Nga Uvil Zajmi
Do të bëhej një notar apo vozitës i shkëlqyer, rekordmen ndoshta, por jeta, karriera, fati do ti ndryshonte krejt papritur, për ta bërë një futbollist të shkëlqyer, një ndër talentet më të veçantë që ka zbuluar futbollit shqiptar. Nga Shkëndija tek Luftëtari, pastaj Sëlltik dhe në fund “Dosja MG”. Shkëndijasi i parë në Kombëtaren e Lym Allës, ofertat e padëgjuara unike për historinë e një transferimi, letrat anonime dhe “hakmarrja” pa kufi e Dinamos. Çfarë bën sot “Bekenbaueri” shqiptar, ai që ideoi stilin modern të lojës së mbrojtësit të lirë në vitet 70-të, një produkt autentik i Mjeshtërisë së famshme të trajnerit Zyber Konçi?
Kandidat Mjeshtër si notar e vizitës
I lindur në Sarandë, në nëntor të vitit 1951, në një qytet detar, në një familje modeste të prindërve të pesë fëmijëve, 3 djem e dy vajza. Dikur i ati kishte luajtur futboll në kohën e Italisë dhe asgjë më shumë. Jetonin në kushte ekonomike si gjithë shqiptarët, në një qytet në të cilin peshkimi ishte primar, ndërsa noti dhe një top në një fushë futbolli mbetej sheshi ku mund të argëtoheshin fëmijët. Milto Gurma shquhet si një djalë dinamik, për të cilin uji, deti, noti, janë të parat kontakte që i ofroi qyteti i lindjes, ndërsa futbolli shumë pak në ato fillime. Por do të ishte kjo disiplinë që do ta joshte për ti dhënë një karrierë të veçantë, për ta bërë futbollistin, ndër më të talentuarit e spikaturit në vitet 70-të. Sidoqoftë ende pa bërë 14 vjeç ai është kandidat për Mjeshtër Sporti në kanotazh, vozitje, hedhje pangalli, madje edhe në 50 m, 200 e 400m stil i lirë.
Ardhja në Tiranë
Viti 1968. Ashtu si nga e gjithë Shqipëria, edhe Milto Gurma ka ardhur në Tiranë dhe është testuar, por trajneri Zyber Konçi mjaft intuinitiv, e ka regjistruar në Shkollën e Mjeshtërisë Sportive të sapohapur. Madje është në grupin historik të saj. Në janarin e atij viti ndër 20 djemtë që u morën dhe krijuan të parën skuadër futbolli të një shkolle në Shqipëri, me emrin simbolik “Shkëndija”. U bë shumë e famshme në vitet që vijuan… Ata ishin: A. Hoxha, V. Ajazi, Sh. Kurti, B. Hushi, M.Gurma, A. Medja, P. Gjonaj, F. Kosova, L. Curi, L. Tagani, E. Zalla, A. Bulku, Gj. Ballsho, A. Sula, V. Zëri, M. Spahiu, B. Tufa, A. Arkaxhiu, Xh. Puka, L. Malaj.
Tek Shkëndija, Zyber Konçi vendimtar
Askush nuk i ka njohur ata të rinj 16-vjeçarë në ato ditë kur të ardhur nga i gjithë vendi i janë nënshtruar stërvitjeve intensive të Zyber Konçit. Milto Gurma ka tipare të një atleti, me një vrapim të bukur dhe elegant dhe një kapacitet vital aerobik: mbi 4000 metra vrapim në testin Kuper, mushkëri e frymëmarrje notari. Dhe Zyber Konçi do të jetë strategu, zbuluesi, pedagogu. Gurma i dedikon gjithçka atij, duke filluar nga testi i parë në janarin e 68-tës, edhe deri në momentet delikate të karrierës së tij shumë vite me vonë.
