Vendimi i vonuar dhe i detyruar i kryeministrit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Osman Metalla

Sot kryeministri i Shqipërisë deklaroi nga Athina se zgjidhja e marëveshjes së detit mund të bëhet me ndihmën e një pale të tretë, duke nënkuptuar ftesën që i bënte palës greke për të pranuar mundësinë që të gjejmë një zgjidhje në një Gjykatë ndërkombëtare.

Në pamje të parë duket një vendim i detyruar i kryeministrit, kur situata në rajon është një situatë tejet e nxehtë, dhe njëkohësisht çdo vendim i marëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, sidomos pas deklarimit të kryeministrit grek në parlament se Greqia do të zgjeronte detin terrritorial nga 6 -12 milje detare, do të kishte impakt rajonal, sidomos duke pasur në mendje konfliktet aktuale që janë sot me ishujt grekë (sidomos rasti i Kastelorizos dhe i Kios).

Nga ana tjetër, edhe furtuna që është krijuar në Shqipëri lidhur me këtë çështje, i ka trazuar jo pak ujërat dhe mosbesimi publik i krijuar ndaj politikës lidhur me këtë çështje, do ta bënte çdo vendim të atakueshëm dhe jo të pranueshëm nga ana e opinionit të gjerë. Për më tepër, dhe situata parazgjedhore nuk e favorizon aspak zhvillimin e negociatave, pasi një gjë e tillë nuk do t’u shpëtonte politizimeve elektorale, gjë që do ta komplikonte akoma dhe më shumë çështjen dhe do të shfokusonte rëndesën e problemit.

Ndaj dhe ideja e dërgimit të kësaj marrëveshjeje nga palët në një gjykatë ndërkombëtare, duke konsideruar të gjitha rrethanat duket një zgjidhje racionale, e cila është krejtësisht e vonuar dhe kjo vonesë pa diskutim që ka sjellë komplikimet e veta.

Fill pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010, qeveria shqiptare dhe ajo greke ranë dakord në parim që çështja e delimititmit t’i besohej një arbitri ndërkombëtar, mirëpo ndryshimi i pushtetit në vitin 2013, e anashkaloi një vendim të tillë dhe më pas, në vitin 2017, qeveria Rama vendosi të paraqesë në tryezën e bisedimeve një paketë çështjesh për t’u zgjidhur me palën greke, ku njëra ndër çështjet ishte dhe çështja e detit.

Bashkimi i disa çështjeve në një paketë të përbashkët ishte një strategji jo fort e gjetur, pasi secila çështje kishte rëndësinë dhe veçoritë e saj e, për më tepër, çështja e detit, e cila vinte pas atij diskutimi të gjerë publik dhe atakimit e rrëzimit në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Partisë Socialiste, e bënte këtë të fundit akoma dhe më përgjegjëse për të arritur një marëveshje e cila të adresonte pikërisht ato gjëra për të cilat kishte apeluar dhe e kishte rrëzuar mërëveshjen e vitit 2009 në Gjykatën Kushtetuese.

Për më tepër, në mënyrë surprizë, ish- ministri i Jashtëm grek Kocias, do të deklaronte për herë të parë se Greqia kishte vendosur të zgjeronte detin territorial nga 6 në 12 milje, dhe se për këtë nga ana e palës shqiptare nuk kishte asnjë kundershtim, madje pala shqiptare ishte dakord. Një deklarim shqetësues ky, i cili kurrsesi nuk ishte në favor të zgjidhjes drejt të çështjes e, për më tepër, që bisedimet kishin filluar me të tjera rregulla loje.

Shqetësues ishte dhe fakti se në atë kohë (fundi i janarit 2018) kryeministri Rama deklaronte se marëveshja do të ishte gati në prill, kur në atë kohë as grupi negociator nuk ishte formuar. Një nxitim i pashpjegueshëm, ose çka është akoma më e papranueshme, një pranim i një arritjeje politike të një marëveshje pa bërë asnjë negociatë. Njëkohësisht dhe deklarimi i kryeministrit grek Micotaqis, për zgjerimin e detit territorial nga 6-12 milje, tashmë rihapi dhe një herë arenën e diskutimeve dhe ajo çka e komplikoi sërish situatën ishin dhe deklarimet e politikanëve shqiptarë se një zgjerim i tillë është e drejtë e Greqisë dhe nuk prek interesat e Shqipërisë.

