Tirana, ndaj Dinamos së Tbilisit, në lojë gjysmë milioni Euro

Përveç futbollit në vend, pra, kampionatit apo Kupës së Shqipërisë, veprimtaritë kontinentale janë mundësia më e madhe e klubeve për të përfituar sa më tepër financiarisht dhe, kur ishte në kulmin e vet, Skënderbeu dëshmoi se loja më popullore në botë nuk ishte thjesht një sport, por një minierë ari.

Kjo vlen edhe për Tiranën, e cila zbret fushën e blertë të Stadiumit “Boris Paiçadze” të Tbilisit, për t’u ndeshur me kampionen vendase, Dinamo. Në takimin që do të transmetohet në kanalin RTSH Sport, të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 19:00, kampionët e Shqipërisë do të kërkojnë që të kalojnë një tur në veprimtaritë evropiane, për herë të parë pas 8 vitesh.

Është një kualifikim ky që vlen shumë edhe në aspektin financiar, pasi në arkat e kampiones së sapokurorëzuar të vendit do të shkonin edhe 380 mijë Euro të tjera, veç 280 mijë eurove për pjesëmarrjen në turin e parë të Ligës së Kampioneve.

Natyrisht, ky është njëri aspekt i përfitimit, ndërsa një tjetër aspekt është ai i ekspozimit të lojtarëve. Kupat e Evropës janë një vitrinë mjaft e mirë dhe për lojtarët këto ndeshje vlejnë shumë edhe për reklamë. Tek Tirana synojnë sigurisht edhe të shesin dhe një prej atyre lojtarëve që ka oferta, është sulmuesi Ernest Muçi. I riu do të ketë mundësinë të luajë titullar sot dhe të tregojë vlerat e tij. Në mbështetje të tij, trajneri Egbo ka programuar të zakonshmit që luajnë në Superiore.

Toli, Doka dhe Najdovski pritet të jenë 3 risitë e trajnerit Egbo në duelin e Ligës së Kampioneve ne Dinamo e Tbilisit. Në fakt, një hapësirë që duhet mbushur është ajo e Albi Dokës në krahun e djathtë të mbrojtjes, me futbollistin të larguar drejt Kroacisë, atje ku ka shkëlqyer në që në nisje. Vendin e tij duket se do ta marrë Ardit Toli, ndërsa një tjetër lëvizje e rëndësishme është futja e menjëhershme e Filip Najdosvkit në qendër të mbrojtjes bardheblu.

Lexo edhe :  Nis me debate seanca plenare në Kuvend! Diskutohet struktura e re e Kuvendit M

Maqedonasi përcolli qetësi, për aq kohë sa luajti në miqësoren me Pogradecin, ashtu sikundër ka bindur edhe këto ditë gjatë stërvitjes. Një tjetër konfirmim është ai në majën e sulmit i talentit Ernest Muçi, i cili ishte autori i dy golave në fitoren 3-0 në miqësoren e mesjavës së shkuar dhe duket se do të jetë që nga minuta e parë ndaj gjeorgjianëve. Ai e ka fituar balotazhin me Albion Avdijajn, i cili gjithashtu shënoi në atë miqësore dhe nuk përjashtohet mundësia të aktivizohet më vonë.

Për sa i përket pjesës tjetër të lojtarëve të formacionit, luajnë në mbrojtje Vangjeli e Hoxhallari, në mesfushë Batha e Çelhaka. Pak më parë Torasa, ndërsa nga krahët Kale e Kobina plotësojnë shpejtësinë e ekipit. Shqetësimi i vetëm për Tiranën është Hoxhallari. Lojtari ka pasur një shqetësim të vogël gjatë fazës përgatitore, por pritet të jetë i gatshëm për fushën e lojës. Nëse ai nuk ia del, atëherë titullar do të jetë Ismajlgeci./Bl.Ba/Fjala.al