Gurma traj Butr GazDebutimi, goli i parë
Historia e Shkëndijës fillon me pjesëmarrjen në kampionatin e të rinjve ku shpallet kampion, pastaj vend i parë në Kategorinë e Dytë dhe menjëherë debutimi në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Parë, sezoni 1971-72. Gurma kujton sot se kur ishte vetëm 20-të vjeç ka mbuluar Panajot Panon në takimin e paharruar Shkëndija-Partizani 2-1 në tetor të 71-shit në Qemal Stafa (Sulo, Fagu). Asokohe Partizani kishte 9 lojtarë në kombëtare… Nuk shquhet se ka shënuar gola, por të parin me Shkëndijën e ka realizuar në Elbasan në Kategorinëë e Parë. Takimi luhej të premten, Labinoti-Shkëndija 1-2. Ishte ndeshja kur Konçi i bërtiste “mos e kalo mesfushën”, por kur Gurma realizoi golin edhe ai nuk foli më.
Nga stoper në… qëndërmbrojtës
Edhe për Gurmën polivalent, rolet dhe pozicionet kanë ndryshuar: E ka filluar si stoper me të rinjtë, madje në ndeshjen Partizani- Shkëndija ka mbuluar Artur Krantjen, një ndër talentet më të mëdha të kohës. Por luan edhe si qendërmbrojtës (mbrojtës i lirë) e në mjaft moment dhe ndeshje aktivizohet dhe si mesfushor i avancuar. Ka një pjekuri, luan pa frikë dhe bashkë me Gjonin në qëndër, Curin e Kurtin në krahë krijojnë një linjë mbrojtje solide, interesante, moderne për kohën. Madje rivaliteti për shirtin e skuadrës tek Shkëndija njihet si një nga dilemat e mëdha të Zyber Konçit, i cili i alternonte në këtë rol herë Gjonin dhe herë Gurmën.
Në Kupën Ballkanike
Pas Kupës së Kampioneve dhe Kupës së Kupave, Kupa Ballkanike për klubet shqiptare ishte një turne shumë komod për kohën në të cilën luanin skuadrat e renditura pas vendit të dytë. FSHF-ja, duke parë se Shkëndija demonstronte një futboll modern dhe bashkëkohor, me lojtarë të talentuar dhe imporovizues, pas një prezantimi tejet surprizë në sezonin 71-72 në Kategorinë e parë, e cakton të prezantojë Shqipërinë në edicionin e vitit 1972 në Kupën Ballkanike. Në grup bashkë me Shkëndinë janë Kavalla e Greqisë dhe Vardari i Shkupit. 2-1 fiton në Tiranë me Kavallën (golat Sulo e Fagu), humbet 2-0 në Greqi, ndërsa barazon 1-1 dhe mundet 1-2 në Shkup (Zëri atutor i golave). Milto Gurma është kapiteni i skuadrës që prezantohet mirë, por pa mundur të kualifikohet për në finale.
Akuza për modën, shfaqen letrat anonime
Duhet ta kishte filluar me Shpresën, por debutimi europian për Milto Gurmën ka qenë i menjëhershëm dhe cilësor, pasi e nis si titullar në Kombëtare në takimet zyrtare të saj në fillim të viteve 70-të. Por dhe me Partizanin, që e merr si përforcim në Kupën Ballkanike në vitin 1973 kundër Larisës. Luan në Tiranë, por nuk shkon në Greqi: I shfaqet biografia… Ndonëse ka qenë në Rumani, Turqi, Shkup e Kavalla, ai sërish nuk lejohet. Ndaj tij kanë vërshuar letrat anonime të cilat e godasin pa mëshirë atë dhe karrierën. E kritikojnë se pëlqen botën perëndimore dhe imiton të huajt: “Ka tendeca për të ndjekur modën, mban flokë të gjata e baseta dhe vishet me të zeza” – shkruhej në letrat pa emër për të. Por, si tek Shkëndija edhe tek brezi dhe sportistët e atyre viteve pasioni për një emancipim dhe preferenca perëndimore reflektohej kudo e nga të gjithë.
Deklarata dhe “hakmarrja” pa kufi
Viti 1973… Grupi i parë i “Shkëndijës” ka përfunduar ciklin tre-vjeçar të ILKF-së dhe lojtarët do të largohen për të luajtur me klubet e qyteteve nga kanë ardhur. Të gjithë sistemohen dhe bashkë me ta edhe Gurma pret emërimin, për të cilin janë të interesuar veçanërisht Partizani dhe Dinamo. Madje nën influencën e Beqir Ballukut dhe Dumes, emërimi i ishtë bërë në Shkollën e Bashkuar si pedagog. Ndërkohë para se të mbarojë Mjeshtërinë, Gurma ka bërë një deklaratë “se dëshiron të qëndrojë te Partizani” duke refuzuar kështu Dinamon. Por kjo e fundit ndërmjet Ministrisë së Brendshme ndërhyn tek Thoma Deliana, në atë kohë Ministër i Arsimit dhe dokumentat e Gurmës, tërhiqen e mbahen qëllimisht në këtë dikaster duke penguar e shtyrë pa motiv që dosja të shkojë në Ministrinë e Mbrojtjes.
