EKSKLUZIVE/Vendimi i SPAK-ut: Nisim hetimet për 180 çështje të reja

Edhe pse kohë pushimesh zyrtare, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), ka marrë vendimin për nisjen e hetimeve për 180 çështje të reja, përveç 200 dosjeve të mbartura nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda. Në shtator pritet të nisë punë edhe drejtuesja e BKH-së, Aida Hajna, ndërsa 60 hetuesit e rinj të kësaj strukture do të trajnohen në SHBA. Cilat janë dosjet e bujshme që po hetohen dhe të tjerat që priten. Lëvizjet e SPAK-ut që po trembin krerët e krimit të organizuar, por edhe zyrtarë dhe ish-zyrtarë, të përfshirë në afera korruptive.

Nga Elvis Myrta

Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka kaluar në sulm… Bëhet fjalë për jo pak por 180 dosje të reja hetimore me akuza të rënda për korrupsion, shpërdorim detyre apo për trafiqe të paligjshme nga grupe kriminale të cilat po shqyrtohen dhe hetohen intesivisht nga 13 prokurorët elitë të vendit. Burime nga ky institucion konfirmuan ekskluzivisht për gazetën “Fjala” se janë regjistruar 180 çështje nga nisja e punës së këtij institucioni deri më tani, të ndara për krimin e organizuar, dhe hetime të zyrtarëve të lartë shtetërorë nën dyshimin e korrupsionit. Për një pjesë të dosjeve hetimet kanë vijuar intesivisht dhe do të duhen pak muaj që të dalin konkluzionet, ndërsa të tjera janë ende në fazën e parë.

Me të drejtë dikush duhet të trembet, një zyrtar i lartë publik që ka nënshkruar tenderë të dyshimtë, apo edhe një kapo i krimit të organizuar që mund ta shohë veten me duar të lidhura. SPAK-u nuk është vetëm nën trysninë e kohës, por edhe të cilësisë së hetimit dhe, mbi të gjitha, deri ku do ta shtrijë hapin. Një bos krimi me emër, një zyrtar apo ish-zyrtar i lartë publik? Cilido qoftë ai, mbetet për t’u parë, por 13 prokurorët elitë kanë shumë punë për të bërë. Nuk kërkohet vetëm një “emër i madh”, por edhe dosje të kopsitura, hetime të thelluara profesionale. Në ndihmë sigurisht do t’i vijë BKH-ja (Byroja Kombëtare e Hetimit) e cila ka zgjedhur kreun e saj Aida Hajna, por mbetet për t’u kompletuar me të paktën 60 hetues, të cilët pas filtrit përzgjedhës do të trajnohen në SHBA.

Shenjat janë dhënë dhe ajo shifër me 180 procedime të reja është domethënëse, edhe për faktin që qytetarë, organizata të ndryshme, avokatë, apo edhe subjekte politike po i drejtohen SPAK-ut, jo vetëm për “ta provuar”, por edhe me qëllimin për të pasur drejtësi, që edhe në vendin tonë të ndihet fryma se të gjithë janë të barabartë para ligjit. Nëse shpresa, që thonë se vdes e fundit, në Shqipëri ishte thuajse e “vdekur”, nga zhgënjimi masiv për sistemin e drejtësisë, vetë struktura e SPAK-ut, në momentin që u formësua tetë muaj më parë solli një pikëz dritë. Besimi duhet përligjur me fakte dhe Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korruspionit me të drejtë është nën vëzhgim, jo për të dënuar një individ, apo shumë të tillë, por, mbi të gjitha, për rikthimin e shpresës së drejtësia po funksionon. Diçka po lëviz…

Çështjet në hetim

Sezoni i vjeshtës do të jetë vendimtar për disa dosje, proceset e të cilave janë shtyrë vazhdimisht apo hetimet e të cilave, edhe pse kanë nisur prej vitesh, nuk janë përfunduar ende nga ana e prokurorisë. Gazeta “Fjala” ka marrë në analizë dosjet më të bujshme, që gjatë këtij viti pritet t’u jepet zgjidhje. Ndër to, mund të veçohet dosja “339”, e përfolur vitet e fundit, për shkak të akuzave të opozitës, për vjedhjen e votave në qarkun e Durrësit. Një pjesë e kësaj dosjeje, tashmë ka kaluar për gjykim dhe në muajt në vijim pritet të nisë procesi gjyqësor për 24 personat e marrë si të pandehur, të akuzuar për trafik droge, në kuadër të grupit të strukturar kriminal.

