Saimir Maloku, një shembull i rrallë në kundërvënien ndaj diktaturës komuniste

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

(Rreth librit me kujtime “Si mbijetova në ferrin komunist”)

 Shpendi Topollaj

I lexova me trishtim kujtimet e shokut tim të mrekullueshëm në vitet e shkollës së mesme “Skënderbej” dhe atë të Oficerëve, Saimir Maloku, dhe gjëja e parë që më doli parasysh ishte ajo shprehja e Friedrich Nietzsches se “Të jetuarit është vuajtje, të mbijetuarit është gjetja e një kuptimi për vuajtjet”. Libri i tij voluminoz “Si mbijetova në ferrin komunist”, botim i EMAL, viti 2020, me ato të vërteta rrëqethëse, jo vetëm që të trondit, por edhe synon të gjejë kuptimin e vuajtjeve trupore e shpirtërore të njeriut të ndershëm gjatë luftës për mbijetesë.

Si i tillë, pra, për nga forca e argumentit dhe logjika e të arsyetuarit rreth asaj që ngjau në Shqipëri, ai do të mbetet si një monument demaskimi për padrejtësitë dhe barbaritë e një sistemi despotik që sundoi mbi vendin tonë për mbi katër dekada. Kështu që trishtimit e tronditjes, ia zë vendin urrejtja ndaj atyre që sapo morën frenat e pushtetit në dorë, deklaruan pa iu dridhur qerpiku se do të ushtronin diktaturën. Por pati një koincidencë mjaft domethënëse, pasi në kohën që shfletoja librin e shokut tim, një stacion televiziv jepte historinë e botanistit të madh rus Nikollaj Ivanoviç Vavilovit, i cili së bashku me ekipin e tij të shkencëtarëve patriotë, ruajtën me pedantizëm në “Svalbard” farat e bimëve për mbarështim, gjatë rrethimit të egër që ushtria e Vermahtit i bëri qytetit të tyre. Ata pranuan të vdisnin nga uria dhe të mos preknin asnjë kokërr nga ato drithra, pasuri perspektive e popullit të tyre.

E, megjithatë, Vavilovin, në moshën 54-vjeçare, vetëm pse kishte shfaqur kundërshti mendimesh me Trofim Denisoviç Lisenkon, që kishte përkrahjen e vetë Stalinit, policia e fshehtë e arrestoi dhe e torturoi në 400 seanca që bënin plot 1700 orë hetime çnjerëzore. Koha tregoi se ai, dhe jo kryetari i përkëdhelur i Akademisë së Shkencave kishte të drejtë. Çfarë ngjashmërie me Vavilovët tanë, se i tillë shkencëtar i radioteknikës dhe humanist ishte edhe Saimir Maloku. Saimiri vinte nga njëra prej familjeve më të shkëlqyera të kryeqytetit; babai i tij Reshiti, i njohur anë e kënd vendit për kontribute në ndërtime veprash të vështira, por edhe si Mjeshtër i Merituar i Sportit të Qitjes, ku ishte kampion, rekordmen dhe trajner i ekipit kombëtar, gëzonte reputacionin e njeriut të kulturuar dhe të thjeshtë, kurse vëllai i madh, Agimi, një djalë mjaft simpatik dhe përherë i qeshur, ishte gjithashtu skënderbegas në maturë.

Zgjuarsia, edukata qytetare dhe dashuria për shokët u lexohej të dyve në fytyrë. Në çdo shkollë që shkoi Saimiri, deri edhe në Universitetin Shtetëror për inxhinieri elektrike, fotografia e tij qëndronte në Tabelën e Nderit, pasi ai nuk njihte notë tjerër veç atyre maksimale. Ne të gjithë lexonim literaturë artistike, por Saimiri kishte dhe një pasion tjetër, atë të ndërtimit të radiove. Duke parë talentin e rrallë të tij dhe vullnetin e jashtëzakonshëm, ai fitoi dhe mbështetjen e trupës së mësuesve dhe oficerëve tanë. Natyrisht që në fillim të viteve ‘60 mungesat ishin të shumta, por një Zot e dinte se nga i gjente Saimiri gjithë ato vegla e pjesë radiosh.

