Vrasësit me pagesë “kyçin” gojën, nuk tregojnë porositësit

Grupi hetimor ka dalë në përfundimin se vrasja e dy të rinjve, Emiliano Ramazani dhe Regis Runaj, në fund të muajit korrik, në qytetin e Elbasanit, ka ardhur si pasojë e përplasjeve mes grupeve kriminale që operojnë në këtë qytet. Burime nga grupi hetimor i thanë gazetës “Fjala” se personat e arrestuar kanë “kyçur” gojën e nuk kanë treguar asnjë nga emrat e personave që mund t’i kenë urdhëruar këto vrasje.

Nga Elvis Myrta

Dy vrasjet mafioze që tronditën qytetin e Elbasanit në fund të muajit korrik, duket se nuk do të zbardhen plotësisht. Pavarësisht dyshimeve të hetuesve, se ekzekutimet e Emiljano Ramazanit dhe të Regis Runajt kanë lidhje me njëri-tjetrin, dhe se janë kryer nga vrasës me pagesë, të porositur nga një grup kriminal, ende nuk ka asnjë emër të porositësve. Deri më tani për vrasjen e dy të rinjve janë arrestuar 4 persona.

Nga hetimet ka rezultuar se të arrestuarit kanë pasur role të ndryshme në të dyja ngjarjet, si autorë, informatorë për lëvizjet e viktimave, si dhe kanë fshehur armët me të cilat u ekzekutuan dy të rinjtë. Hetuesit nuk i kanë zbuluar ende personat që kanë dhënë urdhrin për këto vrasje, apo ekzekutorin e Emiljano Ramazanit, edhe pse arma e krimit është sekuestruar. Pas zbardhjes së vrasjes së 23-vjearit Regis Runaj dhe arrestimit të Xhuljo Hoxhës dhe Euglen Halilit, grupi hetimor kishte shpresa se dy të rinjtë do të rrëfeheshin, duke hedhur dritë për të dyja vrasjet, por ata kanë kyçur gojën përpara hetuesve, duke mos treguar mbi personat që kanë urdhëruar eliminimin e Ramazanit dhe Runajt.

Dy të rinjtë i kanë mohuar edhe akuzat e ngritura nga prokuroria si autorë të vrasjes së Runajt, duke mos pranuar krimin, edhe pse ndaj tyre ka prova të pakundërshtueshme që ata janë të përfshirë në këtë ngjarje. E njëjta situatë është edhe për dy të arrestuarit e tjerë, Albert e Seit Manahasa, në makinën e të cilëve u gjet pistoleta me të cilën u vra Emiljano Ramazani. Babë e bir, edhe pse ndodhen prej gati tri javësh pas hekurave, nuk kanë dhënë asnjë detaj për ngjarjen dhe i kanë mohuar akuzat.

Ata pretendojnë se armën e krimit në makinë ua kanë futur persona të tjerë. Hetuesit dyshojnë se 4 personat e arrestuar për 2 vrasjet në Elbasan nuk kanë pranuar të flasin nga frika e hakmarrjes. Deri më tani për personat që kanë dhënë urdhrin për vrasjet, nuk janë zbuluar prova, pavarësisht se ka dyshime për një grup që vepron mes Elbasanit dhe Peqinit. Emiljano Ramazani u vra më 20 korrik, poshtë banesës së tij, ndërsa shoku i tij, Regis Runaj, 10 ditë më pas.

Dy ekzekutimet dyshohet se kanë lidhje me njëri-tjetrin. Për katër të arrestuarit burime nga grupi hetimor i thanë gazetës “Fjala” se ka prova të pakundërshtueshme që ata kanë marrë pjesë dhe kanë bashkëpunuar në të dyja vrasjet. Sipas burimeve, vrasësit u tradhtuan nga ADN-ja e viktimës. Nga hetimet rezulton se Runaj po ecte në motor me Xhuljo Hoxhajn.

Kur janë afruar te varrezat, ekzekutori i ka kërkuar Runajt të ngadalësonte shpejtësinë dhe e ka goditur me thikë pas shpine. Pastaj e ka goditur dhe 26 herë të tjera. Ndonëse motorin e ka larë në lavazh, gjurmët e gjakut të viktimës janë gjetur aty. Në lidhje me vrasjen e Emiljano Ramazanit dy të dyshuarit, Xhuljo Hoxhaj dhe Euglen Halilaj, shfaqen në kamera sigurie te palestra e viktimës 3-4 ditë përpara ngjarjes, gjithashtu kamerat i kanë kapur ata edhe përballë shtëpisë së Ramazanit. Ata mendohet se kanë informuar më pas ekzekutorin.

