Deti/ Rikthehet “dosja e zezë” e kufirit me Greqinë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis deklaroi dje në Athinë vendimin për të rritjen e vijës bregdetare greke në detin Jon me 12 milje. Deklarata e tij ka rikthyer dhe një herë në Tiranë hijet e debateve të hershme për kufirin detar me vendin fqinj. Kryeministri Edi Rama thotë se nuk falet deti, por duket se negociatat do të jenë të vështira. Ministri i Jashtëm grek njofton një vizitë në Tiranë. A po përdoret tensioni turko-grek për të përfshirë edhe shqipërinë? Pse u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese marrëveshja e vitit 2009 për këtë çështje dhe pse mbeti pa u finalizuar pakti i ri i vitit 2018. Ish-negociatori Glevin Dervishi sqaron pse shtrirja e Greqisë në Jon është e bazuar në konventën ndërkombëtare dhe nuk cënon ujërat territoriale shqiptare.

 

 

Nga Blerina Gjoka

 

Historia i ka mësuar shqiptarët se fqinjët nuk ia kanë dashur të mirën. Edhe pse sot bashkëjetojmë në paqe dhe vendi ynë ashtu si shumica e fqinjëve janë anëtarë të NATO-s çdo marrëveshje a diskutim që ngrihet mbi ndarjet territoriale ngre një re të madhe debati dhe diskutimi nacionalist. Kjo ndodh dhe me çështjen e ndarjes së kufirit detar me Greqinë me të cilën kufizohemi nga deti Jon. Një marrëveshje e firmosur nga ish-kryeministri Sali Berisha në vitin 2009 për delitimin e vijës detare me Greqinë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa ngriti një valë reaksioni politik në vend si një marrëveshje anti-kombëtare.

Më pas kësaj marrëveshje iu rikthye qeverisja socialiste me kryeministër Edi Ramën, e cila nuk u finalizua dot kurrë dhe pse palët arritën një pakt të ri. Hija e dosjes së zezësë kufirit detar me Greqinë është rikthyer në skenën politike të dy vendeve dje përsëri pasi një deklarate të bërë nga kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis se vendi i tij do të zgjeronte territor në detin Jon me 12 milje kanë shkaktuar reagime në Tiranë. “Greqia po rritet. Edhe të tjerë e kanë thënë këtë, por ne jemi të vetmit që po e vendosim në zbatim. Prandaj do të procedojmë në një zonë detare, veçanërisht në atë të Jonit dhe ishujve përreth deri në kepin Tainaro të Peloponezit, për të ushtruar të drejtën tonë të padiskutueshme të sovranitetit, sipas ligjit të detit”, u shpreh Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.

E ky qëndrim, qoftë politik për çështje elektorale, apo “tregim force” për situatën e tensionuar që po kalon me Turqinë, solli edhe reagimin e kryeministrit tonë… Më shumë se një qëndrim zyrtar ishte një lloj “injorimi” i fjalëve që qarkullojnë dendur për “nënshtrim”, “shitje” apo “fitore” të asgjëje… Ndërkohë edhe  kryeministri Edi Rama gjatë replikës me një nga ndjekësit e tij në platformën sociale facebook ka lënë të kuptohet se deklarata e homologut grek nuk ka të bëjë me kufirin detar mes dy vendeve.

“Nuk falen detet e tokat si rroba” ka shkruar Rama duke lënë të kuptohet se kjo është një çështje që do të rikthejë dhe një herë në tryezën e bisedimeve mes dy vendeve, bisedime që u ndërprenë në vitin 2018 dhe pse kishin avancuar deri në një pakt të ri mes ministrave të jashtëm të asaj kohe, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotciaz. “Të rroftë Skenderbeu ne balle kur ne koke ke Saliun dhe flet per “falje detesh” sikur flet per falje rrobash! Hajde shqipe hajde! Nuk falen detet e tokat si rroba o mik, prandaj para se te flasesh per tema te tilla, ulu lexo, rri degjo, informohu e pastaj shprehu dhe ruhu nga genjeshtrat e medha se po te kapen ne gjume, i hengre e ike ne drejtim te paditur!”, shkruan Rama në replikën e tij për një qytetar që e akuzonte se po i falte detin Greqisë. Në fakt, fjalimi i Mitsotakis u mbajt në parlamentin grek, i cili po dje ratifikoi marrëveshjet detare me Italinë dhe Egjiptin të firmosura gjatë javëve të fundit.

