Si u zbulua Shemsie Kadria në Turqi

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Hajro Limaj

Atasheu ushtarak në Ankara midis përplasjeve të presidentit Rexhep Meidani me ministrin e Jashtëm, Paskal Milo

Në një nga ditët e shtatorit 1999, nga një media turke e dorës së dytë, lexova një njoftim tepër të shkurtër “Presidentja e fimës rentiere “Gjallica” në Shqipëri është strehuar në Izmir, me pasaportë turke”. Shemsie Kadria ishte në kërkim ndërkombëtar, për dramën që u solli shqiptarëve me firmën rentiere Gjallica. Me siguri shtetarët e asaj kohe nuk donin ta zbulonin, sepse me një koordinim me shërbimin informativ turk, do ta kishin realizuar. Mplekseshin shumë njerëz, disa me fuqi politike dhe poste të rëndësishme, që kishin përfituar nga kjo fantazmë financiare dhe nga e gjithë katrahura politiko-ushtarake dhe sociale që përjetoi Shqipëria nga fundi i vitit 1996 dhe gjatë viteve 1997-1998.

Pas komunikimeve dhe kordinimeve që bëra me telefon, autoritet e policisë së Izmirit më konfirmuan se një ditë më parë, Shemsia ishte kapur nga agjentët e policisë në një qytezë turistike afër Izmirit. Ishte e pajisur me pasaportë turke dhe me një emër turk, por nga hetimi në polici u vërtetua se ajo ishte pikërisht shqiptarja Shemsie Kadria. Më këtë informacion zyrtar njoftova me shkrim,“Sekret “, presidentin e Republikës, z. Rexhep Meidani, kryeministrin, Pandeli Majko, dhe ministrin e Mbrojtjes, Luan Hajdaraga. Kryeministri Pandeli Majko këtë informacion e bëri publik në lajmet kryesore të mbrëmjes, në televizionin shqiptar.

Njëkohësisht, ai i kërkoi llogari ministrit të Jashtëm, Paskal Milo, se përse linja e diplomacisë civile nuk kishte asnjë informacion në lidhje me këtë ngjarje, kur atasheu ushtarak, si përfaqësues i shtetit për Forcat e Armatosura, ka informuar në linjën e tij. Po të ishte vetëm ky rast, nuk ia vlente, por kjo ishte në vazhdimësi për probleme delikate. Në komunikimin me mua, ministrit të Jashtëm, Paskal Milo, i thashë qartësisht se përgjegjësitë për këtë gjendje mjerane të diplomacisë civile, duhet ta kërkoni, më së pari te vetja, për ato emërime të papërgjegjshme në ambasadën tonë në Ankara dhe në konsullatën e përgjithshme në Stamboll dhe jo tek informacionet zyrtare dhe të detyrueshme, që unë dërgoja në linjën time shtetërore.

Detyrat midis atasheut ushtarak dhe ambasadorit janë të ndara, prandaj edhe linjat e informimit janë po ashtu të ndara. Ambasadori për stafin e tij i raporton Ministrisë së Jashtme, ndërsa atasheu ushtarak ministrit të Mbrojtjes. Por Paskal Milo emëronte ambasadorë njerëz pa asnjë CV-i diplomatike, pa punuar jashtë shtetit as si sekretar i tretë, të cilët, në vend që me aftësitë dhe kredibilitetin e tyre të mbronin interesat kombëtare dhe me vizionet e tyre t’u hapin rrugën e bashkëpunimit fitimprurës vendit, ishin kthyer në dezhurna të rëndomtë dhe pritës protokolli për delegacionet që vinin nga Shqipëria.

Ambasadori, Saimir Bala, dhe sekretari i pare, Florian Nova, kishin mbaruar vetëm fakultetin e Gjuhëve të Huaja, i pari për rusisht dhe i dyti për frëngjisht. Mirë që turqisht nuk dinin fare, por ata nuk njihnin për komunikimin më të thjeshtë, as anglishten. Kjo u vërtetua kur Demireli priti për letrat kredenciale ambasadorin Bala. Për shkak se ai jo vetëm turqisht nuk dinte, por me anglishten e çalë nuk merrej dot vesh me presidentin turk, Demireli, me të drejtë, e nderpreu bisedën dhe kërkoi përkthyes në anglishte. Kur i merrnin telefon nga ministria e Jashtme e Turqisë apo nga ambasadat e huaja, ishte skandal, sepse viheshin në pozita qesharake. Kërkonin ndihmë nga sekretari i tretë, që njihte turqishten. A e shikoni se çfarë masakre është bërë dhe po bëhet me këtë shtet edhe në fushën e diplomacisë ?!!. Prandaj diplomacia ekonomike, kulturore, shkencore janë në këtë gjendje mjerane, ashtu siç janë edhe qeveritarët, që i emërojnë këta dhe i drejtojnë dikasteret përkatëse.

