Tensionet në rritje mes Greqisë dhe Turqisë, banorët frikë se këtë herë do të ketë luftë

Greqia dhe Turqia kanë pasur fërkime të shpeshta mes tyre dhe jo pak herë është krijuar frika për një luftë mes dy shteteve.

Por përplasja e fundit mbi rezervat e gazit dhe të drejtat detare ka shkaktuar frikë se tensionet mund të përshkallëzohen më tej, duke kaluar në përdorimin e armëve.

Kjo frikë ndjehet më së tepërmi tek banorët e ishujve grekë pranë Turqisë.

Shkrimtari dhe gazetari Gazmend Kapllani përmes një statusi në facebook ka shpërndarë edhe shqetësimin e një miku të tij grek, se lufta këtë herë është më pranë se kurrë.

“Kemi frikë se do të kemi luftë kësaj radhe… Nga fëmijëria ime kam jetuar me frikën e një lufte me turqit… Frika nga pushtimi… Nga fëmijëria, kam një valixhe të përgatitur në rast se ka luftë… Ka pasur të shtëna këtu natën e kaluar … Ata thanë se rojet greke hapën zjarr mbi një varkë refugjatësh që një anije luftarake turke po përpiqej të shtynte drejt brigjeve Greke … Përsëri të pafajshmit të kapur në mes kanë paguar çmimin… “, shkruan Kapllani në anglisht duek cituar mikun e tij, emrin e të cilit nuk e ka bërë publik.

Turqia dhe Greqia kanë ambicie konkurruese mbi rezervat e gazit dhe nuk pajtohen thellësisht se kush ka të drejta për zonat kryesore të Mesdheut Lindor. Ata kanë bërë pretendime për zona të mbivendosura, duke argumentuar se ato i përkasin rezervave të tyre kontinentale.

Debati ka nisur që në muajin korrik, por tashmë që anija kërkimore turke, e shoqëruar nga 5 anije ushtarake, ka mbërritur në afërsi të brigjeve grekeve tensionet janë rritur ndjeshëm.