Mendoj se emri i nderuar i Robert Shvarcit, ose vlerat e tij, nuk duhet të lidhen aspak, apo të vihen në peshore me përkthimin e “Njëqind vjet vetmi”, që mund të ketë qenë ndoshta një aksident në karrierën e tij të shkëlqyer prej shqipëruesi.
Nga Leonard Veizi
Proza, kjo mjeshtëri burrash tekanjozë, ashtu si dhe lufta po për burra, por aspak të tillë, prej kohësh nuk është më monopol i mbyllur “me kyç” dhe krejt i paprekshëm. E, megjithatë, femrat që i’u imponuan botës së prozës, por dhe të luftërave shumë kohë më para saj, janë ende pjesa e pakicës. Po, për fat të mirë, aspak më mediokre sesa burrat, dhe pse jo aq të vlerësuara sa ata. Ky mund të ishte dhe një perceptim i gabuar, një pyetje e shtruar jo drejt, ndoshta me tendencë, a ndoshta nga një naivitet i shtirë, por Mira Meksi thotë se në rastin konkret perceptimi është i drejtë dhe jo e tillë është ajo që ndodh mes grave dhe burrave në botën e fortë të prozës. Sepse duam apo nuk duam, maskilizmi ekziston po aq i egër sa dhe në mesjetë, edhe pse në botën e ashpër mashkullore kanë kaluar zhurmë e rapullnajë lëvizje feministe e revolucione seksuale, që në një farë mënyre e kanë zbutur atë…
…Pa dyshim, mes çmimeve letrare, e botimit të veprave të saj nga shtëpi të huaja botuese, ajo ndihet e pakompleksuar dhe kryelartë për atë çka mundur të arrijë në jetë. Elokuente deri në detajin më të skajshëm, Mira Meksi vjen në këtë rrëfim për gazetën “Fjala”, si për të thënë mes të tjerash se me butësinë, a brishtësinë e saj femërore, ka “vënë përfund” plot burra, ca që rreken të shkruajnë romanet dramatike të shekullit e ca të tjerë që kanë “privatizuar” juritë dhe dinë aq mirë të ndajnë qoka çmimesh përmes certifikatave me vulë të patharë institucionesh. E veç kësaj, në debatin e hapur së fundmi, ku mes një përkthimi të Mira Meksit dhe një tjetri të bërë nga Robert Shvarci, po për të njëjtin titull, u vendos një peshore farmacie, ajo di të thotë se përballja midis dy përkthyesve nuk ka asnjë kuptim, debati është i shterpët dhe nuk ka lëndë dhe as argumente për t’u debatuar. E, për më tepër, shton se Robert Shvarci ka qenë një përkthyes i jashtëzakonshëm, që ka sjellë në shqipe autorë të mëdhenj dhe vepra dinjitoze të letrave të botës. E si për t’i vënë kapakun të gjithë kësaj, Meksi shton se, për shkak të evoluimit të vazhdueshëm të gjuhës, shumë vepra të përkthyera vite më parë duhen përkthyer në kushtet e reja gjuhësore, e në këtë mënyrë ajo vetë ka pasur fatin që të ripërkthejë përkthimin e saj.
Së fundmi, panairi i librit “Fier 2020” ju ka akorduar për “Diktatori në kryq”, çmimin e romanit më të mirë. Sa vlen për ju një çmim letrar?