Aq i aftë dhe i papërtuar ishte ai në këtë fushë, sa me të konsultoheshin dhe e thërrisnin për t`i ndihmuar edhe kapter Bezhani e Rexhepi, kinooperatorët dhe përgjegjësit e teknikës radiofonike. I tillë kishte qenë në shkollën tonë vetëm një: austriaku, robi i luftës që quhej Karlo. Ne, nga ana jonë, Saimirit i thoshim se do të bëhej si Aleksandër Popovi që na kishin thënë se kishte shpikur radion, por ai na kundërshtonte, duke shpjeguar se ai kishte studiuar vetëm valët elektromagnetike, kurse radion e kishte shpikur një italian, Gulielmo Markoni, i cili para gjysmë shekulli për valët e tij Herc, kishte fituar edhe çmimin “Nobel”. Dhe shtonte se atij nuk i zihet emri me gojë, se ishte fashist, por meritë ka pasur edhe Faradei, Tesla, Edisoni, edhe ky Popovi juaj me shokë.

Por Saimiri, edhe për të kërcyer Rock and Roll në pushimin e gjatë me Maks Ruvinën, Bardh Kazazin, Tigër Godon, Ylli Dudushin me shokë, gjente kohë, duke i rënë me pëllëmbë në vend të xhazit, katedrës, por edhe për të ndihmuar ata që në mësime ishin më të dobët. Ai i donte shokët dhe nuk bënte dallime mes tyre. Por ja, pikërisht ky njeri me shumë kulturë duhej përndjekur, poshtëruar, torturuar, burgosur e, mundësisht. edhe vrarë nga të betuarit servilë të partisë, nga ata që e urrenin kulturën.

Duke qëndruar në llahtarin e burgjeve komuniste, Saimiri, pa dhe njohu shumë. Ai, fare mirë mund të shkruante për plot të burgosur si Pjetër Arbnori, atë Zef Pllumi, Uran Kalakulla, Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, Hajredin Fratari, Burhan Kalaja, Gëzim Çela, hafiz Sabri Koçi, Adem Allçi, Sazan Hadëri, Dhori Gërnjoti e plot të tjerë që burrërisht i qëndruan diktaturës, duke na dhënë kështu një enciklopedi, por ai është mjaftuar kryesisht tek ato që i ngjanë vetë atij, pra, te padrejtësitë, intrigat, shpifjet, fyerjet, rrahjet, izolimi në biruca për muaj me radhë, dramat shpirtërore, kërcënimet për jetën e tij dhe të familjes, vuajtjet nga uria, të pa larët, të ftohtit, lagështia, depersonalizimi, linçimi publik, sëmundjet e deri shpërfytyrimi, sa i bërë kockë e lëkurë, pra tjetër njeri, nuk e njohu as nëna e tij.

Dhe këto mjaftojnë për të treguar fytyrën kriminale të atij sistemi, që arriti t`i hedhë trutë e gomarit shumicës nga ne dhe që fatkeqësisht, ende sot e kësaj dite, ka nga ata që e kujtojnë me mall. Në këtë këndvështrim, kujtimet e Saimir Malokut, përsëri do të mbeten një enciklopedi e gjendjeve emocionale njerëzore, kur mbi të bien rrufetë e padrejtësisë komuniste. Se lexuesit do të gjejnë në to, çudirat që ndodhin kur dikush bie në situata të ngjashme dhe që ky autor nuk ia uron askujt. Natyra njerëzore është një pus i pafund, ku po të futesh në të, do të ndeshësh gëzime e hidhërime, qeshje e lot, forcë e dobësi, thyerje e qëndresë, nënshtrim e revoltë, por lum ai që kur del prej tij, ka arritur të mbetet përsëri Njeri.

