Vjeshta politike duket se do të jetë e ashpër, ku nuk do të ketë vetëm deklarata të forta mes kundërshtarëve, por edhe një “lojë shahu” për të fituar në tavolinë bonuse që më vonë mund të përkthehen në çelës fitoreje në zgjedhjet e ardhshme; dy prej tyre janë Kodi Zgjedhor, sipas marrëveshjes së 5 qershorit, por edhe ndryshimet kushtetuese. Si parashikohet të veprojnë palët në Këshillin Politik?
Nuk pres absolutisht ndonjë risi në referencë të marrëveshjes së 5 qershorit dhe ndryshimeve kushtetuese. E kam thënë edhe më parë se, teorikisht, i fituar në këtë situatë, është vetëm Rama, i cili nga njëra anë “nuk i mërziti” aq sa duhet ndërkombëtarët dhe, nga ana tjetër, bëri ato ndryshime që i lejojnë të besojë qartësisht për një mandat të tretë. Në këtë kontekst, Këshilli Politik thjesht do të vërë politikisht në zbatim marrëveshjen e 5 qershorit, e cila rregullon më së shumti mënyrën e menaxhimit të zgjedhjeve, por jo zgjedhjet në thelb, përderisa në atë marrëveshje nuk u shpik kushedi se çfarë, për të asgjësuar shitblerjen e votës, apo ndërhyrjen e “të fortëve” në procesin zgjedhor. Zgjedhjet në Shqipëri, për mendimin tim, vijojnë të jenë nën diktatin e politikanëve-biznesmenë, oligarkëve dhe kriminelëve të mbrojtuar nga pushteti, qoftë vendor apo edhe qendror. Kësisoj, nuk pres asesi debate nga palët, përderisa për këtë “makiazh administrativ” kanë rënë tashmë dakord, teksa parashikoj kundërshti foshnjarake, ose sa për imazh të minorancës, në këtë Këshill, në lidhje me ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut. Në fund të fundit, çfarëdo që të bëjë PD-LSI, tashmë hapja e listave, ashtu sikundër deshi Rama, nuk është thjesht fakt teorik, por realitet i pashmangshëm. Madje, dyshoj fort edhe te sinqeriteti i opozitës, në lidhje me propozimin për 100% lista të hapura, përderisa, vetë liderët e këtyre grupimeve politike, padashje, në momentin kur braktisën Parlamentin, faktuan se edhe kur i vënë vetë në listë kandidatët për deputetë, nuk arrijnë dot që “t’i urdhërojnë” siç duan. Imagjino tani, kur kandidati për deputet të fitojë mandatin duke dalë nga një listë e hapur…
Ndërsa forcat politike janë në lojë, kemi thuajse në mënyrë permanente edhe përplasjet e kreut të shtetit me qeverinë. A do të ndikojë edhe ky “konflikt” me ulje ngritje edhe në frymën e fushatës së ardhshme zgjedhore?
Presidenti i vendit, pavarësisht se, për shkak të boshllëkut kushtetueses, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, ka marrë “flamurin e idealizmit shtetëror”, në mjaft raste ka lënë të kuptohet se më shumë mendon për të ardhmen politike të tij dhe të forcës nga ai ka dalë (LSI-së), sesa për të tashmen imediate të vendit. Këtë gjë e di mirë Rama. Por duket po aq në sinkron edhe Basha. Kësisoj, pavarësisht institucionalitetit të Ilir Metës, dyshoj se ky i fundit, nën petkun e presidentit do të mund t’i imponohet aq dukshëm skenës politike, sa të sfumojë dy partitë tradicionale PS dhe PD. Sigurisht, mediatikisht, PS-ja e Ramës do të jetë shënjestra e tij, por asnjë “konflikt” nuk do të mund të jetë aq serioz, sa të mund të ndryshojë trajektoren e mazhorancës. Madje, nisur nga “propaganda leniniste” që aplikon prej kohësh ERTV-ja, çdo negatitivet i prodhuar nga zyra e presidentit do të sfumohej lehtësisht aq sa të kthehej si “boumereng” ndaj këtij këtij fundit.
Duke marrë në konsideratë gjendjen në të cilën ndodhet vendi, i ndikuar edhe nga pandemia apo nga pasojat e rënda të tërmetit tragjik të vitit të kaluar, a pritet që këta dy faktorë të ndikojnë edhe në zgjedhje?
Teorikisht po. Por dyshoj fort se opozita do të mund të përfitojë aq sa duhet nga të tilla situata. Ajo çka është vërejtur edhe gjatë dy viteve të fundit, është se pavarësisht një keqqeverisjeje për “guinness”, opozita nuk ka mundur sërish të injektojë dozën e duhur të optimizimit dhe një frymë qytetarie, sidomos tek elektorati i madh gri. Kjo ndoshta sa për mënyrën skandinaviane të opozitarizmit që ka zgjedhur të bëjë z. Basha, por ndoshta edhe për një mungesë organizimi të theksuar, sidomos në bazë. Kështu, frika, ankthi dhe problemet e shumta ekonomike që u krijuan sa nga tërmeti, por edhe nga pandemia, me gjasë do të zbehen ndjeshëm nga propaganda shembullore që di të injektojë mazhoranca, aq sa qytetari hallexhi të harrojë totalisht që është ende pa shtëpi dhe i pasigurt për shëndetin e tij.