Ndihem e vlerësuar sigurisht. Çmimet letrare janë instrumente jo vetëm të promovimit të veprave letrare, por edhe të ndërtimit të sistemit të vlerave në letërsi. Si të tilla, kanë shumë rëndësi. Madje, kur shoqërohen edhe me një vlerë financiare janë një ndihmë, sado e vogël, për punëtorët e varfër të letrave. Të tillë i kam konsideruar që kur, në vitin e largët ‘94, si bashkëthemeluese dhe drejtuese e të parit fondacion kulturor privat në Shqipëri, “Velija”, krijova çmimet e para private letrare, të cilat u dhanë për 8 vjet me radhë, dhe mendoj dhanë kontribut në ndërtimin e sistemit të vlerave në letërsi. Asokohe konkurrimet dhe çmimet që jepeshin, ndonëse kanë përherë një anë subjektive të pashmangshme, ishin shumë serioze në të gjitha kuptimet. Ka kaluar shumë kohë që atëherë dhe panorama e konkurrimeve e çmimeve letrare në Shqipëri ka ndryshuar krejtësisht. Jo vetëm çmimet që jepen nga Ministria e Kulturës, shoqatat e botuesve, por, për fat të keq, edhe ato që jepen nga individë privatë apo institucionet që kanë ngritur, çka është për t’u përshëndetur, kanë degjeneruar në çmime tarafesh, qokash, interesash vogëlane, nepotizmash, lidhjesh politike… Juritë e tyre janë mediokre dhe dashakeqe ndaj vetë letërsisë, janë përherë të njëjtat, të mbyllura brenda një qerthulli mjeran të paaftësh për të gjykuar letërsinë dhe individësh që nuk marrim as mundimin t’i lexojnë prurjet letrare të konkurrimit. Kështu ndodh që e çorodisin për tmerr sistemin tonë të vlerave që mezi mbahet në këmbë. Dhe lexuesi ndihet pastaj jo vetëm i çoroditur, por edhe i tradhtuar dhe i mashtruar paq, kur sheh se ia shesin sapunin për djathë. Ende nuk po ndërgjegjësohen këta “veteranët” e jurive të çmimeve letrare se sa shumë po e dëmtojnë letërsinë shqipe. Ka edhe anekdota për “juritë”e çmimeve letrare që e kthejnë në tragjikomedi këtë proces të rëndësishëm për zhvillimet letrare. Një shkrimtar, fjala vjen, të cilin një gazetare në një shkrim e ka quajtur “një ndër autorët më të njohur shqiptarë të kohërave të sotme” që ka “korrur” jo pak çmime letrare, madje disa herë të njëjtin çmim, nuk di të shkruaj shqip. Dhe askush prej këtyre “vlerësuesve” të çmimeve, apo kritikët letrarë që shkruajnë edhe artikuj lavdërues për të, nuk e thonë. Njëlloj si fabula e petkave të mbretit: mbreti lakuriq, sa janë përreth lëvdojnë petkat e tij! Kur e pyetën një zonjë, pedagoge e letërsisë, anëtare e jurisë së Panairit të Kombëtar të Librit të vitit të kaluar, për prurjet e atij viti, jo vetëm këputi broçkulla për një roman që as nuk e kishte shfletuar, por edhe pohoi paturpësisht se juria ku zonja bënte pjesë, gjykonte dhe merrte vendime nëpërmjet gjykimit të një “bedeli”. Ky ishte një anëtar i jurisë, i cili, ndonëse nuk linte televizion pa u shfaqur dhe gazetë pa lënë “gjurmët” e gjykimit të tij për letërsinë apo edhe për politikën, vrasjet etj., gjente kohën të lexonte gjithë prurjen e librave të panairit dhe të bënte punën e gjithë anëtarëve të tjerë të jurisë, të cilët shullëheshin ndërkaq në diell. Sigurisht, në këmbim të një statusi të veçantë që fitonte kësisoj, atë të anëtarit “veteran” të jurive letrare. Me këtë analizë nuk dua të zbeh asesi punën e disa anëtarëve të këtyre jurive, personalitete intelektuale dhe të përkushtuar në detyrën që kanë marrë përsipër, për fat të keq, shumë të rrallë, dhe as vlerësimin e drejtë të veprave cilësore që ndodh edhe ky rrallë.
“E Kuqja e demave”, është një roman të cilin e keni rishkruar dhe botuar në frëngjishte. Çfarë shkalle vështirësie kishte një ndërmarrje e tillë?