Kjo deklaratë vjen në ditë aspak të qeta politike për rajonin, ku Greqia është në një konfltik të hapur me Turqinë po ashtu për çeshtjen e përdorimit të zonave ekonomike dhe hapësirës detare që pretendojnë dy vendet. Tashmë e ka radhën Shqipëria të përballet edhe një herë tjetër me pretendimet greke në ujërat detare që ndajnë dy vendet fqinje. Greqia po kërkon që të përmbyllë marrëveshjen për demarkacionin e hapësirës detare me Shqipërinë sa më parë që të jetë e mundur. Për këtë, ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias do të zhvillojë së shpejti një vizitë në Tiranë për të diskutuar me homologun shqiptar lidhur me këtë çështje. Ditë më parë ai ka telefonuar kryeministrin Edi Rama, i cili de facto mban dhe detyrën e ministrit të Jashtëm për vendin tonë, detyrë të cilën ia ka deleguar zv/ministrit Gent Cakaj.

Mitsotakis njoftoi deputetët greke gjatë seancës së djeshme plenare në Athinë se  ministri Dendias ka informuar homologët në Shqipëri dhe Itali lidhur me të drejtat që i kalojnë Greqisë për shfrytëzimin e kësaj hapësire detare. Vetë ministri grek njofroi me anë të një postimi në Tëitter se me Ramën diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet në rajon. Kuptohet se telefonata mes tyre ka prekur dhe çështjen e nxehtë të marrëdhënieve mes Greqisë e Turqinë, të cilat janë mjaft të acaruara, ndërkohë që Shqipëria ruan një raport të veçantë me Turqinë.

Greqia pretendon se kjo shtrirje me 12 milje në det i takon sipas konventave ndërkombëtare, por situata me vendin tonë koplikohet dhe kërkohet një marrëveshje pasi distanca detare është më e vogël se 24 milje, që sipas konventës së detit do të linte të kënaqur të dyja palët me 12 milje shtrirje në det.  “Do të respektojmë konventat ndërkombëtare dhe do të aplikojmë standardin e ndajres në mënyrë të barabartë të detit kur distanca mes dy shteteve është më e ulët se 24 milje“, u shpreh më tej Mitsotakis. Marrëveshjet e firmosura nga Greqia me Italinë dhe Egjiptin për ndarjen e Zonave Ekskluzive Ekonomike kanë sjellë reagim të ashpër të Turqisë, e cila më herët kishte firmosur një marrëveshje të ngjashme me Libinë duke ndare mes tyre një pjesë të Mesdheut. Ndarja e Zonave Ekskluzive Ekonomike është edhe thelbi i konfliktit që ka Turqia me Greqinë, e cila rrezikoi që t’i çonte vendet edhe në një luftë të armatosur duke nxjerrë në det mjetet ushtarake.

Asnjë shqetësim në Tiranën zyrtare

Deklarata e kryeministrit grek ka marrë një përgjigje zyrtare nga pala shqiptare ku nuk shprehet asnjë shqetësim për këtë çështje.  Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, në një reagim për  Zërin e Amerikës,thekson  se zgjerimi i kufirit detar të Greqisë nuk ka të bëjë me kufirin ujor shqiptaro-grek. “Lidhur me deklaratat për zgjerimin së shpejti të gjërësisë së Detit Territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare, theksojmë se kjo është një çështje që rregullohet nga e drejta ndërkombëtare dhe konkretisht nga Konventa e së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982”- thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Ministria e Jashtme shprehet se “Shqipëria dhe Greqia, si shtete fqinje që ndajnë zona detare, janë tashmë të angazhuara për arritjen e një marrëveshje të re në frymën e mirëkuptimit dhe interesit reciprok, bazuar në parimet dhe normat e së drejtës së detit, praktikën ndërkombëtare, si dhe duke respektuar dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”. Më tej Ministria e Jashtme shton se “Greqia, ashtu si çdo shtet tjetër palë e konventës, aty ku e lejon gjeografia dhe për sa kohë që nuk cënohen të drejtat sovrane të një shteti tjetër, gëzon të drejtën që të zgjerojë gjerësinë e Detit Territorial sipas parashikimeve të UNCLOS”.

