
Emocione, raste pa fund, lojë e mirë, por vetëm fati nuk ishte me ekipin e Tiranës, që u mund me rezultatin minimal nga Cërvena Zvezda. Muçi godet shtyllën, humben disa raste të arta, ndërsa në minutën e fundit të takimit ekipi ynë ishte fare pranë golit.
Vetëm fati mbrëmjen e djeshme nuk ishte me ekipin e Tiranës. Përballë Cërvena Zvezdës, ekipi kryeqytetes e mbylli pjesën e parë me rezultatin e barabartë 0-0, me tri raste të pastra për shënim goli, ndërsa ekipi serb gjatë 45 minutave të para nuk e gjeti asnjëherë portën e Likës. Në minutën 61’ të takimit në një goditje standarde pas një harkimi nga këndi, futbollisti Tomane godet me kokë brenda zonës, duke shënuar golin e avantazhit për Zvezdën.
Gjithçka deri në ato minuta kishte folur për ekipin tonë kryeqytetas, madje edhe rastet e mëpasme ishin tërësisht për Tiranën, por më shumë fat patën serbët, të cilët vetëm në një rast shënuan golin dhe më pas pritën me ankth kalimin e minutave. Dominimi bardh e blu vijoi në 20 minutat e fundit, ku Kobina pati një rast të artë shënimi, por topi kaloi pak mbi traversë. Në minutën e fundit u krijua iluzioni i golit për ekipin tonë, por edhe këtë herë ekipi serb iu fal vetëm fatit. Tirana luajti mirë, duke e menaxhuar lojën, por edhe duke guxuar më tepër drejt portës kundërshtare.
Në minutën 31’, Hoxhallari lëshoi një “predhë” nga goditja e dënimit, duke e gjetur të papërgatitur edhe portierin serb, i cili sidoqoftë, e ka ndalur topin me vështirësi duke e dërguar jashtë për një këndore dhe duke shmangur rrezikun. Çerekora e mbetur i sheh bardheblutë të administrojnë lojën dhe ta mbajnë nën trysni kundërshtarin, duke treguar kujdes edhe në mbrojtje. Me gjithë përpjekjet e të dyja skuadrave, 45 minutat e para do të mbyllen me rrjeta të paprekura.
Në fillimin e minutës 59’, Muçi depërton bukur në zonë, godet, portieri serb devijon, topi rrok shtyllën, dhe kthehet në lojë e largon më pas mbrojtja mike. Dhe rregulli i pashkruar i futbollit i ndëshkon bardheblutë, pasi, në një goditje këndi, kampionia serbe gjen golin, kur Tomane godet saktësisht me kokë dhe përshëndet rrjetën, duke e kaluar skuadrën e tij në epërsi në minutën 61’.
Por Tirana nuk dorëzohet dhe 7 minuta më pas, një kundërsulm galopant, është Kobina që del i vetëm para portierit serb, por e dërgon topin në mënyrë të pabesueshme mbi traversë, duke shkuar dëm mundësinë më të mirë për të barazuar shifrat. 20 minutat e mbetura dhe ato 4-5 shtesë do ta shohin Cërvena Zvezdën të administrojë me efikasitet epërsinë minimale, përballë një Tirane gjithnjë e më të lodhur dhe pa ide në ndërtimin e aksioneve sulmuese. Edhe ndërrimet e bëra nga trajneri Egbo nuk arrijnë të japin efektet e dëshiruara. Përtej përpjekjeve të vonshme të bardhebluve, që janë munduar, Tirana është mundur 0-1 përballë Cërvena Zvezdës dhe i jep kështu lamtumirën veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit.
Tirana leksion edhe në sjellje, policia në këmbë, asnjë incident
Qindra efektivë të Policisë së Shtetit u angazhuan për mbarëvajtjen e ndeshjes mes Tiranës dhe Cërvena Zvezdës mbrëmjen e djeshme, në stadiumin “Air Albania”, për turin e dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve. Përballja me serbët i frikësoi autoritetet se mund të kishte ndonjë skenar për ngritjen e dronëve, nisur nga ajo që ndodhi me Kombëtaren në Beograd, disa vite më parë, por edhe për faktin që nuk do të ketë tifozë dhe mesazhin e tyre ultrasit mund ta japin në një tjetër mënyrë.
Kjo ka bërë që pranë stadiumit “Air Albania” të pozicionohet një makinë e Gardës, cila është e pajisur me bllokues valësh që e bëjnë të pamundur ngritjen e dronëve të telekomanduar. Ishte klubi i Tiranës që, pas marrjes së informacioneve se një grup individësh mund të ngrinin një dron kundër skudrës serbe, kërkoi ndihmën e policisë që kjo pajisje të vihej pranë stadiumit gjatë zhvillimit të ndeshjes. Edhe autobusi i skuadrës serbe të Cërvena Zvezdës, u shoqërua nën masa të forta sigurie nga hoteli ku ishin akomoduar, drejt stadiumit “Air Albania”.
Ishin 4 makina policie, një furgon dhe 6 motorë, që kanë shoqëruar autobusin me lojtarët e ekipit serb. Por edhe pse masat ishin të rrepta, surprizat nuk munguan gjatë rrugës për në stadium, një nga grupet e tifozëve të bardhebluve hapi një banderolë ku shkruhej: “Lufta e shqiptarit ka burrëri, ne nuk merremi me gra dhe fëmijë!” dhe “Kosova, zemra e Shqipërisë”. Përveç shprehjeve është vendosur edhe një portret i heroit Adem Jashari, që mbante një armë në dorë. Ishin plot 300 efektivë policie të cilët u vendosën në perimetrin e stadiumit dhe nuk lejonin asnjë tifoz apo këmbësor të afrohej aty. Pas orës 17:30 të gjitha bizneset, lokalet, baret dhe dyqanet që ndodhen në qendrën “Air Albania”, u mbyllën, duke mos lënë asnjë biznes të hapur.
Për mbarëvajtjen e ndeshjes së djeshme, Policia e Tiranës angazhoi dhjetëra punonjës të njësisë speciale FNSH dhe të Drejtorisë së Policisë Rrugore. Në terren pati edhe agjentë të Antiterrorit edhe punonjës të RENEA-s. Masat e sigurisë filluan të zbatohen që prej mbërritjes së ekipit serb në vendin tonë. Miqtë janë shoqëruar me masa të rrepta në të gjitha lëvizjet që kanë bërë, ndërsa punonjës të Gardës u vendosën pranë hotelit. Edhe gjatë akomodimit në hotel, punonjës të shumtë të FNSH-së kanë siguruar perimetrin e sigurisë.
Gjatë ndeshjes Tirana-Cërvena Zvezda, në stadium u lejuan të futen vetëm persona të caktuar nga ekipi dhe FSHF-ja, sipas protokollit sanitar për organizmin e ndeshjeve të futbollit. Gjithashtu, gjatë ndeshjes së djeshme policia mori masa dhe nuk lejoi grumbullime të tifozëve në sheshe apo në ambientet përreth stadiumit. Disa rrugë të kryeqytetit prej orës 17:00 u bllokuan në sajë të këtyre masave. Më konkretisht, nga ora 17:00-23:30 u bllokuan rruga përreth stadiumit “Lekë Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri te stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca, sheshi “Nënë Tereza” deri te sheshi “Shopen”, si dhe sheshi para Universitetit Politeknik. Si rrjedhojë e masave të marra nga autoritet, gjatë ndeshjes nuk u shënua asnjë incident. /Ra.My.Fjala.al/