Të gjitha romanet e mia, përveç romanit “Porfida-Ballo në Versailles”, i cili është i përkthyer, i kam rishkruar në frëngjishte. Por edhe ky roman do të ribotohet në Francë më 2021, i rikrijuar në frëngjishte nga unë. Tani përfundoi edhe redaktimi i variantit frëngjisht të “Diktatori në kryq”, i cili së shpejti hyn në procesin e botimit. Është një punë shumë e vështirë, e cila më merr vërtet shumë kohë. Është pothuaj sikur i shkruaj nga dy herë librat e mi. Sepse bëhet fjalë për një rikrijim në frëngjishte, është e pamundur që shkrimtari ta përkthejë veprën e tij, njëlloj siç mund të bënte me veprën e një shkrimtari tjetër. Por përfytyroni sa e vështirë është sot të çash në tregun e madh të librit në Francë. Për dijeni, shtëpia e madhe botuese Gallimard, pret çdo javë 6 mijë dorëshkrime për botim. Si shkrimtare frankofone, kam më shumë shanse për t’u botuar. Ishte në të vërtetë propozimi i botuesit të Editions Persee, kur lexoi një përmbledhje në frëngjishte të romanit “E kuqja e demave”, që të më botonte si shkrimtare frankofone. Një ndërmarrje që rezultoi pozitive dhe që vazhdoi me romanet e tjera. Gjithsesi, lidhja me gjuhën shqipe është aq e fuqishme tek unë, sa nuk besoj se do t’i shkruaj ndonjëherë drejtpërsëdrejti krijimet e mia në frëngjishte. Versioni shqip do të predominojë gjithmonë.
Ju keni themeluar dhe drejtuar revistën letrare “Mehr Licht”, e cila sot mungon në treg. A keni një plan të ardhshëm për të?
“Mehr Licht”, botuar së pari më ’96, u krijua në një kohë kur mungonin te ne të tilla revista letrare dhe kur ekzistonin shumë pak shtëpi botuese private. Ideja ime ishte botimi i një reviste a la “Nouvelle revue française”, një revistë letrare dhe kritike letrare, të cilën e lexoja me shumë dëshirë, duke e gjetur me vështirësi që në kohën e diktaturës, e krijuar që më 1908 nga një grup shkrimtarësh të rinj, si Andre Gide etj. dhe e botuar nga Gallimard. Për 16 vjet “Mehr Licht-i”, të cilën e pagëzova me fjalët e fundit të Gëtes (Më shumë dritë), u bë një lloj enciklopedie e letrave shqipe dhe botërore, promovoi vlera letrare, ide, filozofi, shkrimtarë dhe përkthyes letrarë shqiptarë, duke krijuar rubrika të përhershme. Botoi letërsi të traditës, të harruar, apo letërsi të dënuar nga ideologjitë e kohërave, botoi krijime, ide dhe eksperimente letrare të krijuesve të rinj shqiptarë, risitë e tyre letrare. Nxiti zhvillimin e gjinive letrare pak të zhvilluara te ne, siç ishin eseja letrare dhe kritika letrare, duke krijuar edhe një çmim të përvitshëm për esenë dhe kritikën letrare. Për fat të keq, sot një revistë letrare e përmasave të tilla mungon në tregun shqiptar. Edhe gazeta letrare si Ex-Libris, apo të tjera, ndonëse bëjnë një punë të lavdërueshme, nuk e zëvendësojnë dot rolin e një reviste si “Mehr Licht-i”. Nuk është punë e lehtë botimi i një reviste të këtyre përmasave, kërkon jo vetëm mbështetje të vazhdueshme financiare, por edhe staf të përkushtuar, si edhe bashkëpunëtorë të jashtëm. Nuk kam asnjë projekt për botim reviste, i jam përkushtuar tërësisht shkrimësisë, por uroj që ta kemi sa më parë një revistë të tillë letrare.