Një qëndrim më i detajuar zyrtar do të shihet në ditët në vazhdim, ndërsa se çfarë kërkon konkretisht pala greke do të bëhet e ditur gjatë vizitës së ministrit të jashtëm të vendit fqinj në Tiranë së shpejti.  Gjithsesi, duket se deklarata e bërë në Athinë nuk ka shqetësuar palën shqiptare.  Burime pranë ministrisë së jashtme shqitare i thanë gazetës Fjala se ajo për të cilën ka folur kryeministri grek nuk ka të bëjë me cënim të ujërave detare shqiptare, por vetëm me zbatimin nga pala greke të së drejtës ndërkombëtare të saj që lind nga konventa ndërkombëtare për detin.

Neni 3 i Konventës së 1982 mbi Ligjin e Detit (UNCLOS) përcakton që secili shtet ka të drejtë të përcaktojë gjerësinë e zonës bregdetare të tij deri në një pikë që nuk tejkalon 12 milje detare të matura me bazat e përcaktuara në përputhje me këtë Konventë. Sipas nenit 3 të Konventës së 1982, Shtetet mund të vendosin gjerësinë e zonës bregdetare në 3, 6, 9, 11, 12 milje, por nuk mund të kalojë 12 milje. Shumica e shteteve kanë një zonë bregdetare prej 12 milje detare. Greqia sipas ligjit të saj të brendshëm të vitit 1936 ka një zonë bregdetare prej 6 milje detare. Sipas ligjit ndërkombëtar, ato shtete që – si Greqia – kanë një zonë bregdetare më të vogël se 12 milje kanë të drejtë të zgjasin ujërat e tyre territoriale në maksimumin e parashikuar në nenin 3 të UNCLOS, pra në 12 milje detare.   Pavarësisht të drejtës ndërkombëtare konflikti me Shqipërinë lind në zonën e Sarandës, ku gjatësia detare është më e vogël se 12 milje dhe aplikohet vija e mesit si kufi, një matje që nis nga bregu tokësor ose ishulli më i afërt. Në marrëveshjen e parë shqiptaro-greke që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në Tiranë pala greke kishte përcaktuar si kufi tokësor të saj disa shkëmbinj ishullore, që ishte më afër territorit tonë dhe jo bregun e detit të saj.Pikërisht ky ishte “thembra e Akilit” e marrëveshjes së parë të firmosur nga Berisha, që u rrëzua nga Kushtetuesja.

Lexo edhe :  “Udhëtim transformues i Shqipërisë në turizëm”/ 11,7 mln vizitorë të huaj vitin e kaluar

Historia e marrëveshjeve për detin

Të gjitha gjasat janë që euforia greke për shtrirjen me 12 milje në detin Jon të rikthejë dhe një herë negociatat diplomatike dhe teknike mes dy vendeve. Çdo marrëveshje e re mes Shqipërisë dhe Greqisë për shënimin e kufijve detare midis tyre duhet të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e marrëveshjes së mëparshme mes dy qeverive. Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë, nënshkruan më datën datë 27.04.2009 “Marrëveshjen Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin”, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, por kjo marrëveshje nuk u zbatua kurrë.

Ishte Partia Socialiste  në opozitë në atë kohë që i kërkoi Gjykatën Kushtetuese të shqyrtonte pajtueshmërinë e saj me Kushtetutën. Padisë ju bashkangjitën edhe Partia Social-Demokrate, Partia Demokracia Sociale, Partia Demokristiane, Partia Ligj dhe Drejtësi dhe Partia G 99. Vendimi i marrë një vit më vonë, më 15 prill të 2010 parashtronte katër argumente që rrëzonin këtë marrëveshje për papajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që ishin; 1- Mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes;2- Mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes; 3- moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm dhe 4- Mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.

