Qershia mbi tortë në këtë sezon veror është oferta e masazheve. Nën një çadër si ato të Sulejmanit të Madhërishëm, bosët e rinj shqiptarë shtrihen sa gjatë gjerë, hedhin nga një peshqir vitheve dhe lyhen me vaj tej e tej.
Nga Leonard Veizi
Ikja masive e kosovarëve nga bregdeti tregon se sezonit turistik i ka ardhur fundi. Jo se janë më të largëtit, por sepse që në 31 gusht sistemi i tyre shkollor parashikon nisjen e mësimit për disa nivele klasash. Bashkë me pushuesit e thjeshtë, po largohen edhe disa biznese, ku më i shquari është ai i prodhimit të brumërave. Edhe për pak ditë dhe e gjithë zona, nga porti që ne jemi mësuar ta quajmë “Teuta” e deri në Spille, do të mbetet e shkretë. Dallgët do të vazhdojnë të përplasen me bregun, por njerëzit do ta shohin përleshjen pas xhamave të trashë të lokaleve dhe jo thjesht me rroba banje, si deri më tani.
Megjithatë, në gjirin e Durrësit jeta turistike vazhdon e papenguar edhe në këto ditë të para shtatori. Metereologjia paralajmëron se deri nga mesi i muajit, kush e ka në plan, mund të bëjë plazh rehat dhe i patrazuar. Temperaturat do të jenë ekstra fare.
Meqë kisha pa bërë “lejen e zakonshme”, me zgjedhje ca ditë gushti e ca shtatori, thashë t’i kaloja buzë detit. Gjëja e parë që bëhet në këto raste është marrja në celular e pronarit të ndonjë hoteli për të rezervuar një dhomë.
-Për ty do ta rregulloj një dhomë, – më thotë ai, me një lloj vështirësie, për të treguar se këtë po e bënte për mua, dhe jo pse 50 për qind e dhomave, a ndoshta dhe më shumë se kaq, i kishin mbetur bosh.
-Ke të drejtë, – ia kthej, duke i dhënë të kuptojë se po ia dija nderin, – kallaballëk i madh këtë vit.
Mëngjesi nis me një shëtitje. Rrugën ta zënë disa dhjetëra shitës ambulantë që të ofrojnë rrush e fiq nga të bahçes.
-A të ka ec ndonjë çikë? – pyes një katundar Kavaje, pasi kemi bërë dhe ca pazar frutash.
-Ka ra shumë, – ma kthen ai. – Tani po ikin dhe kosovarët.
Tridhjetë minuta më vonë, teksa kthehem në një njëjtën rrugë, shoh po të njëjtin katundar që ngre plaçkat e bëhet gati për të ikur.
-E mbylle për sot? – e pyes, dhe në mendje më vijnë fjalët e tij të mëparshme në lidhje me situatën e shitblerjeve, që ishin luhatur ndjeshëm në bursën e Kavajës.
-Bereqaversën, – ma kthen ai, duke më treguar se mallin që kishte marrë me vete e kishte kthyer në para.
Paska ra fare pazari, mendova.
Në fakt, është për t’i ngritur kapelën katundarit të Kavajës. Dhe dihet historikisht se ajo zonë ka ditur të bëjë biznes qysh herët. Çmimet janë më të lira se në Tiranë, prodhimi shumë më i mirë. Se në Tiranë vëlla, çfarë nuk ha të paketuar. Popullsi e madhe. Por në zonën e Golem-Kavajës mund ta konsumosh pa frikë prodhimin vendas.
Biznesi i dytë fitimprurës në plazh nuk janë hotelet, as ata që administrojnë çadrat me shezlongë, madje as ata që ofrojnë SPA buzë detit… Janë misrapjekësit. Radhë e gjatë për të marrë një misër foragjere, nga ata që janë silazh për lopët. Veçse të pjekur në prush qymyri duken birinxhi, në bojë e në shije. Por nuk jemi vetëm ne shqiptarët që e hamë kallamoqin. Ne ndoshta dimë ta shesim si askush tjetër.
Në mëngjes territori i plazhit shkëlqen. Punëtorët kanë pastruar që herët dhe kanë rregulluar shezlongët në vijë të drejtë. Ç’është e vërteta, prej vitesh ka ndryshuar mënyra e të bërit plazh në Shqipëri. Në ca vende jemi më mirë se Italia. Greqinë nuk e llogarisim fare.
Nis dita e plazhit. Te futja e parë në det gjithçka të duket “ok”, tek e dyta asgjë nga ajo e së parës nuk mbetet më. Në det mund të gjesh mbetje pa fund, qese patatinash, peceta higjienike ditore, por dhe paketa cigaresh. Bela e madhe – mendoja – këta or të keqen, futen me cigare të ndezura të lahen në det. Ca e ca zgjedhin që cigaren e fundit të paketës ta ndezin te bregu i dytë.