Shkrimtare dhe përkthyese, në cilin nga dy shtratet do të ndiheshit më e sigurt dhe cilin do të kishit më prioritar?
Si krijimtari, e dua edhe shkrimësinë, edhe përkthimin letrar. Ky i fundit më ka dhënë shumë si shkrimtare. Duke qenë përkthyese e mjeshtrave të mëdhenj të letrave botërore, kam qenë edhe çirakja e zejes së tyre, më kanë mësuar të shkruaj. Në faza të ndryshme të jetës sime, herë ka dalë në plan të parë shkrimësia dhe herë përkthimi. Sigurisht, që ndihem më e çlirët, më komode me shkrimësinë time. Dhe dëshiroj t’i përkushtohem më shumë krijimtarisë sime.
Duket sikur në raportin femra-meshkuj, në letërsinë shqipe, prozatoret femra janë më të rralla. Është ky një perceptim i gabuar…?
Mendoj është i saktë. Në krye të herës kjo mjeshtëri ka qenë krejtësisht e burrave. Gjithsesi, kjo shoqëria e sotme vazhdon të dominohet prej burrave. Nuk mendoj se është i rëndësishëm numri i zonjave të letrave. E rëndësishme është të vlerësohen si duhet. Dhe duhet vlerësuar individi, jo gjinia. Letërsia është produkt i shpirtit dhe ky s’ka gjini. Zonjat e letrave janë shumë më pak të vlerësuara në krahasim me shkrimtarët meshkuj, edhe kur këta të fundit nuk janë në lartësinë e tyre. Dhe më besoni, kur një krijuese grua arrin të çajë në këtë fushë, me shumë vështirësi duhet theksuar, kur arrin të ketë lexuesin e saj, kur arrin të vlerësohet prej tij, ajo vlen vërtet shumë si shkrimtare.
Sa e angazhuar jeni që veç punëve tuaja, t’i kushtoni kohë dhe leximit të autorëve shqiptarë. Në çfarë nivelesh është letërsia shqipe, 30 vjet pas daljes nga skema e socrealizmit?
Lexoj pa dyshim letërsi bashkëkohore shqiptare, por jo aq sa do të dëshiroja. Nuk jam në gjendje të jap një panoramë të plotë analitike të zhvillimeve bashkëkohore të letrave shqipe, por disa gjëra mund t’i them. Liria e rigjetur e krijimit, ose siç thoni ju, dalja nga skema e socrealizmit, nuk solli kryevepra në letërsinë shqipe. Në burgjet komuniste menduam se do të qenë krijuar ndoshta kryevepra letrare. Por jo, patëm vepra të dhembjes, por jo kryevepra letrare. Me sa duket, letërsia u bindet të tjera ligjësive. U bënë, viteve të postkomunizmit, eksperimente letrare të kërkuara, mendoj, nga ato që bota i pati njohur me kohë, pa ndonjë sukses të madh. Sigurisht që ka zhvillime të mira letërsia shqipe, ka vepra dinjitoze, ka tregimtarë dhe prozatorë të mrekullueshëm. Unë kam shkruar për vepra të veçanta që më kanë prekur shpirtin. Ajo që dua të theksoj fort, është se shkrimtarët shqiptarë, në përgjithësi, pak punojnë me gjuhën; pak merren me pasurimin, përpunimin, limimin e saj. Ose aspak. E kam fjalën për shkrimtarët që e përdorin gjuhën thjesht si një mjet komunikimi, gjuhën për hir të gjuhës, për të rrëfyer histori a ngjarje. Këta mund të jenë skenaristë të mirë, mund të jenë edhe krijues trillerash interesantë. Shkrimtarët e vërtetë e përdorin gjuhën ndryshe. Për hir të poetikës apo simbolikës, por edhe për hir të rrëfimit, ata e zhbëjnë dhe e ribëjnë thurimën e gjuhës, e përpunojnë dhe e ripërdorin për nevojat e tyre krijuese, janë mjeshtrat e krijimit të veprave origjinale, të bazuara tërësisht te fjalët.
