A mund të krahasohen ministrat e dikurshëm të arsimit në Shqipëri me këta në demokraci?

Studiuesi shqiptar Ardian Ndreca, i cili punon si profesor në Universitetin Urbaniana në Romë ka komentuar ministrat e arsimit që janë vendosur vitet e fundit.

“Kur mendoj se kemi pasë ministra arsimit figura të përndritshme të kombit si Luigj Gurakuqi, Mihal Turtulli, Sotir Peci, Aleksandër Xhuvani, Kristo Dako, Ernest Koliqi – e sot jemi katandisë në figura të pakuptimta,” shkruan ndër të tjera Ardian Ndreca.

Postimi i plotë i Ardian Ndrecës

Kur mendoj se kemi pasë ministra arsimit figura të përndritshme të kombit si Luigj Gurakuqi, Mihal Turtulli, Sotir Peci, Aleksandër Xhuvani, Kristo Dako, Ernest Koliqi – e sot jemi katandisë në figura të pakuptimta, pa asnji lloj spesori e që s’kanë lanë nji gjurme sado të vogël, me kapë ai trishtimi për të cilin fliste Henri-Irénée Marrou: trishtimi i atij që përpiqet me kuptue edhe pjesën ma irracionale të kohës që i takon me jetue dhe vëren sesi ajo imponohet prej kryeneçësisë së atyne që u intereson pushteti dhe jo e ardhmja.

Jo e nesërmja, e ardhmja, ajo që mvaret kryekëput prej kulturës dhe arsimit.