Ulsi Manja akuzë për KED: Mungesë impenjimi në punë

Deputeti  PS dhe kryetari i komisionit parlamentar  për Çështjet Ligjore,  Ulsi Manja bën kritika të forta për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Në emisionin HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU,  Manja tha se ka një mungesë impenjimi nga ky institucion  për ecurinë e procesit të reformës në drejtësi. Sipas tij, ata disa herë kanë nxjerrë justifikime se  janë disa institucione shtetërore që nuk bashkëpunojnë por Manja. shton se këtë duhet ta specifikojnë me emra institucionesh  dhe drejtues dhe jo e thënë në përgjithësi.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të duhej të kishte plotësuar minimalisht afatet që i përcakton ligji në lidhje me vettingun e kandidatëve që Kuvendi dhe Presidenti i kanë përcjellë për në Gjykatën Kushtetuese. Dje ka pasur një mbledhje të KED, dhe unë i bashkohem kritikave. Kuvendi i Shqipërisë për vakancën e vet i ka dërguar kandidaturat në nëntor të 2019. Sot po vjen nëntori i 2020 dhe akoma KED, për 10 kandidatura që ka çuar Kuvendi nuk ka një përgjigje. Ligji thotë brenda 35 ditëve nga momenti që administron kandidaturat e ardhura nga Kuvendi apo nga Presidenti, KED do të duhet të bëjë vlerësimin e pasurisë , figurës dhe integritetit profesional të kandidatit brenda 35 ditëve. Ne nuk kemi instrumenta për të ndërhyrë sepse KED është instrument kushtetues i pavarur. Mekanizmat e ripërtëritjes së këtij këshilli janë të përcaktuara në ligj.

-Kjo është një përplasje mes Kuvendit dhe KED.

-Nuk do ta quaja përplasje sesa mungesë impenjimi nga ana e KED për tiu përgjigjur në kohë kësaj sfide që kemi përpara të gjithë. /Fjala.al/Ke.Ba