Pas një pushimi trejavor, procesi i vetingut rinis sërish nga puna. Gjatë sezonit të vjeshtës përpara komisionerit publik, pritet të dalin emra të njohur të sistemit të drejtësisë. E para që do të përballet me vetingun është ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, e cila sot do të dalë përpara KPA-së, ndërsa gjatë vjeshtës me vetingun do përballen prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, ish-drejtuesi i po kësaj prokurorie, Dritan Gina, gjyqtari i Tiranës Lazër Sallaku, gjyqtari Ibrahim Hoxha, gjyqtari i Gjirokastrës Guximtar Boçi, ai i Vlorës, Ken Dhima e shumë emra të tjerë.
Nga Elvis Myrta
Pas një ndërprerjeje trejavore, për shkak të pushimeve verore, sot rinis procesi i vetingut. Komisionet e vetingut do të nisin nga puna me senacat e planifikuara për shqyrtimin e dosjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për rivlerësimin e pasurive të ligjshme, figurës dhe aftësive profesionale. Seanca e fundit u zhvillua në 10 gusht, ku Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin Aleks Nikolli. Procesi do të rifillojë me shqyrtimin e dosjes së ish-drejtueses së Krimeve të Rënda, Donika Prela, nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit.
Në shkurt të vitit 2019 shkalla e parë e vetingut e konfirmoi në detyrë Prelën, por komisioneri publik kërkoi shkarkimin e saj nga detyra, me argumentin se nuk e justifikon pasurinë. Pas apelimit të vendimit për konfirmimin në detyrë të Prelës, seancat e planifikuara për shqyrtimin e dosjes së saj u shtynë, për shkak se ajo kërkoi përjashtimin nga trupi gjykues të Ina Ramës dhe Natasha Mulajt. Ajo kërkoi përjashtimin e ish-prokurores së përgjithshme, Ina Rama, pasi, sipas saj, në kohën kur ajo ishte prokurore ka hetuar kushëririn e saj në Durrës, dhe kjo, sipas saj, përbën konflikt interesi, duke ndikuar edhe në vendimin final.
Ndërsa për Natasha Mulajn, ajo u shpreh se përbën konflik interesi, pasi po heton dy vëllezërit e saj, për shkak të një konflikti pronësie. Ndërkaq, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, do ta rinisë punën me prezantimin e rezultateve të hetimit për gjyqtaren e Apelit të Shkodrës, Vojsava Osmanaj. Në ditët në vijim përpara trupës gjykuese do të dalin të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, sipas agjendës që kanë parashikuar komisionet e vetingut. Më konkretisht, në 4 shtator, me vetingun do të përballet gjyqtari i Apelit të kryeqytetit, Artur Gaxha.
Gjatë kësaj vjeshte me vetingun pritet të përballen prokurori i Durrësit, Dritan Gina, bashkëshorti i ish-drejtueses së Njësisë për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi, gjyqtarja Mimoza Brahimi (Kajo), gjyqtari Ergys Selmani, gjyqtari i Tiranës Lazër Sallaku, gjyqtari Ibrahim Hoxha, gjyqtari i Fierit Roland Hysi, gjyqtari i Gjirokastrës Guximtar Boçi, gjyqtari i Vlorës Ken Dhima etj. Gjatë muajit korrik-gusht janë përballur me vetingun 22 magjistratë, ku 9 prej tyre janë shkarkuar nga detyra, ndërsa 10 janë konfirmuar. Për 3 të tjerë vendimi pritet të jepet këto ditë.
1/3 e prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar nga vetingu
Në tri vitet e para të këtij procesi, deri më tani, me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit janë përballur prokurorë e gjyqtarë të njohur, që kanë qenë pjesë e sistemit të drejtësisë, si dhe kanë drejtuar prej gati tri dekadash këto institucione. Që nga nisja e procesit të vetingut e deri më tani KPK-ja ka mbyllur procesin për 290 gjyqtarë dhe prokurorë. Në total janë dhënë vetëm 256 vendime, ku 111 gjyqtarë e prokurorë janë konfirmuar në detyrë, 104 kanë ndier dhimbjet e shkarkimit dhe një prej tyre është pezulluar një vit nga detyra. Pra, nga 800 prokurorë e gjyqtarë që ka sistemi i drejtësisë shqiptare, deri tani përpara vetingut ka dalë vetëm 1/3 e tyre, një numër relativisht i vogël për sa i përket afatit për përfundimin e kësaj reforme.
