Veliaj-Bashës: S’mund të kërkosh punën e Ramës, pa u ballafaquar njëherë me punën në Bashki

Ditën e sotme kryebashkiaku Veliaj inspektoi punimet në bllokun e banimit “Disha”, pranë Kodrës së Priftit në Tiranë . Në këtë bllok u rikonstruktuan 38 rrugë, trotuare dhe rrjeti i kanalizimeve. Veliaj u shpreh që Bashkia punon njëlloj si në qëndër të Tiranës ashtu dhe në periferi të saj.

Kryebashkiaku ndër të tjera iu përgjigj dhe akuzave të PD lidhur me çekun e bebeve. Veliaj u shpreh që çekun e bebeve e jep qeveria ndërsa Bashkia ndihmon familjet e reja me një shportë me produktet bazë që nevojitet fillimisht.

“Meqë Lulzim Basha e ka merak çekun e bebes, dua t’iu kujtoj qytetarëve se në kohën kur Basha ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, çeku i bebes ishte zero. Zero para për bebet, zero para për prindërit, zero fond dhe buxhet për të ardhmen e qytetit. Sot qeveria jep 400 mijë lekë për bebin e parë, 800 mijë lekë për bebin e dytë, 1 milionë e 200 mijë lekë për bebin e tretë. Kurse bashkia e plotëson edhe me një shportë me produktet bazë që i duhen një familjeje të re për ditët e para, pasi lind fëmija”, u shpreh Veliaj.

Më tej Veliaj ftoi në duel Lulzim Bashën duke i thënë fillimisht duhet të kandidojë për Bashkinë  e Tiranës pasi nuk mund të ballafaqohet me Ramën pa ia dalë me sukses punës në Bashkinë e Tiranës.

“Kam një propozim: Lulzim Basha duhet të kandidojë në Tiranë dhe duhet të udhëheqë fushatën e Tiranës, sepse nuk mund të kërkosh punën e Edi Ramës, pa u ballafaquar njëherë me punën në Bashki. Pa u ballafaquar me bilancin e punës që ka bërë, asnjë nga ne nuk kërkon dot një punë tjetër sepse nëse ke dështuar te puna që kishe, punëdhënësi tjetër të thotë: si mund të të marr unë ty kur ke dështuar një herë dhe të bëj suksesin tim? Për të gjitha këto arsye, Lulzim Basha duhet të kandidojë në Tiranë.

Lexo edhe :  Sot konferenca e 6-të ndërqeveritare me BE/ Hapen 4 grup-kapituj të tjerë

Sa shkolla bëri ai? Zero! Sa shkolla kemi bërë dhe po bëjmë ne? 33 në total. Sa rrugë, sa pemë kemi mbjellë? Sa korsi biçikletash kemi bërë? Ky është një moment i mirë të flasim edhe për oligarkët. Kush e kishte taksën e ndërtimit sa për të larë gojën dhe kush ua ka 10-fishuar taksën atyre? Këto investime bëhen me taksën e ndërtimit të oligarkëve. Prandaj, përpara se të shkojmë në zgjedhje, le të bëjmë një ballafaqim këtu në Tiranë, ku Basha si drejtues i PD të përballet me CV-në e tij, me listën e punëve dhe premtimeve të pambajtura. Paskëtaj, le ta vlerësojë qyteti i Tiranës se kush e ka bërë punën mirë dhe se kujt mund t’i besohen edhe punë të tjera. Unë mezi e pres këtë betejë, jo si betejë llogjesh, por si betejë punësh, premtimesh të mbajtura apo suksese të arritura, të paktën për palën tonë”, tha Veliaj./Jo.Be/Fjala.al