Vjeshta politike duket se do të jetë e ashpër, ku nuk do të ketë vetëm deklarata të forta mes kundërshtarëve, por edhe një “lojë shahu” për të fituar në tavolinë banuse që më vonë mund të përkthehen në çelës fitoreje në zgjedhjet e ardhshme; dy prej tyre janë Kodi Zgjedhor, sipas marrëveshjes së 5 qershorit, por edhe ndryshimet kushtetuese. Si parashikohet të veprojnë palët në Këshillin Politik?
Shtatori mund të thuhet se është fillimi i startit të fushatës elektorale për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Të gjitha lëvizjet, kompromiset apo vendimet në tryeza të përbashkëta, për sa i përket Kodit Zgjedhor, do të jenë të tilla, pikërisht mbi interesin elektoral të secilës palë. Lufta e nervave për lodhjen dhe pështjellimin e kundërshtarit, ka kohë që zhvillohet dhe, duhet thënë, se deri më tani kjo lojë ka avantazhuar më shumë kryeministrin Rama. Ishte ai që arriti të bëjë një lojë të dyfishtë me të dy llojet e opozitave. Me PS-në dhe aleatët e saj bëri një marrëveshje nëpërpjet Këshillit Politik, ndërsa arriti gjithashtu të bëjë marrëveshje tjetër sui generis me opozitën në Parlament, në terma krejt të tjerë e që për shumëkënd mund të quhen marrëveshje të mbivendosura e me objekt tjetër pronësie. Në këtë aspekt marrëveshjet dhe vota në Parlament nuk mund të thuhet se ka kënaqur gjithkënd. Përkundrazi. Me përjashtim të Ramës vetë. Në këtë mënyrë, beteja vazhdon. Betejë që nuk do të jetë më vetëm në mbledhjet e Këshillit Politik për aspektet e Kodit Zgjedhor, por dhe në treguesit e forcës. Gjithsesi, lufta elektorale e këtij viti duket se do të jetë dhe më e çuditshme, dhe kjo për çështjen e pandemisë. Duhet thënë që PS-ja dhe mazhoranca vjen e konsumuar pas 7 vitesh qeverisje, por duket se strategjia e Ramës do të jetë përçarja e opozitës, për të mos qenë një front unik, gjë që nuk do të lejonte maksimalizimin e rezultatit sipas votës rajonale. Kodi i ri Zgjedhor nuk e ka mbyllur, por ama e vështirësuar formulën e koalicioneve. Ndërkohë, nga ana e opozitës, po vërehet se jo gjithçka është aq rozë midis aleatëve. Po spekulohet se në mjedise të shumta të PD-së ka një një aprovim të Kodit të ri që pengon koalicionet dhe e shohin këtë si një mënyrë të mirë për të shpëtuar nga barra e LSI-së. Nëse është kështu, kjo është fitorja e parë e Ramës në lojën parazgjedhore.
Ndërsa forcat politike janë në lojë, kemi thuajse në mënyrë permanente edhe përplasjet e kreut të shtetit me qeverinë. A do të ndikojë edhe ky “konflikt” me ulje ngritje edhe në frymën e fushatës së ardhshme zgjedhore?
Iniciativa për ta shkarkuar presidentin e Republikës u mbyll në Komisionin Parlamentar të ngritur për këtë qëllim. Presidenti do ta vijojë detyrën, pavarësisht etiketimeve që iu bënë për shkelje të Kushtetutës. Gjithësesi, nuk ka një paqe mes palëve. Deklaratat vijojnë agresive, si nga zyra e Presidencës, ashtu dhe nga ajo e Kryeministrisë. Dhe kjo gjendje, me ulje ngritjet e veta, duket se do të vijojë deri në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare. Për vazhdimin ose jo të Ilir Metës në pozicionin e kreut të shtetit, kjo do të vendoset gjithsesi nga mazhoranca e re. Nëse sërish është Rama dhe PS-ja, vështirë të mendohet se ai do të vijojë. Por dhe në rast se do të jetë Basha, nuk besohet se ai do të dëshirojë një president protagonist. Madje, që tani që PD-ja është opozitë, duket se Bashës pak i intereson ndihma e presidentit. E, në këtë aspekt, duket Basha që nuk do të jetë në borxh me Metën për të ardhmen.
Duke marrë në konsideratë gjendjen në të cilën ndodhet vendi, i ndikuar edhe nga pandemia apo nga pasojat e rënda të tërmetit tragjik të vitit të kaluar, a pritet që këta dy faktorë të ndikojnë edhe në zgjedhje?