Vrasja e Regis Runajt

Më 9 gusht policia e Elbasanit dhe prokuroria në një koferencë të përbashkët për median thanë se kanë zbardhur vrasjen e Regis Runajt, duke vënë në pranga 2 autorët që bënë ekzekutimin e tij. Sipas autoriteteve, 23-vjeçari përpara se të vritej nga autorët ka konsumuar lëndë narkotike me ta. Për vrasjen u arrestuan Xhuljano Hoxha, 29 vjeç, dhe Euglen Halili, 23 vjeç, të dy banues në Elbasan. Policia tha se ata janë vrasës me pagesë dhe se janë përfshirë edhe në ekzekutimin e Emiljano Ramazanit, më 20 korrik, ku po të paguar nga persona të tretë kanë monitoruar të gjitha lëvizjet e tij.

Lexo edhe :  ‘Vapa nuk ikën me Gushtin’/ Bëhuni gati për një fundjavë në plazh, temperaturat arrijnë…

Dy viktimat, Runaj dhe Ramazani, ishin miq me njëri-tjetrin. Nga hetimet ka rezultuar se përpara ekzekutimit, Regis Runaj ka qenë në shoqërinë e Xhuljano Hoxhës dhe Euglen Halilit, duke konsumuar lëndë narkotike, në një park në afërsi të varrezave të qytetit. Pasi kanë konsumuar lëndë narkotike me Runajn, Eugen Halili dhe Runaj janë larguar me motorin e Halilit drejt Elbasanit, pasi kishin dalë për disa minuta në periferi të qytetit. Pas konsumimit të drogës, Euglen Halili ka goditur Regis Runajn një herë me thikë nga mbrapa shpinës dhe më pas e ka goditur edhe 26 herë të tjera, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Trupi i Regis Runajt u gjet buzë rrugës, në afërsi të varrezave, i mbuluar në gjak. Gjaku i gjetur në motomjetin e sekuestruar autorëve, ka konfirmuar përfshirjen e tyre në vrasjen e 23-vjeçarit Regis Runaj. Gjithashtu, u sekuestrua edhe një shumë eurosh, para të cilat dyshohet se dy të rinjve tashmë të arrestuar u janë dhënë nga porositësit e vrasjeve. Greupi hetimor ka edhe prova të tjera ligjore që i implikojnë dy të rinjtë në vrasjen e 23-vjeçarit. Hetuesit kanë dalë në përfundimin se vrasësit me pagesë, Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili, janë paguar nga persona të tjerë edhe për të monitoruar lëvizjet e Ramazanit, ndërsa vijon puna për identifikimin e personave të tjerë, të përfshirë në ngjarje.

Arrestimi i babë e bir

Prej gati tri javësh pas hekurave, si të përfshirë në vrasjen e Emiljano Ramazanit, ndodhen edhe babë e bir, Albert dhe Seit Mananhasa. Ata u arrestuan pasi gjatë kontrolleve të policisë në servisin e tyre u gjet arma me të cilën u vra Emiljano Ramazani. “Në vijim të kryerjes së veprimeve hetimore për zbulimin e mekanizmit, autorëve dhe provave të ngjarjes në fjalë, policia gjyqësore në 27 korrik 2020 ka ushtruar kontrollin e ambienteve të biznesit “Varrezë makinash”, regjistruar në në 18 tetor 2010, në emër të Albert Manahasës, ku punon edhe djali i tij, Seit Manahasa.

Rezultoi se gjatë ushtrimit të kontrollit të ambienteve të “varrezës së makinave”, është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, pistoletë model 54 “TT”, me numër të palexueshëm”, thuhet në procesverbalin e policisë së Elbasanit. Pas gjetjes së armës me të cilën u ekzekutua babai i katër fëmijëve, ajo u dërgua menjëherë në laborator për ekspertizë. “Pas gjetjes së armës, me shumë urgjencë policia në datën 28 korrik ka kryer ekzaminimin balistik të pistoletës, ku ka rezultuar se: gjashtë gëzhojat të fiksuara si prova materiale balistike në ngjarjen e datës 20 korrik 2020, ku është vrarë Emiljano Rahmani (Ramazani), janë qitur nga pistoleta objekt ekspertimi, pa numër në trup,e gjetur nga policia kriminale në datën 27 korrik në ambientet e biznesit të Albert dhe Seit Manahasës”, thuhet në dosje.

Mbi babë e bir janë ngritur akuzat për “vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Emiljano Ramazani, baba i katër fëmijëve u ekzekutua me pesë plumba, pasditen 20 korrikut, rreth orës 16:30 në makinën e tij. Viktima mësohet se po hynte në mes të dy pallateve për të parkuar mjetin e tij. Një nga autorët ka parkuar mjetin buzë rrugës dhe tjetri ka zbritur dhe me hap të shpejtë ka arritur ta qëllojë me pesë plumba viktimën në momentin që ky i fundit ishte duke parkuar. Më pas, autorët janë larguar duke djegur makinën në një zonë të pyllëzuar, në Papër. Policia gjeti në mjetin e djegur edhe dy armë të tipit kallashnikov./Bl.Ba/Fjala.al