Kur duhen edhe dy muaj nga 108-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, vjen një denoncim i veçantë, ku i kërkohet SPAK-ut të nisë hetimet për gjetjen e dokumentit original të shpalljes së Pavarësisë. Gazeta “Fjala” sjell ekskluzivisht nismën e avokat Kujtim Cakranit, i cili në një intervistë për emisionin “HARD TALK” të Roland Qafokut, tregon arsyet se përse ndërmori këtë veprim, duke dërguar në institucionin elitë të drejtësisë denocimin e rrallë. Cilat janë gjashtë versionet se ku mund të ndodhet origjinali i dokumentit themelues të shtetit tonë dhe sa mundësi ka SPAK-u me hetimet e veta ta zbardhë të vërtetën që ka më shumë se një shekull që kërkohet.
Nga Roland Qafoku
Ajo datë dhe ai vit është më shumë se historia e një vendi, është ekzistenca e një populli që më në fund, pas shumë shekujsh nën Perandorinë Osmane u bë shtet më vete dhe i pavarur. Dyzet delegatë nga i gjithë vendi dhe përfaqësues të të gjitha trevave nënshkruan deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912. Dokumenti historik dhe themeli i shtetit shqiptar sot nuk ekziston, por qarkullon vetëm një kopje e saj edhe ajo një dhuratë e madhe e lënë nga patrioti Lef Nosi. Ku është deklarata origjinale e shpalljes së Pavarësisë? Gazeta “Fjala” sjell ekskluzivisht një denocim të veçantë në SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit), e cila kërkon nisjen e hetimeve për të gjetur dokumentin original më të rëndësishëm të vendit.
Avokati Kujtim Cakrani ka depozituar në SPAK një kallëzim ku denoncon humbjen e dokumentit origjinal të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë të vitit 1912. Nuk është vetëm “nisma e një avokati”, por mbi të rëndon diçka më e madhe, pasi paraardhësi i tij, Hajredin bej Cakrani, është një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë. Sipas avokatit, përgjegjëse për humbjen e këtij dokumenti janë institucionet shtetërore. Në kallëzimin e dopozituar disa ditë më pare, në institucionin e ri të drejtësisë i kërkon SPAK-ut, të regjistrojë procedim penal dhe të nisë menjëherë hetimet për të gjetur dhe vënë në dispozicion të publikut Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë. Për zbardhjen e kësaj çështjeje avokati kërkon të merren në pyetje drejtori dhe të gjithë ish-drejtorët e Arkivit të Shtetit, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, dhe të gjithë guvernatorët e tjerë që kanë qenë në drejtimin e bankës ndër vite, personat që kanë dijeni në Akademinë e Shkencave, si dhe të gjithë familjarët e kupolës drejtuese të shtetit komunist.
Sipas kallëzuesit, institucioni i akuzës e ka detyrim ligjor dhe moral gjetjen e Deklaratës së Pavarësisë. Në kallëzimin dhe materialin e depozituar tashmë në SPAK, avokat Cakrani thotë se gjatë kësaj peridhe asnjë nga institucionet shtetërore nuk ka pasur interes të hetojë apo të denoncojë humbjen e njërit prej dokumenteve më të rëndësishme të vendit. Dokumentin e Pavarësisë Cakrani e paralelizon me certifikatën e lindjes së një fëmije, e cila identifikon qenien e tij, pra edhe në këtë rast dokumenti origjinal i Shpalljes së Pavarësisë, është vetë shteti. Tjetër fakt i shprehur në kallëzimin e avokatit është se, sipas tij, deri në vitin 1937 Deklarata e Pavarësisë ka qenë në Arkivin e Shtetit, pasi një nga firmëtarët, Lef Nosi, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë e shumëfishoi këtë dokument dhe ua dhuroi atë të gjithë firmëtarëve të tjerë që ishin ende gjallë.
