Një ndër sëmundjet më të përhapura të lëkurës në të gjithë botën është ekzema. Presonat e prekur nga ekzema vuajnë më së shumti nga irritime, të çara dhe kruajtje në lëkurë. Mjekja dermatologe, Ardiana Sinani, tregon për gazetën “Fjala” shkaktarët kryesorë të ekzemës, masat që duhen marrë për ta parandaluar, si dhe disa prej mënyrave të trajtimit.
Nga Ina Allkanjari
Ekzema është një nga sëmundjet më të përhapura dermatologjike, e cila shkakton irritime, të çara dhe kruajtje në lëkurë. Rreth një në çdo pesë individë, të paktën një herë gjatë jetës së tyre, janë prekur nga ekzema. Shkaqet janë të shumëllojshme, duke nisur nga kontakti me çfarëdo lloj produkti kimik me lekurën, produktet kozmetike, kontakti me çfarëdo lloj materiali veshjeje, metali ose dru, kontakti me bimët apo me kafshët etj. Mjekja dermatologe, Ardiana Sinani, tregon për gazetën “Fjala” llojet më të hasura të ekzemës, si dhe masat që duhen marrë për ta parandaluar.
Sinani thekson se ekzema mund të jetë akute ose kronike, ose të dyja bashkë. Sipas dermatologes, gjatë ekzemës akute lëkura skuqet, enjtet, ka kruajtje dhe mund të krijohen vezikula të mbushura me lëng seroz. Ndërsa në ekzemën kronike lëkura është e kuqe e errët, e kufizuar përgjithësisht me lëkurën e shëndoshë dhe shpeshherë edhe me skuama të vogla të bardha (copëza të imta lëkure të shkëputura). Sinani shprehet se pasi është shfaqur ekzema, një faktor që mund ta provokojë ose përkeqësojë pezmatimin e lëkurës është stresi psikologjik.
Disa nga ekzemat më të hasura në praktikën klinike:
Ekzema atopike
Ekzema atopike (ose rrjebulla) është pezmatim kronik i lëkurës që është shumë e zakonshme te fëmijët, por mund të ndodhë në çdo moshë. Ajo është e njohur edhe si ekzemë, dermatit atopic dhe neurodermatitis. Kjo është forma më e zakonshme e dermatitit. Ekzema atopike zakonisht ndodh në njerëz të cilët kanë një tendencë atopike, prirje gjenetike për të qenë alergjikë dhe mund të shfaqet së bashku me fenomene respiratore alergjike, astma dhe riniti alergjik. Shpesh këto patologji janë familjare. Fëmija mund të ketë njërin prej prindërve, vëlla ose motër alergjik nga patologjitë që përmendëm më sipër. Një histori familjare për astma, ekzemë ose rinit alergjik është veçanërisht e dobishme në diagnostikimin e ekzemës atopike te foshnjat.
Ekzema atopike nuk është ngjitëse! Ajo lind për shkak të bashkëveprimit kompleks të faktorëve gjenetikë dhe faktorëve të mjedisit të jashtëm. Këto përfshijnë defektet në funksionin normal mbrojtës të lëkurës, duke e bërë atë më të ndjeshme ndaj kontaktit me faktorë të jashtëm specifikë, si detergjentë, shampo, veshje (leshi ose sintetike) dhe irritues të tjerë në kontakt me lëkurën, apo ndryshime jo specifike, si ndryshimet e motit, temperatura. Lëkura në ekzemën atopike është e skuqur, e enjtur, me luspa të kuqe pa kufij të qartë me lëkurën e shëndoshë.
Trajtimi i ekzemës atopike duhet të fillojë që në marrjen e masave të thjeshta, si përdorimi i veshjeve të pambukut, përdorimi i larësve të butë, pa përmbajtje aromatike, dhe aplikimi pomadave, zbutësve të lëkurës, kremrave dhe pomadave të prodhuara posaçërisht për këtë problem. Kur këto nuk japin efekt, duhet të drejtoheni te dermatologu juaj, për të përdorur për një kohë të shkurtër pomadë me përmbajtje kortizoni, gjithmonë nën kujdesin e mjekut dermatolog. Kam dëgjuar shpesh nëna të reja, të cilat, të këshilluara nga nënat dhe vjehrrat e tyre, të thonë të mos e mbyllësh rrjebullën në lëkurë, por ta lësh të kullojë, sepse shfaqet brenda në organizëm, ky mendim është shumë i gabuar. Ekzema atopike duhet të mjekohet dhe trajtohet vazhdimisht në mënyrë kronike, sepse lënia e patrajtuar e saj çon në mbiinfeksione bakteriale, të cilat e acarojnë dhe vështirësojnë edhe më shumë trajtimin e saj.
Ekzema e duarve
Në ditët e sotme po shtohet përdorimi i detergjentëve kimikë, larës të ndryshëm që përdoren gjerësisht në shtëpitë tona. Përdorimi pa kriter i tyre, pa masa mbrojtëse, siç janë (përdorimi i dorezave gjatë punës) çojnë në acarimin apo pezmatimin e lëkurës, skuqjen e saj dhe shfaqjen e atyre që quhen ekzema irritative nga kontakti me produkte kimike. Në fazën e parë lëkura është e skuqur, e enjtur dhe me vezikula të vogla apo bulëza me lëng serotik, ku pruriti (kruajtja) është prezent, kjo është faza akute e ekzemës. Më pas, me vazhdimin e përdorimit të këtyre produkteve kimike, lëkura fillon të thahet, ashpërsohet, trashet dhe mund të krijohen edhe ragade (çarje të lëkurës).
Gjithashtu, janë duke u shtuar shumë ato që quhen ekzema profesionale, nga puna me produkte dhe lëndë kimike, sidomos te puntorët e ndërtimit, banakierë, parukierë apo persona që punojnë me këto produkte kimike. Ekzema të tjera janë ato që vijnë nga kontakti me bimë të ndryshme. Trajtimi i kësaj patologjie konsiston në aplikimin e emolientëve (zbutësve), përdorimi i pomadave me kortizon e, në fazën akute, edhe të kortizonikëve sistemikë.
Dermatiti nga panolinat
Dermatiti nga panolinat vjen si rezultat i kontaktit me panolinën apo i acarimit të lëkurës nga jashtëqitjet apo urina e fëmijëve, e cila në kontakt të ngushtë me lëkurën e acaron atë dhe lëkura skuqet e shpeshherë mbiinfektohet nga bakterie apo myqe që janë më të shumtë në atë zonë. Te disa fëmijë, përgjithësisht gjatë periudhës së daljes së dhëmbëve, imuniteti fillon dhe bie, ata bëhen më të ndjeshëm ndaj virozave dhe enterovirozave, të cilat shprehen me diarre, e cila përgjithësisht është acide dhe e pezmaton shumë lëkurën. Te disa fëmijë të tjerë ky dermatit ndodh nga përdorimi i panolinave jocilësore dhe te disa nga higjiena e pakët.
Masat që duhen të merren
Panolinat duhen të ndërrohen sa më shpesh, sidomos te fëmijët që kanë këto probleme, sa herë që ata defekojnë apo urinojnë, duhen pastruar mirë duke u larë me ujë të rrjedhshëm për çdo ndërrim pelenash. Përdoren përgjithësisht pasta apo emolientë (zbutës) që në përmbajtje të tyre kanë oksid zinku, që ka veti antiinflamatore. Dhe në rastet kur lëkura është acaruar përdoren edhe pomada antimykotike dhe antibakteriale. /Ra.My.Fjala.al/