Andej nga mesdita dihet, të gjithë koshat e mbeturinave janë tejmbushur me ambalazhe. Kërcet miza e grerëza sa duhet të futesh i tëri në dezinfektant që të shpëtosh pa u pickuar. Plazh vëlla, edhe një kanaçe birre do ta pijë robi, po dhe një banane do ta hajë. Le që ku të lënë shitësit ambulantë që, në bashkëpunim me lypësit, në mënyrë periodike ke nga një te koka e çadrës çdo 12 minuta. Pastaj të gjithë bashkë ndihmojmë në ndotjen masive të ujit. Shyqyr që deti është i madh, i fut në bark çfarë i hedh, vetëm se nuk ta lë kusurin: ta kthen te kripa.
Një tabelë e lënë pa kujdes në një cep, tregon se jemi ende në situatën e pandemisë COVID-19. Në shumicën dërrmuese të restoranteve, te hyrja, në vend të një kamerieri të pret një bidon i madh me alkool të holluar, me të cilin duhet të dezinfektohesh para se të bësh porosinë. Maskat nuk janë ndonjë mjet që funksionon lirshëm, përveç se për një pjesë të personelit. Sa për pushuesit, duket e tepërt që i thekur në diell të mbash në fytyrë një maskë që të shkakton dozën e mungesës së oksigjenit, sidomos kur flitet për temperatura të larta të fundgushtit që shkonin deri në 38 gradë Celcius.
Vërdallosja nëpër plazh nuk njeh kufi. Dhjetëra kilometra gjatësi bregdetare që si zor t’i përshkosh të gjitha në këmbë, edhe kur je sportist i kategorisë së parë. Duhet të ulesh diku e të marrësh frymë.
Shoh menynë në një lokal ku jam kthyer për një kafe e një gastare ujë bashkie. “Pogaqe me kajmak”, lexoj që në krye të herës.
-Ç’osht mor kjo? – pyes kamerierin i habitur.
-Gatim tradicional, – ma kthen ai. – Pronarin e kemi nga Gjakova.
-Bravo i qoftë, – them duke tundur kokën. Pronari paska ardhur me fjalorin e ri të drejtshkrimit, plus menysë që nga anët tona është pak e njohur. Epo ne, të keqen vëllai, jemi mësuar me paçe-pilaf. Këtë kemi tradicionale.
Por qershia mbi tortë në këtë sezon veror është oferta e masazheve. Nën një çadër si ato të sulltan Muratit që erdhi të pushtonte Shqipërinë, ose si të Sulejmanit të Madhërishëm, për të qenë më afër në kohë, bosët e rinj shqiptarë shtrihen sa gjatë-gjerë, hedhin nga një peshqir vitheve dhe lyhen me vaj tej e tej. Hajde masazh hajde, publikisht, jo si ata të tjerët që fshihen vrimave e, sipas thashethemeve, kryejnë dhe veprime të turpshme. Këta janë të hapur. Gjërat i bëjnë transparente. Ja aty në mes të mexhlisit, shkriftohen sa t’u venë kockat në vend.
Ça bo leku, vëlla.
Shëtitja e darkës bëhet dhe më mbresëlënëse. Distancimi social ka çarë ferrën. Megjithatë, duket si mbrëmje zije. Asnjë tingull muzike nuk ndien gjëkundi. Këngëtarë live jo e jo, por as DJ. Madje as radion me valë të mesme nuk guxon ta hapë kush. Të vjen xhandërmaja te dera e ta rras gjobën sa të të dalin sytë vendit. Dhe s’ta ka fajin aspak, zbaton ligjin, urdhri i qeverisë. Në pedonale mund të gjesh gjithfarë lodrash argëtuese, ku një në dy prej tyre ka të bëjë me ofertën, o me pushkë, o me pistoletë, “4 goditje 200 lekë”. “1 goditje 100 euro plus një shishe votka”. Joooo, ia vlen posi. Shqiptarët vihen në radhë. Nxjerrin 200-lekëshat nga portofoli. Edhe provojnë syrin e pushkës mos u është ndryshkur, edhe marrin ndonjë shishe votka të lagin gurmazin. Jemi apo s’jemi me pushime. Krismat gjëmojnë. Kot e kanë ndaluar muzikën. Po të këndonte ndonjë këngëtar tallavaje, do të shkuleshin e do të zinin vendet e para në lokal. Edhe pushimet bëheshin pak më të kulturuara. Kështu si është katandisur kjo punë, të gjithë e kanë mendjen te pushka dhe koburja.
Por ka dhe mundësi të tjera zgjedhjeje. Libra mund të gjesh gjithkund.
-Ka ditë kur i shes të gjithë librat, – i përgjigjet shqetësimit tim një djalë jo më shumë se 14 vjeç, e që bën punën e një bukinisti shëtitës.
Blejmë dy libra. Koha duhet kaluar në mënyrë të kulturuar gjithsesi. Dhe pse vetja m’u duk ca demode, sepse përballë nesh një katërshe me burra ia kishin thekur pesëkatëshit të cilin e luanin me kaq seriozitet, sa u binda plotësisht se duhej organizuar kampionati i letrave dhe jo i shahut. Dhe nuk po flas për tavllën…
Me afrimin e mesnatës gjithçka qetësohet. Njerëzia nis e mblidhet nëpër dhoma. Duhen ca orë gjumë të paktën, se të nesërmen ora 06:00 e mëngjesit rituali nis sërish. /Ra.My.Fjala.al/