Po çfarë ndodhi?

Pa pritur në gazetën “Rilindja” të Partisë Demokratike botohet një shkrim i cili trajtonte “bëmat” në ambasadën shqiptare të Ankarasë. Në të trajtohej bashkëjetesa e një diplomati shqiptar me një femër të huaj, jo turke, në katin e parë të godinës së ambasadës. Më shumë shkrimi godiste shkeljen e rregullave të kësaj bashkëjetese në ambientet e një objekti të rëndësisë së veçantë, i cili ruhej 24 orë me polici. Për mua ishte krejtësisht e qartë se cili ishte autori anonim i këtij shkrimi. Ky ishte diplomati A. Kasa, i cili sapo ishte transferuar pa dëshirën e tij nga Ankaraja, krushk i një personaliteti politik të Partisë Demokratike, por, për hir të së vërtetës, njëkohësisht një diplomat me një karrierë shumë të gjatë diplomatike, edhe në kohën e regjimit komunist.

Lexo edhe :  Inspektoriati i Punës apel kantierëve të ndërtimit: Siguroni punonjësit dhe qytetarët

Instituticonet shtetërore kërkuan nga unë të vërtetën e ngjarjes, që trajtohej në gazetë dhe kuptohet se unë nuk mund të gënjeja dhe të mos i shkruaja të vërtetën e plotë presidentit Meidani. Kur z. Meidani i kërkonte Paskal Milos llogari për këtë gjendje anarkie dhe papërgjegjshmërie në dikasterin e tij, ai, vjen fshehurazi nga ne të tjerët dhe bën një takim sekret me ambasadorin Bala dhe diplomatin që trajtohej në gazetën e mësipërme, me sa mësova unë në Izmir. Kur u kthye në Tiranë, në vend që ta sqaronte presidentin për çorbat e tij në diplomaci, i dërgon shkresë zyrtare atij se “atasheut ushtarak, kolonel Hajro Limajt, i ka përfunduar mandati 4-vjeçar dhe duhet ta kthejmë në atdhe”.

Të gjithë këtë “përkujdesje” natyrisht e bëri me një Saimir Bala, të cilin ai e kishte dërguar ambasador dhe që presidenti Demirel, kur erdhi për vizitë në Ankara presidenti Meidani, i tha në konfidencialitet “po juve nuk keni kuadro me eksperiencë dhe me gjuhën turke, që t’i bini ambasador këtu…” Presidenti Meidani, me të drejtë, kur u kthye në Shqipëri, në mbledhjen me këshilltarët, e shtroi për zgjidhje këtë problem, por këshilltari i tij, prof. dr. Sabit Brokaj, i propozoi që ta linin sa të mbushë minimumin e mandantit dyvjeçar dhe pastaj ta kthenin në atdhe. Këtë të vërtetë z. Sabit na e tregoi mua dhe ambasadorit në një darkë, kur ishim bashkarisht në Ankara. Dhe kështu ndodhi. Meidani e ktheu në atdhe këtë ambasador sa mbushi minimumin, 2 vjet. Në vend që Paskal Miloja të kërkonte nga Turqia përshpejtimin e procedurave për kthimin në atdhe të Shemsie Kadrisë, ai kërkonte kthimin e atasheut ushtarak, që informoi shtetin për krijuesen e “Gjallicës”, falimentimi i së cilës ishte një nga “depot me eksplozion apo benzinë”, prej të cilave shpërthyen revoltat e vitit 1997, duke u vënë në diskutim sovraniteti dhe ekzistenca e shtetit shqiptar. Kalaja e “mbrojtjes” së atasheut ushtarak, Ministria e Mbrojtjes, i kundështonte me këmbëngulje këto kërkesa dhe qëndrime të Paskal Milos. Unë u riktheva në atdhe, kur misioni im kishte përfunduar, me dy vjet mbi mandantin.

