Riatdhesimi/Lleshaj në Liban, shpresa për shqiptarët në kampin e “ferrit”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Liban, ku është takuar me homologun e tij, Mohammad Fahmi, dhe gjeneralin Abas Ibrahim i cili mban postin e drejtorit të përgjithshëm për çështjet e sigurisë. Sipas mediave libaneze Lleshaj ka kërkuar ndihmë nga Libani për shpëtimin e fëmijëve shqiptarë në kampet e “tmerrit” në Siri.

Nga Elvis MYRTA

Kur ka kaluar gati një vit nga riatdhesimi i Alvin Berishës, djalit të mitur i cili kishte ngecur në një kamp në Siri, duket se autoritetet tona janë duke lëvizur diçka për sa i përket kthimit në atdhe të shqiptarëve të mbetur në këto kampe. Protesta e familjarëve të cilët kanë të afërm në Siri, rreth një javë më parë në Tiranë, duket se i ka vënë në lëvizje autoritetet tona, që janë ndër të vetmet që nuk kanë kryer operacione riatdhesimi nga kampet e luftës. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i shoqëruar nga drejtori i Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, prej dy ditësh ndodhen në Liban, ku kanë zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të këtij shteti, me qëllim për të bërë të mundur rikthimin në atdhe të personave dhe kryesisht të fëmijëve të cilët kanë ngecur në këto kampe. Nuk dihet se çfarë ndihme pritet që Shqipëria të marrë në këtë drejtim nga autoritetet libaneze, por sipas informacioneve të siguruara nga gazeta “Fjala”, mësohet se qëllimi është mundësimi i riatdhesimit të fëmijëve dhe grave shqiptare nga kampi Al Hol në Siri.

Sipas të njëjtave burime, mësohet se ministri i Brendshëm Lleshaj, ka pasur një takim me homologun libanez dhe gjeneralin Abas Ibrahim, i cili mban postin e drejtorit të përgjithshëm për çështjet e sigurisë. Ky takim është zhvilluar në masa të larta sigurie. Kujtojmë se nga persona të cilat janë në kampin Al hol, e që kanë arritur të kontaktojnë me familjarët e tyre, besohet se janë rreth 51 fëmijë në kampet e luftës, si dhe shumë të rritur që tashmë kërkojnë të kthehen. Ky është takimi i dytë që Lleshaj ka bërë me homologun libanez, ku megjithëse nuk ka asnjë detaj se çfarë është folur në këto takime, edhe pse riatdhesimi duket i vështirë, ekzistojnë shpresat që autoritetet tona të ndërmarrin një operacion për riatdhesimin e shqiptarëve që ndodhen në ambientet e këtij kampi. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një lidhje live për emisionin “Open” foli nga Libani për mundësinë e kthimit të fëmijëve nga Siria. Lleshaj tha se situata nuk është aspak pozitive, dhe se terreni është i vështirë.

“Njëra prej çështjeve është e fëmijëve, po diskutojmë për evakuimin e tyre. Ne patëm plane ambizicioze që vjet, por situatat që erdhën më pas e ndryshuan rrjedhën e gjërave disi. Situata gjithsesi mbetet e nderë, mësova se këtu ka 1000 raste në ditë të infektimeve nga Covid-i, kufiri me Sirinë është i mbyllur. Unë nuk dua të jap shpresa të kota. Nuk mund të ndiqet modeli kosovar, i pamundur kontrolli i situatës në terren, është shumë fragile. Le të mos zgjojmë zhurmë të panevojshme për këtë çështje”, tha Lleshaj. Kujtojmë se disa kohë më parë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, u shpreh për mediat se ishte në bisedime me partnerët ndërkombëtarë për të ndërtuar një rrugë që mund t’i ndihmonte për të mundësuar nxjerrjen e fëmijëve shqiptarë të mbetur të bllokuar në kampet e luftës në Siri.

Me thirrjet “Ktheni Alvinët”, në 15 shtator familjarë të fëmijëve dhe personave të tjerë të cilët ndodhen në kampet e luftës në Siri, protestuan para Kryeministrisë, ku i kërkuan qeverisë dhe autoriteteve përgjegjëse të gjejnë mënyrën për t’i kthyer në shtëpi. Protesta e cila përkonte dhe me ditën e nisjes së sezonit të ri shkollor, u organizua nga familja e dy të miturve Eva dhe Endrit Dumani. Ata janë dy të mitur të cilët prej 6 vitesh ndodhen në kampin Al Hol në Siri, e ashtu si Alvin Berisha, i riatdhesuar nga autoritetet italiane, kërkojnë të bashkohen me familjen e tyre.

Me anë të një letre, nëna e të miturve i kërkoi ndihmë shtetit që të riatdhesojë fëmijët e saj që prej disa kohësh, tashmë janë të vetëm në kamp. Duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama, Mide Dumani, shprehej disa kohë më parë se fëmijët janë të frikësuar dhe kërkojnë patjetër të kthehen. Nga komunikimet që ajo kishte pasur me fëmijët e saj, ata i janë shprehur se vetem shteti mund t’i tërhiqte që aty. Të pranishëm në protestën e 15 shtatorit, për t’i bërë thirrje shtetit të veprojë ishin edhe persona të tjerë që prej vitesh i kanë larg të afërmit e tyre.

