NGA ROLAND QAFOKU
Nëse Enrico Tellini nuk do të ishte vrarë, kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë do të ishte matanë Janinës. Por ajo e hënë e 27 gushtit të vitit 1923 ishte fatale jo vetëm për jetën e gjeneralit italian me detyrë kryetar i Komisionit Ndërkombëtar Kufipërcaktues mes Shqipërisë dhe Greqisë, por edhe për fatet e Shqipërisë. Gazeta “Fjala” sjell sot të plotë ngjarjen e ndodhur 97 vjet më parë të marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar, 1912-2017”. Në një pusi nga një bandë prej 7 burrash të armatosur, gjenerali italian u vra bashkë me 4 personat e tjerë që ishin në makinë me të.
SKENA E VRASJES
Skorta me dy makina, me gjeneral Tellini-n po lëviznin nga Janina në Kakavijë, kur rrugën ia kishin zënë disa pemë të rrëzuara. Me ta nuk ishte makina me përfaqësuesit grekë, e cila nuk e vijoi udhëtimin pas një defekti. Sapo shoferi, Reniggo Farneti, dhe përkthyesi shqiptar, Thanas Kraveri, dolën për të hequr pemët nga rruga, pjesëtarët e një bande hapën zjarr, duke i lënë të vdekur në vend që të dy. Batareja e pushkëve u drejtua edhe ndaj personave që ndodheshin në makinë. Mjeku, Luiggi Corti, ishte personi i tretë që mbeti i vrarë. Pas tij u plagos adjutanti Mario Bonacini që, falë një manovre, arriti të futej poshtë makinës. Në këtë moment, gjeneral Tellini u përpoq të largohej nga makina, duke vrapuar dhe qëlluar njëkohësisht me pistoletë ndaj pjesëtarëve të bandës. Por arriti të bënte vetëm disa hapa drejt pyllit, sepse shënjestra kryesore e banditëve mbeti i vrarë në vend.
SI U ORGANIZUA VRASJA
Fshatrat Pobickë dhe Radat në Leksovik i përfshiu brenda kufirit të Shqipërisë. Fshatrat Peshkëpi, Rrëzë e Zezë dhe Kakavijë i përfshiu brenda kufirit të Shqipërisë. Punonte me ritëm të lartë në mënyrë që të përfundonte me shpejtësi. Dhe kur Enrico Tellini po bëhej gati të përfshinte vijën e kufirit të Shqipërisë deri në Kallama dhe të gjithë Çamërinë Veriore, duke përfshirë edhe Janinën me rrethinat e saj, kishte vetëm një mënyrë që qarqet greke ta ndalonin: Duke e eliminuar fizikisht. Kjo situatë pasqyrohej qartë në gazetat e kohës. “Tiranë. 6 Shtator 1923, Përfaqësuesit tonë në Paris, Londër, Romë e Gjenevë na njoftojnë: Veprimi i fundit i drejtë i Gjeneral Tellinit ndaj Shqipnisë, i dhanun prej Tij, me 2 Gusht, ku, vendosi që banjot e Vromonerit t’i mbesin Shqipnisë, janë shkaku i vrasjes së Tij… Se sa ishte masa e shqetësimit të gjeneral Tellini-t kuptohet nga një raport i tij i dërguar në Lidhjen e Kombeve për punën e kryer deri në ato moment: “Ky delegacion, nuk më jep besim për një bashkëpunim të sinqertë. Delegacioni kërkon me të gjitha mjetet dhe pretekstet për t’u larguar… Autoritetet dhe trupat greke nxjerrin pengesa nga më të ndryshmet”. (Zaho Golemi & Angjelo Kazo, gazeta Illyria, 28 gusht 2014).
Pakënaqësia e Greqisë nisi që kur Lidhja e Kombeve pas Konferencës së Paqes në Paris, e emëroi Tellini-n kryetar të Komisionit Ndërkombëtar të Kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pas pakënaqësisë me fjalë dhe mimikë, grekët ua lanë vendin veprimeve konkrete. Vetëm pak ditë pasi mori detyrën, gazeta “Dielli” shkruante se 50 ushtarë grekë të lënë qëllimisht në Korçë si “të sëmurë”, hynë përdhunshëm në ndërtesën e Komisionit, për të trembur gjeneral Enriko Tellinin dhe ta detyronin që Korçën ta kalonte brenda kufirit të shtetit grek. (gazeta Illyria). Sipas një raporti të konsullatës italiane në Janinë, gjatë një diskutimi në një moment irritimi, përfaqësuesi grek kishte thënë se, “Gjeneral Telini duhet vrarë…”. Këtë frazë ky kolonel e ka përsëritur edhe publikisht në një lokal, ajo çka do të ndodhte në të vërtetë.