Një tjetër dosje, që nuk i është dhënë zgjidhje prej më shumë se 4 vitesh, është ajo e Emiljano Shullazit dhe grupit të tij, për të cilët nuk është dhënë ende një vendim i formës së prerë. Gjithashtu, çështje e nxehtë që po kalon një kalvar gjyqësori dhe kompetencash është edhe ajo e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në fillim të korrikut, Gjykata e Posaçme e Apelit e ktheu për rishqyrtim këtë dosje, teksa rrëzoi vendimin e mëparshëm të Shkallës së Parë, që e dënoi ish-ministrin me 3,5 vite shërbim prove. Menjëherë pas vendimit të Apelit, prokurori i çështjes bëri tërheqjen e akteve, me qëllim rihetimin e tyre. Për nga emrat që peshojnë mbetet edhe dosja e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i akuzuar për fshehje të të ardhurave.

Një tjetër “patate e nxehtë”, në dorë të SPAK-ut janë edhe hetimet e koncesioneve. Më konkretisht, institucioni i akuzës ka nisur hetimet për tre tenderët e inceneratorëve të Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, pasi ka dyshime se se tenderët për këta inceneratorë janë dhënë pa garë. Gjithashtu, hetime po bëhen edhe për dhënien e tenderëve në shëndetësi. Me nisjen e sezonit të vjeshtës, një tjetër dosje për të cilën GJKKO pritet të japë vendim është edhe ajo e kapjes së 613 kg kokainë. Edhe pse kjo dosje është gjykuar me gjykim të shkurtuar, gjykata nuk ka dhënë ende një vendim.

Gjatë këtij sezoni pritet të nisë edhe procesi ndaj Domart Konjarit dhe Aurel Hoxhallarit, si dhe të jepet vendimi për Efthymious Eftimiun, i akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit. Grabitja e Rinasit është një tjetër çështje që pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Posasaçme, pasi rreth një muaj më parë prokuroria përfundoi hetimet, duke e dërguar atë në gjykatë. Në mikstin e çështjeve në hetim, duke përfshirë emra që kanë drejtuar dikastere të rëndësishme apo të tjerë të lidhur në pjesën e krimit të organizuar, ajo që po bën bujë javët e fundit ishte edhe sekuestrimi i pasurisë së Ylli Ndroqit.

Kallëzimet që u depozituan pas ngritjes së SPAK-ut

Pas ngritjes së SPAK-ut, qytetarë, parti politike, avokatë apo edhe pjesë të shoqërisë civile u drejtuan në dyert e Prokurorisë së Posaçme, duke bërë kallëzime të ndryshme, për persona të ndryshëm që, sipas tyre, kanë abuzuar, duke përfituar shuma të mëdha parash nga tenderë që, sipas kallëzuesve, janë cilësuar korruptivë. Gjatë kohës së pandemisë, Partia Demokratike bëri në SPAK dy kallëzime në një kohë të shkurtër. PD-ja bëri kallëzim ndaj ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, dhe ndaj anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të kësaj Ministrie për veprat penale: “korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”; “korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”; “shpërdorim detyre”; “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”; “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

Në kallëzimin e saj PD-ja pretendon se numri një i Ministrisë së Mbrojtjes dhe disa vartës të saj kanë abuzuar me tenderin pa garë prej 1,5 milionë eurosh të ushqimit, duke përjashtuar mijëra kompani shqiptare, dhe duke shpallur fituese në fund të marsit një kompani të huaj, e cila nuk ka pasur eksperiencë në këtë sektor. Menjëherë pas marrjes së këtij kallëzimi, SPAK-u, më 30 prill, njoftoi në faqen on line se janë duke u kryer hetime intensive për procedimin penal që ka për objekt prokurimet e zhvilluara në kushte emergjence të pandemisë së COVID-19 nga Ministria e Mbrojtjes. Gjithashtu, po në atë njoftim Prokuroria e Posaçme tha se janë duke u verifikuar edhe denoncimet publike për prokurimet e zhvilluara në kushte emergjence të pandemisë nga Ministria e Shëndetësisë, me procedurë të klasifikuar “sekret”.