Deri në pjesën e parë të deklarimit s’ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar, pasi konventa e parashikon një gjë të tillë dhe, sigurisht, nuk besoj se i duhej edhe konfirmimi ynë Greqisë për një gjë të tillë, por pjesa në vazhdim se “ky zgjerim nuk cenon hapësirat shqiptare” ishte krejtësisht i tepruar dhe aspak në favor të asaj çka Shqipëria pretendon se i takon nga delimitimi i hapësirave detare, sipas të drejtës ndërkombëtare. Për më tepër, pyetja tjetër që shtrohet është: sa ishte e përgatitur qeveria t’i adresonte të gjitha çështjet për të cilat u rrëzua në Gjykatën Kushtetuese marrëveshja e vitit 2009?

Ne fakt, për hir dhe të mungesës së transparencës që patën negociatat, nuk është se kemi ndonjë informim publik lidhur me atë çka është pretenduar nga ana e palës shqiptare të negociatorëve dhe çfarë është arritur dhe këtu, unë e përsëris ‘duhet t’ia dimë për nder’ palës greke, e cila herë pas herë e ka informuar opinionin e saj publik në çdo rast që ka arritur ndonjë objektiv në negociata.

Pa dashur të paragjykoj, them që nëse do të kishim pasur ndonjë sukses, nuk besoj se qeveria do të na e kishte ‘kursyer’. Me sa shihet, shanset e arritjes së një suksesi në adresimin e atyre pretendimeve të paraqitura në Gjykatën Kushtetuese, dukeshin minimale për të mos thënë inekzistente dhe e vetmja rrugë elegante për të dalë nga kjo situatë duket thirrja në ndihmë e një pale të tretë, d.m.th. e një gjykate ndërkombëtare.

Lexo edhe :  GJKKO shpall fajtor ish-gjyqtarin Ilir Pashaj, ja me sa vite burg dënohet

Dërgimi i një çështjeje të tillë në një gjykatë ndërkombëtare është një praktikë mjaft e njohur dhe, në fakt, ka rezultuar efkase në rastin e shumë mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve. Një gjë e tillë është parashikuar në vetë Konventën UNCLOS-82, Pjesa XV, dhe në nenin 287, paragrafi 1 i këtij neni përcakton edhe mjetet me të cilat vendet mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet ndërmjet tyre dhe përcakton se për qëllimet e kësaj konvente, gjykatat e mëposhtme mund të bëjnë interpretime sipas saj:

  • Tribunali Ndërkombëtarpër ligjin e detit, i themeluar në përputhje me aneksin VI;
  • Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë;
  • Një arbitrazh ndërkombëtar, i kostituuar në përputhje me anekxin VII të konventës.

Rastetet e gjykuara nga gjykatat ndërkombëtare përfshijnë një mori situatash dhe pretendimesh të palëve dhe në shumë raste kanë shërbyer edhe si precedentë në ngritjen e pretendimeve të shteteve në arritjen e marëveshjeve të delimititmit të tyre me vendet e tjera. Ndaj, edhe ftesën e kryeministrit për ta dërguar zgjidhjen e çështjes së delimitimit e shoh sikurse e thashë të vonuar, por në këtë moment gjënë e duhur.

Por ç’do të thotë ta dërgosh zgjidhjen e mosmarrëveshjes në një palë të tretë? A mos vallë delegimi te pala e tretë do të thotë larje duarsh ‘alla pons Pilati?’ Kurrsesi jo! Tashmë qeveria ndodhet para një përgjegjësie të shtuar pasi, nëse deri më tani rëndesa e çështjes ishte më shumë teknike, në përcaktimin e pretendimeve, tashmë merr më shumë prioritet trajtimi ligjor për të mbrojtur të gjitha pretendimet mbi hapësirat detare.

Ndaj dhe është shumë e rëndësishme që të fillohet puna e mënjëherëshme në identifikimin e grupit teknik, i cili do të hartojë të gjitha pretendimet teknike. Pavarësisht se në pamje të parë janë thënë shumë gjëra, çdo detaj duhet vlerësuar, filluar që nga deklarimet e fundit të palës greke, sikurse janë zgjerimi i hapësirës së detit territorial nga 6-12 milje, deklarimi për aplikimkin e vijës së drejtë bazë (të dyja këto janë ndryshim rregullash loje nga fillimi i negociatave), kontekstin historik të ushtrimit të sovranitetit të vendeve gjatë periudhës nga protokolli i Firences e deri më tash (pavarësisht mospasjes së një marrëveshje të mirëfilltë detare ndërmjet vendeve, sërish ka pasur një vijë të pranuar në mënyrë të heshtur, e cila është zbatuar në të drejtën e lundrimit), çështjen e trajtimit të shkëmbit ‘Barketa”, çështjen e gjireve, dhe çka është më e rëndësishme, kur vjen puna te delimitimi i Zonës Ekonomike Ekskluzive, efektin që duhet t’u jepet ishujve.