KUSH E VRAU GJENERAL TELLINI-N?
Përfaqësues shqiptarë pranë Komisionit Ndërkombëtar dhe përfaqësuesi i qeverisë shqiptare pranë grupit hetimor, Mehdi Frashëri, është i vetmi person i kohës që na i jep vrasësit me emër. Madje, ai jep detaje edhe për përgatitjet që bënë autoritetet greke që kjo vrasje të dukej sikur e kishin bërë shqiptarët. Por, në fakt, e kishin bërë grekët. Frashëri jep një version mjaft interesant se si shteti grek manipuloi kriminelët për të thënë se vrasja e Tellini-t u bë prej shqiptarëve. Sipas Mehdi Frashërit, krimineli grek Koço Memo, i ardhur në Shqipëri, u burgos në burgun e Gjirokastrës për vrasjen e shërbëtorit të Myfit bej Libohovës. Në fakt, krimineli donte të vriste Myfit Libohovën nga ana e jashtme e murit të sarajeve të tij, por e ngatërroi me shërbëtorin. Dy shtytësit në këtë vrasje të ngatërruar, ministri i Luftës, Ismail Tatzati, dhe qarkkomandant i Xhandarmërisë, Ahmet Selenica, organizuan edhe arratisjen e Koço Memos nga burgu. Por këtu historia bëhet edhe më e ngatërruar dhe intriguese. Pas arratisjes, strehuesit e rinj të Koço Memos ishin pjesëtarë të familjes Karagjozati, të cilët i kërkuan Memos të vriste hasmin e saj, Boço Kalon.
“Grekët, me anën e katundarëve grekë të Gjirokastrës, kishin dijeni të plotë për këto ngjarje dhe menduan ta falnin Koço Memon, ta mësonin mirë e mirë dhe ta nxirrnin dëshmitar përpara Komisionit Ndërkombëtar, të cilëve do t’u kallëzonin përgatitjen e shqiptarëve për të vrarë Boço Kalon, me ndryshimin që në vend të emrit Boço Kalo do të thoshte emrin e gjeneral Tellinit”. (Frashëri Mehdi, Kujtime 1913-1933, f. 163). Këtu nisi dhe mori jetë zbatimi i planit për ekzekutimin e Tellini-t. Mehdi Frashëri tregon se autorë të kësaj vrasjeje ishte një bandë me 5-6 vetë dhe bashkë me ta edhe një kriminel nga Nivica, që u kap rastësisht në Sarandë i armatosur. Në raportin që Frashëri i dërgoi në frëngjishte komisionit hetimor shkruan: “Nga ndjekjet e xhandarmërisë shokët grekë të bandës kishin hyrë përsëri në Greqi dhe nivicioti kishte mbetur në Shqipëri, ku u zu i armatosur. Sipas Kolë Tromarës, kjo bandë greke kishte qenë vrasësi i gjeneral Tellini-t dhe pas vrasjes kishte kaluar kufirin e Shqipërisë për të përgatitur prova kundër shqiptarëve”.
EKSPERIMENTI TELLINI
Eksperimenti ishte në modë në kohën e Tellinit. Gjenerali italian u ndesh me shumë pengesa dhe mosmarrëveshjeje me grekët për pretendimet e tyre territoriale ndaj Shqipërisë. Nisur nga kjo, ai bëri një eksperiment që do të kthehej në legjendë. I hidhte karamele një turme fëmijësh dhe aty dëgjonte se çfarë gjuhe flisnin kur ziheshin për t’i kapur. Të gjithë flisnin shqip. Kaq i mjaftonte italianit dhe vendoste kufirin duke e lënë këtë fshat brenda territorit shqiptar. Kjo i zemëroi grekët pa masë dhe pati shumë incidente me anëtarët e komisionit.
HETIMI I DËSHTUAR
Në vitin e largët 1923 teknikat e hetimit për të zbuluar një ngjarje të rëndë nuk lidheshin shumë me shkencën, por me intuitën. Kjo i shkon më shumë eksperimentit që bëri kryetari i grupit hetimor, koloneli japonez, Shibo. Me të mbërritur në vendin ku u ekzekutua Tellini, japonezi nxori pistoletën dhe qëlloi dy herë në ajër. Menjëherë një grup ushtarësh grekë që gjendeshin afër vendit të ngjarjes mbërriti për pak minuta dhe rrethuan të gjithë anëtarët e komisionit hetimor. Në këtë moment koleneli japonez nxori nga goja thënien lapidare: “Hetimi mbaroi. Kur krismat e dy të shtënave revolveri u dëgjuan nga ushtarët, si është e mundur që qindra të shtëna pushkësh nuk u dëgjuan prej tyre ?!”.