Gjatë periudhës së pandemisë, PD-ja denoncoi edhe tenderë të tjerë, të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale dhe nga Ministria e Drejtësisë. SPAK-u nisi hetimet edhe për koncesionin e sterilizimit pas kallëzimit që depozitoi në këtë institucion “Nisma Thurje”. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas padisë së depozituar nga “Nisma Thurje”, regjistroi dosjen dhe nisi punën për hetimin e saj. Vetëm disa javë pas regjistrimit të kësaj dosjeje, prokurorët morën në pyetje mjekun Artan Koni, i cili ka qenë në grupin e personave që ka dorëzuar padinë. Për këtë çështje do të japin shpjegimet e tyre disa persona, mes të cilëve është edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Sipas “Nismës Thurje”, në padinë e dorëzuar në SPAK, në 23 dhjetor, për dhënien e këtij koncesioni ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, por edhe zyrtarë e ish-zyrtarë të tjerë, kanë abuzuar me taksat e qytetarëve.

Lexo edhe :  “Forca e unitetit”! Vuçiç kërkon forcimin e pozitave, nxjerr ushtrinë në paradë

Tri javë më parë, “Nisma Thurje” depozitoi në SPAK një tjetër kallëzim penal për inceneratorin e Fierit. Shoqëria civile kërkon që Prokuroria e Posaçme të hetojë koncesionin dhe zyrtarët që janë përfshirë, sipas tyre, në këtë aferë. Kallëzimi është bërë për prishje të garës, barazisë në tender, keqadministrim të pasurisë publike, falsifikim të objektit të truallit të ndërtimit, shpërdorim të buxhetit të shtetit, evazion fiskal dhe pastrim të produkteve të veprës penale, si dhe përfshirje të krimit të organizuar ndërkombëtar. Gazeta “Fjala” mësoi përmes burimeve të saj që prokurorët e posaçëm janë duke administruar të gjithë dokumentacionin për këtë kallëzim dhe, pas regjistrimit të kësaj dosjeje, SPAK-u do të nisë hetimet për inceneratorin e Fierit. Një tjetër dosje që po hetohet është edhe ajo për shembjen e Teatrit.

BOKS

Ja kush janë gjyqtarët dhe prokurorët e vënë nën hetim nga SPAK-u

Rreth tre muaj më parë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nisi hetimet për 10 ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët u shkarkuan nga vetingu, për shkak të problemeve të tyre me pasurinë. Gjyqtarët e këtyre gjykatave po hetohen nga institucioni më i ri për akuzën e fshehjes të pasurisë. Sipas SPAK-ut, nisja e hetimeve ndaj këtyre gjyqtarëve u bazua në kallëzimin penal kundër disa subjekteve, ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Hetimet për gjyqtarët nisën pas kallëzimit të avokatit Fran Dashi. Ndërkohë për 10 subjekte, me funksion ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, në Prokurorinë e Posaçme është regjistruar procedimi penal nr. 137/2020, për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal.

Njerëzit e drejtësisë që u kallëzuan në SPAK

-Bashkim Dedja, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese – po hetohet nga SPAK-u;

-Fatmir Lushi, ish-prokuror në Prokurorinë e Elbasanit;

-Tom Ndreca, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë – po hetohet nga SPAK-u;

-Luan Dervishi, ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër;

-Shkëlzen Selimi, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë – po hetohet nga SPAK-u;

-Gani Dizdari, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese – po hetohet nga SPAK-u;

-Edmond Islamaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë – po hetohet nga SPAK-u;

-Guxim Zenelaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë – po hetohet nga SPAK-u;

-Marina Rraboshta, ish-gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër;

-Besnik Imeraj, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese – po hetohet nga SPAK-u;

-Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë – po hetohet nga SPAK-u;

-Petrit Fusha, ish-drejtues i Prokurorisë Tiranë;

-Besnik Cani, ish-drejtues i Prokurorisë Elbasan;

-Besim Trezhnjeva, ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës;

-Arjan Balliu, ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës;

-Ferdinad Elezi, ish-drejtues i Prokurorisë së Apelit Durrës;

-Ema Gashi, ish-gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Durrës;

-Besa Nikëhasani, ish-drejtuese e Prokurorisë së Apelit Shkodër.

 

Disa nga dosjet më të bujshme

 

Dosja “Tahiri”

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pritet të përballet edhe një herë me gjyqësorin në shkallë të parë, pasi Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi shqyrtimin e çështjes me themel. Tahiri akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, grup i strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale në kuadër të grupit kriminal.

Dosja “Llalla”

Një tjetër dosje që përpara sezonit të pushimeve u rikthye për plotësim hetimesh, është edhe ajo e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i vënë nën akuzë për fshehje të ardhurash.

