Zbardhet drafti i PS në Këshillin Politik: Lista 100% të hapura, ja si do ndahen mandatet

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pak para mbledhjes së Këshillit Politik, mazhoranca ka pranuar sot kërkesën e opozitës për lista 100% të hapura. Ndërkohë është zbardhur drafti, ku sqarohet se si do të bëhet ndarja e mandateve.

Mazhoranca ka kërkuar që kandidatët t’i nënshtrohen votës preferenciale, ndërsa qytetari voton partinë/koalicionin dhe 1 kandidat preferencial dhe vota preferenciale ndryshon renditjen e listës.

Pra, pasi të mbyllet votimi, fillimisht do të bëhet numërimi i votave për partitë, duke llogaritur se sa mandate fiton secila, e më pas do të llogaritet se kush janë emrat fitues për atë parti.

“Kandidatët me numrin e votave më të lartë se ajo e herësit ngjiten në renditje duke zevendesuar kandidatin/tet e fundit në renditje që do të përfitonin mandat sipas renditjes së listës së kandidatëve, nëse numri i votave parapelqyese të këtij të fundit është më i vogël. Në të kundërt kandidati zëvendëson kandidatin e renditur menjëherë më lartë, i cili ka më pak vota parapelqyese se sa herësi i dalë sipas pikës 3 të këtij neni”, thuhet në draft.

Kodi i plotë:

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10 019, DATË 29.12.2008, “KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR Në mbështetje të neneve 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: Në ligjin nr. 10019, datë

29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni ___ Në nenin 65 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:

“3. Në momentin e regjistrimit, koalicioni duhet të deklarojë partinë politike udhëheqëse të koalicionit. Për nevojat e zbatimit të këtij ligji, të gjitha të drejtat dhe detyrimet që ky ligj përcakton për subjektet zgjedhore përmbushen nga partia udhëheqëse e koalicionit. Marrëdhëniet midis partive pjestare të koalicionit dhe detyrimet reciproke midis tyre rregullohen në marrëveshjen e koalicionit, e cila është pjesë e dokumentacionit që depozitohet nga koalicioni në KQZ.”

Neni ___ Në nenin 67, pikat 1 deri 5 ndryshohen si më poshtë: “1. Partia politike ose koalicioni zgjedhor, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të tij për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, kandidati për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ-në që mbulon njësinë e qeverisjes vendore brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë. KZAZ-ja dorëzon një kopje të listës në KQZ brenda 48 orëve.

2.Në zbatim të paragrafit të dytë, të pikës 1 të këtij neni, lista e subjektit depozitohet në KQZ, në rastet kur territori i njësisë së qeverisjes vendore nuk mbulohet nga një KZAZ e vetme.

3.Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore ose kandidati për kryetar bashkie apo për këshillin e bashkisë nuk mund të regjistrohet si të tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si të propozuar nga një grup zgjedhësish.

4.Emrat në listën shumemërore të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Në çdo rast, numri i kandidatëve në listën shumemërore duhet të jetë i plotpjesëtueshëm me numrin tre. Për koalicionet, përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati. 5. Subjekti zgjedhor nuk mund të ndryshojë renditjen e kandidatëve të listës pas regjistrimit të saj. Kandidatët rirenditen vetëm në zbatim të procedurave të këtij ligji për përllogaritjen e mandateve fituese në bazë të votimit parapëlqyes dhe të plotësimit të kushtit ligjor për kuotën gjinore.

“Neni ___ Në fund të pikës 3 të nenit 88 shtohet fjalia si më poshtë: “Për partitë pjestare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre.”

Neni ___ Fjalia e dytë e pikës 2 të nenit 90 shfuqizohet.

Neni ___ Pika 4 e nenit 98 ndryshohet si më poshtë:

“4. Fleta e votimit duhet të përmbajë hapësirën e posaçme për ushtrimin e votimit parapëlqyes për kandidatët e subjektit zgjedhor. Mënyra e votimit parapëlqyes përcaktohet nga KQZ-ja në varësi nga numri i subjekteve pjesmarrëse në zgjedhje, duke respektuar kushtin që informacioni i përcjellë nga fleta e votimit të mos jetë tejet i ngarkuar, konfigurimi i fletës të jetë i qartë e i kuptueshëm për zgjedhësin dhe zgjedhësi t’a ketë të lehtë orientimin për votimin e subjektit zgjedhor dhe të kandidatit të parapëlqyer.”

Lexo edhe :  Dumani i burgosur trazon politikën, ish-ministri në aferë?

Neni ___ Pika 1 e nenit 106 ndryshohet si më poshtë:

“1. Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën votimit shënon në vendin e përcaktuar nga fleta e votimit për subjektin zgjedhor dhe/ose kandidatin e parapëlqyer të subjektit zgjedhor shenjën “x” ose “+” apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij.”

Neni ___ Në nenin 117 bëhen ndryshimet si më poshtë:

1.Pika 2 ndryshohet si më poshtë:

“2. Vota të vlefshme janë vetëm fletët e votimit, në të cilat është votuar qartësisht vetëm për njërin nga subjektet zgjedhore dhe/ose vetëm për njerin nga kandidatët e tij. Kur është votuar për më shumë se një kandidat të të njejtit subjekt zgjedhor, vota i llogaritet vetëm subjektit zgjedhor.”