Vetë Saimiri, duke folur për këtë, shprehet: “Vuajtjet e mëdha në qeli më mësuan të luftoja për jetën. Lëndimet nga torturat më mësuan të mos dorëzohesha, ndërsa dhimbjet që ndieja në trup më mësuan të isha i fortë. Prona më e madhe e njeriut është dinjiteti njerëzor”. Dhe Saimiri e ruajti trimërisht këtë dinjitet. E arriti këtë pasi ai ndoqi besnikërisht thënien e famshme të Shekspirit se “Frikacakët vdesin shumë herë para vdekjes së tyre, ndërsa guximtarët e provojnë shijen e vdekjes një herë të vetme”. Po përse kishte vajtur puna deri këtu?

Babai i tij, Reshiti, kishte studiuar në shkollën teknike të Harri Fulcit dhe kjo qe e mjaftueshme që rreth tij të mos ndahej hija e dyshimit. Puna që kishte bërë me aq përkushtim në interes të vendit, nuk kishte fare rëndësi. Pastaj, ai paskej shoqëruar disa turistë anglezë në Thethin turistik, aty nga viti 1936, por edhe sikur t`i kishte shoqëruar ata në kohën e ilirëve, përsëri do t’i vihej një pikëpyetje e madhe. Kur ishte paralizuar, një anglez, mik partie, i dërgonte ilaçe që këtu nuk gjendeshin. Por kush u besonte miqve, kur vetë Enveri nuk i zuri besë kunatit të tij, duke i futur një plumb pas koke, siç bëri me të gjithë bashkëpunëtorët, shumë nga të cilët ishin edhe Heronj të Populllit.

Vetë Saimiri, merrej me koleksionime pullash, dhe për t`i shkëmbyer dërgonte letra në 17 shtete. Po sikur, me kod të fshehtë të çonte tek armiku sekretet tona të mëdha? Pastaj, ai na mësonka edhe gjuhë të huaja. E përse do t`i shërbejnë, veçse për agjenturë. Ka shpikur edhe një kanaçe për të parë stacionet e huaja televizive. Ne vërtet e kemi marrë nga ai nga një të tillë, por ai po ia shpërndan kujtdo, duke futur kështu ideologjinë borgjezo-revizioniste. Apo nuk shkon derë më derë për t`ua rregulluar njerëzve çfarëdo, aparatet televizive, pa pyetur fare për biografitë e tyre. Sikur të mos mjaftonte ajo që shtëpinë e tyre e kishte bërë si vatër kulture, ku mbidheshin gjithë rinia dhe shihnin deri në mesnatë, filma, koncerte e sporte perëndimore.

Lexo edhe :  Air BnB në Shqipëri, konkurrenca në turizëm po ul çmimet

Edhe në veshje ai na del si gagarel, me ca këmishë plot lule e ngjyra për të përhapur ideologjinë e huaj. Se edhe për të llapur, nuk i rri goja rehat, duke thënë ashtu si pa dashje se në vendet kapitaliste jetohet shumë më mirë se te ne. Po a e hamë ne atë. Partia jonë dhe Komandanti i treguan vendin Beqir Ballukut që ishte ministër i Mbrojtjes, e jo një oficeri të thjeshtë të ndërlidhjes në Burrel, ku aq pranë është dhe ai burgu i llahtarshëm. T’i vëmë hekurat një herë, se na favorizon edhe situata politike, ku po kërkohet që t`i fshijmë me fshesë të hekurt e pa mëshirë armiqtë, se pastaj e bëjmë ne që t`i pranojë të gjitha, si Çeçua.

Dhe kështu nisi ndjekja, nga jo pak, por nga 120 oficerë sigurimi, përpilimi i atyre dosjeve të inkuizicionit 2 B e 2 A dhe më 13 maj 1976 arrestimi i tij. 200 ditë në birucën e nëndheshme të Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, ku kishte punë me lloj-lloj katilash e xhahilash dhe sikur të mos mjaftonin këta edhe me pisllëkun, zhulin, tartabiqet, mungesën absolute të higjienës dhe ajrimit, të ftohtin e llahtarshëm që s`kishte ç`t’i bënte ajo gjysmë batanija si leckë e ndotur dhe asnjë kontakt me prindërit e vëllezërit e tij. Po ç`mund të bënte një njeri i shndërruar në skelet, veçse t`i lutej Zotit dhe… ju s`do ta besoni, të këndonte këngët e ndaluara dhe të vallzonte, edhe pse e dinte se do ta merrnin për të çmendur. Kishte qenë pasioni i tij i hershëm kjo lloj muzike, e cila kishte forcë ringjallëse.

