Tirana nuk ka vetëm numrin më të madh të deputetëve, të cilët në zgjedhjet e ardhshme pritet të jenë 36, por është qarku që mund të përcaktojë pushtetin e ardhshëm politik në vend. Analiza krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017 në numër votash, dhe si pritet konfigurimi i ri. Rezultati zgjedhor që varet edhe nga çështja e lejimit ose e moslejimit të koalicioneve parazgjedhore. Lëvizje nga treshja e ambasadodorëve. Yuri Kim i kujton Ramës dhe Bashës marrëveshjen e dakordësuar të 5 qershorit… Në një reagim për gazetën “Fjala”, ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, thekson se heqja e koalicioneve penalizon partitë e mëdha.
Nga Blerina Gjoka
Beteja për Tiranën është si ajo e “Stalingradit”, ku ndrsyhuan e Luftës së Dytë Botërore, ndërsa në Shqipëri, më 25 prill duket se do të varen fatet e qeverisë së ardhshme. Aty pritet të përcaktohet fituesi dhe kutitë e para të numëruara në secilën njësi do të jenë lakmusi për të kuptuar nga do të anojë pushteti, ku deri më tani ka një peshore farmacie dhe nuk është çudi që të ndahen me një grusht votash me më shumë apo më pak te secili subjekt. Katër vite më parë, Tirana nxori 34 deputetë, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme pritet të shkojë në 36, kjo për shkak të shtimit të numrit të popullsisë. Gjithnjë Tirana ka pasur një balancë “të frikshme” majtas dhe djathtas, me përjashtim të zgjedhjeve specifike, ku fryma ishte edhe më e fortë se kalkulimet vocërrake të subjekteve politike. Në zgjedhjet e ardhshme partitë kryesore politike, PS, PD dhe LSI do përqendrohen në kryeqytet, jo vetëm për shkak të numrit të lartë të votuesve dhe mandateve që dalin nga ky qark, por, mbi të gjitha, marrja e Tiranës është themeli për të kuptuar se nga do të anojë pushteti politik në vend. Pa dyshim se secili qark do të ketë vlerën e vet në fundin e llogarive plot ankth nga ana e subjekteve që pushtetin e konsiderojë si “jetë a vdekje”, ndonëse koha ka treguar se “jeta vazhdon” edhe pas dramave partiake.
Përballja e Big-ëve
Partia Socialiste ka përcaktuar tre drejtues të fushatës për Tiranën, kryebashkiakun Erion Veliaj, ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, dhe deputetin Ervin Bushati. Të tre këta do të mbajnë peshën e kryeqytetit dhe kjo më shumë se dëshirë është një lëvizje taktike e kryeministrit Edi Rama, i cili ka vendosur të jetë drejtues i fushatës së PS-së në qarkun e Durrësit. Besimi në këtë treshe të deklaruar tashmë mbetet për t’u parë në momentin kur do të hapen kutitë e para të votimit. Por duke ditur rëndësinë që ka ky qark, edhe PD-ja po mendon një grup përfaqësimi që do të jetë në krye të fushatës. Nga PD-ja mendohet se vetë lideri Lulzim Basha do të mbajë barrën kryesore në Tiranë, por duke qenë kryetar i parties, atij do t’i duhet të shkelë në këmbë çdo pëllëmbë të Shqipërisë, me qëllim paraqitjen e programit dhe në fund edhe mbledhjen e votave. Është ende shpejt për ta kuptuar formën që do të zgjedhin palët për të bërë fushatë, por deri më tani nga ajo që po ndodh, ngjan se nuk do të ketë asnjë ndryshim nga zgjedhjet e kaluara. Qeveria mbron ato që i quan arritje, ndërsa opozita denocon për dështimet, akuzon për korrupsion dhe premton për të ardhmen.
Llogaritë e Tiranës
Në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Socialiste në qarkun Tiranë mori 200517 vota, PD-ja 128065 vota dhe LSI-ja 55894 vota. Ky rezultat u fiksua zyrtarisht nga KQZ-ja në përfundimim të të gjithë procesit të numërimit. Nga këto vota Partia Socialiste fitoi 18 mandate, Partia Demokratike 11 dhe LSI 5 mandate. Për t’u shënuar është se PDIU-ja, e cila kishte në krye të listës kryetarin e saj Shpëtim Idrizi, humbi një vend në Parlament për vetëm një grusht votash, e cila siguroi 12434 vota ose 2,99% dhe pikërisht sepse nuk kaloi pragun elektoral 3%, nuk u përfaqësua me deputet për qarkun Tiranë. Po çfarë pritet të ndodhë më 25 prill? Shumëçka do të varet nga Kodi Zgjedhor që i lejon ose nuk i lejon koalicionet politike. Nëse më 1 tetor mazhoranca do të miratojë pa konsensusin e opozitës jashtëparlamentare draftin e saj, atëherë duket se përfundimisht mbyllet fati i “koalicioneve parazgjedhore”.
