Vrulli i ri i pandemisë koronavirus në Europë nuk po frenohet. Në vetëm 3 ditët e fundit, Spanja ka regjistruar 20 mijë raste të reja me koronavirus, për një total prej më shumë se 400 mijë të prekurish.
Bilanci ka shkuar kështu në 28800 jetë të humbura. Ministria e shëndetësisë në Spanjë paralajmëroi masa drastike në Madrid nëse situata do të përkeqësohet.
Shumica e rasteve të reja janë në kryeqytet dhe ministri Fernando Simon nuk përjashtoi mundësinë e një izolimi të ri apo masave të tjera kufizuese për lëvizjen e banorëve.
Përhapja e shpejtë e Covid-19 frikëson edhe Gjermaninë. Qeveria e Berlinit vendosi rajonin e Parisit dhe disa të tjerë në jugun e Francës në listën e vendeve me rrezikshmëri të lartë dhe u kërkoi gjermanëve që të shmangin udhëtimet drejt këtyre zonave.
Presidenti, Emmanuel Macron, mbajti një mbledhje të këshillit të mbrojtjes ku diskutoi për rritjen e nivelit të qarkullimit të virusit në popullatë. Zyrtarët e Shëndetësisë e kanë informuar atë se shkaku kryesor janë të rinjtë që nuk respektojnë shumë nga udhëzimet në fuqi si mbajtja e maskës dhe distancimi social.
Nga ana tjetër edhe Italia vijon të luftojë rritjen e rasteve. Një adoleshente ka shkruar një letër ndërgjegjësimi, e cila është publikuar në gazetat kryesore të vendit fqinj. Ajo shpjegon historinë e saj se si ishte prekur nga Covid-19 në një festë ditëlindje në një lokal nate dhe pastaj kishte infektuar të gjithë familjen. Tani babai i 20-vjeçares është në terapi intensive në gjendje të rëndë. Ru. DO/ Fjala