Se ishte ashtu sikurse thosh ai Niçja, se pa muzikë, jeta do të ishte një gabim. Pastaj ajo muzikë shoqërohej me fjalë frymëzuese, ndaj dhe konti Leon Tolstoi e shihte si gjuha e shkruar e emocionit. Përfytyroni një fantazmë që si hije, vjen rrotull një qelie të nëndheshme, që nuk ia gjen shokun për ta krahasuar as edhe te fantazia aq e zhvilluar e mitologjisë. Schopenhauer-i me atë mendjen e tij të fuqishme kishte thënë dikur: “Një njeri mund të jetë vetja vetëm për aq kohë sa ai është i vetëm; dhe nëse ai nuk e do vetminë, ai nuk do ta dojë as lirinë; sepse vetëm atëherë kur ai është i vetëm, ai është vërtet i lirë”.

Duke parë se hetuesit djallëzisht, dosjen e tij donin ta bashkonin me atë të babait, duke krijuar kështu grupin armiqësor që do të përmbyste pushtetin popullor, për të përligjur dënimin me vdekje, ai vendos të rezistojë, se në vetminë e tij ndihej i lirë për të folur, duke e kthyer kështu gjyqin ndaj tij në një aktakuzë për regjimin mizor, duke demaskuar vetë Enver Hoxhën dhe politikën e tij të mbrapshtë prej Neroni. Kurrë ata qindra të pranishëm nuk kishin dëgjuar të flitej kështu për partinë dhe udhëheqësin e “pagabueshëm”.

Ndaj ulërinin, talleshin, pështynin dhe qëllonin me shkelma e vezë të prishura në drejtim të tij. Kurse ai, duke mbajtur me njërën dorë pantallonat pa rrip, me frikën se mos i binin, pasi edhe mbathje nuk kishte veshur, kishte guximin të deklaronte: “Këta krimba janë udhëheqësit kryesorë të saj, si Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Enver Hoxha, duke pushkatuar Beqir Ballukun dhe shokët e tij, me arrestimet, burgimet dhe internimet masive që ka bërë, populli në të ardhmen pas vdekjes së tij, do ta quajë atë diktator të Shqipërisë, si Stalini dhe, ashtu siç ia bënë diktatorit komunist sovjetik, do t`ia bëjnë edhe atij, duke ia djegur trupin, veprat, si dhe do të rrëzojnë dhe do të shkatërrojnë të gjitha monumentet e tij.

” Fjalë profetike apo jo dhe, sidomos, të padëgjuara ndonjëherë, para këtij tribuni të vegjëlisë. Dhe ndodhi ashtu siç kishte parashikuar ai. Pikërisht Saimir Maloku, pas atyre vuajtjeve barbare, tani i liruar nga burgu më 20 shkurt të vitit 1991, ku ndodhesha edhe unë, i printe turmës për rrëzimin e monumentit të diktatorit shqiptar dhe për të djegur te dyqani “Flora” veprat e tij të pështira. Kushdo i njeh kontributet e Saimir Malokut për shpëtimin e jatës së dhjetëra qytetarëve të aksidentuar apo të sëmurë, çka flet qartë për vlerat e tij të mëdha humane. Por kushdo duhet ta dijë se mbi të gjitha ai mbetet një atdhetar i devotshëm dhe i kulluar, me prirje të hershme evropianiste.