Në të gjitha rastet, duke marrë në konsideratë të shkuarën, e cila thuajse ka qenë identike, a do të shkojnë palët drejt një konfliktualiteti të dukshëm dhe në fund të duhet ndërhyrja ndërkombëtare për “marrëveshje të orëve të fundit”, apo këtë herë ndërkombëtarët po vënë në provën finale klasën tonë politike, për të parë deri ku mund të arrijë?
Unë nuk besoj se palët do të shkojnë drejt një konfliktualiteti që, në fakt, ka qenë në vijueshmëri gjatë viteve të fundit. Shqipëria është në një konflikt të vazhdueshëm, ndaj nuk di se çfarë konflikti mund të krijojnë më shumë forcat politike. Nga ana tjetër, dyshoj fort te mënyra se si ndërkombëtarët, sidomos përfaqësuesit aktualë të huaj në Shqipëri “do të lodhen” për të afruar gjoja palët politike (forcat politike në Shqipëri janë afruar dhe larguar, gjithmonë sipas interesit momental). Unë gjykoj se kur as Evropa dhe as SHBA-ja nuk denjuan qoftë edhe një herë të vetme të bënin një deklaratë kundër qeverisë për hektarë me kanabis, të mbjellë përgjatë 5 viteve të fundit; kur nuk u tha qoftë edhe një fjali e vetme për mënyrën se si u implementua reforma në drejtësi, dhe Shqipëria mbeti pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë; kur korrupsioni në administratë, tatime, dogana është galopant dhe i frikshëm; kur PPP-të janë shtrirë si metastazat në një trup tashmë të kancerizuar; kur borxhi publik arrin shifra alarmante edhe për vende evropiane me ekonomi të standardizuara; atëherë si mund të besosh ende se zgjdhja duhet të të vijë nga këta ndërkombëtarë (!!??) Politikanët shqiptarë, ashtu si në të shkuarën e afërt, do “t’i përdorin” ndërkombëtarët, sipas dëshirës së tyre, por në fund gjithnjë do të bëjnë ujdi me njëri-tjetrin, kjo veçse në interes të tyre të përbashkët, dhe asesi jo të qytetarit-votues.
Përtej logove apo formacioneve politike, cili pritet të jetë roli i liderëve apo i individëve më influentë politikë, si Rama, Basha, Meta dhe Veliaj?
Përjashto Veliajn, të cilin nuk e llogaris fare (ose më mirë, nuk dëshiroj fare ta llogaris), si faktor, qoftë Rama, qoftë Basha, qoftë Meta, kanë influenca mjaftueshëm për të galvanizuar militantin partiak. Por vetëm kaq ama. Dyshoj fort se sot, në 2020-ën, shqiptarët nuk dinë të dallojnë mes gishtit dhe dorës. Dhe për fat të keq, ajo që është shqetësuese, nuk është ajo çka duket, por ajo çka duhet të zgjedhësh. Sot, gjithkush i paindoktrinuar ende nga “arritjet e panumërta” të Rilindjes, e di se Rama nuk duhet ta qeverisë më këtë vend, por, nga ana tjetër, nuk sheh as dritë në fund të tunelit, teksa as Basha dhe as Meta nuk injektojnë besueshmëri. Meta, si politikan karriere, ka treguar me qindra herë se më shumë se gjithçka i dhimbset e ardhmja e tij politike, ndaj për këtë arsye, për hir të pushtetit, ka bërë edhe pakte të paimagjinueshme dhe, sigurisht, tejet të pamoralshme. Ndërsa Basha, edhe pse një lider i ri, nuk ka mundur ende të largohet nga hija e Berishës (e cila jo domosdoshmërisht është negative), dhe as të tregojë mençurinë e një politikani që i shkon në fund çdo iniciative politike, pavarësisht kostove. Në më shumë se një rast dhe vetëm në pak kohë si kreu i PD-së, Basha ka ndërmarrë veprime që në startin e tyre kanë qenë tejet frymëzuese, dhe jo thjesht për militanët e PD-së, por që më pas janë sfumuar totalisht, duke sjellë jo pak zhgënjim. Kjo gjë ka sjellë vetvetiu edhe një besueshmëri të vakët ndaj lidershipit të tij. Por, gjithsesi, për shkak të “masakrës qeverisëse” në çdo sektor të jetës, unë besoj fort se Basha do të ketë një rol më vendimtar, sidomos te votuesi gri, përkundrejt Ramës, tashmë të ezauruar totalisht politikisht, dhe Metës në një pozicion teorikisht asnjanës. Kësisoj, parashikioj një vjeshtë tejet të ashpër dhe me një dimër të acartë, por që zor se do të mundin ta ndalin rotacionin politik në pranverën e 2021-shit.