Tirana ka njoftuar Policinë e Shtetit duke iu frikësuar ndonjë ndodhie të papritur gjatë sfidës së nesërme me Crvena Zvezdën, e cila luhet në kuadër të raundit të dytë të Ligës së kampioneve.
Klubi bardheblu ka marrë informacione se disa persona mund të shpalosin një mesazh politik me dron kundër Serbisë gjatë sfidës së nesërme.
Një akt i tillë do të penalizonte klubin bardheblu përderisa UEFA ndalon kategorikisht shpërndarjen e mesazheve të urrejtjes me natyrë politike apo raciste.
Nisur nga këto të dhëna, 25-herë kampionët e Shqipërisë i kanë bërë thirrje Policisë së Shtetit të marrë masat e nevojshme për parandalimin e çdo të papriture.
Ndërkohë ekipi i Crvena Zvezdës, ose siç njihet ndryshe Red Star, është nisur sot në orën 11:00 nga Beogradi me destinacion Tiranën, pasi do të luajë të mërkurën në orën 20:00 kundër Tiranës në Air Albania për turin e dytë eliminator të Champions League.
Teksa niseshin drejt Tiranës, mediat serbe kanë kapur një detaj.
Avioni i vënë në dispozicion të klubit është i personalizuar me emrin e trajnerit të skuadrës serbe, Dejan Stankovic, duke treguar në këtë mënyrë forcën e serbëve, që në këtë ndeshje vijnë si favorit në të gjithë aspektet përveç faktorit fushë, pasi do luhet në Shqipëri.
Sipas mediave serbe që kanë publikuar edhe fotot e futbollistëve në aeroport, pak përpara nisjes, raportohet një atmosferë tepër pozitive në skuadrën e Crvena Zvezdës, e cila përball gjen një Tiranë po ashtu optimiste pas kualifikimit me Dinamo Tbilisin.
Ndërkohë rreth orës 13:15 ata kanë zbritur në aeroportin ‘Nënë Tereza’, për t’u akomoduar më pas në hotelin përkatës. Në orën 18:00 serbët do të kenë konferencën në ‘Air Albania’, ndërsa në orën 19:00 do të kryejnë stërvitjen e fundit para ndeshjes./Bl.Ba/Fjala.al