Sipas tij, është e vërtetueshme që ky dokument deri në vitin 1944 u depozitua nga Lef Nosi në një kasë sigurie, në Bankën e Shqipërisë. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, dhe marrjen në kontroll të gjitha institucioneve, Lef Nosi u tregoi pushtetarëve të rinj. Në kallëzimin e tij drejtuar SPAK-ut Cakrani thotë se: “Në të gjithë këtë periudhë është vënë re se nga institucionet shtetoërore të vendit nuk ka pasur asnjë interesim konkret që të hetojë apo denoncojë këtë fakt, si një nga më të rëndësishmit si dokument i themelimit të një shteti” Në një intervistë ekskluzivisht për emisionin “Hard Talk”, të Roland Qafokut, avokati ka dhënë detaje për këtë kallëzim që depozitoi disa ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Denocimi në SPAK për këtë çështje…
Është e vërtetë se SPAK-u ka shumë punë para, por unë e bëra këtë kallëzim penal për faktin se këtu fillon gjithë historia e shtetit shqiptar. Kjo është certifikata e shtetit shqiptar. Këtu janë hedhur themelet e shtetit shqiptar. 40 burra kanë firmosur që Shqipëria të bëhet shtet i pavarur. Ky dokument sot mungon. Mungon për faktin se shteti ynë, shteti shqiptar në këto 100 vite, tregon që nuk ka pasur një seriozitet për ta ndërtuar atë, ashtu si këta burra bënë më 1912 dhe, natyrisht, është e pamundur, e palogjikshme që sot një shteti të mos i gjesh deklaratën e pavarësisë.
Dhe kjo mua më ka shtyrë që ta çoj në SPAK këtë çështje. Uroj që prokurorët atje ta marrin shumë seriozisht këtë kallëzim penal dhe të fillojnë hetimet që shqiptarëve kudo që janë në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, në diasporë dhe kudo që janë t’u japin Deklaratën origjinale të Pavarësisë, me firmat e gjithë firmëtarëve, sepse ajo është deklarata e të gjithë shqiptarëve dhe, natyrisht, ata kanë të drejtën e tyre që të shohin firmëtarët e tyre, ose më saktë baballarët e kombit.
Pse pikërisht ju e bëtë këtë denoncim?
Unë jam pasardhës i Hajredin bej Cakranit, i cili është një nga firmëtarët, por siç edhe ju e thatë, është një nga personazhet kryesore të Shpalljes së Pavarësisë dhe kam detyrimin moral, natyrisht kam dhe detyrimin ligjor që unë ta denoncoj këtë fakt.
Çfarë i kërkoni ju SPAK-ut, sepse ju jeni jurist, dhe cilat janë versionet që kjo proklamatë është parë për herë të fundit? Ku mendohet se u zhduk?
Ne e dimë që Shqipëria është themeluar më 28 nëntor 1912. Por në vitin 1937, i nderuari Lef Nosi, që ka qenë edhe firmëtar pavarësie dhe ministër i Punëve Botore, mos gaboj, në qeverinë e parë, në kohën e mbretërisë, në 25-vjetorin e Pavarësisë ai e ka dërguar në Itali dhe ka shumëfishuar Deklaratën e Pavarësisë. Domethënë ka bërë fotokopje nga origjinali, e ka shumëfishuar dhe ua ka dhënë të gjithë firmëtarëve që ishin në atë kohë dhe, natyrisht, edhe trashëgimtarëve të tyre, por edhe popullit.
Duhet pranuar që për 25-vjetorin janë bërë festime shumë të mëdha nga mbretëria e asaj kohe. Ky është momenti i fundit që është punuar me Deklaratën e Pavarësisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore kam informacione që proklamata ka qenë e administruar nga Lef Nosi. Dhe Lef Nosi, sipas deklaratave të shumë personazheve, e ka depozituar në një nga kasetat në Bankën e Shqipërisë, në vitin 1944, së bashku me gjithë procesverbalin e mbledhjes së 28 nëntorit. Kemi të dhëna që me hyrjen e fitimtarëve në Tiranë, në vitin 1944, në Bankën e Shqipërisë ka shkuar dhe ka hapur kasetat dhe aty është marrë proklamata bashkë me dokumentacionin.
Dhe dyshimet tona janë, o është marrë dhe është administruar nga qeveria e atëhershme e Enver Hoxhës ose, sipas informacioneve tona, në vitin 1945 në Jugosllavi, që ne atëherë ishim miq me Jugosllavinë, kanë shkuar shumë dokumente me anë të një vapori në Beograd. Dhe unë besoj, nuk e dëshiroj, që Deklarata e Pavarësisë të jetë në Beograd. Ky është një version, sepse nëse do kemi parasysh në 2012, kur është bërë 100-vjetori i Deklaratës së Pavarësisë, nga Beogradi na është vënë në dispozicion Deklarata e Pavarësisë së Elbasanit. Që serbët e kishin marrë në dorë në kohën që ata ishin në Luftën e Parë Botërore.
A ka procesverbal për këto shkresa?
