Përzgjedhja e kandidatëve për deputetë në Partinë Demokratike do të funksionojë në dy drejtime; si mënyrë angazhimi e bazës së partisë dhe si një tregues për njerëzit që kanë më shumë ndikim në zonat elektorale.
Lista përfundimtare që do të dalë nga vota e anëtarësisë, më shumë se një listë reale kandidatësh do të jetë një listë emrash me të cilët PD-ja do të qeverisë nëse vjen në pushtet në 2021-shin.
Procesi do të shërbejë për ta “çliruar” kryetarin Basha nga përgjegjësia e listës, edhe pse vendimi i fundit i takon atij. Gazeta “Fjala” zbardh kleçkat e këtij procesi dhe si do të përjashtohen nga kandidimi kritikët e Bashës.
Nga Blerina Gjoka
Një listë me 150 emra që i përkasin degës së PD-së Shkodër qëndron mbi tryezën e një zyre në selinë e Partisë Demokratike. Genc Ruli, Besnik Mustafaj, Bujar Nishani, Mark Marku dhe Enriketa Papa do të duhet të marrin në shqyrtim çdo emër të kësaj liste për të parë nëse plotësojnë kriteret që të jenë kandidatë potencialë për deputetë apo kryetarë bashkie.
Procesi i vetingut të emrit kalon nëpër disa faza. Një prej të cilave është dhe kontrolli i profilit në facebook të emrit që shkruhet mbi fletën e ardhur nga Shkodra, se çfarë qëndrimesh publike ka mbajtur në vijimësi ndaj PD-së dhe aksioneve të saj politike.
“Sigurisht që një kontroll i tillë është vetëm njëra nga rrugët që ndiqen për të verifikuar integritetin politik të kandidatit, sepse PD-ja nuk do të mund t’i besonte për shembull një personi që ka vjellë vrer për opozitën dhe qëndrimet e saj politike, apo për kryetarin e partisë.” – i thanë burime pranë këtij komisioni gazetës “Fjala”.
Nuk dihet nëse profili i facebook-ut i Jozefina Topallit do ta kalonte këtë kriter, pasi që prej vitit 2013, kur PD-ja doli në opozitë, ajo është një kritike e madhe e Lulzim Bashës dhe e politikave të tij opozitare. Por Topalli duket se ua ka kursyer kolegëve të saj të komisionit këtë siklet, sepse nuk ka pranuar të jetë në listën e kandidatëve, edhe pse emri i saj u propozua nga disa anëtarë të degës së Shkodrës.
Kleçkat e përzgjedhjes
Emrave që mbeten nga vetingu paraprak u dërgohet formulari i vetëdeklarimit, afro 50 faqe, i cili duhet plotësuar brenda 5 ditësh me të dhëna të detajuara të pasurisë, karrierës profesionale e politike dhe figurës morale. Më tej nis puna me studimin e formularëve për të kuptuar nëse kandidati ka integritet si figurë për të qenë në listën që do t’i shkojë bazës për konsultim.
Deri në një listë të re për këtë degë dhe të gjitha degët e PD-së në vend, pritet të skualifikohen të paktën një e katërta e listës së parë dhe seleksionimi bëhet bazuar mbi kriteret e qarta, të miratuara në udhëzimin e partisë dhe në bazë të përgjigjeve të vetë kandidatëve në formular.
Janë afro 3600 emra që po kalojnë provën e këtij komisioni vetingu partiak, i cili ka nisur funksionimin prej 10 ditësh. Gazeta “Fjala” mësoi se oraret e mbledhjeve të komisionit kanë tejkaluar ato zyrtare për të kapur afatin e hallkës së dytë të këtij procesi, që është rikthimi i listës në bazë për t’u votuar me parimin një anëtar-një votë.
Vetëm 1 mijë ose më pak emra pritet të shkojnë për t’u testuar në votën e anëtarësisë. Ky votim nuk është si çdo votim i zakonshëm që kemi parasysh, ku votohet ai që preferon. Votimi do të jetë negativ, pra anëtarësia do të votojë skualifikimin e atyre që nuk preferon, duke lënë bosh kutinë e atyre që preferon.
Nëse një kandidat do të marrë 20 për qind të votave të përgjithshme të bazës në degën e tij, atëherë del nga lista. Burimet nga PD-ja i thanë “Fjalës” që gjasat janë që numri i skualifikimeve të jetë i vogël, pasi shihet gati e pamundur që një kandidat të marrë një përqindje aq të lartë votash negative në degën ku ai është propozuar fillimisht.
Por, gjithsesi, emrat që do të shënohen me kryq, do ta kenë më të vështirë të kalojnë filtrin përfundimtar. Lista e vërtetë do të hartohet në Kryesinë e partisë dhe do të votohet më pas në Këshillin Kombëtar, ku do të bëhet përzgjedhja reale e atyre pak emrave që do të jenë në fund kandidatë për deputetë.
Lista përfundimtare ligjërisht mund të ketë 30 për qind më shumë kandidatë se 140 deputetë që ka Kuvendi. Gjithsesi, PD-ja po përgatitet që këtë listë ta ndajë me LSI-në dhe aleatë të tjerë, për shkak të ndryshimeve kushtetuese të listave të hapura që i kanë kushtëzuar opozitës së bashkuar tashmë riformatimin e koalicionit të tyre në një listë të përbashkët.
Gjithsesi, lista e re që në fund të procesit do të marrë edhe pëlqimin e kryetarit Lulzim Basha, siç i takon me statutin e partisë, do ta çlirojë atë nga përgjegjësia që mbajti në vitin 2017, kur iu desh të hartonte brenda një jave listën e kandidatëve për deputetë, e cila ngjalli shumë pakënaqësi dhe kritika.