Në lidhje me arsyen e tretë, Gjykata Kushtetuese e vlerësoi si të pasaktë dhe disavantazhuese për Shqipërinë përdorimin e ndarjes me parimin e vijës së mesit të sipërfaqeve detare. Ky parim nuk merr parasysh synimin për ndarjen sa më të drejtë dhe të ndershme mes palëve. Kjo sipas gjykatës do të ndodhte nëse do të merrte parasysh ndarjen e detit territorial ndërmjet brigjeve ballë për ballë, gjatësinë e bregut, formën etj. Ky parim përcaktohet edhe në Konventa ndërkombëtare si parimi i Ekitesë, i ndarjes së ndershme të sipërfaqes detare. Parimi i vijës së mesit, duke mos marrë parasysh natyrën e ishujve dhe masave shkëmbore do të sillte një humbje të detit për Shqipërinë.

Arsyeja e katërt, ka të bëjë me disa ishuj që janë shumë të vegjël dhe të pabanueshëm dhe pa jetë ekonmike. Në marrëveshjen e vitit 2009, Ishulli i Othonoit, Lazaretos, Erikuza dhe shkëmbi Barketa që janë shkëmbinj ujorë, u është dhënë e njëjta peshë si toka kontinentale e Shqipërisë dhe ndarja e vijës së mesit është përcaktuar nga këto ishuj. Jo do të bënte që kufiri i detit të vinte shumë pranë brigjeve shqiptare.  Prandaj Gjykata i është referuar zgjidhjeve të tjera ku këtyre ishujve i është dhënë peshë e pjesshme ose nuk i është dhënë peshë fare. Si pasojë marrëveshja u quajt në kundërshtim me nenet 3,4,7 dhe 92 të Kushtetutës

Diskutimet nisën sërish me ardhjen e qeverisë socialiste dhe u zbatua titulli i marrëveshjes dhe u mor plotfuqia e Presidentit, por bisedimet nuk patën asnjë fund pikërisht për shkak të kontradiktave që lindën për dy argumentet e fundit të Kushtetueses.   Në atë kohë ish-minsitri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, tha se Shqipëria kishte pranuar që Greqia të shpallte 12 milje det territorial, por kjo shpallje mund të ndodhë vetëm në 10 zona nga 150 zona kufitare mes dy vendeve. Kjo deklaratë e ish-diplomatit grek, alarmoi Turqinë, sepse nëse kjo do të përdorej dhe në delimitimin e hapësirës detare mes Turqisë dhe Greqisë, kufiri do të shkonte gati në bregdetin turk. Që atëherë, marrëveshja midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka ecur përpara.

 

4 argumentet e Gjykatës Kushtetuese që rrëzuan marrëveshjen e parë me Greqinë

 

Gjykata Kushtetuese me Vendimin 15, datë 15.4.2010, e shfuqizoi marrëveshjen duke arritur në përfundimin e mëposhtëm.

“Gjykata çmon përfundimisht se marrëveshja e lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, është e papajtueshme me Kushtetutën sa i takon çështjeve lidhur me:

  1. a) mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes;
  2. b) mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes;
  3. c) moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm;

ç) mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.”

 

 Ish-negociatori me Greqinë:  

Zgjerimi i Greqisë me 12 milje në Detin Jon nuk e prek Detin Territorial shqiptar

Anëtari i grupit negociator me Greqinë, këshilltar  i ish-ministrit të jashtëm Ditmir Bushati ,Gledin Dervishi, ka  bërë një sqarim publik dje për atë që kërkon Greqia dhe çfarë do të thotë kjo për ujërat territoriale të vendit tonë. Sipas tij, pretendimi grek për zgjerimin e mundshëm me 12 milje në Detin Jon nuk është asgjë e re për Shqipërinë.  Dervishi, përmes një postimi në rrjetet sociale, thotë se çështja e zgjerimit të gjerësisë së Detit Territorial të Greqisë “është një çështje e së drejtës ndërkombëtare dhe jo një çështje negociate mes shteteve”.Ai citon Konventën e së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982 e cila sipas tij thotë se “pavarësisht gjerësisë që ti ke me ligjin tënd, kur të negociosh do përdorësh vijën e mesit (vija me distanca të barabarta nga vijat bazë të bregdetit të dy shteteve, por kjo vijë më pas modifikohet, duke pasur parasysh edhe rrethanat e veçanta të konfigurimit të bregdetit).