Ky version ka dalë tashmë, është bërë publik, por unë vetëm po e denoncoj. Kjo është një marrëveshje që SPAK-u, shteti shqiptar duhet ta bëjnë, sepse nëse ata e kanë marrë në mënyrë arbitrare, duhet ta kthejnë. Kemi dhe një version tjetër. Në vitin 1960 diktatorit i është bërë një dhuratë nga akademikët e kohës. Dhe flitet që Akademia e Shkencave dhe nga Arkivi i Shtetit t’i jetë bërë një dhuratë dhe mundet që mes atyre dokumenteve të ketë qenë edhe Deklarata e Pavarësisë. Në Deklaratën e Pavarësisë jemi rritur me atë mendimin që edhe babai apo xhaxhai i Enver Hoxhës, Hysen Hoxha, të ketë qenë firmëtar i pavarësisë. Hysen Hoxha ka qenë një burrë i nderuar, ka qenë gjirokastrit, ka qenë kryetar bashkie në mos gaboj, por Enver Hoxha ka dashur me patjetër ta vendosë emrin e Hysenit në proklamatë, sepse ai e kishte rritur, dhe ka dashur ta bënte personazh historik të Shpalljes së Pavarësisë.
Ai nuk ka qenë firmëtar…
Nuk ka qenë firmëtar, nuk e di nëse ka marrë pjesë apo nuk ka marrë pjesë, por nuk ka qenë firmëtar. Përveç fotokopjes së Lef Nosit, ne kemi edhe një version tjetër të retushuar të Deklaratës së Pavarësisë. Dhe Enver Hoxha duke qenë se ka dashur ta bëjë personazh xhaxhain e vet, mendohet që ai e ka marrë Deklaratën e Pavarësisë dhe ndoshta ka dhënë urdhrat e tij që të shtohej Hyseni në deklaratë. Unë i besoj dhe një versioni tjetër që ka qenë historiani i ndjerë Kristo Frashëri, i cili në të gjitha deklaratat e tij, i pyetur për Pavarësinë, sepse dyshimet janë se zoti Kristo Frashëri kishte dijeni për Deklaratën e Pavarësisë.
Unë kërkoj që zoti Kristo Frashëri na ka orientuar dhe në pyetjet që janë bërë në të gjitha televizionet për 100-vjetorin e Pavarësisë, sepse atëherë lindi ky debat, ka thënë që në vitin 1962 unë kam takuar një firmëtar pavarësie dhe ai më ka thënë që unë e kam Deklaratën e Pavarësisë etj., etj… Domethënë kishte një informacion zoti Kristo Frashëri se ku ndodhej. Në vitet ’60 vetëm dy kanë qenë gjallë nga firmëtarët, Dhimitër Berati dhe Ferit Vokopola. Nëse zoti Kristo Frashëri do të ishte pyetur, dhe nëse organi i akuzës do të ishte marrë me këtë çështje, mund të kishim diçka sot akoma më të prekshme.
Ky është versioni i katërt…
Versioni i pestë është se Arkivi Qendror është një katrahurë. Mendoj dhe ndaj aty unë kam futur që të hetohet tek Arkivi i Shtetit, sepse është institucioni i cili administron gjithë dokumentacionin historik etj., etj…
Pra, mund të ndodhet në Arkivin e Shtetit dhe nuk e di njeri?
Ndoshta nuk e di njeri, ndoshta është fshehur me qëllim, për arsye absurde etj.
Mos ia ka dhënë Lef Nosi të dashurës së vet, Margaret Hasluck-ut, në Skoci?
Po edhe kjo duhet pyetur, duhen marrë në pyetje të gjithë që kanë pasur lidhje, të gjitha versionet janë të hapura.
Zoti avokat, nëse do të ishit në vend të prokurorëve të SPAK-ut, si do të vepronit lidhur me këtë çështje?
Nuk është fare e vështirë, është shumë e lehtë për të kryer një hetim.
Çfarë duhet të bëjë prokuroria?
Të hetohet Arkivi i Shtetit nga momenti që është krijuar e deri më sot. Të gjitha personazhet që kanë punuar në Arkivin e Shtetit. Merren në pyetje drejtorët e departamenteve etj., etj… Po vazhdojmë me Bankën e Shqipërisë. Çfarë ka ndodhur që në Bankën e Shqipërisë në ’45 dhe cilët kanë qenë drejtuesit e Bankës së Shqipërisë, kasetat që ka pasur aty, çfarë ka pasur. Pyeten personazhet që kanë punuar në Akademinë e Shkencave. Jo si persona nën hetim, por lidhur me çfarë kanë dëgjuar. Nëse ka shkuar në Beograd, BKH-ja po krijohet dhe mund të shkojë tek Arkivat e Beogradit. Dhe në këto kushte do hetohet pas ’45 e këtej. Sepse dokumentacioni na çon që në vitin ’45 ka qenë.