Synimet e procesit
Nëse i gjithë ky proces i gjatë propozimesh, verifikimesh dhe votimi në anëtarësi nuk do të arrijë në finale të prodhojë listën zyrtare të kandidatëve për deputetë, pse po harxhon gjithë këtë energji partia më e madhe në opozitës?
Sipas burimeve nga selia blu, ky proces është i rëndësishëm për partinë dhe do të shërbejë në këtë periudhë parazgjedhore si një karikues i bazës së partisë për fushatën që e pret pas afro 8 vitesh në opozitë. Organizimi i këtij procesi konsultimi, të cilin PD-ja e ka trumbetuar si një hap të rëndësishëm demokratik për një parti politike, nuk është harxhim i kotë energjish.
Por, ajo që do të prodhojë procesi në fund të tij është një listë e madhe emrash që do të shërbejnë si burime njerëzore për të qeverisur pas 2021-shit në rast të fitores në zgjedhje. Dhjetëra apo qindra emra që kanë ardhur nga çdo degë e partisë kanë krijuar tashmë një tablo të njerëzve që kanë ndikim politik në degët e rretheve, njerëzve që nesër do të jenë potencialisht drejtuesit e administratës së qeverisjes, nëse opozita vjen në pushtet.
Kjo listë do të bëhet dhe më e qartë nga procesi i vetingut politik brenda partisë për figurën dhe integritetin e tyre, për të mos ua lënë në dorë surprizave që sjell qeverisja, kur në parti afrohen njerëz që nuk kanë dhënë asnjë kontribut.
PD-ja ka tashmë një eksperiencë negative me listën e kandidatëve të zgjedhjeve të shkuara, nga e cila dolën dhjetëra “tradhtarë” që dolën kundër vendimit politik të partisë për të lënë Kuvendin.
Procesi i përzgjedhjes tregon se Partia Demokratike po tenton të korrigjojë gabimet e saj, po tenton të krijojë një frymë të re demokratizimi brenda partisë, ku baza dhe forumet janë thjesht fasadë e kryetarit që vendos për çdo gjë, dhe në fund të fundit po kërkon të tregojë se është gati për pushtet.
Lista përfundimtare me formulën 80% + 20%
Procesi i gjatë disamujor i përzgjedhjes së kandidatëve do t’i mbajë në ankth emrat që mund të jenë në këtë listë deri në momentin kur lista të marrë firmën finale të Kryesisë dhe të Këshillit Kombëtar. Lista përfundimtare e kandidatëve do të duhet të plotësojë disa kritere përqindjeje që do të kushtëzojnë futjen në listë edhe për ata që e kanë marrë ndërkaq pëlqimin e anëtarësisë.
Kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia, pra ata që nuk kanë marrë vlerësim negativ gjatë votimit, do të përbëjnë jo më pak se 80% të listës përfundimtare të kandidatëve, ndërkohë që jo më shumë se 20% e listës së kandidatëve do të jenë në dorë të Kryesisë së partisë.
Ky 20-përqindësh pretendon se do të sjellë emra të rinj për partinë, që në udhëzimin e këtij procesi janë përcaktuar si “prurje të reja nga bota akademike apo shoqëria civile, përfaqësues të të përndjekurve politikë apo pronarëve, përfaqësues të diasporës, përfaqësues të sipërmarrjes, personalitete politike me kontribut të gjatë në parti etj.” Por nuk është vetëm kjo ndarje që do të ndikojë në hartimin e listës përfundimtare.
Një përqindje që duhet plotësuar është kuota gjinore që është e detyrueshme dhe me ligjin zgjedhor. Përfaqësimi i grave duhet të jetë jo më pak se 30% e numrit të përgjithshëm të kandidatëve.
Ndërkohë vetë PD-ja në udhëzimin e saj, të hartuar nga sekretari i përgjithshëm, Gazmend Bardhi, dhe i miratuar nga Kryesia, ka garantuar dhe përfaqësimin e të rinjve jo më pak se 10% e listës. Prioritet do t’i jepet dhe përfaqësimit të shtresës së të përndjekurve politikë dhe pronarëve, por nuk është caktuar një përqindje detyruese për këto kategori.
4 fazat e përzgjedhjes:
- Identifikimi dhe propozimi i kandidatëve nga anëtarët. Çdo anëtar ka të drejtën e propozimit të një kandidati. Edhe ata individë që nuk janë propozuar nga anëtarësia, kanë të drejtën e vetëpropozimit.
- Verifikimi dhe seleksionimi i kandidatëve nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve.
- Konsultimi i listës së kandidatëve potencialë nga anëtarësia me parimin 1 anëtar – 1 votë.
- Zyrtarizimi i listës nga Kryesia e partisë dhe miratimi nga Këshilli Kombëtar.
Kriteret bazë të kandidatëve:
- Të kenë kryer arsimin e lartë;
- Të kenë një profil të spikatur shoqëror në degë apo qark, integritet të lartë moral dhe përgatitje të lartë profesionale.
- Të mos ndodhen në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas ligjit nr. 138/2015 “për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ndryshuar”;
- Në periudhën 29.11.1944 – 02.07.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, prokuror i përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike.
Seleksionimi do të ketë parasysh këto kritere:
- Aktivizimin në jetën politike e publike të vendit, si dhe mbrojtjen në vazhdimësi të interesave, vlerave dhe programit të PDSH-së;
- Reputacionin në radhët e anëtarësisë së partisë dhe komunitetit në tërësi;
- Kontributin profesional e politik në parti apo promovimin e vlerave themelore që udhëheqin PDSH-në;
- Kontributin në fushata elektorale për Partinë Demokratike;
- Kohëzgjatjen e anëtarësimit në parti apo shfaqjes si simpatizant i saj.