Tensionet Turqi-Greqi në rritje, helenët kërkojnë mbledhje urgjente të BE

Greqia do të kërkojë një takim urgjent të ministrave të jashtëm të BE për vendimin e Turqisë për të dërguar një anije kërkimore sizmike në një zonë të diskutueshme në Mesdheun lindor, tha të martën zyra e kryeministrit.

Të dy aleatët e NATO-s, kanë pikëpamje thelbësisht të ndryshme se ku fillojnë dhe mbarojnë rezervat e tyre kontinentale dhe nuk pajtohen për pretendimet e mbivendosura për burimet e hidrokarbureve në rajon.

Një zëdhënës i BE ka bërë me dije se do të ketë konsultime midis vendeve anëtare përpara se të merret një vendim, shkruan La VanGuardia, duke shtuar se Ministrat e jashtëm do të takohen në Berlin më 27-28 gusht.

Peter Stano, zëdhënësi i Komisionit Evropian, pranoi se situata në Mesdheun lindor është “jashtëzakonisht shqetësuese dhe duhet të zgjidhet në dialog”, gjithashtu ai ka shtuar se”BE është plotësisht në solidaritet me Qipron dhe Greqinë.”

Incidenti i fundit midis dy vendeve ndodhi këtë të martë kur një patrullë bregdetare greke goditi një varke turke duke plagosur tre anëtarë të ekuipazhit, dy shtetas turq dhe një sirian, kur ata ishin në ujërat pranë ishullit Grek të Rodos.