  1. shkronja “e” ndryshohet si më poshtë:

“e) është votuar për një subjekt zgjedhor dhe për kandidatin e një subjekti tjetër zgjedhor;”

  1. Pas shkronjës “e” shtohet shkronja “e/1” me këtë përmbajtje: “e/1) nuk është e qartë se për kë është votuar; ose”

Neni ___ Në nenin 118 bëhen ndryshimet si më poshtë: Fjalia e dytë e pikës 3 shfuqizohet. Pas pikës 6 shtohet pika 6/1 më këtë përmbajtje: “6/1 Pas përfundimit të procedurave sipas pikës 6 të këtij neni bëhet numërimi, sipas të njejtës procedurë, i votave parapërlqyese për çdo kandidat të subjektit zgjedhor.”

Neni ___ Fjalia e dytë e pikës 1 të nenit 162 ndryshohet si më poshtë: “Për zgjedhjet për Kuvendin, përjashtohen nga shpërndarja e mandateve subjektet zgjedhore që kanë marrë më pak se 3 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi.”

Neni ___ Neni 163 ndryshohet si më poshtë: “Neni 163 Shpërndarja e mandateve për kandidatët fitues të listës 1. Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fituese për secilin subjekt.

  1. Shpërndarja e mandateve fillon me rirenditjen e kandidatëve në bazë të renditjes së tyrë në listën e dorëzuar sipas nenit 67 te këtij Kodi si dhe numrit të votës parapelqyese të secilit kandidat bazuar në procedurat dhe kriteret vijuese. 3. Renditja e kandidatëve që përfitojnë mandat ndryshon nëse kandidati ka marrë një numër votash parapelqyese më të madh se heresi qe del nga pjestimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti sipas nenit 162 të këtij Kodi.Në rast se herësi që përftohet nga pjestimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.
  2. Kandidatët me numrin e votave më të lartë se ajo e herësit ngjiten në renditje duke zevendesuar kandidatin/tet e fundit në renditje që do të përfitonin mandat sipas renditjes së listës së kandidatëve, nëse numri i votave parapelqyese të këtij të fundit është më i vogël. Në të kundërt kandidati zëvendëson kandidatin e renditur menjëherë më lartë, i cili ka më pak vota parapelqyese se sa herësi i dalë sipas pikës 3 të këtij neni.
  3. Ky rregull nuk zbatohet nëse kandidati me më pak vota i përket gjinisë më pak të përfaqësuar.Në këtë rast zevendësimi kalon tek kandidati tjetër i renditur menjëherë më lart deri në shterimin e listës sipas të njëjtave kritere. Kur kandidati me numër më të madh votash se herësi i përket të njëjtës gjini zbatohen parashikimet e pikës 4 të këtij neni.
  4. Kandidatët e listës që nuk përfitojnë mandate sipas pikave 2, 3 dhe 4 të këtij neni renditen në bazë të numrit të votave parapelqyese duke filluar nga numri më i lartë i votave. Kur numri i votave është i barabartë renditja përcaktohet me short.
  5. Përllogaritja dhe shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni, për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi nxirret për çdo zonë zgjedhore më vete. Ndaj vendimit mund të bëhet ankim administrativ në KAS.”

Neni ___ Pika 5 e nenit 164 shfuqizohet.

Neni ___ Pika 3 e nenit 165 ndryshohet si më poshtë: “3. Koalicionet zgjedhore paraqesin vetëm një kandidat të përbashkët për kryetar bashkie dhe një listë kandidatësh për këshillin bashkiak.”

Neni ___ Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pa botimit në Fletoren Zyrtare./Bl.Ba/Fjala.al

 

Të fundit

Vota e Diasporës/ Balla takim në Ferrara: Nuk bëhet fjalë vetëm për fitoren

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, vazhdoi turneun e tij mes shqiptarëve në Itali duke u...

“Express”: Britanikët vërshojnë drejt Shqipërisë, vendit evropian me plazhe mahnitëse

Një numër në rritje turistësh britanikë po vërshojnë drejt Shqipërisë falë çmimeve të lira, maleve dhe plazheve mahnitëse, shkruan Lauren O’Toole në të përditshmen...

Gati Diella në e-Albania, Rama: Ndihmësja zadrimore sapo ka dalë nga inkubatori i AI

Për disa muaj e-Albania do të ketë edhe një asistente virtuale që do të ndihmojë përdoruesit përmes zërit. Lajmin e jep kryeministri Edi Rama,...

“Na vjen keq”, TikTok “fiket” në SHBA!

TikTok nuk priti ditën e përcaktuar, por disa orë para se ligji që e ndalon në SHBA të hynte në fuqi, mbylli funksionin e...

Kthjellime dhe temperatura të ngrohta/ Parashikimi i motit për sot

Edhe të dielën vendi ynë do të mbizotërohet nga moti i kthjellët dhe relativisht i ngrohtë, si pasojë e masave ajrore me origjinë perëndimore...

Lajme të tjera

Web TV