Për këto vlera dhe kontribute u emërova këshilltar i ministrit të Mbrojtjes, z. Luan Hajdaraga, për politikat e sigurisë kombëtare dhe integrimin në NATO, detyrë të cilën e vazhdova edhe me z. Ilir Gjoni. Ditën kur z. Luan Hajdaraga do të largohej, më thirri në zyrë dhe nxori nga kasaforta të gjithë këtë korrespodencë konfidenciale, që ishte kryer midis presidentit, Paskal Milos dhe Luan Hajdaragës. Ai i mbajti disa sekonda në dorë dhe deshi të fillonte të m’i lexonte, por unë i thashë se mjaftonte edhe të m’i përmblidhte shkurt edhe me gojë. Dhe kështu bëri. Në fund i grisi dhe i hodhi në koshin e plehrave, sepse ishte i bindur se aty e kishin vendin edhe Miloja me ata që kishin mashtruar shtetin për të vërtetat që unë unë i kisha trajtuar dhe përcjellë me korrektesë të plotë. Në përgjithësi, unë isha në dijeni dhe prandaj nuk më krijoi befasi dhe ndonjë ngarkesë emocionale letra shpifëse dhe dashakeqe ndaj meje. Ministri Hajdaraga nuk e fshehu se mbeti i habitur me qetësinë time shpirtërore ndaj këtyre përpjekjeve të dështuara për të njollosur figurën dhe punën time në Turqi, të vlerësuara shumë mirë nga të gjithë shtetarët e dy partive, Demokratike dhe Socialiste.

Me sinqeritetin më të madh përjetova keqardhje për shtetin shqiptar, që trajtohej dhe përdorej nga Miloja kaq me papërgjegjshmëri sesa për veten… Për ta njohur edhe më mirë Milon dhe bëmat e tij ndihmon edhe ky fakt. Paskal Milo emëroi Saimir Balën ambasador të Shqipërisë në Turqi, në Ankara, në kundërshtim me ligjet e diplomacisë, sepse ai është dhëndër i krushkës së Dhori Kules, ish-sekretar i përgjithshëm i PSD-së, ku Miloja ishte nënkryetar. Kanë kaluar 20 vjet, por edhe tani përjetoj keqardhje të sinqertë për shtetin shqiptar, të cilin shumica e qeveritarëve e kanë trajtuar dhe përdorur me kaq papërgjegjshmëri dhe me pasoja shumë të rënda. Në qoftë se do të kishim pasur shtet ligjor të vërtetë dhe funksional, pa komplekse frike dhe inferioriteti para posteve dhe kolltukëve, të gjithë këta duhej të kishin marrë dënimet e merituara dhe të paapelueshme, për shkeljet me ndërgjegje të ligjshmërisë dhe për trajtimin e shtetit si pronë private. /Ra.My.Fjala.al/

 

Të fundit

Berisha paraqitet në SPAK, sulmon Dumanin/ Altin Troplini, avokat i karteleve të drogës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur në SPAK, në zbatim të masës "Detyrim paraqitje" të vendosur nga gjykata lidhur...

Aferat me tenderë qindra milionëshe/ Myslim Murrizi akuzon deputetët e PD për pazare

Ish-deputeti i Partisë Demorkatike, Myslim Murrizi, ka akuzuar ashpër deputetët demokratë se kanë heshtur për aferat qindra milionëshe të qeverisë Rama. Ai tha se...

Georgina Rodriguez shfaq unazën milionadollarëshe në tapetin e kuq në Venecia

E fejuara e Cristiano Ronaldos, Georgina Rodriguez, tërhoqi gjithë vëmendjen në ceremoninë Filming Italy Venice Award gjatë Festivalit të 82-të të Filmit, duke ekspozuar...

Po tani? BE kërkon mënyra të reja për të mbështetur Ukrainën

Kur takohen ministrat e Jashtëm të BE, agjenda e tyre shpesh i ngjan një atlasi botëror. Lista marramendëse deklaratash dhe veprimesh për t'u miratuar, pika...

Dhimitër Anagnosti, kineasti me karrierë të ndritur

Nga Leonard Veizi Ai nuk është më... fizikisht. Sepse u largua nga kjo jetë pikërisht datën e 1 shtatorit 2025, nëmoshën 89 vjeçare. Por ai...

Lajme të tjera

Web TV