Një nga krimet më të rënda të regjimit komunist cilësohet ai i 17 gushtit 1949, ku 10 persona u pushkatuan dhe 4 u varën në litar.
Ata ishin të gjithë të pafajshëm, më i riu ishte 24 vjeç e më i vjetri 67 vjeç.
Vetë dosja hetimore pranon se asnjë prej tyre nuk ishte fajtor për vrasjen e sekretarit politik të Partisë Komuniste të Mirditës, por hakmarrja ishte e ashpër. Ngjarja e rëndë, njihet si Masakra e Qafë Valmirit dhe në 71-vjetorin e saj, pasardhësit kujtojnë viktimat.
Gjergj Marku, nipi i të pushkatuarit Ndrec Ndoj thotë se ekzekutimi ishte makabër dhe se vendimi u mor për pak ditë, pa pasur as prova për fajësinë e atyre burrave.
Me çështjen merret drejtpërdrejt Mehmet Shehu dhe ka vetëm një hetues për 26 të pandehur. Gjykata e larte ushtarake me në krye Bilbil Klosin, merr vendim të formës së prerë. Të arrestuarit dërgohen në këmbë drejt Qafë Valmirit ku i pret një vdekje e vështirë.
“Hapen dy gropa. Ata ishin të lidhur me pranga dhe kur binte njëri tërhiqte dhe tjetrin, ranë të gjallë brenda”, tregon Gjergj Marku.
Të 14 mbetën në dy gropa të përbashkëta për 40 vite derisa eshtrat e tyre u rivarrosën në një varr monumental me 1991. 71 vite më pas, familjarët e atyre që vdiqën pa faj, presin drejtësi.
“Kaq e zorshme është të kërkohet falje?”, thonë ata.
Pas masakrës së Qafë Valmirit qindra familje të zonës u internuan në kampin e Tepelenës, ku pak prej tyre ia dolën t’i nxirrnin fëmijët të gjallë. Ka.Li/fjala.al