Pandemia është një realitet I përditshmërisë tashmë dhe kjo çështje duket se do të na shoqërojë për një kohë të gjatë. Dhe kjo, e parë edhe në kontekstin parazgjedhor, është një element në favor të mazhorancës e cila ka përgjegjësinë qeverisëse për ta menazhuar situatën. Lëshimet apo shtrëngimet, mbylljet apo masat që do të ndërmerren, mund të jenë dhe si një faktor frenues sa herë që situata politike mund të ndizet. Kështu, manifestimet apo protestat e opozitës, si shfaqje për treguar forcën e saj, janë që tani të anatemuara, për sa kohë shifrat e infektimeve dhe të rasteve të vdekjeve nga pandemia të jenë relativisht shqetësuese. Nga ana tjetër, projektet për rindërtimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti, po ashtu mund të vihen në funksion elektoral, në favor të mazhorancës. Sa më e lartë të jetë shkalla e rindërtimit dhe sa më të prekshme të jetë ajo, aq më shumë vota mirënjohjeje do të ketë. Të dyja rastet, si çështja e pandemisë, ashtu dhe dëmtimet nga tërmeti, janë objekt për qasje elektorale, por që varet se si trajtohen. P.sh., marrim rastin e vendimit të qeverisë për hapjen e shkollave në shtator. Menjëherë opozita doli kundër këtij vendimi. Çka duket se në çdo vendim qveritar opozita del kundër. Ndërkohë që mund të ishte bërë një qasje tjetër. Pa dalë kundër vendimit, mund të dalësh kundër formës se si u dha ky vendim. Në rastin konkret, opozita mund të mos atakonte hapjen e shkollave, por mënyrën se si u vendos, kur nuk duket se është pyetur asnjë grup interesi, si nga mësuesit, nxënësit apo prindërit.
Në të gjitha rastet, duke marrë në konsideratë të shkuarën, e cila thuajse ka qenë identike, a do të shkojnë palët drejt një konfliktualiteti të dukshëm dhe në fund të duhet ndërhyrja ndërkombëtare për “marrëveshje të orëve të fundit”, apo këtë herë ndërkombëtarët po vënë në provën finale klasën tonë politike, deri ku mund të arrijë?
Konfliktualiteti në politikën shqiptare ka qenë gjithmonë i pranishëm. Por dhe marrëveshjet nuk kanë munguar. Madje, marrëveshje ka pasur edhe në vitin 1997, kur ishte në prag ballafaqimi me armë e kur kallashët ishin sheshit. Në këtë aspekt pra, edhe atëherë kur duket se situata është e tejnxehur e se nuk duket asnjë shteg zgjidhjeje, edhe atëherë ka pasur marrëveshje, Në fund të fundit, edhe kryeministrat kanë ikur nga pushteti pas ndonjë marrëveshjeje. Çështja ka qenë gjithmonë se cili ka qenë çmimi i marrëveshjes… Për sa i përket rolit të ndërkombëtarëve, apo më mirë rolit të diplomatëve të huaj në Tiranë, duhet thënë se roli i tyre ka një bjerrje nga viti në vit. Angazhimi i madh i fundit i diplomatëve ishte ligji për Reformën në Drejtësi. Nga ai moment, për çështjet e tjera kanë vendosur politikanët shqiptarë, edhe për raste që diplomatët kanë pasur mendim ndryshe. Rasti më i freskët ishte angazhimi i ambasadave për marrëveshjen e 5 qershorit. Por gjithsesi, në Parlament u votua dhe për ca çështje të tjera që tryeza e Këshillit Politik nuk ishte shprehur. Nga një anë është diçka e mirë që politika shqiptare të gjejë së bashku fjalët dhe zgjidhjen e problemeve të brendshme. Megjithatë, jo çdo marrëveshje e palëve të politikës shqiptare ka qenë e shëndetshme për demokracinë.
Përtej logove apo formacioneve politike, cili pritet të jetë roli i liderëve apo i individëve më influentë politikë, si Rama, Basha, Meta dhe Veliaj?
Pavarësisht peshës së gjthsecilit, duhet thënë se loja e madhe zhvillohet midis Ramës dhe Bashës. Ata janë krerët e dy partive kryesore dhe rivalët direkt për kryeministër. Kjo i bën jo vetëm kundërshtarë, por dhe lojtarët kryesorë se si do të rafigurohet e ardhmja e partive të tyre apo dhe e qeverisjes së ardhshme. Në këtë aspekt shihet se përveç deklaratave luftarake, midis tyre ka dhe një linjë komunikimi për të përcaktuar edhe kufijtë se deri ku do të zhvillohet kjo luftë. Ndërkohë Meta është protagonist si kreu i shtetit, i vetofruar prej shumë kohësh të bëjë arbitrin midis palëve, por i papranuar për këtë rol jo vetëm nga ana e Ramës… Edhe në marrëdhëniet me Bashën ka dritëhije të cilat shkojnë përtej marrëdhënieve midis PD-së dhe LSI-së. Nga ana tjetër, Veliaj duket se do të luajë një rol të rëndësishëm për rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë. Potenciali i pushtetit që ka kryebashkiaku i kryeqytetit e vendos atë në një pozicion të rëndësishëm për vetë fatin e PS-së, nëse do të arrijë të mbetet në pushtet. Tirana si rajon ka numrin më të madh të deputetëve dhe, nëse do të ketë një shtim të numrit të tyre, si rezultat I lëvizjes demografike, atëherë çelësi i pushtetit të ardhshëm është në Tiranë./Fjala.al/Ke.Ba