E ndërsa nuk ka dyshime që grekët e vranë, ne shqiptarët nuk i kemi dhënë atë nder që duhet gjeneralit italian. Një shtatore që u ngrit në vitin 1933, me autor Odhise Paskalin, u prish në vitet e para që komunistët erdhën në pushtet. Për të kuptuar dashurinë dhe respektin e tij për shqiptarët, por edhe mungesën e nderimit ndaj tij, mjafton të lexojmë këto radhë të shkruara nga vetë gjeneral Tellini. “I dua dhe i nderoj shqiptarët, sepse janë zemërbardhë dhe trima. Mjerisht, ata po vuajnë keqbërësitë e fqinjëve. Do të përpiqem t’ua pakësoj mundimet dhe t’ua lehtësoj dhimbjet kombëtare, që shqiptarët të jetojnë të lirë si kombet e tjera”. (Zaho Golemi & Angjelo Kazo, gazeta Illyria, 28 gusht 2014). Kështu u vra një italian që luftoi aq shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët, por që për shkak të kësaj mbeti i vrarë nga grekët.
VIKTIMA: ENRICO TELLINI
VIKTIMA TË TJERA NË KËTË NGJARJE: Luiggi Corti, mjek italian me gradën major; Mario Bonacini, adjutant i Tellini-t me gradën toger; Reniggo Farneti, shoferi italian; Thanas Kraveri, përkthyesi shqiptar.
POZITA E VIKTIMËS NË MOMENTIN E VRASJES: Kryetar i Komisionit Ndërkombëtar Kufipërcaktues mes Shqipërisë dhe Greqisë me gradën gjeneral brigade. I diplomuar në Akademinë Ushtarake të Torinos, Itali.
POZITAT E TJERA TË VIKTIMËS PËRPARA VRASJES: Komandant divizioni, komandant brigade, atashe ushtarak i Italisë në Austri.
DATËLINDJA: 25 gusht 1871, Castelnuovo, Toskanë, Itali.
KOHA E VRASJES: E hënë, 27 gusht 1923, ora 08:45.
MOSHA E VIKTIMËS: 57 vjeç e 2 ditë.
VENDI I VRASJES: Delvinaq, Zhepë, Greqi.
MOTIVI I VRASJES: Për të penguar vendosjen e kufirit mes Greqisë dhe Shqipërisë në favor të Shqipërisë.
PASOJA E VRASJES: Italia pushtoi ishullin e Korfuzit.
DËSHMI dhe DEKLARATA
Fan Noli, deputet
“Në këtë mes vritet Gjeneral Tellini, turbullohet tërë atmosfera e Ballkanit, ç’patën? Ngatërrime në kufi të Veriut, Vermoshi e Shën Nauni ndodhën në rrezik, po ministri ynë, nuk e prish qetësinë e vakancave me këto gjëra të vogla. Dhe, që ardhi i detyrohet Ahmet Zogut, i cili i dërgoi tetë telegrame që ta shqiste nga Bukureshti e ta sillte këtu për ditën e votës së besimit, me qenë, që votat e Partisë Popullore u pakësuan pas ikjes së kryetarit të Partisë Popullore me shokë”. (Shkrim me titull “Sigurimi i lirisë së votimit” në gazetën “Ora e maleve”, numri i datës më 13 tetor 1923).
Dhimitër Berati, prefekt i Korçës
“Ushtarak i vërtetë në sjellje e në fjalë. Burrë pa frikë e pa léqe (lak, kurth, çark – I. D. Hoxha); njeri me kuptim të thellë, me mendime të kthjellëta e zemër bujare; njeri me kuptim të thellë, që dinte të shikonte larg dhe ta ndante menjëherë të mirën nga e liga… Ishte shtënë me gjithë zemër pas punës së caktimit të kufirit; e kryente këtë si një detyrë të çmuar…Në ka të huaj që të ketë derdhur gjakun për të mirën e kombit shqiptar. Gjeneral Enrico Tellini ishte dhe mbetet në rreshtin e parë…” /Ra.My.Fjala.al/