Sepse ndryshimi me ligje të brendshme nuk duhet të pasohet me ndryshime të marrëveshjeve, më konkretisht Italia me Greqinë e kanë delimituar me parimin e 12 miljeve të Detit Territorial si pika ku fillon matja e Shelfit Kontinental dhe ZEE edhe pse Greqia e ka 6 milje me ligj, por kur Greqia ta ndryshoi me ligj të brendshëm të mos detyrohen më pas të ndryshojnë marrëveshjen që sapo arritën”. “Në rastin e delimitit në Detin Jon mes Shqipërisë dhe Greqisë parimi i 12 miljeve mund të aplikohet vetëm në rastet kur Deti Territorial i një shteti nuk mbivendoset me Detin Territorial të shtetit fqinj, më konkretisht kjo gjerësi aplikohet vetëm në hapësirat detare ku distancat midis dy shteteve janë mbi 24 milje detare. Distanca nga brigjet midis Shqipërisë dhe Greqia është më pak se 24 milje në të gjithë gjatësinë e Detit Territorial mes tyre, madje në Kanalin e Korfuzit ajo varion nga 1 deri në 6 milje detare.

Në këto kushte gjerësia prej 12 miljesh e Detit Territorial të dy vendeve nuk gjen zbatim për Detin Territorial, pasi këtu Konventa thotë që ndarja bëhet sipas vijës së mesit me distanca të barabarta nga bregu, por që do të modifikohet për rrethana të veçanta (vijë e drejtë bazë, gji natyror, tituj historik)”, shkruan diplomati.  Duke e shoqëruar postimin e tij me një foto të një hartë që tregon kufirin detar mes dy vendeve dhe një vijë të kuqe në mes që besohet se është kufiri që do të vihet në mes Dervishi shkruan se “’Efekti’ i 12 miljeve greke në Detin Jon në thelb nuk e prek fare Detin Territorial të Shqipërisë në Detin Jon, madje në hartën e mëposhtëme duket qartë që ky efekt shtrihet në zonën nga Antikithra në Othoni, shumë larg ujrave territoriale shqiptare, madje duket qartë që shtrihet gjeografikisht në zonën mes Palermos dhe Libisë ku distanca është me dhjetra milje mes Greqisë dhe këtyre vendeve”. /Ra.My.Fjala.al/

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit

Biden lë përfundimisht Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, la përfundimisht Shtëpinë e Bardhë, duke u nisur bashkë me...

Uashingtoni gati për inaugurimin e presidentit Trump, merren masa të forta sigurie

Gardhe metalike, pengesa prej betoni dhe pika kontrolli sigurie vazhdojnë të gjenden përgjatë trotuareve dhe rrugëve të kryeqytetit amerikan – që nga Kapitoli dhe...

Votimi elektronik jashtë Shqipërisë/ KQZ shton alarmin për dokumentet biometrike

Komisioni Qendror i Zgjedhje u është drejtuar me një letër Këshillit të Ministrave dhe partive politike, ku u kërkon shtyrje të afatit të vlefshmërisë...

Rikthehet i ftohti dhe reshjet e dëborës, çfarë ndodh me temperaturat ditën e martë

Për ditën e martë parashikohen kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme. Moti  parashikohet  me vranësira e kthjellime nga orët e mesditës kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore. Vranësirat...

Jeni me grip? Zbuloni ushqimet që duhet të shmangni dhe ato që këshillohet të hani

Gripi dhe e ftohura shuajnë çdo dëshirë të mundshme për ushqim. Këto dy sëmundje e veshin trupin me dhimbje nga koka tek këmbët. Ndonëse...

Lajme të tjera

Web TV