Si persona nominalë, ke emra që mund të dyshohet se mund të kenë dijeni për të?
SPAK-u mund të pyesë dhe familjen Hoxha, s’ka asgjë të keqe, sepse edhe ata kanë dokumentacionin e tyre dhe arkivin e tyre familjar. Të pyetet familja e diktatorit dhe, natyrisht, të pyetet edhe familja e Kristo Frashërit, sepse meqë ai ka orientuar dikur në intervistat e veta…
Me pasardhësit e firmëtarëve të tjerë keni folur?
Nuk i njoh të gjithë pasardhësit, por di që shumë pak janë.
Pasardhës ka Ismail Qemali
Njoh Darlingun dhe Arjanën. Darlingu jeton në Itali dhe nuk kam parë të ketë ndonjë interes politik. E kam diskutuar me Hana Këlcyrën, sepse Hana Këlcyra ka Vehbi Këlcyrën, i cili është vëllai i madh i Ali Bej Këlcyrës. Hana ka qenë pro kësaj, por është në një moshë të madhe…
Po pasardhësit e Mit’hat Frashërit?
Nuk i njoh, por nëse me anë të këtij emisioni e dëgjojnë këtë çështje, i ftoj të na bashkohen.
Me sa di unë, prokurorët në SPAK janë të ndarë për korrupsionin dhe për krimin e organizuar. Ku futet kjo çështje?
Mund të hyjë te korrupsioni, sepse mund të jetë shitur. Diskutohet se me proklamatën e pavarësisë mund të jetë bërë dhe tregti. SPAK-u ta hetojë, nëse e shikon që në një moment del që nuk është kompetencë e tyre, mund t’ia kalojë një prokurori të Prokurorisë së Tiranës. Kjo nuk ka asnjë të keqe.
Po nëse dikush nesër shkon dhe e dorëzon?
Ai do të quhet hero, nëse e bën atë gjë. Askush nuk do ta anatemojë, askush nuk do ta gjykojë, ai do të jetë hero.
Se mos ka frikë ndonjëri, e gjen tani dhe e hedh në zjarr…
Qëllimi nuk është që ne të dënojmë penalisht një person. Nëse dikush e ka ose ka dijeni, nuk e fut njeri në burg. Ai do të pyetet dhe do ta dorëzojë.
42 firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë
Ismail Qemal bej Vlora (1844-1919)
Dom Nikollë Kaçorri (1862-1917)
Vehbi Dibra Agolli (1867-1937)
Jorgji Karbunara – Babë Dudë Karbunara (1842-1917)
Elmas Boce (1850-1925)
Qazim Kokoshi (1882-1945)
Jani Minga (1872-1947)
Rexhep Mitrovica (1888-1960)
Dhimitër Tutulani (1875-1937)
Abas Dilaver (Çelkupa) (1850 – 1926)
Shefqet Dajiu (1882-1946)
Xhelal Koprencka (1876-1919)
Hajredin Cakrani (1860-1940)
Iljaz Vrioni (1882-1932)
Murad Toptani (1867-1918)
Luigj Gurakuqi (1879-1925)
Spiridon Ilo (1876-1950)
Thanas Floqi (1884-1945)
Lef Nosi (1873-1946)
Nuri Sojliu (1870-1940)
Ferit Vokopola (1887-1967)
Ymer Deliallisi (1873-1944)
Xhemal Deliallisi (1880-1941)
Mustafa Merlika Kruja (1887-1958)
Abdi Toptani (1864-1942)
Veli Harçi (1850-1914)
Nebi Sefa (1861-1942)
Mit’hat Frashëri (1880-1949)
Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885-1957)
Qemal Karaosmani Elbasani (1875-1949)
Sali Gjuka (1876-1925)
Dhimitër Berati (1888-1970)
Dhimitër Mborja Emanoil (1884-1945)
Dimitër Zografi (1878-1945)
Pandeli Cale (1879-1923)
Qemal Mullaj (1881-1966)
Bedri Pejani (1885-1946)
Qemal Mullaj (1881-1966)
Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) (1876-1937)
Aristidh Ruci (1875-1950)
Zyhdi Ohri (1872-1938)
Sulejman Delvina (1884-1932) /Ra.My.Fjala.al/