“Bushati ka 14 muaj që ka lënë PS Shkodër”, Beqja përjashton ndryshimet në qeveri

Ilir Beqaj ka zhvilluar këtë të martë takimin e parë prezantuas me strukturat e PS në Shkodër, pas emërimit nga Rama si drejtues politik për Shkodrën. Gjatë fjalës së tij ai tha se është i vetëdijshëm për problemet e partisë dhe drejtorëve, ndërsa sa i takon përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë në Shkodër, Beqaj tha se drejtuesi politik i qarkut ka për detyrë të merret me të gjithë.

“Rikhimin në Shkodër për mua është pivilegj, e kam pranuar me dëshirë propozimin e kryeministrit sepse në Shkodër e kam filluar politikën aktive. Me kryeministrin kam një marrëdhënie sy me sy që zgjat shumë pak vendimmarrja.

Drejtorët nuk janë një punë e imja por do shohim se si kanë punuar sepse kur vjen puna për legalizime ose funksione të tjera nuk ka të majtë e të djathtë.

Në këtë fazë jemi shpejt për të kaluar tek kandidaturat. Kemi një ndryshim me opozitën sepse bërthamën e parë e kemi nga deputetët ekzistues. Duhet te shohim se cila pjesë e listës do jetë e hapur dhe cila jo”, tha ai.

Lidhur me drejtoritë e zhvendosura nga Shkodra në Lezhë, ai tha se kjo është një temë e gjatë dhe do te dojë më shumë kohë për të kuptuar konceptin e rajoneve.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm që pasi krijohen drejtoritë e rajoneve që kanë tre qarqe nuk është normale që të gjitha drejtoritë të jenë në një qark edhe pse Shkodra ka rrezatuar në gjithë Shqipërinë. Nëse vendosim peshore farmacie se a duhet të jetë arsimi apo ndonjë tjetër është një çështje tjetër. Opinioni shkodran është i ngarkuar me këtë gje dhe duhet të punojmë shumë më tepër. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore apo edhe shërbime të tjera të mos krijojnë barriera për qytetarët”, shtoi Beqja.

Lexo edhe :  KQZ u jep 12.7 milionë lekë 4 partive të reja

Një koment ai pati edhe për zgjedhjet lokale, pasi bashkia Shkodër ende nuk ka një kryetar të zgjedhur nga populli.

“Zgjedhjet lokale janë një çështje që e di presidenti. Zgjedhjet një ditë do të bëhen. Fillimisht puna jonë do përqëndrohet në gjithë qarkun për zgjedhjet parlamentare. Kemi një boshllëk një vjeçar në punën e partisë dhe duhet të punojmë shumë”.

Lidhur me ndryshimet e mundshme në qeverinë Rama 2, ai tha kjo është e drejtë e kryeministrit porse 7 muaj para zgjedhjeve nuk është e lehtë të bëhen.

Ilir Beqaj nuk shmangi komentet edhe për ish-drejtuesin politik të PS-së në Shkodër, Ditmir Bushati. “Bushati ka 14 muaj që e ka lënë PS Shkodër dhe nuk mund të themi si e la ai PS këtu. Zoti Bushati është deputet dhe nuk e vendosim ne nëse është apo jo dhe aktualisht nuk ndodhet as në Tiranë dhe as në Shkodër”, tha Beqja./Bl.Ba/Fjala.al