Organizonte dasma, gjobë 1 milion lekë restorantit në Kamëz

Policia e Tiranës ka gjobitur me 1 milion lekë pronaren e një restoranti dasmash në Kamëz. Shtetësja V.B., vijonte aktivitetin në kundërshtim me aktin normativ.

Policia ka vijuar me thirrjet për respektimin e rregullave ndaj COVID-19, për të gjithë administratorët e subjekteve.

Njoftimi i policisë

Tiranë

Policia e Tiranës ka ndëshkuar me 1 milion lekë gjobë, pronaren e një restoranti dasmash, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në Kamez, një restorant në të cilin organizoheshin dasma në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar kufizimin e përcaktuar nga Policia e Shtetit.

Për subjektin në fjalë, me pronare shtetasen V. B.,shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë.

Policia e Tiranës apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Ka.Li/fjala.al