Pedagog e futbollist
Ka kaluar vetëm pak kohë, kur i ka ardhur njoftimi dhe emërimi surprizë: Pedagog në Shkollën e Mjeshtrisë që varej nga Ministria e Arsimit. Pra, as te Partizani, as te Dinamo, as në Sarandë, as në Shkollën e Bashkuar. Në Tiranë, por tek Mjeshtëria, ku qëndroi 1 vit pedagog e futbollist njëkohësisht. Gjatë javës stërviste lojtarë si H. Lika, A. Kola, T. Eksarko etj, që sapo kishin ardhur në shkollë ndërsa të shtunën si kapiten luante me Shkëndijën ku ishin edhe Luarasi, Metani, Starova, A. Hafizi, M. Fagu, etj. Emërimi si pedagog i dhënë nga Ministria e Arsimit e kushtëzuar nga ajo e Brendshme ishte motivi për të shtyrë e mbajtur nën presion kalimin te Partizani. I qetë dhe në pritje ai ende nuk kishte kuptuar asgjë, lidhur me një “hakmarrje” që sapo ka filluar, e që do ta ndjekë deri në fund të karrierës.
Dredhia e Partizanit
Kur ishte pedagog tek Mjeshtëria, Partizani tentoi të përdorte një dredhi: Është koha e qarkullimit të kuadrit, një iniciativë partiake e kohës dhe drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes ndërhynë për ta qarkulluar Gurmën me qëllim që ta kishin më të lehtë për ta marrë. Kërkuan dhe tentuan që dokumentat të shkonin në Sarandë, pastaj ta merrnin. Në atë vit, një delegacion i klubit me zv.Shefin Mikle Janku dhe trajnerin Kolec Kraja nisen për Sarandë, për të diskutuar me vetë Gurmën dhe Komitetin e Partisë së Rrethit, pasi klubi Butrinti nuk pytej për këtë rast. Bisedimet nuk patën fund pozitv, kishte lëkundje nga të gjitha palët dhe tentativa dështoi.
Gurma sot me Sejd GazZborri 6 mujor në Gjirokastër
Ka qenë i detyruar të kryejë zborrin ushtarak tashmë 6 mujor post universitar dhe e kanë caktuar në Gjirokastër, ku edhe edhe mund të luajë me klubin Luftëtari gjatë kësaj periudhe. Dokumentet janë në Sarandë dhe në “betëjën” kush ta marrë, gjirokastritët tregohen më të zgjuar. Nisur nga fati që solli në këtë qytet një lojtar kalibri, dëshira për të luajtur në Gjirokastër një yll si ai, duke shfrytëzuar edhe “urdhërin” e Ministrisë së Brendshme, fillojnë tentativat, bisedimet me Sarandën që ka dhe ruan me fanatizëm “Dosjen MG”. Për ta përdorur më vonë si mall tregu e shkëmbimi.
Grupet armiqsore ushtarake
Pikërisht në kohën kur shpresonte që mund të transferohej përfundimisht te Partizani, vjen goditja e madhe ushtarake: zbulohen “grupet” armiqësore dhe situata rëndohet në disfavour të Gurmës. Nuk ka kush të interesohet, asnjë nuk ka kurajën të hapë letrat dhe çështja e tij, pra kalimi te Partizani vjen duke u zbehur. Partizani ndonëse kishte ndërmjetësuar që zborrin ta kryente në Gjirokastër për ta patur më të lehtë ti tërheqë pas përfundimit të tij, tani i lë gjërat disi pezull… Ndryshimi i pamenduar dhe i papritur i situatave politike bëjnë që dokumentet shkojnë në Sarandë, qytetin e lindjes, ndërkohë që ka interesim tashmë nga Luftëtari që ai të qëndrojë në Gjirokastër.