Lexo edhe :  I bëri pritë poshtë shtëpisë, i riu plagos me thikë policin

Rastet e tjera

Kampi Al Hol është si një qytet më vete, me rreth 70 mijë persona, shumica gra te luftëtarëve të ISIS-it dhe fëmijët e tyre që kurdët me forca amerikane dhe siriane i kanë arrestuar dhe që tani qëndrojnë atje, të izoluar, pa e ditur fatin që i pret. Në total janë 51 fëmijë dhe 18 të rritur nga Shqipëria, që ndodhen aktualisht në kampin e “ferrit”, që ndodhet nën mbikëqyrjen e kurdëve. Por pa nënë e baba, të vetëm mes një kampi ku jetesa nuk i afrohet aspak normalitetit, janë plot 13 fëmijë të tjerë shqiptarë. Si për shembull tre vëllezërit Korvafaj. Amari 13 vjeç, i lindur në Tiranë, të cilit i ka mbetur përgjegjësia të kujdeset për dy vëllezërit e tij më të vegjël, Umerin 6 vjeç dhe Haxherin 3 vjeç, të dy të lindur në Siri.

Asgjë nuk dihet për fatin e babait të tyre, Erjon Korvafajt, për të cilin të pakta janë mundësitë që të ketë mbijetuar. Emri i Erjonit nuk figuron në listën e “banorëve”’ të kampit Al Hol, dhe tre fëmijët e tij rezultojnë kështu jetimë. Pa ngrohtësinë e prindërve në kampin e largët të Sirisë janë edhe Ahmedi 6 vjeç lindur në Siri, dhe motra e tij Saxhide, vetëm 4 vjeç lindur në Irak. Babai i tyre, Arbër Zani nga Tirana, dyshohet të jetë vrarë, ndërsa nuk dihet se ku është nëna e tyre. Përveç tyre, është historia edhe e tre vëllezërve Alshiqi, Abdullahut 5 vjeç, Merjemit 2 vjeç, dhe motrës së tyre akoma më të vogël, vetëm 10-muajshe, Fatimes, pa prindërit, të vetëm mes kampit-ferr. Por, në mesin e emrave të shqipëtarëve që ndodhen brenda këtij kampi janë edhe disa gra. Njëra ndër të cilat është Ruzhdije Balliu, 57 vjeç nga Librazhdi. Ajo nuk e di se ku ndodhet bashkëshorti i saj, Aliu, ndërsa nuk ka kontakt me asnjë nga familjarët.

Nxjerrja nga kampi “Al Hol” e Alvin Berishës

Alvin Berisha, u nxor më 5 nëntor të vitit 2019 nga kampi i “Al Hol”-it. Babai i tij, Afrim Berisha, e kërkonte prej vitit 2014, kur nëna shqiptare, braktisi familjen në Itali ku jetonin prej vitesh dhe e mori Alvinin, i cili në atë kohë ishte vetëm 6 vjeç. Nëna e tij kishte vdekur në kamp së bashku me një burrë të huaj me të cilin ishte martuar. Alvini mbeti i vetëm, dhe pas përpjekjeve të shumta të babait të tij, emisioni investigativ “le Iene” arriti të gjejë Alvinin dhe të bëjnë takimin përlotës mes babait dhe djalit pas 5 vitesh. Operacioni i tij i shpëtimit u mor përsipër nga Gjysmë Hëna dhe Kryqi i Kuq, me udhëheqjen e vendit fqinj, Italisë. Shteti shqiptar nuk u pa asgjëkundi.

Në dalje televizive kryeministri Edi Rama dhe ministri në detyrë për Punët e Jashtme, Gent Cakaj, këmbëngulnin se çështja ishte shumë e komplikuar dhe se Siria nuk kishte një “kokë” me të cilin mund të negocionin. Për më tepër, Romina Kuko, zv/ministrja e Brendshme, hodhi idenë në një emision televiziv se ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Gent Gazheli, mund të merrej peng. Në atë periudhë, gazetari i “Le Iene” u lidh me të, por siç u transmetua përmes pamjeve filmike, nuk u realizua dot as edhe një telefonatë në të mirë të Alvinit. Dhe jo më larg se tri ditë pas publikimit të emisionit italian, Gent Gazheli dha dorëheqjen.

TË DHËNA

Në total janë 70 shqiptarë që ndodhen në Siri

51 fëmijë shqiptarë

19 të rritur

E humbur Fitore Rama

7 të vrarë, 3 fëmijë dhe 4 gra   /Ra.My.Fjala.al/

 

Të fundit

PS me 19 deputetë në Tiranë! PD në “luftë” me Partinë Mundësia për 1 mandat

Në qarkun e Tiranës janë numëruar 1106 kuti nga 1282 që janë në total, ku sipas të dhënave, Partia...

“Zoti ministër, pse fshihesh…” Tensione te KZAZ 32, Shehaj përplaset me Ervin Hoxhën

Debate me tone të forta te KZAZ 32 mes kreut të “Mundësia”, Agron Shehajt dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Gazetari Igli Çelmeta raporton...

Qarku i Dibrës/ PS përmbys rezultatin e 2021, merr 3 mandate. PD zbret në 2

Në qarkun e Dibrës, ka mbetur edhe vetëm një kuti për tu numëruar, nga 222 kuti votimi. Nga të dhënat e përditësuara, të publikuara në...

Damian Gjiknuri futet në Kuvend, mbetet jashtë nga socialistët Ina Majko!

Rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit i japin Partisë Socialiste një epërsi të dukshme në qarkun e Vlorës, me 8 mandate të fituara, ndërsa...

Edi Rama për “Corriere della Sera”: E prisja fitoren, njerëzit nuk janë budallenj!

Kryeministri dhe njëkohësisht dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka dhënë së fundmi një intervistë për prestigjozen italiane “Corriere della Sera” . E teksa...

Lajme të tjera

Web TV