Ditët e fundit ka pasur një debat “Meksi – Shvarc” në lidhje me ballafaqimin e dy përkthimeve të ardhura respektivisht nga këta dy përkthyes të veprës “Njëqind vjet vetmi” të Markezit. Mendoni se botimit të vitit 2000 i kanë shpëtuar pasaktësi…?
Në mos gaboj, përkthimi nga Shvarci i romanit në fjalë ka ardhur përpara viteve 2000, dhe më pas është ribotuar i riparë nga përkthyesi. Pra ka dy botime nga Shvarci. Në atë kohë janë bërë botime pirate të Marquez-it; madje edhe “Dashuria në kohërat e kolerës”që unë përktheva nga origjinali në fillim të viteve 90’, ndonëse u vu në dijeni prej meje vetë Marquez-i dhe Carmen Balcells-i, që menaxhonte të drejtën e tij autoriale, dhe u dërguan kopje të përkthimit në Barcelonë, sërish ishte një botim pirat. Duke qenë të tilla, askush nuk shqetësohej se nga ç’gjuhë vinte përkthimi. Kur Bujar Hudhri, përpara disa vjetësh, bleu të drejtat e botimit në shqipe të veprës së Marquez-it, u vendosën edhe standardet dhe rregullat e duhura të përkthimit dhe botimit. Doemos vepra e Marquez-it do të përkthehej nga origjinali, kusht ky i padiskutueshëm, dhe agjencia e të drejtave të tij autoriale kërkonte të njihej me CV e përkthyesit përkatës. Z. Hudhri më propozoi përkthimin e “Njëqind vjet vetmi”. U mëdysha shumë gjatë. Kisha përkthyer gjer asokohe tri vepra të Marquez-it, me shumë sukses, dhe e njihja shumë mirë tërë korpusin letrar të tij; isha shumë e familjarizuar me kolumbianizmat që përdorte në shkrimësinë e tij shkrimtari i botës, madje kisha marrë edhe këshilla prej tij për përkthimine e veprës së tij, gjatë takimit me të në Barcelonë. Gjithsesi, qasja ndaj kësaj vepre ishte tejet e frikshme. Vështirësia përkthimore shumë e madhe. Cilido përkthyes, edhe me një barrë përvoje, mund të “thyente qafën”. Mendoni që ky roman konsiderohet si romani më i madh i shekullit XX, dhe pasuria gjuhësore e tij është e jashtëzakonshme. Kur nisa përkthimin e veprës, i cili zgjati përmbi tre vjet punë e përditshme, Bujar Hudhri m’u gjend në krah. Jo vetëm mori përsipër redaktimit e tekstit, i cili bëhej kapitull pas kapitulli të përkthyer, por nisi të bënte një punë studimore të pazakontë: krahasoi deri në imtësi kuptimore dhe nuancash kuptimore qasjen ndaj tekstit të Marquez-it të shtatë përkthimeve në gjuhë të ndryshme. Midis tyre, edhe përkthimin nga gjermanishtja në shqipe të Robert Shvarcit. Ishte si një lloj misioni i shenjtë letrar për lexuesin e gjuhës shqipe. Punimi studimor që doli është një prurje e rrallë në lëminë e përkthimit të krahasuar që vlen të studiohet nga kurrikulat. Ju më pyesni a mendoj se ka pasaktësi në përkthimin e Shvarcit? Unë nuk e kisha lexuar më parë përkthimin e tij të “Njëqind vjet vetmi”. Por pyetja se ç’mendoj unë apo dikush tjetër nuk ka asnjë kuptim, sepse studimi i Bujar Hudhrit mbi të është i botuar dhe kushdo mund ta shohë; nuk është çështje opinionesh, është shkencë e pastër, e zezë mbi të bardhë, janë qindra shembuj që ilustrojnë përfundimin e tij.