Komiteti: Ne Milton, ju asfalt për Muzinën
I tillë ka qenë mentaliteti i kohës, që kur e dëgjon sot mbetesh i habitur. Nuk kishte transferime klasike, shumë lëvizje kushtëzoheshin nga drejtues e pushtetarë, por ky i Gurmës është unik dhe i padëgjuar. Duke qenë se Kryetari i Komitetit të Partisë në Sarandë ishte me origjinë gjirokastrite dhe duke shfrytëzuar situatën si dhe “dëshirën” për ta mbajtur dosjen që ajo të mos shkonte në Tiranë tek Partizani, nën presionin e vazhdueshëm edhe të Luftëtarit, ai i bën propozimin-ofertë tejet origjinal dhe fantastik Komitetit të Partisë së Gjirokastrës: “Na shtroni me asfalt rrugën dhe Qafën e Muzinës që t’ju japim Milto Gurmën”. Pas këtij “shkëmbimi” përcaktohet dhe merr drejtim karriera e tij: Tashmë ai është futbollist i Luftëtarit.
Në Gjirokastër, pesë sezone
Me Luftëtarin ka luajtur pesë sezone, 1974-1979. Aty gjen Bahri Ishkën trajner që e aktivizoi thuajse në të gjitha rolet, mesfushë, mbrojtje, kudo… Por aty ka edhe Brahon, Kallucin, Currin, Bonin, Seitin, Kasmin. I dhanë shtëpi, filloi punë në arsim dhe për Gurmën, Nedin Hoxha e Jani Boshnjaku janë të paharruar, pasi e kanë përkrahur maksimalisht dhe u është shumë mirënjohës. Pastaj publiku, tifozët, kanë qenë ata për të cilët ka luajtur me mish e shpirt. Kujton një moment shumë prekës: Ishte I dëmtuar, qëndronte i shtruar në spital, kur i thonë “vetëm dil e qëndro në stadium edhe pse nuk luan”. Ka qenë në fushë i rikuperuar, por jo plotësisht, kur për Luftëtarin ndaj Tomorit është dhënë një penallti. Nuk e gjuajti askush, i kërkuan dhe pritën që ta godiste ai. Me një këmbë ka goditur nga pika e bardhë duke realizuar. Kur ishte me Luftëtarin fitonte gjithmonë në anketën e 11-shit më të mirë të skuadrës së vitit.
Me Selltikun, shansi i fundit
Qershor 1979. Është viti kur tejet i mërzitur dhe në pritje të një transferimi, si tentativë e fundit për tek Partizani, largohet nga Gjirokastra e kthehet në Sarandë. Është 28 vjeç. Ndërkohë, Partizani që stërvitet nga Birçe-Pano ndodhej në Pogradec duke u përgatitur për sfidën ndaj Sëlltikut në Kupën e Kampioneve. Djali i Enver Hoxhës, duke qenë atje me pushime, takohet me drejtues të klubit të cilët i thonë për çështjen Gurma. Bashkë me interesimin e tij që dokumentet të shkojnë në Tiranë, Partizani luan kartën e përforcimit duke e thirrur Gurmën në grumbullim si lojtar formacioni ndaj skocezëve. Zyber Konçi, asokohe Kryetar i FSHF-së, kërkon ti vijnë dokumentat në Tiranë si kusht i domosdoshëm, pasi një veprim i tillë jepte mundësinë për ta federuar me Partizanin, sepse pa të nuk mund të luaje ndaj Sëlltikut. Ndonëse Gurma vazhdonte stërvitjen me Partizanin, dosja qëndronte në heshtje e mbuluar me pluhur dhe harresë në një zyrë diku në një qytete në jug të Shqipërisë dhe vetëm pak orë para takimit me Sëlltikun, ndërsa skuadra udhëton për në Tiranë, Gurma tashmë i pashpresë braktis grumbullimin dhe kthehet tek Luftëtari.
