Nga Elton Qyno
Nuk kanë të përfunduar skandalet me çështjen e pedofilit të Kamzës Abaz Doga, i cili që prej muajit Maj 2020, është arrestuar nga prokuroria e Tiranës, për abuzim seksual me nxënëset e shkollës ku punonte si roje nate. Në vijim të hetimeve që po kryen prokuroria e Tiranës për çështjen e skandalit seksual ku tre vajza dyshohet të jenë ngacmuar seksualisht nga Doga, hetuesit gjatë verifikimeve kanë zbuluar dhe një skandal tjetër. Nga kjo listë pagese, rezulton se për gati 7 vite e gjysëm, Abaz Doga, pedofili që ishte punësuar të ruante natën dy shkolla në Kamëz, paguhej me një rrogë të mirë nga bashkia Kamëz dhe Zyra Arsimore Kamëz. Nga ana tjetër ai abuzonte seksualisht me nxënëset e shkollave ku shërbente si roje.
Pagesa mujore e Abas Dogës, si roje shkolle, për çudi ka qënë sa e një pedagogu, ku për vitet nga janari 2012 deri në nëntor 2015, Abaz Doga është paguar nga Zyra Rajonale e Arsimit Kamëz, fillimisht me pagën bruto prej 54,970 lekë të reja duke vijuar deri në vitin 2015 me pagën bruto prej 60,719 lekë të rinj. Në dokumentacionin që zotëron “Shqiptarja.com” rezulton se Abaz Doga, në muajin dhjetor 2015, ka hyrë në borderonë e Bashkisë Kamëz, pasi një pjesë e punonjësve të institucioneve shtetërore si roje, edukatore dhe pastruese i kaluan me VKM pushtetit lokal. Në dhjetor 2015, periudhë kur bashkinë e Drejtonte Xhelal Mziu i PD, pedofili Abaz Doga, vijonte të paguhej me pagën mujore bruto 60,719 lekë të reja. Ka pasur 1 muaj kur Abaz Doga, është paguar dhe 29,688 lekë të reja por dhe një muaj në shkurt 2018, kur Doga është paguar në shumën prej 68,880 lekë të reja.
Pagesa e fundit për Abaz Dogën, rojen pedofil të dy shkollave në Kamëz, ka kaluar në muajin Maj 2020 në shumën prej 49,357 lekë të reja bruto. Pikërisht në ditët e fundit të muajit Maj, Doga së bashku me tre persona të tjerë që dyshohet të kenë abuzuar seksualisht me nxënësen 15-vjeçare, është arrestuar nga policia dhe prokuroria e Tiranës. Megjithëse komuniteti i nxënësve dhe mësuesve e dinin se ai ngacmonte seksualisht vajzat e mitura, rezulton se Doga nuk është shkarkuar asnjëherë nga puna, por ka vijuar të paguhet rregullisht. Në një përgjigje të kthyer nga bashkia Kamëz thuhet se:”…kryetari i bashkisë Kamëz me urdhrin nr.194, datë 27 Maj 2020 vendosi largimin nga detyra të Abaz Doga me motivacionin “…dalje në pension…”.
Më tej Bashkia e Kamzës thotë se Abaz Doga është punësuar pa kontrate qysh prej vitit 2012 e deri në momentin kur është larguar nga puna, ai ka qënë një punonjës pa kontratë. “…nuk disponojmë kopje të kontratës së punës me rojen në fjalë, pasi ai nuk është punësuar nga Bashkia Kamëz. Me urdhërin e keryeministrit datë 16 shtator 2015, pushtetit vendor i janë deleguar punonjësit mësimor të arsimit parashkollor (edukatore) dhe punonjësit ndihmës (sanitare dhe roje) në tetor 2015. Në momentin e transferimit të dosjeve të punonjësve të sipërcituar nga Zyra Arsimore Vendore Kamëz tek Bashkia Kamëz, në dosjen e Abaz Doga, nuk ka pasur kontratë pune…”-thotë bashkia. Hetimet për këtë çështje vijojnë nga prokuroria e Tiranës.
\Ndërkohë vajza e mitur dyshohet se është abuzuar seksualisht mbi 15 herë nga Abaz Doga, ndërkohë në telefonin e Abazit, prokuroria ka gjetur plot 19 video erotike, ku duket vajza teksa abuzohet seksualisht nga Abaz Doku, dhe tre personat e tjerë K.P, R.O dhe F.B. Sipas dosjes së prokurorisë dy nga materialet filmike i janë shitur Abas Dogës, në vlerën 2 mijë lekë të vjetra, nga dy djemtë R.O dhe K.P, të cilët kishin abuzuar së bashku me vajzën e mitur dhe aktin abuzues e kishin filmuar. Këto video kanë rënë në dorë të Abaz Dogës, i cili më pas ka filluar presionet dhe shantazhet seksuale, ndaj të miturës.(shqiptarja.com)