Vetingu nisi nga puna në qershor të vitit 2017. I pari ishte Fatos Lulo, i cili nuk e kaloi provën, duke u bërë viktima e parë e këtij procesi, e pas tij emra të njohur që kishin “sunduar” drejtësinë shqiptare për gati tri dekada, nuk mundën t’u shpëtonin filtrave të vetingut, duke “mbetur në klasë”. Gjatë këtyre 3 viteve dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë, të konsideruar si elita e drejtësisë, që aspironin edhe për të qenë pjesë e drejtësisë së re, nuk e kaluan provimin e vetingut. Pasuritë e pajustifikuara dhe lidhjet me eksponentë të krimit të organizuar, ishin arsyet për shkarkimin e tyre nga detyra. Reforma në drejtësi solli pasoja të rënda për qytetetarët, pasi me shkarkimin e gjyqtarëve prej më shumë se tri vite e gjysmë, i është vënë dryni dy gjykatave më të rëndësisheme të vendit, asaj Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.
Pas bllokimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, prej më shumë se 4 vitesh, drejt mbylljes së “qepenave” janë edhe 6 gjykatat e apelit të vendit. Shkarkimi nga vetingu i gjyqtarëve të Apelit mund t’i fusë në kolaps këto institucione, duke krijuar një kaos të madh. Por, këto nuk janë problematikat e vetme, pasi reforma në drejtësi është duke ecur me ritme mjaft të ngadalta. Sipas një raporti të dy muajve më parë, Avokati i Popullit nënvizon se, nëse reforma vazhdon me këto ritme, asaj do t’i duhen edhe tetë vite të tjera që të përfundojë. Një raport i Avokatit të Popullit nënvizon që, nëse reforma vazhdon me këto ritme, asaj do t’i duhen edhe 8 vjet të tjera që të përfundojë. Pra, sipas raportit të AP-së, fundi i kësaj reforme do të jetë viti 2028, afro 6 vite më vonë nga sa ishte parashikuar. Në raport thuhet se problematikë kryesorë është numri i ulët i stafit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por edhe hetimi i thelluar i çështjeve që kërkon një kohë më të gjatë.
Asnjë prokuror dhe gjyqtar nuk e fitoi betejën me KPA-në
Kur kanë kaluar më shumë se tri vite nga nisja e procesit të vetingut, asnjë nga prokurorët dhe gjyqtarët që kanë apeluar vendimet në shkallën e parë, nuk ka mundur ta fitojë betejën në shkallën e dytë. Kolegji i Posaçëm i Apelimit gjatë këtyre tri viteve ka vijuar punën me “dorë të hekurt”, ku vendimet ndaj të gjithë gjyqtarëve apo prokurorëve që kanë ankimuar vendimet e dhëna nga KPK-ja, janë lënë në fuqi. Organi kolegjial gjatë këtyre tri viteve punë, nuk ka rikthyer asnjë gjyqtar apo prokuror që ka ankimuar vendimin, pas shkarkimit nga shkalla e parë. Pra, deri tani nuk rezulton të ketë asnjë vendim shkarkimi nga KPK-ja, i ankimuar nga subjektet e rivlerësimit që të jetë ndryshuar dhe KPA-ja të ketë vendosur konfirmimin në detyrë. E njëjta situatë ka ndodhur edhe me gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar shkallën e parë, por vendimi ndaj tyre është ankimuar nga komisioneri publik, me rekomandim të ONM-së, ku të gjithë gjyqtarët apo prokurorët nuk kanë mundur ta fitojnë betejën në shkallën e dytë të vetingut. Komisioni i Posaçëm i Apelimit deri më tani ka shqyrtuar 121 çështje dhe ka shpallur 58 vendime. Gjyqtarët e KPA-së kanë ndryshuar për 21 subjekte vendimin e kolegëve të tyre të KPK-së, duke vendosur shkarkimin nga detyra. Ndërsa deri tani ky kolegj ka lënë në fuqi 37 vendime për shkarkimin e prokurorëve apo gjyqtarëve që nuk e kaluan në raundin e parë të vetingut. Pas shkarkimit, pothuajse të gjithë prokurorët e gjyqtarët që janë shkarkuar me vendim të formës së prerë, i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut, ku kërkojnë rikthimin në detyrë. Vetingu e la vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, çka ka shkaktuar jo pak probleme, politike dhe gjyqësore, nga duket se vjen edhe shqetësimi për papërsosmërinë e reformës. Por, ndërkombëtarët ngulmojnë te ngadalësia, e cila pritet të shkaktojë jo pak probleme të tjera në të gjitha shkallët e gjyqësorit edhe për afro një dekadë.
/Ra.My.Fjala.al/