Kur Partizani ofroi 6 lojtarë
Kishte përfunduar qëndrimi dhe kishte mbyllur ciklin gjirokastrit me Luftëtarin. Gurma ishte kthyer në Sarandë dhe drejtuesit e Partizanit ndërhynë sërish duke i propozuar Komitetit të Partisë të Rrethit Sarandë një ofertë gati të pabesueshme: Na jepni Milton, t’ju japim 6 lojtarë ushtarë për skuadrën e Butrintit. Por përgjigja ishte e thatë, madje më shumë se heshjte, pas të cilës shpresat humbën përgjithmonë dhe “Dosja MG” nuk erdhi kurrë në Tiranë, e bashkë me Milton qëndroi dhe mbeti përfundimisht në Sarandë, ku janë edhe sot. Transferimi te Partizani nuk u krye për të mos u realizuar asnjëherë duke shuar përgjithmonë ëndrrën që mbeti vetëm e tillë. Ky ishte rasti i dytë i dështimit. “Hakmarrja” kishte qenë e gjatë dhe pa mëshirë, gjithmonë pas ndërhyrjes në heshtje të Dinamos, që nuk ja falte refuzimin.
Porta e madhe e Myslym Allës
Eshtë lojtari i parë i Shkëndijës që ka luajtur me Kombëtaren. Ka qenë meritë e Myslym Allës, trajner ato vite që e afroi, i besoi madje duke e aktivizuar në skuadër. Në Rumani, ndaj skuadrës vendase ka shtangur kur Pano i ka thënë: “Përgatitu se do jesh në formacion”. Imitonte Bekenbauerin, Netzerin lojën e të cilëve e ndiqte, e studionte me kujdes dhe vemendje në çdo detaj. I shihte me adhurim e pasion, i pëlqente stili nobël i tyre, të cilin tentoi ta demonstronte më së miri në fushat shqiptare. Nuk e harron momentin kur i ka parë në “Qemal Stafa” në takimin Shqipëri-Gjermani në shkurtin e 71-shit. Nuk pati asnjëherë fatin ti takojë e të luajë kundër tyre. Në kulmin e formës, famës e shpresës së madhe, futbolli shqiptar u vetëshkëput për tri vite nga përballjet europiane.
Kronike e një kombëtareje
Cili ishte ky futbollist i ri që do të luante në krah të gjigantëve të kohës? Madje në një trasfertë të vështirë, si ajo e 29 tetor 1972 në Bukuresht në takimin Rumani-Shqipëri 2-0? bashkë me katër lojtarë të Partizanit e Dinamos, dy të Vllaznisë, trajneri Alla surprizoi me Milto Gurmën nga Shkëndija duke e futur në formacion. Pastaj me 8 prill të 73, në sfidën e rradhës po për eliminatoret e Botërorit, në Magdeburg, Shqipëri-RD GJermane 2-0, Alla e vendos sërish titullar. Pas një muaji, në Tiranë ndaj Rumanisë, në humbjen e thellë 1-4, Gurma nuk është në formacion. Për tu rikthyer në fund të vitit nga Ilia Shuke, në takimin Shqipëri-Finlandë 1-0, si zëvendësues i kavajasit Naim Allaj. Për tri vite që vijnë nuk ka ndeshje ndërkombëtare me përfaqësues e klube dhe në të parën miqësore me Algjerinë 3-0, me 10 tetor 1976, Loro Boriçi e kthen sërish në kombëtare. Në atë sezon ai luan me Luftëtarin dhe ai takim do të jetë i fundit me ngjyrat kuqezi. Megjithese shijen e kombëtares do ta provojë edhe një herë pak më vonë…..
Nga Kategoria e tretë në kombëtare
Është pak entuziaste fundi i karrierës, të cilën e mbyll duke luajtur në kategorinë e tretë. Maj 1986, Prrenjasi-Butrinti, ndeshja e fundit e tij. Por, pikërisht në këtë periudhë, krejt papritur i vjen një ftesë surprizë: Edhe pse luan dhe ka humbur në kategoritë inferiore, e kanë thirrur në një grumbullim një javor me kombëtaren. Shkak u bë Gazetën Sporti Popullor që e trajtoi me superlativa pas ndeshjes Butrinti-Beslidhja, finale në Elbasan, ku ai shkëlqen dhe është më i miri në fushë pasi talenti nuk e ka tradhëtuar. Pastaj në mbyllje ka një episod të rrallë: Në Sarandë ka ardhur Partizani me 6 lojtarë në kombëtare dhe në një miqësore me Butrintin, ai realizon 3 gola. Aty Bejkush Birçe ka thënë shprehjen e famshme: “Për Milto Gurmën do jepja një një thes me dollarë ose gjithë pasurinë për ta marrë në skuadër”.