 

Dosja e “inceneratorëve”

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetimin për inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit. Mësohet se hetimet po kryen nga prokurori Dritan Prençi për shkelje të barazisë në tenderë. Sipas informacioneve që gazeta “Fjala” ka siguruar, mësohet si institucioni i akuzës ka çuar shkresa në disa institucione, në QKB, si dhe do të merret një raport nga KLSH-ja. Në fillim të shtatorit pritet të merren në pyetje edhe personat e përfshirë në dhënien e tenderëve.

Tenderët në shëndetësi

Por hetimet janë thelluar edhe për koncesionet në shëndetësi. Burime bëjnë me dije se për këto hetime janë sekuestruar shumë dokumente, por edhe janë marrë në pyetje shumë njerëz. Në SPAK janë tri padi për koncesionet në shëndetësi dhe, më konkretisht, për koncesionin e sterilizimit, dializës dhe Check-Up. Për të tria këto padi, janë kryer hetime intensive. Ndërsa gjatë kësaj kohe është bërë llogaritja e fitimeve për secilin koncesion.

Sekuestrimi i pasurisë së Ylli Ndroqit

Hetimet për sekuestrimin e pasurisë së Ndroqit nisën më 21 korrik 2020 dhe më pas GJKKO-ja, mori vendimin për sekuestrimin e të gjitha pronave të biznesmenit Ylli Ndroqi, përfshirë edhe dy televizione, “Ora” dhe “Ora neës”.

Dosja “Shullazi”

Emiljano Shullazi dhe anëtarët e tjerë të grupit të tij u dënuan në nëntor të 2018 me 55 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Pas 50 seancash gjykata dënoi me 14 vite burg Emiljanon Shullazin, i konsideruar si kreu i këtij grupi kriminal. Shullazi u dënua për akuzën e gjobëvënies dhe atë të krijimit të grupit të strukturuar kriminal. Ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzat e kanosjes ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni, si dhe për shkatërrimin e pronës në rastet e vënies së tritolit në garazhin e Jani Zekës dhe biznesit të Adriatik Kërçykut. Edhe pse kanë kaluar gati dy vjet nga dhënia e këtij vendimi, kjo dosje nuk është çelur ende në Apel.

“Dosja 339”

Gjatë këtij sezoni në Gjykatën e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të nisë edhe procesi për dosjen e shumëpërfolur 339. Të pandehur në këtë dosje janë marrë 25 persona, të akuzuar për prodhim dhe trafik droge në bashkëpunim, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

 

Grabitja e Rinasit

Një tjetër dosje e bujshme që do të shqyrtohet nga GJKKO-ja këtë vit është edhe grabitja e bujshme e Rinasit, ku u vodhën rreth 6 milionë euro. Për këtë çështje të pandehur janë marrë: Klement Çela, Eldi Çela, Oltjan Veseli, Saimir Çela, Eltjon Pikli, Renaldo Sula, Talo Çela, Alkond Bengasi. Ata akuzohen për “Vjedhje me armë”, “Mbajtja pa lejë dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, “falsifikimi i dokumenteve” më shumë se një herë.

 

Dosja ndaj Domart Konjarit

GJKKO-ja në vjeshtë do të vendosë edhe për Domart Konjarin. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi për të dënimin me 15 vite burg. Në vendin tonë ai akuzohet për “falsifikim dokumentash dhe korrupsion”. Njëkohësisht Konjari kërkohet edhe nga drejtësia e Francës, ku po hetohet për “trafik ndërkombëtar droge” dhe “krijimin e organizatave kriminale”. Ai është në arrati prej më shumë se 4 vitesh dhe është hetuar e gjykuar në mungesë nga prokuroria shqiptare.

Ethimious Efthimiou

Zgjidhje pritet të marrë edhe çështja e vrasjes së Devi Kasmit. Disa muaj më parë SPAK-u i kërkoi gjykatës dënimin me burg për jetë për grekun Ethimious Efthimiou, i akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit. Ai akuzohet për 6 vepra penale, mes të cilave “Vrasje me paramendim për interes”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit kriminal, për armëmbajtje, prodhim droge e “Grup i strukturuar kriminal”. Sipas organit të akuzës, hetimet zbuluan se Ethimious Efthimiou e kreu vrasjen e Kasmit në këmbim të një shpërblimi dhe i porositur nga një grup kriminal.  /Ra.My.Fjala.al/