Kjo do të jetë mbase dhe një nga çështjet më të nxehta, pasi përpos faktit se zgjerimi i hapësirave të detit territorial zgjeron në mënyrë të dyfishtë sovranitetin e shtetit grek në pjesën përballë ujërave shqiptare, por cenon dhe hapësirat e pretenduara për ZË nga ana e palës shqiptare. Njëkohsisht efekti i ishujve mund të paragjykojë dhe hapësirat e ndara ndërmjet Italisë dhe Greqisë në marëveshjen ndërmjet tyre, sidomos në zonën afër pikës së bashkimit të tri vendeve.

Ndaj dhe është shumë e rëndësishme që puna përgatitore të jetë e përmasave të jashtëzakonshme e, për më tepër, duhet të mbulojë dhe gjithë këtë vakuum të krijuar në këto vite, për faktin se kjo marrëveshje më shumë është trajtuar politikisht sesa teknikisht. Humbja e kohës në tërë këto vite na ka vënë në dizavantazh të theksuar karshi palës greke, e cila ka në përbërje të saj ekspertët më të mirë për vetë eksperiencën dhe problematikat me të cilat është ndeshur në të gjithë eksperiencën e vet, pa lënë pas dore institucionet akademike detare, mjaft të zhvilluara në këtë fushë.

Rrjedhimisht, dhe angazhimi i ekpertëve më të mirë shqiptarë është prioriteti numër një, në mënyrë që parapërgatitja të jetë sa më profesionale dhe, natyrisht të parashtrohen të gjitha pretendimet që Republika e Shqipërisë ka në hapësirën detare që do të delimitohet. Për më tepër, krijimi i një grupi ekskpertësh duhet të shikohet edhe si një objektiv strategjik i Shqipërisë, duke menduar se kemi akoma të hapura çështje me fqinjin verior, Malin e Zi dhe me Republikën e Italisë, me të cilën kemi vetëm një marrëveshje të ndarjes së Shelfit Kontinental, por jo të ZË-së.

Suksesi i një vendimi sa më të drejtë në gjykatë varet nga ajo që do të pretendohet teknikisht e do të mbrohet ligjërisht, ndaj dhe angazhimi i ekspertëve më të mirë ligjorë vendas, me njohuri në këtë fushë, është tashmë një çështje e padiskutueshme, por e pamjaftueshme. Vende madje shumë të zhvilluara nuk kanë neglizhuar përdorimin e konsulencave të specializuara. Të tilla konsulenca janë të kushtueshme, por në asnjë rast nuk kushtojnë më shumë sesa mospërftimi i të drejtës që të takon në delimitimin e hapësirave detare. Shpresojmë që këtë herë të ketë një reflektim serioz dhe një vëmendje reale ndaj këtij interesi madhor kombëtar!/Jo.Be/Fjala.al

Të fundit

Një natë pa gjumë nxit humbjen e kujtesës

Një studim i publikuar pak ditë më parë zbuloi se mjafton një natë pa gjumë për të nxitur humbjen...

Drejtori i CIA-s: Trump dëshiron t’i japë fund luftërave

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, konfirmoi se Presidenti Trump urdhëroi një pauzë në ndarjen e inteligjencës me Ukrainën. “Ajo që tha Presidenti Trump është, ai...

Çfarë do të thotë ngjyra e të verdhës së vezës dhe pse nuk është gjithmonë njësoj

Ju mund të keni vënë re se ushqimi numër një ushqyes në planet, veza , nuk është kurrë e njëjtë dhe se jo të...

“Do më gjuajnë me domate kur të dal nga këtu…”/ Egli e përlotur bisedon me Danjën

Pas Prime-t të djeshëm ku Egli dhe Gjesti debatuan për nishanin në trupin e banores, Egli është shfaqur e përlotur. Në një bisedë me Danjën,...

Molla/ Cilat janë disa nga përfitimet shëndetësore të saj në organizëm

Nëse ekziston një frut që të bën shumë mirë për organizmin ajo është molla. Molla njihet për vlera dhe përbërës të jashtëzakonshëm ushqimorë që...

Lajme të tjera

Web TV