Çfarë ishte dhe përfaqësonte stili “Gurma”?
Cili ka qenë Milto Gurma, futbollisti model, i pari që transformoi dhe krijoi stilin modern të një mbrojtësi e mesfushori, një ndërthurrje Bekenbauer-Netzer për mënyrën që luajti? Aftësi të larta teknike, një mbrojtës, mesfushor, sulmues me karakteristika të përcaktuara mirë: Elegancë në mbajtjen dhe udhëheqjen e topit, stopime dhe goditje elegante jo të zakonta me pjesën e jashtëme të këmbës dhe një vështrim të rafinuar periferik. Një perfeksion koordinimi në vrapim, pasim dhe goditje të sakta e të shpejta e bënë të spikasë në futbollin shqiptar në fillim të viteve 70-të. Çdo ndërhyrje e ka të sigurtë dhe çdo demonstrim i tij, është thuajse në kufijtë e perfeksionit. Çdo lëvizje është e shoqëruar me një gërshetim të teknikës perfekte, gjithçka në qëndrim e lëvizje. Zyber Konçi pati nuhatjen, kurajën dhe besimin ta hedhë në fushë, ta mbështesë e inkurajojë lojën e tij duke i krijuar hapësira për inkursionet që ndërmerrte. Interpretimi i rolit të mbrojtësit të lirë nga Milto Gurma, krejt i rrallë për kohën, ka rëndësi edhe historike pasi evuloi lojën e këtij roli, me një përdorim klasik të topit me të dyja këmbët dhe kokën lart, duke e qarkulluar me mendim e pa e parë sferën. Për tu distancuar nga largimet dhe goditjet “katjushkë” pa adresë, tipike të një qëndërmbrojtësi të natyrshëm në ato vite.
Çfarë bën sot “Bekenbaueri” shqiptar
I martuar me Kristina Ciringirin, ish-atlete, edhe kjo nga Mjeshtëria Sportive, prindër të 3 fëmijëve, (dy vajza dhe një djalë), prej vitesh Gurma jeton e punon në Sarandë. Pas viteve 90-të provoi si trajner në Greqi, pastaj rikthimi në qytetin e lindjes si trajner me moshat, duke qenë njëkohësisht edhe mësues i edukimit fizik. Nga fëmijët ka një djalë futbollist me Olimpik-Volon në Greqi. Ai është shpallur “Këpuca e Artë” e Kategorisë së dytë”, më i miri nga të huajt në këtë kategori në vendin fqinj, tani të transferuar në Itali. Ruan kujtime dhe ka vlerësime për Konçin, Allën, Ishkën, por edhe për Ben Jorgonin, me të cilin diskutonin gjithmonë. Ka mirënjohje për shumë futbollistë e trajnerë: Rragami, Bizi. M Haxhiu, J.Kaçin Mustën, I.Lamen, Bonin, Bajazitin, Pagrinë, B.Hushin, A. Sulën, Leshtenin, A. Hoxhën, Panon, B. Çelën, M. Fagun, Hafizin, Currët, etj. Për Agim Jankun ruan konsideratë të veçantë si dhe për Zërin, me të cilin fliste fshehurazi greqisht kur ndiqnin televizor në shtëpinë e tij në orët e vona pas mesnate. Pa harruar edhe arbitrat. I kujton pasi nuk ka asnjë karton në karrierën e tij. “Si pambuk luan, kur të shkel Milto nuk kupton asgjë”- ishte opinioni dhe mendimi i të gjithëve.
Batuta e Myslym Allës
Trajneri, profesori Myslym Alla, me një filozofi të veçantë e të njohur, ka qenë një ndër njerëzit që e ka stimuluar shumë në karrierën e tij. I pyetur në një seminar me trajnerë dhe specialistë, rreth lojës e stilit të Milto Gurmës, ai është shprehur: “Çfarë mund të them për një lojtar si Molto Gurma…? Topi në këmbët e Gurmës është më i sigurtë së lekët në bankat zvicerane…”./Bl.Ba/Fjala.al