Ajo që mendoj unë është se përballja midis dy përkthyesve Shvarc dhe Meksi nuk ka asnjë kuptim. Debati për këtë përballje është i shterpët. Nuk ka lëndë dhe as argumente për t’u debatuar. Ajo që mendoj unë është se Robert Shvarci, miku im i ndjerë, ka qenë një përkthyes i jashtëzakonshëm, se na ka sjellë në shqipe autorë të mëdhenj dhe vepra dinjitoze të letrave të botës. Mendoj se emri i tij i nderuar, apo vlerat e tij, nuk duhet të lidhen aspak, apo të vihen në peshore me përkthimin e “Njëqind vjet vetmi”, që mund të ketë qenë ndoshta një aksident në karrierën e tij të shkëlqyer prej shqipëruesi, (cilit përkthyes, sado i madh të jetë, nuk i ndodhin të tilla?) por me veprat e mëdha që shqipëroi nga gjuha gjermane. Nga ana tjetër, mendoj se studimi i Bujar Hudhrit duhet të konsiderohet në thelbin e tij, në atë çka sjell si pjesë e shkencës së përkthimit dhe që i kapërcen emrat e përkthyesve, qoftë të Shvarcit, qoftë të Meksit apo të ndonjë tjetri.
Dua t’ju them edhe diçka tjetër që do ta ilustroj me përvojën time: edhe nëse përkthimi i Shvarcit do të kishte qenë i shkëlqyer, sërish do të dilte nevoja për ta ripërkthyer veprën e madhe: e para, sepse në këta njëzet vjet gjuha shqipe është zhvilluar, ka ndryshuar, nuk përdoren më turqizmat, të cilët në kohën e Shvarcit konsideroheshin nga përkthyesit si “erëzat” e gjuhës, dhe që tani të rinjtë as që i kuptojnë; dhe e dyta, sepse normat e reja të botimit kërkojnë përkthimin e veprës nga origjinali. Siç u shpreha më sipër, unë kam përkthyer “Dashuria në kohërat e kolerës” të Marquez-it në vitin ’91, pra gati 30 vite më parë. Nga origjinali, dhe përkthimi asokohe u konsiderua i shkëlqyer. Tirazhi 30 mijë kopje. E pra, përpara katër vjetësh, pata fatin që ta ripërkthej përkthimin tim, sepse ishte e nevojshme pikërisht për hir të evoluimit të gjuhës, por edhe të përvojës sime tani më të madhe në këtë fushë.
Në dijeninë tuaj, a qarkullojnë tituj të ngjashëm të cilët kanë nevojë për një përkthim paralel?
Nuk gjykoj se duhet folur për përkthime paralele, por për disa përkthime të një vepre. Bota e njeh mirë këtë përvojë, dhe për vepra të mëdha ekziston një shumësi përkthimesh nëpër dekada. Fjala vjen, për Don Kishotin në frëngjishte njihen dhjetëra të tilla, apo për veprën e Shekspirit etj. Për arsyet që shpalosëm më sipër. Ne, sigurisht, nuk e kemi një luks të tillë. Gjithsesi, ka pasur dhe ka variante përkthimesh në shqipe të një vepre të caktuar. Është pasuri e letërsisë. Njihen disa përkthime në shqipe të poezive të Lorkës, të Pushkinit, të Burns-it etj. Në dijeninë time ka edhe vepra të Markez-it të përkthyera nga frëngjishtja dhe në mënyrë të pasaktë që në titull, dhe që janë përkthyer më pas nga origjinali, apo variante përkthimesh të autorëve të mëdhenj rusë, si Tolstoi etj.
Dhe së fundi një pyetje klishe: Çfarë do të kemi nga ju në të ardhmen e afërt?
Nuk di sa e afërt do jetë koha e botimit të romanit që kam në dorë; ka sfond historik, personazh kryesor Mid’hat Frashërin, por edhe Agatha Christie-n dhe romanin e saj legjendar “Krim në Ekspresin e Orientit”.