Video/ “Blutë apo të kuqtë?”, Tahiri batuta me Gjikën: Ata drunjtë janë të gjithë njësoj

Ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë Saimir Tahiri, ndërsa shijon pushimet nuk nguron që të përmendë edhe ish kolegët e tij politikanë.

Ndërsa ka publikuar një video në Facebook, ku shihet duke luajtur bilardino (kalçeto dore) me miqtë e tij, ka shënuar një gol.

Nuk kanë munguar komentet e shumta, ku një prej tyre është edhe ai i ish-kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika.

“Me blutë apo me të kuqtë je ti vlla?”, e pyet Gjika. “Ata drunjtë janë të gjithë njësoj, duart ndryshojnë”, ia kthen ish-ministri.

Prej disa vitesh ish-ministri i Brendshëm ndodhet në përballje me drejtësinë shqiptare. Tahiri u dënua me 5 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, vitin e kaluar, të konvertuara me gjykim të shkurtuar në 3.4 vite shërbim prove dhe dënimi u dha për akuzën “shpërdorim detyre”.

Por në muajin qershor, Gjykata e Posaçme e Apelit hodhi poshtë vendimin, pasi sipas saj ish-ministri Saimir Tahiri, u dënua për një vepër, për të cilin nuk është akuzuar.

Sipas vendimit të Apelit të Posaçëm, Prokuroria është kontradiktore në konstatimet e saj, pasi ka ngritur akuzë të re ndaj Tahirit për “kultivim narkotikësh”.

Po ashtu thuhet ndër të tjera se Tahirit dhe Jaeld Çelës nuk iu dha mundësia të mbroheshin për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”./Bl.Ba/Fjala.al