Roçesteri, një qytet me rreth 200 mijë banorë në veri-perëndim të Nju Jorkut, u përfshi nga protestat këtë javë pasi familja e viktimës, Daniel Prude, publikoi pamjet filmike të arrestimit të tij në muajin mars.
Policia në Roçester të Shteteve të Bashkuara përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstratat kundër vdekjes së një personi me ngjyrë, i cili humbi jetën pasi ishte ndaluar nga policia.
Prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James më herët gjatë së shtunës nisi formimin e një jurie për të hetuar vdekjen e Prude.
Ndërkohë, zyrtarët në Roçester janë përballur me pyetjet përse oficerët përgjegjës nuk u ndëshkuan derisa filmimet u bënë publike pesë muaj më vonë. Sindikata lokale e policisë mbrojti agjentët duke thënë se ata vepruan sipas protokollit, pasi Prude po sillej në mënyrë psikotike.
Shtatë oficerë policie u pezulluan të enjten lidhur me arrestimin. Mjeku ligjor arriti në përfundimin se vdekja e tij ishte një vrasje e shkaktuar nga asfiksia si pasojë e bllokimit fizik.
Pamjet tregonin një grup oficerësh, që i kishin vendosur një kapuç në kokë, teksa ai qëndronte i zhveshur dhe i prangosur në rrugë.
Videoja tregonte gjithashtu oficerët që e detyronin Daniel Prude-in të qëndronte me fytyrën në tokë, ndërsa ky i fundit dëgjohej teksa kërkonte heqjen e kapuçit dhe u bërtiste agjentëve duke u thënë “po më vrisni”. Prude ndërroi jetë një javë më vonë në spital. Ru. Do/ Fjala.al