Një status që të zgjon kureshtje apo dhe që të shtyn të mendosh përtej asaj që mund të prekim ishte statusi i gazetarit Robert Goro ditën e sotme.
Gazetari i njohur ndër rreshta thotë që në 14 shtator të 21 viteve më parë ai mund të vdiste por ishte gruaja e tij, Djana që asokohe ishte shtatzënë me dy binjakët (Ervin dhe Themin) që i tha mos ta linte vetëm pasi duhej dhe shumë pak që ajo të lindte.
“Diana, duke më parë me trishtim, më tha: “Do të më lesh vetëm?”…”, ka rrëfyer Goro
Goro, asokohe gazetar i BBC në Athinë shkruan që ishte pjesë e grupit grek që do shkonte për një vizitë në Bukuresht. Ishte udhëtimi fatal që çoi në vdekjen e gjashtë personave pasi avioni u rrëzua mes të cilëve zv.ministri i Jashtëm grek me të birin, dy gazetarë, një kameraman, një badigard dhe një pjësëtar i ekuipazhit.
“Unë do kisha qenë më siguri i shtati”, ka shkruar në statusin e tij Robert Goro.
Goro shpreh falënderimet për familjen e tij që e shpëtuan në 14 shtator të vitit 1999 dhe vazhdojnë ta shpëtojnë./Jo.Be/Fjala.al
Postimi i plotë
Si më shpëtuan jetën dy çunat e mi, ende pa u lindur…
Si sot, 19 vjet më parë, 14 shtatori do të mund të ishte dita ime fatale. Pasditen e 14 shtatorit 1999, unë mund të isha në bordin e avionit qeveritar që po çonte në Bukuresht zëvendësministrin e jashtëm grek, Jannos Kranidiotis, i cili humbi jetën bashkë me të birin, dy gazetarë, një kameraman, një prej badigardëve dhe një pjesëtar të ekuipazhit.
Isha dhe unë pjesë e ekipit të gazetarëve, por në momentin që do të nisesha për në aeroport, Diana, duke më parë me trishtim, më tha: “Do të më lesh vetëm?”…
Ishte në “ditët e veta” si i thonë fjalës, për të lindur dy trimat tanë, Evrin dhe Themin. Nuk u mëdyshova aspak. Telefonova në ministrinë e jashtme greke, për t’iu thënë se e anuloja pjesëmarrjen time. Zëri nga ana tjetër e telit u ankua që pse nuk njoftova më përpara. “Kishte kaq kërkesa, mund të kishim vënë në listë një koleg tjetër”. Kërkova mirëkuptimin e tyre dhe e mbylla telefonin.
Pasdite, mbërriti lajmi i kobshëm, për tragjedinë e avionit qeveritar Falcon. Turbulencat, 20 minuta para se avioni të ulej në aeroportin e Bukureshtit, kishin vrarë gjithë ata që ndodheshin në bord pa lidhur rripat e sigurimit. Gjashtë njerëz. Unë do të kisha qenë me siguri i shtati , pse kisha zakonin e keq që të shisja mend e ta vija rripin vetëm kur ishte e detyrueshme, në ngjitje dhe në ulje.
Atë natë dhe për shumë ditë të tjera, tok me dhimbjen për ata njerëz që u ndanë kaq padrejtësisht nga jeta, nuk harroja të falënderoja Dianën dhe indirekt edhe dy çunat e mi që erdhën në jetë pesë ditë më vonë, mëngjesin e të dielës 19 shtator 1999.
Nuk harroj të falënderoj ata që më shpëtuan jetën dhe vazhdojnë më mbajnë në jetë…