Nuk do ta harroj kurrë, ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, kur pas audiencës që i kishte dhënë familjarisht papa Vojtila, në Vatikan, e pashë atë, duke katalizuar entuziazmin dhe krenarinë e të gjithë shqiptarëve të pranishëm në shesh, duke i nxitur ata që të bënin fotografi me flamurin tonë kombëtar që e mbante një bukuroshe. O Zot, thosha me vete, këtë shqiptar të madh e dënonte diktatura, si dikur Prometeun. Dhe Saimiri, anën e tij njerëzore e atdhetare vazhdon ta ruajë të paprekur, edhe në këto kujtime, ku predikon vetëm vëllazërim, jo hakmarrje dhe ku nuk përmend asnjë xhelat me emër, vetëm duke shpresuar se ndonjë ditë dikush do t`i kërkojë atij dhe bashkëvuajtësve të tij të pafaj, ndjesë. Kam parë se edhe Nelson Mandelës, rojat dhe ata që e dënuan, i kërkuan falje dhe ai vetëm buzëqeshte.

Por në Shqipëri kjo qenka mjaft e vështirë. Ndofta se te ne, pra në mes të Evropës, krimet ndaj të burgosurve politikë kanë qenë edhe më të këqija se ndaj Mandelës në Bashkimin Jugafrikan. Ja ç`thotë vetë ai për këtë: “…diktatori Enver Hoxha shpiku dhe i la si trashëgimi këtij populli para vdekjes së tij operën e famshme “Komunizmi shqiptar”, ku ai ishte “kompozitori dhe dirigjenti kryesor i saj”. Me rrëzimin e monumentit të diktatorit komunist, më 20 shkurt 1991, muzika e kësaj opere famëkeqe komuniste ndaloi.

” Por, për çudi, nostalgjikët vazhdojnë t`i bien të njëjtit avaz, nga po ai pentagram i nxirë nga koha, pasi duam apo nuk duam, janë po ata që e pështynin Saimirin me shokë, duke brohoritur në kor: “Vdekje armiqve të partisë”, janë ata që nxitonin t`i bashkoheshin me gëzim forcave militare që rrethonin, arrestonin, plagosnin dhe vrisnin ata tre djemtë që patën guximin të shpërthenin burgun mesjetar të Burrelit. Të vjen keq që shoqëria jonë, për hir të luftës politike dhe etjes për pushtet, është kaq e çorientuar, dhe që ndihma e të huajve për dënimin e bëmave të komunizmit, thuajse nuk ndihet fare.

Na dhimbset e ardhmja e atdheut në familjen evropiane, se Saimir Maloku me nderimet që i janë bërë, mbetet ai që të porsalindur, vajzat e lagjes e quajtën SA I MIR. Por në qoftë se ai ngre zërin, këtë e bën, se nuk harron asnjëherë mësuesen tonë të letërsisë, Gjylizare Çiçon që duke cituar Viktor Hygoin thoshte: “Ngjitur me të drejtat e njeriut, fare pranë tyre, janë të drejtat e shpirtit”. /Ra.My.Fjala.al/

 

Të fundit

Udhëzuesi i BE: Krijoni një plan për luftëra, pandemi dhe kriza energjetike

Bashkimi Evropian po hyn në një epokë të re të përgatitjes për kriza, duke njoftuar për herë të parë...

PSG kryevepër, fiton 4-0 me Real Madridin, në finale e pret Chelsea

PSG fitoi 4-0 ndaj Real Madrid në gjysmëfinalen e Botërorit të klubeve në SHBA. Në finale e pret Chelsea, në një stadium ku do...

Vdekja e të riut në Lipjan, një muaj paraburgim për 5 policët

Gjykata Themelore e Prishtinës, dega në Lipjan, ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji ndaj rreshterit Ibrahim Nela dhe efektivëve policorë Albian Retkoceri,...

Fier, dhunoi për vdekje 80-vjeçarin pasi nuk i dha birra, dënohet me 12 vite burg

Me 12 vite burg është dënuar Ilir Nukaj, pasi dhunoi për vdekje 80-vjeçarin Namik Rustemi në tetor të vitit 2024 në Fier, sepse...

Aksident në Urën e Dajlanit, makina përplaset me mjetin e parkuar

Një aksident ndodhi mbrëmjen e së mërkurës Urën e Dajlanit, pranë stacionit të trenit, në Durrës. Një automjet në lëvizje u përplas me një tjetër...

Lajme të tjera

Web TV