën kur Hekurudha Shqiptare mbante peshë të madhe pune me transportin e qymyrit, kromit etj, me volum kryesor në portin e Durrësit.

Pas disa vitesh pushim pas ndryshimit të sistemit, Luzi u rikthye në bazën e Mekanikës si drejtor, deri përpara se të dilte në pension.

Në çdo problem ishte i kudondodhur; specialist dhe i aftë në profesionin e tij. Vitet e fundit të punës i mbylli në Hekurudhë si shef reparti./Bl.Ba/Fjala.al