Në një rast të tillë, gjithçka i duhet referuar shifrave të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 qershorit 2017. Në ato zgjedhje subjektet politike iu drejtuan elektoratit pa koalicione parzgjedhore, kjo e kushtëzuar edhe nga marrëveshja e 17 majit Rama-Basha, të cilat për mungesë kohe dhe për shkak të disa arnimeve në Kodin Zgjedhor, konkurruan të veçuara. Partisë Demokratike i mungojnë shumë vota në zgjedhjet e vitit 2017, ku ka një diferencë prej 72452 vota krahasuar me Partinë Socialiste. Nga ana tjetër LSI-ja njohu rritje, duke u krahasuar me veten në zgjedhjet e vitit 2013. Por, surprizat mbeten për të paktën dy arsye…
Koalicionet
Nëse në zgjedhjet e vitit 2021 do të shkohet me koalicione parazgjedhore, atëherë blloku opozitar, qoftë edhe duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve të fundit, është shumë më i avantazhuar. PD, LSI dhe PDIU, si tri subjekte me pontencial politik, bashkarisht mund të përbysin rezultatin zgjedhor në favor të tyre dhe duke e kaluar PS-në një shkallë më poshtë. Gjithashtu, një tjetër faktor si gjithnjë mbetet konsumi që sjell qeverisja, sidomos në mandatin e dytë dhe kjo tashmë është e vërtetuar në disa zgjedhje në vendin tonë. Edhe PS-ja ka të drejtën e koalicioneve dhe, pavarësisht numrit të madh të subjekteve politike të cilat mund të jenë në një listë me të, nuk përbëjnë “forcë vote” domethënëse në elektorat. Po ashtu, Kodi Zgjedhor që parasheh krijimin e koalicioneve në mënyrë thuajse të drejtpërdrejtë i favorizon subjektet për të maksimalizuar numrin e mandateve të deputetëve. Edhe pse mund të ngjajë paradoksale, partitë politike duket se kanë kthyer “blloqet e vjetra” për të parë listën me emrat e votuesve që i konsiderojnë si të tyret. Kjo pritet të ndodhë edhe në Tiranë, ku krahas frymës që do të injektohet një rol të rëndësishëm luan edhe ajo betejë e padukshme, përtej së dukshmes publike, e cila bëhet derë më derë dhe zonë më zone, nga makineritë e mëdha politike.
Kristaq Kume: Heqja e koalicioneve penalizon partitë e mëdha
Pamundësia për t’u organizuar në koalicione parazgjedhore do të penalizojë partitë e mëdha, të cilat janë përfitueset direkte të votave që mbledhin partitë e vogla në koalicione të tilla. Por, sipas tij, me propozimin që bën mazhoranca për Kodin Zgjedhor, bazuar në ndryshimet kushtetuese e zvogëlon këtë efekt. “Praktikat elektorale nga partitë me krijimin e koalicioneve nuk favorizon partitë e vogla, por ato të mëdha, pasi mënyra e organizimit bënte që partitë të mblidhin vota secila për vete, por kur vinte puna te ndarja e mandateve midis koalicioneve, ajo bëhej duke përfituar dy partitë e mëdha nga këto vota. Tashmë zvogëlohet ky efekt, sipas formulës së re. Efekti i dytë që ka synuar mazhoranca me ndryshimet kushtetuese është se cila parti do të dalë e para, pasi nuk kemi përcaktuar akoma kujt i jepet mandati qeverisës, partisë apo koalicionit që del më me shumë vota. Me formulën e re, një partie të madhe që kërkon të fitojë mandate për vete, nuk i intereson të hyjë në një koalicion parazgjedhor me një parti tjetër të madhe, sepse humbet identitetin e saj”, – sqaron për gazetën “Fjala”, ish-kreu i KQZ-së, Kume. Gjithsesi, ai shton se ndryshimet kushtetuese nuk e ndalojnë formimin e koalicioneve. “Kushtetuta thotë listat e kandidatëve paraqiten nga partitë ose qytetarë, duke hequr fjalën koalicion. Nëse do të ketë presion të madh, mundet që partitë që duan të grupohen në koalicione të gjejnë një zgjidhje praktike, si për shembull: partitë do të venë të regjistrohen të gjitha një nga një me listën e kandidatëve të tyre në KQZ dhe më pas të bëjnë një aleancë parazgjedhore mes tyre, që do të pranohet nga KQZ-ja për përllogaritjen e mandateve pas zgjedhjeve”. Nga ana tjetër, Kume kritikon propozimin e PS-së për hapjen e listave, duke e cilësuar në fakt praktikisht një mbyllje listash dhe propozimin për pragun kombëtar 3 për qind. Sipas tij, ky prag i penalizon partitë e reja apo lëvizjet politike që duan të futen në Parlament, pasi i kushtëzon që të marrin rreth 40-50 mijë vota vetëm për të kaluar pragun.
Votat e marra nga tre subjektet për Qarkun Tiranë 2017
Partia Socialiste 200517 vota
Partia Demokratike 128065 vota
Lëvizja Socialiste për Integrim 55894 vota
Mandatet e fituara për Qarkun Tiranë në zgjedhjet e vitit 2017
Deputetët e zgjedhur nën siglën e PS-së
Elona Hoxha
Besnik Baraj
Olta Xhaçka
Blerina Gjylameti
Pandeli Majko
Saimir Tahiri
Vasilika Hysi
Ervin Bushati
Ogerta Manastirliu
Fatmir Xhafaj
Rakip Suli
Arben Ahmetaj
Xhemal Qefalia
Sadri Abazi
Ulsi Manja
Klotilda Bushka
Sadi Vorpsi
Arben Pëllumbi
Deputetët e zgjedhur nën siglën e PD-së
Lulzim Basha
Orjola Pampuri
Rudina Hajdari
Grida Shqima
Albana Vokshi
Jorida Tabaku
Sali Berisha
Halim Kosova
Gent Strazimiri
Fatmir Mediu
Dashamir Shehi
Deputetët e zgjedhur nën siglën e LSI-së
Klajda Gjosha
Kejdi Mehmetaj
Floida Kërpaçi
Endrit Braimllari
Luan Rama /Ra.My.Fjala.al/