Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e akuzoi Kinën për dështim në frenimin e përhapjes së koronavirusit, i cili është identifikuar për herë të parë në qytetin kinez, Vuhan, në fund të vitit 2019.
Në një fjalim të incizuar para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Trump tha se Kina i ka lejuar udhëtarët të largohen dhe “të infektojnë botën”.
Ai i përshkroi përpjekjet e Shteteve të Bashkuara kundër pandemisë së koronavirusit si “mobilizimin më agresiv që nga Lufta e Dytë Botërore”.
“Shtatëdhjetepesë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe themelimit të Kombeve të Bashkuara, ne jemi përsëri të përfshirë në një luftë të madhe globale. Jemi duke zhvilluar një betejë të ashpër kundër armikut të padukshëm, virusit të Kinës, i cili ka marrë jetë të panumërta në 188 vende.
Në Shtetet e Bashkuara, ne patëm mobilizimin më agresiv që nga Lufta e Dytë Botërore. Shpejt prodhuam një rekord ventilatorësh, duke krijuar një tepricë që na lejoi t’i ndajmë ata me miqtë dhe partnerët në të gjithë globin.
Ne duhet ta mbajmë përgjegjës vendin, i cili e shkaktoi këtë fatkeqësi në botë: Kinën. Në ditët e para të virusit, Kina i ndaloi udhëtimet brenda vendit, ndërsa i lejoi fliturimet jashtë dhe infektoi botën”, ka thënë Trump.